22 dhjetor 2006

REALITETE DHE SFIDA PËR KRYESINË E RE TË LDK-SË


KRYESIA E RE E LDK-SË, MË SHUMË SE SA SHANTAZHEVE TË ZEVZEKËVE TË AKADEMIK DACIT, DUHET T’I KUSHTOJË KUJDES KARRIERISTËVE, INTERESXHINJVE DHE ATYRE QË VRAPOJNË PAS FITIMTARËVE

LDK-ja kaloi suksesshëm edhe një fazë të profilizimit të saj si parti, si dhe të tejkalimit të situatës pas vdekjes së dr. Ibrahim Rugovës. Zgjedhja e Kryesisë së LDK-së, që pëmbylli kompletimin e organeve udhëheqëse të saj, ishte sprova e fundit në këtë fazë të profilizimit të saj, si dhe të vendosmërisë për të mos rënë në letargjinë politike që ia ndollën shumë dashkeqas dhe shumë njerëz dhe struktura që kishin dhe vazhdojnë ta kenë për qëllim rrënimin politik të filozofisë politike të dr. Ibrahim Rugovës dhe të vetë LDK-së. Këtë sukses të kësaj faze nuk e zbeh fakti se disa individë që janë mbledhur rreth akademik Dacit kanë paralajmëruar edhe mundësinë që të dalin nga LDK-ja, sepse vetë dalja e tyre do të ishte një ndihmesë në profilizimin e kësaj partie.

Shkruan: Rexhep KASTRATI

Shndërrimi i LDK-së nga një lëvizje politike që udhëhoqi në mënyrë shumë të mirë procesin politik të ngritjes politiko-juridike të Kosovës nga një rajon me autonomi të mohuar në një vend kandidat për të qenë shtet i pavarur, në një parti e cila do të veprojë në kushte dhe rrethana të reja, gjithnjë duke e ruajtur identitetin e saj që lidhet me filozofinë politike të dr. Ibrahim Rugovës, është një ndër sfidat themelore me të cilat është ballafaquar kjo parti që nga vendosja e Kosovës nën një administrim ndërkombëtar e këndej. Pati struktura që lidhen kryesisht me linjën e Tiranës/Kretës dhe me atë udbasho-jugosllavokomuniste që në vazhdimësi provuan, e këtyre ditëve pak më tepër, që ta ngatërrojnë LDK-në në sfidën e saj të profilizimit të saj, dhe në vend të profilizimit të bëhet dobësimi dhe rrënimi politik i saj. Në këtë kontekst, që me daljen e grupit të Hydajet Hysenit nga LDK-ja dhe me këmbënguljen e këtij grupi se ai përfaqësonte LDK-në legjitime, e jo ajo që kishte në krye të saj dr. Ibrahim Rugovën, njerëz të linjës udbasho-jugosllavokomuniste e kanë filluar zhurmën e tyre të shkatërrimit të LDK-së. Dalja e njerëzve nga LDK-ja, për asrye ndër më të ndryshmet, e që ishte hapërim drejt profilizimit të saj si parti politike, nga njerëz të linjës udbasho-jugosllavokomuniste u interpretua si përçarje, si ndarje e kështu me radhë, ashtu siç po ndodh edhe tash me grupin shumë heterogjen të njerëzve të afruar rreth akademik Dacit. Mirëpo, koha ka treguar se populli ka ditur ta identifikojë LDK-në dhe atë jo vetëm nëpërmjet emrit dhe simboleve të saj partiake, por kryesisht nëpërmjet dr. Ibrahim Rugovës dhe filozofisë së tij politike. Dhe përkrahja e popullit për LDK-në është mbështetur pikërisht në filozofinë politike të dr. Ibrahim Rugovës, e cila tashmë ishte bërë pjesë e filzofisë politike të këtij populli, si dhe identitet aktual politik i tij. Për këtë arsye, njerëz pa kurrfarë pedigreje nacionale, politike e demokratike, e për më tepër me pedigre të shërbimeve të ndryshme sekrete që kishin marrë përsipër që ta dëmtonin LDK-në, për të krijuar terrenin e ngritjes së tyre politike, iu turrën dr. Ibrahim Rugovës dhe filozofisë së tij. Përkundër karakterit jopolemik të vetë dr. Ibrahim Rugovës dhe të filozofisë së tij politike dhe përkundër injorimit të gjithë asaj fushate kundër tij, këta mjeranë dhe mercenarë moralë e politikë nuk arritën kurrë që të kenë as suksesin më të pakët. Paraqitja e daljes së njerëzve të caktuar nga LDK-ja si përçarje, ndarje e dobësim të LDK-së, mori vazhdimisht ndëshkimin e popullit. Dhe kjo përfaqësonte dështimin e gjithë angazhimeve për rrënimin e dr. Ibrahim Rugovës dhe të filozofisë së tij politike, e bashkë me këta, edhe të vetë LDK-së.

Vdekja e dr. Ibrahim Rugovës, ndërkaq, u konsiderua edhe si fund i LDK-së, pasi që pseudoanalistë që i stisin tekstet e tyre sipas porosisë, apo sipas atyre që i paguajnë, thoshin se këtë parti e mbante të bashkuar vetëm udhëheqësi i saj historik. Ndërkohë ndodhi e kundërta, pasi që sfida e parë me të cilën u ballafaqua LDK-ja, e që ishte zgjedhja e pasuesit të dr. Ibrahim Rugovës në krye të Kosovës u bë pa kurrfarë problemi. Zgjedhja e Fatmir Sejdiut kryetar i Kosovës ishte sprova e parë serioze se kjo parti do të vazhdonte të ishte partia kryesore që do ta udhëhiqte procesin politik në Kosovë. Sfida e radhës, ajo e ballafaqimit të partisë me individin bartës të funksionit shtetëror, ishte një sfidë që fillimisht e kuptova si sfidë e vendosjes së autoritetit të partisë mbi individin, ishte ajo e shkarkimit arbitrar të akademik Dacit nga posti i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, por që u pa se përveç kësaj, kishte të bënte edhe me një luftë personale ndërmjet akademik Dacit dhe njeriut tashmë të parë të LDK-së, mr. Eqrem Kryeziut, ishte sfida më e vështirë që e kaloi LDK-ja pas vdekjes së dr. Ibrahim Rugovës. Shkarkimi i akademik Dacit nga posti i kryetarit të Kuvendit ishte i nevojshëm për shkak të devijimit të theksuar nga filozofia politike e dr. Ibrahim Rugovës dhe të afrimit të tij me Hashim Thaçin, e rrjedhimisht edhe me injorimin që ua bënte strukturave partiake që e kishin emëruar në postin e të parit të Kuvendit të Kosovës, si dhe për shkak të grindjeve dhe raporteve të acaruara kryesisht me UNMIK-un. Mirëpo, ajo që bëri që unë e bashkë me mua edhe disa të tjerë të mos e tumirnim këtë shkarkim ishte intenca e mr. Eqrem Kryeziut që të shkelte edhe procedurat statutore partiake, edhe ato kuvendore dhe të bënte një hakmarrje për shkak të përjashtimit dhe të diferencimit që i ishte bërë atij në ceremoninë e varrimit të dr. Ibrahim Rugovës. Si mbështetës i hershëm i filozofisë së dr. Ibrahim Rugovës, unë nuk mund të tumirja një veprim që përveç një mbështetjeje reale në arsye të qëndrueshme, kishte brenda edhe inatin personal dhe në përgjithësi personalizimin e çështjeve të caktuara. Së këndejmi, pozicionimi pro akademik Dacit ishte në të vërtet pozicionim kundër personalizimit të çështjeve jopersonale, dhe kundër reflektimit të personalizimeve të tilla në zhvillimet brendapartiake dhe insitucionale në Kosovë. Ajo që nuk më pëlqente në atë kohë ishte zelli me të cilin individët e ndryshëm ishin vënë në krah të mr. Eqrem Kryeziut për shkarkimin e akademik Dacit nga posti i kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Përkundër një mbrojtjeje fanatike, por aspak parimore, racionale dhe shumë herë me argumentime, logjikë dhe shprehje të ulëta, ndër të cilët duhet dalluar atë të Fadil Gecit dhe të Besa Gaxherrit, që akademik Dacit iu bë vetëm pak ditë më parë, ishin po të njëjtit që njëzëri votuan pro shkarkimit të tij. Me këtë rast nuk ishte shqetësues vetë akti i shkarkimit, sa ishte kredoja morale e njerëzve të caktuar dhe një autoritarizëm arrogant që mundohej ta vendoste mr. Eqrem Kryeziu. Kjo ishte një arsye tjetër e pozicionimit tim pro akademik Dacit, pozicionim i cili solli disa efekte të dëmshme anësore: njerëz besnikë të mr. Eqrem Kryeziut dhe miq të tij personalë, brenda natës u bënë njerëz të afërt të akademik Dacit. Afrimi i Gecëve të Llaushës, i shokut të tyre, Bajrush Morina dhe të krijesës së tij mediale, Albatros Rexhaj, afrimi i Adem Salihajt i Berim Ramosajt, e pak më vonë edhe i Melihate Tërmkollit, jepte shenjat se ish-kryetari Kuvendit të Kosovës bëhej pikëmbështetje, pikëshprese dhe ID e re politike njerëzve, strukturave dhe qarqeve që mbi të gjitha kishin ambicet personale për pushtet, ambicet për ruajtjen e pushtetit dhe të rkithimit të pushtetit. Në shpërfaqjet e tyre publike, shumica e këtyre njerëzve, përfshirë edhe vetë akademik Dacin, derdhën një dozë të madhe të mllefit personal kryesisht në mr. Eqrem Kryeziun. Dhe me kalimin e kohës, gjithnjë e më shumë vihej në pah pikërisht inati personal dhe dëshira patologjike për hakmarrje. Në një situatë të tillë, unë nuk mund të vazhdoja të mbështesja akademik Dacin, apo mbështetjen time ta lidhja me korigjimin eventual të atyre tri gabimeve që i kam theksuar edhe më herët: distancimin nga Gecët e Llaushës, nga Bajrush Morinët e Gexhës, nga Albatros Rexhajt e Korishës e kështu me radhë, të ndryshonte raportet me strukturat organizative të LDK-së, si dhe të hiqte dorë nga personalizimi i konfliktit me mr. Eqrem Kryeziun. Dhe akademik Daci nuk e bëri asnjërën, as tjetrën: Gecët jo që nuk i largoi, por në një farë mënyre i bëri pararojën e tij, ndaj strukturave organizative të LDK-së vazhdoi të kishte qëndrim injorues, e në raste të caktuara edhe imponues, kurse personalizimin e konfliktit me mr. Eqrem Kryeziun e vinte në dukje çdo ditë e më shumë.

Kjo ishte një situatë shumë e përshtatshme për mediat kundërldk dhe kudnërrugovë, siç janë “Epoka e re”, “Express”, “Infopress” etj., të cilat u bënë zëdhënëse të njerëzve të akademik Dacit dhe jo vetëm të tij. Shihej hapur se këta njerëz instrumentalizoheshin në mënyrë perfide nga të gjithë ato media që në vazhdimësi kishin mbajtur të ndezur flakët me të cilat synonin ta digjnin dr. Ibrahim Rugovën dhe filozofinë politike të tij. Ishte shumë tragjike për këta njerëz që në faqet e “Epokës së re”, të “Expressit”, të “Kohës ditore” e të ndonjë mediumi të ngjashëm bënin prorugovistin dhe avokatin e dr. Ibrahim Rugovës. Por, inati personal që këta njerëz kishin me mr. Eqrem Kryeziun nuk i shtynte të mendonin se çfarë interesi kishin këto media që në vazhdimësi kishin bërë luftë mediale kundër dr. Ibrahim Rugovës, por edhe kundër vetë akademik Dacit dhe të tjerëve rreth tij, në moment të bëhen avokate të atyre që pretendonin se ishin prorugovë. Ata nuk e kuptonin se po përdoreshin nga këto media për t’i fryrë zjarrit dhe për ta bërë realitet dobësimin apo edhe vetë rrënimin e LDK-së. Pamjet e turpshme që u panë më 9 dhjetor janë pikërisht pasojë e acarimit që erdhi edhe si pasojë e acarimit medial që e bënë nëpërmjet këtyre njerëzve pikërisht këto media.

Ana pozitive e gjithë kësaj ishte se njerëzit e akademik Dacit, përfshirë edhe vetë atë, e nxorën veten në dritën e vërtetë: për ta asgjë nuk ishte më e rëndësishme se sa hakmarrja personale ndaj mr. Eqrem Kryeziut, edhe nëse për këtë duhej përdorur edhe dajaku. Strukturat organizative të LDK-së patën mundësi që përpara të shohin se me çfarë njerëz kishin të bënin. Prandaj, akademik Dacit i munguan votat më 9 dhjetor, për çka bëri qaramanin në disa media të Kosovës. Njerëzit mund të mos e shinin me sy të mirë mënyrën e shkarkimit të akademik Dacit, por njëkohësisht nuk mund të pajtoheshin edhe me mënyrat se si akademik Daci synonte të vinte në krye të LDK-së, e më së paku t’i mundësonin atij hakmarrje personale. Të gjithë e kishin vërejtur se po ato media që i kishin dhënë hapësirë të madhe mr. Eqrem Kryeziut në kohën e shkarkimit të akademik Dacit, tash i jepnin hapësirë shumë herë më të madhe këtij të fundit për të shpalosur veteveten e palua mbrapa titullit akademik dhe mbrapa viktimës. Prandaj akademikut nuk i munguan vetëm 27 vota, për çka edhe ankohej, por më tepër se kaq: i mungonte fitorja që i iku nga duart. Zhvillimet më 9 dhjetor ishin vetëm përfundim logjik i gjithë asaj që kishte bërë keq akademik Daci, e në mënyrë të veçantë edhe për shkak të suitës që kishte dhe për shkak të pararojës që kishte. Dhe në vend se humbja e garës për kryetar partie ta bënte të shihte më me kthjelltësi gabimet që kishte bërë gjatë garës, kjo humbje ia kishte errësuar edhe më tepër pamjen e vërtetë që kishte sjellë mossuksesin e tij në këtë garë: thuajse në të njëjtën kohë kur “Express-i” i Baton Haxhiut e “gradonte” me titullin kont Gani Gecin, akademik Daci fliste me elozhe për ta, edhe pse po këta Gecë kishin përdorur hapur grushtat kundër njerëzve të caktuar qofshin të LDK-së apo jashtë saj. Konti i Llaushës, siç e quajti “Express-i” i Baton Haxhiut, Gani Geci, në të vërtetë do të ishte më mirë të quhej konti i Baton Haxhiut, sepse as LDK-ja, e as populli nuk e kanë ndier veten të nderuar me sjelljet e tij në Kuvendin e LDK-së. Vetëm akademik Daci duket se e ndiente veten të nderuar derisa fliste me një pietet të tillë për Gecët e Llaushës.

Fushata mediaktike kundërldk, është e qartë se kishte dhe ka të bëjë me qëllimet e hershme të atyre mediave dhe të të tjerëve që qëndrojnë mbrapa tyre për rrënimin e filozofisë politike të dr. Ibrahim Rugovës dhe të LDK-së si bartëse të saj, por implikimi në këtë synim kundërrugovë dhe kundërldk edhe i njerëzve të akademik Dacit, është më tepër se komprometuese. Është kështu për faktin se tashmë është e qartë për të gjithë se akademik Daci dhe vetë njerëzit e tij po përdoren si kuaj Troje për të bërë punën e të tjerëve. Këtë tashmë e kanë të qartë të gjithë, ndoshta edhe vetë ata, por duket se ose u pëlqen kështu, ose nuk dijnë si të tërhiqen, pasi që rruga në të cilën kanë hyrë, është e qartë se do t’i çojë në humbje përfundimtare. Këtë nuk e ndryshon as fakti se tashmë këta njerëz janë duke bërë një trysni mbi struktura të ndryshme t LDK-së për t’i detyruar që të bashkohen në aktin e ikjes eventuale të tyre.

Kryesia e LDK-së, në anën tjetër, si organ drejtues dhe menaxherial i saj, nuk duhet të shqetësohet fort për mundësinë e daljes së akademikut nga LDK-ja, edhe pse unë realisht nuk e besoj, pasi që jashtë LDK-së, vetë akademik Daci dhe njerëzit e tij mbesin pa identitet politik, por më tepër se kaq, duhet të ketë kujdes nga njerëz që janë duke bërë përpjekje që përsëri t’i kacaviren në qafë Fatmir Sejdiut dhe vetë mr. Eqrem Kryeziut. Është e qartë se Gecët e Llaushës nuk do të dalin nga LDK-ja, por do të bëjnë gjithçka që të afrohen me Fatmir Sejdiun, ashtu siç do të veprojnë edhe bajrush morinët, albatros rexhajt, por edhe njerëz të ndryshëm të Ramë Marajt. Tash për tash rreziku më i madh për LDK-në do të jenë pikërisht njerëzit që vrapojnë pas fitimtarit, sepse njerëzit e tillë nuk kanë moral politik, për të mos thënë edhe moral njerëzor. Një sfidë tjetër është edhe mbajtja nën kontroll e njerëzve të caktuar, të cilët do të mund të kërkonin të ruanin ose të përfitonin privilegje duke kërcënuar se në të kundërtën do të kalojnë në grupin e akademik Dacit. Nëse nuk do të ketë një kontroll ndaj këtyre njerëzve, atëherë kjo Kryesi do të mund të humb edhe kontrollin mbi partinë, ose do të jetë e shantazhuar nga brenda. Një sfidë tjetër për Kryesinë e LDK-së është edhe ruajtja nga diversionet e ndryshme që do të mund të bënin mbi LDK-në po ata individë dhe struktura jashtë LDK-së që janë duke bërë këtë diversion që disa vite. Suksesi i kësaj Kryesie lidhet edhe me aftësinë që t’u dalë në ndihmë strukturave lokale organizative të partisë, të cilat janë vënë dhe po vihen në pozita të ballfaqimit me lloj-lloj shantazhi, kërcënimi etj. Nga njerëz të akademik Dacit për të kaluar në krahun e tyre nëse eventualisht do të guxojnë të braktisin radhët e LDK-së. Të gjitha këto janë vetëm disa nga sfidat me të cilat do të ballafaqohet Kryesia e re e LDK-së në punën e saj në vijim, pa mohuarkëtu edhe rëndësinë që ka qëndrimi i saj ndaj aleatëve partiakë dhe jashtëpartiakë, e sidomos me mendimin konstruktiv që shfaqet publikisht ose jopublikisht, mendime që lidhen me filozofinë politike të dr. Ibrahim Rugovës dhe të vetë konstruktivitetit të kësaj Kryesie.

15 dhjetor 2006

FUNDI I ILUZIONEVE POLITIKE

ATA QË AKADEMIK DACIN E SHNDËRRUAN NË HUMBËS
MË 9 DHJETOR, DO TA SHTYJNË TË PËSOJË EDHE HUMBJEN MORALE DHE TË PËRHERSHME POLITIKE

Pas Kuvendit të 9 dhjetorit, njerëzit e rreshtuar kah akademik Daci me besimin se ai do të jetë kryetar i ardshëm i LDK-së, tashmë kur nuk është bërë, po çirren me një histeri psikopatologjike, e cila do t’u kishte hije njerëzve të partive të tjera, e jo njerëzve të LDK-së. Logjika eskatologjike, sipas të cilës nëse nuk është Daci kryetar partie, apo nëse nuk bëhet si thonë njerëzit e tij zevezek, do të dobësohet LDK-ja do të shkatërrohet e ku ta di unë, është logjike shumë e dëmshme për shëndetin shpirtëror dhe fizik të vetë atyre që po e shpërfaqin këtë logjikë. Pse është kështu?

Shkruan: Rexhep KASTRATI

1. Logjika përjashtuese dhe diferencuese është logjikë kryesisht e njerëzve të Dacit, kurse publikisht këtë logjikë e ka zbatuar vetë akademik Daci. Pas vdekjes së dr. Ibrahim Rugovës, njeriu i parë i LDK-së ishte mr. Eqrem Kryeziu, kurse akademik Daci, njeriu i parë i Kosovës. Ceremeonia e varrimit të dr. Ibrahim Rugovës e udhëhequr nga akademik Daci, ka pasur shumë elemente përjashtuese, duke përfshirë vetë mr. Eqrem Kryeziun, nënkryetarin e parë, e de facto dhe de jure edhe njeriu i parë i LDK-së, të cilit iu pamundësua fjala në atë ceremoni. Akademik Daci ia kishte lejuar vetes që ta përjshtonte dhe ta eliminonte njeriun e parë të partisë së tij, dhe në këtë kontekst edhe shefin e tij partiak nga e drejta për t’u paraqitur në emër të LDK-së. Me gjithë mospajtimet me të, pra me mr. Eqrem Kryeziun, unë nuk mund të isha dakord që ai të eliminohej në atë mënyrë, e për më tepër ta shihja te lagja e Spitalit, tek kthehej në Prizren sikur çdo qytetar tjetër. Dhe këtë akademik Daci nuk e ka bërë pse nuk e ka ditur kierarkinë partiake, por pse mr. Eqrem Kryeziu që për të gjallë të dr. Ibrahim Rugovës e kishte deklaruar publikisht se nëse do ta ftonin do të pranonte të ishte kryetar partie. Në këtë kontekst, eliminimi i mr. Eqrem Kryeziut me atë rast, ka qenë edhe një përpjekje për ta eliminuar një njeri konkurrent për postin e kryetarit të partisë. Pas asaj që kishte ndodhur në ceremoninë e varimit të dr. Ibrahim Rugovës, ishte shumë e qartë se do të pasonte reagimi i mr. Eqrem kryeziut, i cili do t’i marrë kompetencat e tij si njeriu i parë i partisë dhe do t’ia tregojë vendin akademik Dacit. Dhe këtë e ka bërë edhe me ndihmën e anëtarëve të kryesisë së LDK-së që tashmë çirren përkrah akademik Dacit. Gjithë atë procedurë kundërstatutare të mr. Eqrem Kryeziut e tumirën njerëzit aktualë të akademik Dacit për të siguruar postet e tyre minesteriale. Në anën tjetër Alush Gashi si krytetar i Grupit Parlamentar të LDK-së, ia mundësoi mr. Eqrem Kryeziut praninë në mbledhje të këtij Grupi. Dhe gjithçka do të bënin këta njerëz po t’u kërkonte mr. Eqrem Kryeziu, vetëm e vetëm për të shpëtuar pozitat e tyre që i kishin, kurse për akademik Dacin as që çante kush kokën. Në këtë kontekst, ishte akademik Daci ai që kishte mbetur si koloneli i Markesit që nuk kishte kush t’i shkruante, dhe duke mos u pajtuar me një mënyrë të tillë të shkarkimit, isha unë ai që u deklarova publikisht kundër shkarkimit të akademikut dhe duke ia dhënë përkrahjen edhe për kryetar të mundshëm të LDK-së. Vetëm pastaj, filluan edhe të tjerë të shkruajnë pro akademikut dhe për më tepër edhe t’i afrohen atij. Mjafton t’i përmendi vetëm Bajrush Morinën dhe Albatros Rexhajn për ta argumentuar këtë. Në anën tjetër, edhe qëndrimi i vetë akademik Dacit pas shkarkimit të tij ishte aspak burrëror, prepotent dhe arrogant. Njeriun e parë të LDK-së, atë botë e quante një kryetar komune, në kuptimin se e ndiente veten të fyer se si atë një akademik e shkarkonte një kryetar komune. Prepotenca e këtillë dhe arroganca, jepnin shenjat e para se akademik Daci e personalizonte çështjen dhe se do të kalonte në hakmarrje personale.

2. Prepotenca dhe arroganca e akademik Dacit nuk u reflektua vetëm në personalizimin e çështjes së shkarkimit, por edhe në injorimin tërësor që ua bënte strukturave organizative të LDK-së. Edhe Sabit Rrustemi, kolegu im në poezi, e di mirë se sa injorues dhe çfarë kanë qenë raportet e akademik Dacit me strukturat organizative të LDK-së, kryetar i të cilës ai dëshironte të bëhej. Ky injorim duhet kuptuar me dy arsye karakterologjike dhe faktike: me mendjemadhësinë e tij prej akademiku dhe kuadri të LDK-së, për të cilin na paska nevojë LDK-ja e jo ai për LDK-në, dhe me moslidhjen shpirtërore me LDK-në. Mendjemadhësia ka bërë që ai të mos shohë kënd tjetër dhe të barbartë me vetveten, kurse moslidhja shpirtërore me LDK-në bëri që të mos i afrohej asnjë prej emrave të njohur të LDK-së. Si kundërpeshë, akademik Daci i ftoi të gjithë ikanakët e LDK-së që të ktheheshin dhe së bashku ta merrnin LDK-në. Që atëherë u pa se akademik Daci dëshironte ta merrte, ta pushtonte LDK-në dhe pastaj t’i hakmerrej mr. Eqrem Kryeziut. Dhe kjo logjikë, bashkë me personalizimin e çështjes së shkarkimit të tij, ishte e paparanueshme për shumicën e LDK-së dhe të sipatizantëve të LDK-së.

3.Njerëzit aktualë të Dacit, janë njerëz që nuk përbëjnë një tërësi grupore dhe ajo që i ka lidhur është ose humbja e privilegjeve si puna e Adem Salihajt, e Berim Ramosajt, ose rreziku i humbjes së privilegjeve si puna e Melihate Tërmkollit, ose vrapi pas fitimtarit, si puna e Gecëve të Llaushës. Ajo që i ka lidhur në të vërtetë këta njerëz dhe që ka bërë të jenë me akademik Dacin, është pikërisht iluzioni se me akademik Dacin është edhe fitorja, e me fitimtarin janë edhe privilegjet. Kjo është logjika që ka funksionuar dhe që është çoroditur tashmë kur Daci nuk u zgjodh kryetar partie. Po iluzioni politik i një triumfi të akademik Dacit, i ka shtyrë disa jurishnikë edhe në nivele lokale që t’i turren akademikut që e kishte shumë të vështirë të bëhej politikan. Dhe këta njerëz që e kanë dashur akademik Dacin si fitimtar, janë duke bërë luftë personale për të hyrë në pazar me Fatmir Sejdiun pikërisht për këto përfitime personale. Nëse Fatmir Sejdiu u garanton se nuk do të preken asnjë prej ministrave, ose nëse do t’u premtonte ndonjë privilegj, që të gjithë do ta braktisnin akademik Dacin. Ky nuk është një konstatim hipotetik, por një gjë që mund të dëshmohet shumë lehtë. Adem Salihaj ka qenë mik i ngushtë i mr. Eqrem Kryeziut, i cili ka qenë jo njëherë në vizitë në Prizren si mik personal i mr. Eqrem Kryeziut. Gecët e Llaushës kanë qenë pjesë të “projektit Kryeziu”. Iluzioni politik se fitorja është në anën e akademik Dacit, dhe se mr. Eqrem Kryeziu kishte marrë fund, i kishte shtyrë këta që t’i largohen Kryeziut dhe t’i afrohen Dacit. Lulzim Zeneli, një çunak që ka qejf të dalë në televizor, duket se është treguar më naiv se gjithë të tjerët, ose unë e kam gabim. Atij i qoftë përhajër banesa dhe e gëzoftë kur t’i bëhet gati, por kujtoj se veprimatria publike, por edhe karrieria e tij personale ka pasur, ose është dashur të ketë një vlerë më të madhe. Albatros Rexhaj, një krijesë mediale e Bajrush Morinës, përndryshe një kushuri shumë i afërt i Sefer Rexhajt, eksponentit kryesor të akademik Dacit në Prizren, ka qenë i përkëdheluri i mr. Eqrem Kryeziut, i cili edhe e pat kooptuar në kryesinë e LDK-së në Prizren në vend të Besim Telakut që kishte vdekur pak kohë më parë. Albatrosi, apo Tosi, siç e thërriste mr. Eqrem Kryeziu dhe të tjerët në degën e LDK-së në Prizren, edhe pa këtë kooptim kishte shumë ndikim në degën e LDK-së, pikërisht për shkak të të qenit benjamin i mr. Eqrem Kryeziut. Vetëm kur e largoi mr. Eqrem Kryeziu për arsye që i dijnë vetë ata dhe të tjerët që kanë dashur t’i dijnë, Tosi na u bë bashkë me akademik Dacin dhe bashkë me Seferin, një biznesmen nga Korisha, po ashtu shumë-shumë i përkëdhelur nga mr. Eqrem Kryeziu, provuan që këtë ta rrënonin politkisht. Për më tepër, Tosi, bashkë me Naser Rugovën, Bajrush Morinën, morën përsipër që ta bëjnë edhe agjitpropin nëpërmjet ‘Botës sot’ dhe nëpërmjet www.rugova.net. Dhe kjo ndodhte pikërisht për shkak se tashmë mr. Eqrem kryeziu llogaritej si njeri që kishte marrë fund, kurse akademik Daci llogaritej si fitimtar. Dhe ky është morali politik i njerëzve që dje ishin të përkëdhelurit e mr. Eqrem Kryeziut, kurse sot ‘miqtë’ e akademik Dacit. Dhe kur është fjala te morali politik, duhet pyetur Gecët e Llaushës se si mund të rrijnë bashkë me një Melihate Tërmkoll, për të cilën Gani Geci m’i ka thënë një qind mijë të zeza, pasi më quajti më parë mua këlysh të Ramë Marajt? Si mund ta pranojnë në konak një njeri si Milaim Zeka ndaj të cilit, po ashtu, i kanë folur njëqind mijë të zeza, dhe për më tepër të bëhen bashkëluftëtarë të tij dhe të shumë të tjerëve për diversion ndaj LDK-së? Si kanë kurajo të thirren edhe më tej në emrin e Bekim Kastratit, kur nuk kanë guxim që të tregojnë se kush e vrau atë dhe Besim Dajakun? Si mund ta quajnë shok Bekim Kastratin, kur Bekim Kastrati kurrfarë lidhje nuk ka pasur me Gecët përderisa nuk i kam afruar unë? Në fund të fundit, ku është morali politik dhe njerëzor, ose edhe burrëria e Gani Gecit, i cili pati kurajon që të fliste për sakrificën e të tjerëve para një zonje të nderuar që kishte humbur burrin dhe të dy djemtë, çfarë është zonja Nekibe Kelmendi, e cila në çdo kohë dhe në çdo rrethanë është treguar shumë më burrërore se shumë burra të LDK-së? Me çfarë burrërie flet Gani Geci për sakrificën e të tjerëve, para zonjës Agani, para zonjës Mustafa, para zonjës Maloku, para zonjës Rraci dhe para shumë zonjave të tjera të nderuara dhe shumë më tepër burrërore? I ka dëgjuar kush ato që të përmendin ndonjëherë sakrificën e burrave të tyre? I ka dëgjuar kush këto zonja të nderuara të kërkojnë dëmshpërblim dhe ndere të veçanta për shkak të sakrificës së burrave të tyre? Po si mund të flasë Gani Geci për sakrificën e të tjerëve, para zonjës së Idriz Rrecit, kryetarit shumëvjeçar të degës së LDK-së në Skënderaj, i zhdukur gjatë luftës bashkë me një grup mjekësh? Pse nuk e përmendin kurrë emrin e tij? A mos e kanë rrahë ndonjëherë më zi se policia serbe? Po si mund të flasë Gani Geci për sakrificën e të tjerëve para bacës Sejdë, i cili një jetë të tërë ia kushtoi çështjes kombëtare dhe që pas luftës e udhëhoqi degën e LDK-së në Skënderaj, në ç’funksion edhe desh u vra, e të cilin e mënjanuan për ta privatizuar tërësisht këtë degë të LDK-së, dhe për t’u bërë të dy vëllezërit delegatë të Kuvendit të LDK-së? Këtyre dhe shumë pyetjeve të tjera si këto, por edhe më të rënda së këto, vështirë se mund t’u përgjigjen, e më së paku t’u përgjigjen saktë Gecët e Llaushës. Është kështu, sepse këtu nuk bëhet fjalë fare për moralin politik, e më së paku për moralin tradicional shqiptar, çfarë po mundohen ta rrejnë opinionin se e mbrojnë. Po morali politik i akademik Dacit çfarë ka të përbashkët me këtë? A është dashur që akademik Daci të bëhet strehë e gjithë këtyre njerëzve që përbetoheshin në mr. Eqrem Kryeziun derisa nuk u shfaq iluzioni politik se koha e tij ka perënduar dhe se po vinte koha e Dacit? Asnjë politikan mesatar nuk do ta bënte këtë, sepse do të duhej ta kishte të qartë se ata që vrapojnë pas fitimitarit, vrapojnë për të zhvatur prej tij, pra për të prfituar prej tij, qoftë tendere, qoftë ndere apo edhe pushtet. Po strukturat organizative të LDK-së, a duhet të jenë pjesë e këtij morali politik që nuk është fare moral? Kësaj pyetjeje duhet t’i përgjigjet edhe miku im në poezi, Sabit Rrustemi, i cil kot ka pritur si një mik tjetër i imi në Prizren, z. Qazim Kabashi, se do të bëhet kryetar komune nëse do të fitonte akademik Daci. Kësaj pyetjeje duhej t’i përgjigjej edhe Besa Gaxherri, e cila më kot ka pritur se ndoshta do të bëhej ndonjë ministre apo edhe se do t’i thyente rugovasit e Ali Lajçit në Pejë. Kësaj pyetjeje do të duhej t’i përgjigjej edhe dega e Ferizajt e LDK-së, e cila duket se është privatizuar nga Adem Salihaj dhe që po çon selame në Prishtinë, ashtu siç do të duhej të tregonte se si arritën vëllezërit e Ademit t’i kenë ato biznese që i kanë në Ferizaj. Dhe këtyre pyetjeve do të duhej t’u jepnin përgjigje gjithë këta jo për të mirën e LDK-së, se LDK-ja bën edhe pa ta, por për të mirën e tyre dhe të fatit politik të tyre. Në fund të fundit, për LDK-në do të ishte shumë më mirë sikur këta edhe të largoheshin fare nga LDK-ja dhe ta matnin veten nesër në zgjedhje lokale dhe të përgjithshme se çfarë është përkrahja për ta.

4.Logjika diferencuese dhe përjashtuese, në radhët e LDK-së nuk u shpërfaq vetëm me eliminimin e mr. Eqrem Kryeziut nga çështjet organizative dhe nga e drejta për ta përfaqësuar LDK-në në ceremoninë mortore të dr. Ibrahim rugovës, por edhe gjatë fushatës nëpër degë e nëndegë të ndryshme. Dajaku që krisi gjithë andej nga njerëzit e Dacit, ishte pikërisht rezultat i logjikës përjashtuese se nëse nuk je me mua, je kundër meje dhe je hasmi im, prandaj edhe e meriton dajakun. Në anën tjetër krijimi i një farë ‘Reforme’, ishte mosnjohje de facto i kryesisë së LDK-së dhe i fillimit të veprimtarisë paralele si një kryesi paralele. Naser Rugova me turr kishte marrë detyrën e “ministrit të punëve të jashtme” të akademik Dacit me iluzionin politik se nesër mund të ishte ministër i punëve të jashtme të Kosovës, bile para Alush Gashit. Një element tjetër përjashtues ishte edhe vetë krijimi i bllokut Daci, i cili do të merrte gjithë kulaçin e pushtetit, po të fitonte akademik Daci. Për të mos qenë hipotetik, duhet ta kujtojmë vetëm faktin se asnjë prej njerëzve që janë afër akademik Dacit nuk iu afruan atij para se të shkarkoheshin nga postet që kishin në qeveri dhe në presidencë, ose para se të krijohej iluzioni politik se akademik Daci do të ishte kryetar e LDK-së. Sa për shkarkimin, ishte vota e Grupit parlamentar të LDK-së, përfshirë edhe njerëzit që tash janë afër tij, ajo që e shkarkoi akademik Dacin

5.Me dhunën politike të bërë gjatë fushatës së brendshme zgjedhore në LDK, njerëzit e akademik Dacit, sikur zyrtarizuan brenda LDK-së një mendësi politike të atyre që gjatë dhe pas luftës i vranë gjithë ata veprimtarë të LDK-së. Lejimi dhe mosdistancimi i akademik Dacit nga e gjithë kjo dhunë, linte përshtypjen se ose ishte i pafuqishëm ta pengonte, e që do të thotë se ishte peng i tyre, ose e tumirte edhe vetë.

6.Logjika përjashtuese, sipas disa informatave, nga ana e grupit të akademik Dacit do të vazhdonte në mënyrë shumë të ashpër po të fitonte akademik Daci edhe në nivele më të ulëta të LDK-së. Kjo logjikë dhe kjo praktikë përjashtuese do të realizohej nëpërmjet Kuvendeve të jashtëzakonshme nëpër degë ku më parë nuk ka fituar krahu i Dacit. Dhe kjo logjikë, dhe kjo praktikë do të niste në Pejë, ku është çështja e hapur dhe do të vazhdonte më tej. Dhe këto kuvende të jashtëzakonshme nuk do të imponoheshin zyrtarisht nga Qendra, por do të kërkoheshin nga poshtë, qoftë nga krahu i akademik Dacit, qoftë edhe nga njerëz që tash janë në krahun e Kryeziut, përkatësisht të Fatmir Sejdiut.

Janë këto vetëm disa nga veçortië e krahut të akademik Dacit, të cilat i dijnë si ata që kanë votuar pro Sejdiut, si ata që kanë votuar pro Dacit, e rrjedhimisht edhe strukturat organizative të LDK-së, dhe të cilat do të jenë të kujdesshme dhe nuk do të bijnë në grackën e atyre që sot e deklarojnë hapur shkëputjen nga LDK-ja. Dhe nuk do të jenë vetëm strukturat e LDK-së ato që do të jenë të kujdesshme në këtë drejtim, por do të jenë edhe vetë njerëzit e Dacit, së paku një pjesë e tyre, t ëcilët do të mundohen t’i kacavirren në qafë Fatmir Sejdiut për të zhvatur ndonjë privilegj. Këtë bile janë duke provuar ta bëjnë disa, kurse disa të tjerë janë duke pritur se a do të dalë diçka nga shantazhet dhe ultimatumet që po i bëhen Fatmir Sejdiut. Kjo do të ndodhë pikërisht për faktin se shumica e tyre i janë afruar akademik dacit jo pse e kanë marrë afër zemre shkarkimin e tij, as që kanë pasur iluzion se me akademik Dacin LDK-ja do të jetë më e fortë, por për shkak se kanë shpresuar se nëpërmjet tij, apo edhe njerëzve të pushtetit të tij, do të mund të marrin sa më shumë tendere. Çshtë e kotë t’i përmendi emrat e tyre, kur i di vetë Daci kush janë ata, si dhe popullata prej nga vijnë ata. Dhe është pikërisht ky fakt që ka bërë që akademik Daci ta humbë përkrahjen qoftë nga unë, qoftë nga të tjerët, enë fund edhe nga vetë delegatët e Kuvendit të LDK-së, me gjasa reale që po këta njerëz t’ia shkaktojnë edhe humbjen morale dhe njerëzore.

13 dhjetor 2006

SHPËRFAQJE E MËTEJME E PSIKOPATOLOGJISË SË HUMBËSIT ZEVZEK

LOGJIKA ULTIMATIVE DHE SHANTAZHISTE ËSHTË LOGJIKË DESTRUKTIVE QË KA PËR QËLLIM QË LDK-NË TA BËJË DHE TA MBAJË PENG TË INDIVIDËVE DHE TË QARQEVE TË DYSHIMTA

Sa më shumë që po kalojnë ditët, zevzekët dhe inatçorët e akademik Dacit janë duke i zbuluar më shumë skenarët e parapërgatitur për destruksion brenda LDK-së. Pjesë të këtij skenari kishte zbuluar që më parë edhe këshilltari i akademik Dacit, Ramush Tahiri, i cili kishte paralajmëruar për probleme rreth Këshillit të Përgjithshëm, si dhe kishte dhënë shenja edhe të mundësisë së shfaqjes së tendencave përçarëse nga ana e njerëzve të akademikut. Duket se individët dhe strukturat e dyshimta që fshihen mbrapa këtyre njerëzve, janë duke synuar, apo edhe janë të detyruar që t’i çojnë deri në fund urdhërat e marrë nga këta individë dhe nga këto struktura të dyshimta. Ndërkaq, është në ndërgjegjen dhe përgjegjësinë e secilit delegat që më 9 dhjator ka votuar për akademik Dacin dhe që në një mënyrë apo tjetër e ndien veten të manipuluar dhe të mashtruar, që ta shohë realitetin dhe të mbajë qëndrime konstruktive, në radhë të parë për të mirën e vetvetes, dhe të rikonsiderojë dhe të rishikojë qëndrimet e gjertanishme, përkatësisht të vendosin se a duan të jenë edhe më tej pjesë e manipuluar e LDK-së dhe të pësojë fatin e atyre që pas një jave do të mund të deklarojnë shkëputjen nga LDK-ja, apo duan të vazhdojnë të jenë pjesë e LDK-së dhe në mënyrë konstruktive të kontribuojnë për të mirën e kësaj partie dhe të Kosovës.

Shkruan: Rexhep KASTRATI

Kur ndodhi që në Kuvendin e Kosovës, pas zgjedhjeve të para të përgjithshme në Kosovë, LDK-ja, e në mënyrë të veçantë dr. Ibrahim Rugova të shantazhohej dhe të kushtëzohej me formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse me kryeministër nga partitë humbëse, të gjithëve na vinte keq, pse keqpërdorej në këtë mënyrë një procedurë demokratike, çfarë janë zgjedhjet dhe rezultatet e tyre, edhe pse jashtëzakonisht të dyshimta. Ishte shumë për keqardhje dhe shumë irituese kur shihje se në çfarë pozite vihej kryetari dhe udhëheqësi shpirtëror i shqiptarëve të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova dhe me çfarë fyerjesh ballafaqohej ai nga njerëz që para se të flsinin për dr. Ibrahim Rugovën, do të duhej të flisnin për vetveten. Askush nga deputetët e LDK-së atëherë nuk e tumirte këtë logjikë shantazhiste dhe ultimative nga ana e partive humbëse, së paku jo publikisht, edhe pse kishte në mesin e tyre që nën zë, mund t’i bashkoheshin atyre partive dhe të dëmtonin dr. Ibrahim Rugovën. Disa deputetë të LDK-së, që në diasporë deklaronin se ishte merita e tyre e jo e dr. Ibrahim Rugovës ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës, e që më vonë do të shiten qoftë te linja udbasho-jugosllavokomuniste, qoftë te ajo e Tiranës/Kretës, kurse një pjesë e tyre edhe te shërbimet e ndryshme sekrete, në të vërtetë, bënë që atëherë t’u lehtësohej puna partive humbëse në zgjedhjet e para të përgjithshme në Kosovë dhe të ishin më ultimative dhe më shantazhuese. Në një situatë të këtillë, ishte shumë e qartë se LDK-ja nuk do të ishte në gjendje të mbante edhe postin e kryeministrit. Tash pas Kuvendit të LDK-së, dolën në sipërfaqe një pjesë e atyre deputetëve që për ta shpëtuar veteveten nga ndëshkimi zgjedhor i 9 dhjetorit, thirren pikërisht në emrin e dr. Ibrahim Rugovës, në emrin e njeriut që më së paku kanë të drejtë ta thirren dhe që shihet hapur se janë duke e përdorur vetëm si etiketë për të mashtruar edhe ata pak njerëz që ende besojnë se të këtillët janë vazhduesit e vërtetë të dr. Ibrahim Rugovës dhe të filozofisë politike të tij. Logjikën shantazhiste dhe ultimative, të ngjashme me atë të partive humbëse në zgjedhjet e para të përgjithshme në Kosovë, njerëzit e akademik Dacit, na e kanë rikthyer pas rreth pesë vitesh, pikërisht me reminishenca të të kaluarës dhe të përgjegjësisë së mëhershmë të disa prej këtyre njerëzve, dhe që, po sikurse nga ana e partive humbëse të zgjedhjeve të para të përgjithshme në Kosovë, nuk po mund ta kapërdijnë lehtë humbjen që e pësuan më 9 dhjetor. Mirëpo, të thuash se është vetëm mungesa e vullnetit për të pranuar humbjen ajo që njerëzit e akademik Dacit i bënë të jenë kaq arrogantë, kaq shantazhues dhe kaq ultimativ, do të thotë të thuash vetëm një pjesë të të vërtetës, pasi që pjesa tjetër, fatkeqësisht është më e rëndë se sa kjo, pasi që lidhet me detyrat e shtëpisë që individë në mesin e përkarhësve të akademik Dacit i kanë marrë nga individë dhe nga struktura të dyshimta qoftë afër apo larg LDK-së. Dhe këto detyra në pikëpamje mediale janë bërë publike nga media të atyre që dikur akademik Daci i quante OJQ, nga media të kontrolluara nga njerëz të linjës së Tiranës/Kretës, e përshqitazi edhe nga ato të kontrolluara nga Ramë Maraj dhe njerëzit e tij. Dhe këta njerëz që janë shumë më pak se sa që kanë votuar për akademik Dacin, e që gjatë tërë fushatës së brendshme zgjedhore kanë bërë gjithë ato trysni, gjithë ato shantazhe dhe që kanë derdhur gjithë ato mjete financiare për të detyruar njerëzit që të votojnë për akademik Dacin, e që do të thotë të votojnë për këta njerëz të dyshimtë dhe pjesë të nëntokës politike, parapolitike e ekonomike, pas disfatës së akademik Dacit, e cila po e përsëris edhe një herë, se do të ishte shumë herë më e thellë po qe se përbërja e Kuvendit të ishte më legjitime dhe e përbërë nga delegatë që do të zgjidheshin në mënyrë të rregullt, pra jo nën trysni, shantazhe, kërcënime e mjete financiare, janë përgjegjës si para atyre që me këto forma jodemokratike ua kanë mundësuar të jenë pjesë e Kuvendit, si dhe të të tjerëve që qoftë nëpër korridoret e Hotel Grandit, qoftë edhe diku mbrapa postës së Dardanisë, e kanë përcjellë me vëmendje gjithë atë që ndodhte në Kuvend dhe që jepnin urdhëra se çka duhej bërë më tej. Dhe ajo që ndodhi atë ditë të 9 dhjetorit, nuk i bën përgjegjës vetëm ata individë që u panë në televizion, por edhe atë që, pas zgjedhjes së kryetarit të LDK-s, nuk u pa fare të jetë i pranishëm në mesin e delegatëve të tjerë. Fjala është për akademik Dacin, për të cilin duket se Kuvendi kishte pasur kuptim deri në momentin kur u shpallën rezultatet, nga të cilat ai doli humbës. Mosprania e tij në vazhdimin e mbledhjes së Kuvendit të LDK-së, ishte paralajmërimi më serioz për atë që do të ndodhte më vonë, si dhe paralajmërim i zhvillimeve të mëvonshme dhe në vazhdimësi i ngjarjeve nga ana e njerëzve zevzekë të akademik Dacit. Është kështu për faktin se me mospraninë e tij, akademik Daci sikur i la të lirë përkrahësit e tij që të bëjnë ç’të duan në atë Kuvend, përfshirë edhe rrëmujën që u krijua. Unë nuk dua t’i marrë të mirëqena zërat sipas të të cilëve, është vetë akademik Daci ai që e ka dhënë dritën jeshile për ato zhvillimeve, edhe pse mosdistancimi nga e gjithë ajo që ndodhi më 9 dhjetor, e për më tepër paralajmërimi për angazhimet për të vënë në jetë skenarët nga qaerqe jashtë LDK-së dhe kundër LDK-së, për synimet për dobësimin, e pse jo edhe për rrënimin e LDK-së dhe të filozofisë politike të dr. Ibrahim Rugovës, do të thotë shumë në këtë drejtim. Dhe duket se logjika shantazhiste dhe ultimative e shpërfaqur në vazhdimësi, e edhe në Kuvendin e LDK-së, është pikërisht në funksion të kësaj, pra të angazhimeve për dobësimin dhe rrënimin e LDK-së. Dhe për këtë duhet t’I vijë turp vetë akademik Dacit, vetë Alush Gashit, vetë Melihate Tërmkollit, dy të fundit edhe vetë pjesë e angazhimit për shkarkimin e akademikut nga posti i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, dhe ta rikonsiderojnë dhe ta rishikojnë mirë tërësinë e tyre karakterologjike dhe morale, duke përllogaritur mirë se vetëm janë duke e dëmtuar vetveten e asgjë më tepër. Është një rregull në psikologjinë e personalitetit, sipas të cilës agresiviteti i njerëzve, kur nuk arrin që të bie mbi të tjerët, pra që t’i dëmtojë të tjerët, i shkatërron vetë shpërfaqësit e atij agresiviteti. Dhe kjo quhet autodestruksion, përkatësisht shkatërrim i vetvetes. Është kështu për faktin se nuk ka gjasa reale që të ndodhë as dobësimi, e as rrënimi i LDK-së, pavarësisht se a do të dalin apo jo njerëzit e akademik Dacit nga LDK-ja. Dhe kur them njerëzit e akademik Dacit, mendoj vetëm në njerëzit që mund të konsiderohen si pjesë të shtabit zgjedhor të tij, e jo edhe gjithë ata delegatë që kanë votuar për akademik Dacin, sepse shumica e tyre, për të mos thënë që të gjithë, nuk kanë votuar për akademikun për t’i mundësuar atij dhe njerëzve rreth tij që të dobësojë apo të rrënojë LDK-në, por si një alternativë, e cila edhe po të kishte fituar, nuk do të duhej të kontestohej nga askush. Unë jam duke marrë çdo ditë mesazhe pakënaqësie edhe nga njerëz, ish-përkrahës të akademik Dacit, të cilët e ndiejnë veten të zhgënjyer nga mashtrimi që u është bërë, ashtu edhe siç marr mesazhe të tilla sipas të cilave njerëz të afërt të akademik Dacit kanë filluar një trysni tjetër për t’i detyruar njerëzit që të bashkohen me ta nëse do të vijë deri te shkëputja. Nëse të gjitha këto janë të vërteta, atëherë, vërtet ka ardhur koha që ndoshta edhe organet e sigurisë në Kosovë të kryejnë detyrën e tyre. Por sido që të jetë, duhet të jetë e qartë për të gjithë se ky popull nuk do të lejojë që të rrënohet partia, e cila ka meritat kryesore për të gjitha të mbërrimet e gjertanishme të shqiptarëve në Kosovë dhe të vetë Kosovës, për kultivimin e vetëdijes shtetërore dhe të tolerancës ndërnjerëzore, e drejtuar në mënyrë mjeshtrore nga udhëheqësi shpirtëror i shqiptarëve të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Atyre që dikur e deklaronin LDK-në si shkollë e akademi për partitë tjera në Kosovë, e që të parët ranë në provim, u bëj thirrje që të distancohen urgjentisht nga njerëzit që duket se janë duke e mbajtur peng vetë akademik Dacin, dhe të cilët duket se votën pro akademik Dacit, e kanë konsideruar votë pro tyre, edhe pse po të kishin kandiduar vetë ata, nuk do të merrnin as të pestën apo të gjashtën pjesë që mori akademiku. Të rrish sot pranë akademik Dacit, e për më tëpër të bëhesh zëdhënës i logjikës shantazhiste dhe ultimative që domosodshërisht do të thotë edhe vetëpërjashtim dhe vetëlargim nga LDK-ja, do të thotë edhe të biesh vazhdimisht në provim në shkollën që e ka trasuar dr. Ibrahim Rugova, e që me këtë rast do të thotë të repsektosh rezultatin, të tregosh pjekuri politike dhe përgjegjësi për votën që ke marrë dhe të dish ta matarosh humbjen. Nëse ka humbur akademik Daci, kjo nuk do të thotë se ka humbur LDK-ja, përkundrazi ka humbur logjika e shantazhit, e trysnive, e dhunës dhe e korruptimit, e shpërfaqur hapur gjatë fushatës së brendshme zgjedhore në LDK, pikërisht nga njerëz të caktuar të akademik Dacit, e të cilët deri në momentin e fundit kanë qenë njerëz të mr. Eqrem Kryeziut. Në Kuvendin e LDK-së kam parë disa delegatë shumë të zëshëm që aty kanë qenë jo pse është votuar realisht për ta nëpër nëndegë e degë të ndryshme, por votat i kanë marrë pikërisht me trysni të ndryshme. Dhe të tillët duhet të skuqen tash kur veç janë duke e parë se me vetëdije, ose pa të janë bërë, ose dikush dëshiron t’i bëjë pjesë të skenarëve kundërldk për dobësimin apo rrënimin e LDK-së. Ramush Tahiri, nga ana e tij, i cili të hënën e kishte gojën plotë dr. Ibrahim Rugovë, e që jo një herë hapur ka shkruar në mënyrë kontestuese dhe refuzuese në raport me të dhe me filozofinë politike të dr. Ibrahim Rugovës, ndërkaq, nëse dëshiron të mos konsiderohet një nga autorët e skenarit që po shpaloset tash dhe që më parë është paralajmëruar nga vetë ai, duhet t’ia mësojë mësimin themelor të demokracisë dhe të të gjithë teorikëve të saj, qoftë Dahli, qoftë Sartori, apo cilindo tjetër që e përmendim, sipas të cilit mësim, fitorja e një kandidati, do të thotë mandat për të udhëhequr me strukturën ku është zgjedhur në funksion të realizimit të konceptit programor që ka paraqitur ai kandidat. Dhe kjo e përkthyer shqip, do të thotë se vota pro Fatmir Sejdiut, ka qenë votë pro konceptit programor të tij, si dhe votë për veprimtarin, kurse vota kundër akademik Dacit ka qenë votë kundër konceptit të tij dhe kundër kuadrit që u paraqit gjithmonë si eminencë gri për të cilin gjoja LDK-ja paska nevojë, e jo ai për LDK-në. Vota pro konceptit programor të Fatmir Sejdiut do të thotë më tej edhe votë për t’ia mundësuar atij që ta realizojë atë koncept programor, e cila më tej do të thotë edhe votë për të drejtën që ai të zgjedhë edhe njerëzit me të cilët do të realizojë atë koncpet programor. Në statutin e LDK-së, kjo është përkthyer si e drejtë e kryetarit për të paraqitur listën e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, e cila me plotësime, u votua nga shumica e delegatëve. Kurse pala humbëse, nëse do të kishte vullnetin, dhe nëse do të përfillte mësimin themelor të demokracisë, do të duhej që të vepronte në mënyrë konstruktive dhe të ishte në krah të kryetarit të partisë, por edhe shumë kritik nëse ai nuk i përmbahej konceptit programor për të cilin kishte marrë votat në Kuvend. Dhe këtë mësim u desh dhe duhet t’ia mësojë akademik Dacit, politikologu ynë Ramush Tahiri dhe këshilltari i tij i hershëm. Dhe po ta bënte këtë Ramush Tahiri, ndoshta akademik Daci nuk do t’i kishte bërë ato gabime fillestare, si dhe ndoshta nuk do të ishte ndëshkuar në Kuvend, kurse sot edhe pse humbës i zgjedhjeve do të kishte imazhin e njeriut lider. Dhe duke i bërë gjithë këto rrëmuja, akademik Daci, në të vërtet, nuk ka arritur të bëhet lider, sepse lideri di t’i gëzohet fitores, por di edhe ta pranojë me qetësi humbjen

11 dhjetor 2006

NË KONTEKST TË PSIKOPATOLOGJISË SË HUMBËSIT ZEVZEK

AKADEMIK DACI DHE GJITHË ZEVZEKËT E TIJ DUHET TË DEKLAROJNË SE A E PRANOJNË STATUTIN E PARTISË APO JO

Adem Salihaj, sipas RTV21, bëri të qartë se grupi i inatçorëve dhe i zevzekëve të Dacit tash e tutje do të luajnë lojën zgjat e mos këput: as të tërheqjes nga LDK-ja, as të qëndrimit konstruktiv në LDK. Pas turpit që bën dhe pas faqes së zezë, jo vetëm me incidentin e turpshëm, këta njerëz që janë damkosur si mos më keq qysh gjatë fushatës së brendshme zgjedhore, vazhdojnë marrëzinë politike, duket ende nën trysninë e madhe psikologjike të mospranimit real të humbjes. Nëse shkojnë në këtë rrugë si e kanë nisur, ata me siguri një ditë do ta shohin veten në margjinat e politikës në Kosovë, edhe si humbës politikë, edhe si humbës moralë. Nëse nuk dëshirojnë t’u ndodhë kjo, atëherë le të ulin kokën dhe zërin e të vazhdojnë të punojnë në mënyrë konstruktive për të mirën e LDK-së dhe të Kosovës.

Shkruan: Rexhep KASTRATI

Koha kur janë pasuar njerëzit e ndryshëm vetëm pse nuk i kanë realizuar ambiciet personale ka kaluar moti, apo thënë më mirë nuk ka qenë e tillë kurrë. Largimi i grupit të Hydajet Hysenit nga LDK-ja, në të vërtetë ka qenë një e mirë për këtë parti për shkak se u lirua nga një grup ideologjik të kundërt me filozofinë politike të dr. Ibrahim Rugovës. Pasimi i një largimi menjëherë pas luftës i dsa njerëzve të LDK-së, po ashtu, ka qenë pastrim i mëtutjeshëm i kësaj partie, sepse edhe atëherë u larguan njerëz kryesisht të një profili ideologjik. Dëmi më i madh iu bë vetë atyre që u larguan. Ndërsa, largimi eventual i zevzekëve të Dacit, do të paraqiste për herë të parë largimin e njerëzve jo mbi baza ideologjike, por mbi baza të koncepteve individualiste, egoiste dhe karrieriste, prandaj do të ishte një largim ikanakësh, inatçorësh e zevzekësh që pasi nuk arritën ta bëjnë realitet kremtimin pompoz të fitores së parashikuar dhe të përgatitur nën trysnitë e ndryshme dhe nën dhunën fizike, dhe si e tillë do të ishte ikje e njerëzve të vetmuar, pasi që askush, madje as degët prej nga vijnë, nuk do t’i pasonte. Është kështu se kur është marrë mandati nga aktivet, nëndegët dhe degët, edhe kur është marrë në mënyrë të ndershme, nuk është marrë për t’i shkëputur këto degë nga LDK-ja. Mandati i tyre ka qenë dhe vazhdon të mbetet për të përfaqësuar strukturat e mesme të partisë në strukturat e larta, siç është Kuvendi i partisë. Për shkëputjen apo shuarjen e ndonjë dege apo nëndege, do të duhejt të vendosnin kuvendet e tyre, e jo individët e zgjedhur për të repsketuar statutin dhe pragramin e LDK-së. Të gjithë zevzekët e Dacit e dijnë mirë se po t’u kishin thënë kuvendeve të degëve se nëse nuk fiton akademik Daci, ne do të dalim nga LDK-ja, asnjëri prej tyre nuk do ta kishte marrë mandatin e delegatit, prandaj nuk guxojnë ta deklarojnë botërisht daljen. Në vend të kësaj, ata kanë zgjedhur që rrëmujën e 9 dhjetorit ta vazhdojnë me shantazhe, imponime dhe pse jo edhe me kërcënime. Deklarata e Adem Salihajt për RTV21, sipas të të cilit Kuvendi nuk ka përfunduar, dhe këtë e lidh me Këshillin e Përgjithshëm, dhe përpjekja për t’ia hedhur topin kryetarit të sapozgjedhur të partisë, është vetëm edhe një marrëzi e radhës, e bërë nën trysninë psikologjike të mospranimit real të humbjes dhe të mospërshtatjes me situatën e re të krijuar me rastin e humbjes së tyre më 9 dhjetor. Unë mund të jem dakord me Adem Salihajn se Kuvendi i LDK-së nuk është kryer, por jo për pikën që ka të bëjë me Këshillin e Përgjithshëm, sepse për këtë pikë është votuar në Kuvend dhe është miratuar. Kuvendi i LDK-së duhet t’i vazhdojë punimet lidhur me pikat e tjera që kanë mbetur pa u diskutuar, e njëra ndër të cilat është edhe ajo që ka të bëjë me simbolet shtetërore të Kosovës. Për sa i përket çështjes së Këshillit të Përgjithshëm, duhet thënë se derisa është votuar në Kuvend, duhet thënë se kjo çështje duhet të jetë e mbyllur, kurse është në vullnetin dhe përgjegjësinë e gjithsecilit që ta pranojë apo jo. Çdo kompromis që mund të bëhet nga kryetari i sapozgjedhur i LDK-së lidhur me këtë çështje, në të vërtetë, do të ishte shkelje e statutit, si dhe pranim i një logjike shantazhiste në LDK, të cilën, unë personalisht, por edhe gjithë të tjerët nuk do ta pranonin. Me këtë rast kompromisi i vetëm është respektimi i statutit të partisë nga të gjithë ata që vërtet duan të qëndrojnë në LDK, dhe që nëpërmjet saj duan të realizojnë interesat e Kosovës, e jo interesat e tyre personale dhe të xhepave të tyre, ose që duan ta shfrytëzojnë situatën e krijuar për të shpalosur elemente psikopatologjike që mund të kenë nevojë për intervenim specialistik. Dhe të përfillësh statutin, do të thotë të përfillësh edhe shumicën që ka votuar pro Fatmir Sejdiut dhe pro listës së njerëzve për Këshillin e Përgjithshëm, edhe pse ndoshta nuk është më e mira e mundshmja, ashtu siç do të thotë të respektosh të drejtën e kryetarit të partisë për të propozuar listën këtyre njerëzve. Sepse të repsketosh këto, do të thotë të repsketosh edhe një rend demokratik, i cili do të ishte i vlefshëm edhe po të fitonte akademik Daci. Kjo do të thotë se këto norma statutore do të vlenin edhe po të fitonte akademik Daci, i cili po ashtu do të kishte të drejtën të propozonte një listë me emrat e njerëzve që do të kishte qejf t’i kishte ai në Këshillin e Përgjthshëm. Dhe këtë të drejtë nuk do të kishte të drejtë kush t’ia kontestonte, pasi që këtë të drejtë ia jep statuti i partisë. Po të kishin qenë kundër një zgjidhjeje të këtillë zevzekët e akademik Dacit, atëherë do të kishin kërkuar që kjo pikë të ndryshohej, e që nuk e bënë. Natyrisht se zevzekët e Dacit nuk ishin kundër përcaktimit aktual statutor të përcaktimit të listës së anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, sepse llogaritnin se do të fitonte akademik Daci dhe ata do të kishin qejf që ai të paraqiste një listë në të cilën do të zinin vend të gjithë ata. Sa për njerëzit e Fatmir Sjediut, as që do të kishte vend. Pse e them këtë? E them se në disa nëndegë dhe degë ku shumicën e kanë njerëzit e Dacit, është bërë edhe një përzgjedhje negative brenda vetë llojit. Sa për ilustrim po e përmendi vetëm nëndegën e Korishës, ku nga vetë njerëzit e Dacit është eliminuar po njeriu i Dacit. Fjala është për veprimtarin shumëvjeçar të LDK-së, Qazim Kabashi, i cili madje ka qenë edhe deputet në Kuvendin e Kosovës. Pra, po të kishte fituar akademik Daci, do të kishim një situatë edhe më alarmante dhe më diskriminuese, për të cilën as që do të kishte pranuar kush të bisedonte. Në frymën triumfaliste të një apo dy dite para Kuvendit, zevezekët e Dacit vetëm do të kishin vazhduar ahengun e tyre, zhurmat festive të tyre, që nuk do të lejonin të dëgjohej zë tjetër përpos i tyre. Përveç rastit që përmenda lidhur me veprimtarin dhe ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës, z. Qazim Kabashi, duhet përmendur edhe mënyrën se si zevzekët e Dacit e bënë fushatën e brendshme zgjedhore, nga e cila dolën delegatë që do të duhej të skuqeshin më 9 dhjetor vetëm pse ishin dhe si ishin aty, e lë më të shpërfaqnin gjithë atë histeri dhe disfatizëm psikopatologjik. Sinqerisht më vinte keq për një Besa Gaxherr, e cila në mënyrë shumë burrërore pak muaj më parë deklaronte se do të punonte me kryetarin e ri, edhe nëse ai nuk do të ishte akademik Daci, duke e deklaruar LDK-në edhe shkollë për partitë e tjera, kurse me 9 dhjetor nuk u përmbajt fare, por foli tamam sikur atë ta kishte deleguar ndonjë degë e ndonjë partie kundërshtare, e jo dega e LDK-së në Pejë, duke refuzuar jo vetëm bashkëpunimin me kryetarin e ri, por edhe duke mos pranuar të jetë në Këshillin e Përgjithshëm. Por kështu ndodh kur delegatë të Kuvendit të LDK-së bëhen njerëz që ende vetë nuk e kanë mësuar shkollën politikë të LDK-së, përkatësisht të dr. Ibrahim Rugovës. Dhe meqë nuk e kanë mësuar si duhet këtë shkollë, atëherë natyrisht se e përsërisin edhe klasën dhe detyrohen që nga fillimi ta mësojnë këtë shkollë, ose ta lëshojnë fare, pasi e kanë të vështirë ta mësojnë. Dhe të shkojnë nga kjo shkollë, do të thotë të dorëzojnë mandatin personal në parti dhe të formojnë parti të re si Bujar Bukoshi apo Edita Tahiri, ose të shkojnë në partinë e Behxhet Pacollit, e pse jo edhe të Hashim Thaçit, të Ramush Haradinajt, apo edhe të Veton Surroit, kuptohet nëse i pranojnë. Ndërkaq, pozicioni as në parti, as jashtë saj, çfarë duket se kanë vendosur ta bëjnë zevzekët e Dacit, përveçse shpreh frikën nga mjerimi që do t’i kaplonte po të largoheshin, shpreh edhe dëshirën patologjike për të pamundësuar funksionimin normal të partisë. Dhe kjo është jo vetëm ta përsërisësh klasën, por t’i marrësh të gjitha njësha. Është kështu, sepse sa më shumë probleme që të bëjnë, aq më shumë nota të dobëta do të marrin nga shqiptarët. Nota e parë e dobët veç u mor që në Kuvendin e 9 dhjetorit. Populli tashmë i ka identifikuar ngelaçët, zevzekët, intaçorët dhe ngatërrestarët. Një notë tjetër e dobët ishte edhe nga amerikanët. Në një situatë të këtillë, duhet të deklarohet vetë akademik Daci, se a do të vazhdojë të jetë sinqerisht pjesë e shkollës së LDK-së, apo në të do të vazhdojë ta bëjë ngelaçin, delikuentin, inatçorin dhe egoistin. Dhe këtë duhet ta bëjë duke e rimarrë mandatin e anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm, autokorrektimin edhe nëpërmjet një introspeksioni, dhe lirimi nga energjitë negative që janë duke e munduar këto ditë, si dhe dhënien fund të sfilatave politike të zevzekëve të tij, që meqë e kanë parë vogëlsinë e tyre, po mundohen që para mediave ta bëjnë të fuqishmin që edhe mund t’i ngre grushtat, edhe mund të imponojë rrjedhat e mëtutjeshme në LDK. Akademik Daci duhet të bëhet burrë që disfatën ta pranojë jo vetëm deklarativisht para kamerave televizive, por edhe në praktikë me veprime të mençura, të urta dhe konstruktive, ose së paku të bëhet burrë dhe të pranojë se është peng i zevzekëve që me fitoren eventuale të tij, e kanë lidhur edhe rkthimin e privilegjeve personale, si dhe shfryrjen e inateve personale...

10 dhjetor 2006

PAS KUVENDIT TË LDK-SË

ORGANET DREJTUESE TË PARTISË DUHET TA VAZHDOJNË PUNËN NË PËRPUTHJE ME MANDATIN E MARRË, SI DHE NË PËRPUTHJE ME FILOZOFINË POLITIKE TË DR. IBRAHIM RUGOVËS, PËRKUNDËR “PROJEKTIT DACI” PËR TË IMPONUAR RRJEDHËN E MËTUTJESHME NË LDK

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk duhet të jetë peng i individëve dhe i qarqeve të dyshimta, por parti kombëtare, qytetare e demokratike. Këtë thirrje e pata vendosur në titull të një shkrimi të bërë një ditë para Kuvendit të LDK-së, dhe kësaj vazhdoj t’i qëndroj edhe më tej. Ajo që mund t’i shtoj kësaj thirrjeje është keqardhja për pozitën shumë tragjikomike të degëve nga mërgata shqiptare në Zvicër dhe në SHBA, të cilat kishin rënë në grackën e ngritur nga vëllezërit Geci dhe nga ndonjë tjetër, si dhe keqardhja e thellë për përkrahjen e mëhershme që ia kam dhënë akademik Dacit si dhe për kohën disamujore për t’i korigjuar gabimet që i bënte në vazhdimësi. Nuk mund të lë pa e theksuar edhe indinjatën e thellë për shkak se Gani Geci edhe në Kuvendin e djeshëm në mënyrë shumë keqpërdoruese dhe të paturp u thirr edhe në gjakun e Bekim Kastratit, përkundër thirrjes së mëhershme që të mos e bëjë kurrë këtë.

Shkruan. Rexhep KASTRATI

Shikuesi i rëndomtë i televizionit, kur ka përpara skena të tilla si ato që u shfaqën mbrëmë në Kuvendin e LDK-së mund dhe ka të drejtë edhe të iritohet. Mirëpo, kur të kihet parasysh se për këtë Kuvend ka muaj që janë përgatitur skenarë edhe më të tmerrshëm, atëherë duhet thënë se dje ndodhi më e pakta që ka mundur të ndodhë pas gjithë asaj arrogance, dhune dhe trysnie që njerëz të “projektit Daci” kanë shpërfaqur që nga fillimi i fushatës së brendshme zgjedhore, por edhe më përpara. Është kështu për faktin se gjithë ajo dhunë, gjithë ajo trysni dhe gjithë ato para të derdhura nga njerëzit e “projektit Daci” për të detyruar ose për të korruptuar njerëzit që të votojnë për Dacin, nuk kishte si të mos trishtohej nga humbja e djeshme e akademikut në fjalë. Në të ashtuquajturin “projekti Daci” ishte investuar shumë dhe ishte përllogaritur që përpara se me trysninë e bërë, me shantazhet e paratë e derdhura, është arritur që të sigurohen mjaftueshëm vota për akademik Dacin. Gazeta e Ramë Marajt, bile një ditë përpara paralajmëroi 179 vota për akademik Dacin, kundrejt 134 për dr. Fatmir Sejdiun. Vetë akademiku me shpurën e tij që përpara kishte festuar fitoren, bile kishte ftuar edhe mediat që ta xhironin, ose ta emitonin festën që bëhej. Kjo frymë triumfaliste, me tone shumë herë fyese dhe pse jo edhe urrejtëse e përcjellë nëpërmjet një faqeje të mjerë interneti të udhëhequr nga njeriu që më së paku i ka takuar të jetë në atë funksion, djali i mixhës i dr. Ibrahim Rugovës, Naser Rugova, dhe ana psikologjike e parapërgatijes për fitore, ishte e qartë se nuk mund ta kapërdinin aq lehtë disfatën, e cila po të kishte qenë fushata e ndershme, ndoshta do të kishte qenë edhe më e thellë. Prandaj po them se ajo që ka ndodhur dje në Kuvendin e LDK-së, ishte më e pakta që ka mundur të ndodhte, dhe për këtë do të duhej ta ndienim veten jo aq të irituar. Me këtë nuk dua të them se duhet të jemi të kënaqur me atë që pamë, por po ashtu duhet pasur parasysh se në atë Kuvend ka pasur njerëz që në të vërtetë kanë qenë bomba të kurdisura për të shpërthyer më fuqishëm se sa që shpërthyen. Në fund të fundit, pikërisht për të mos ndodhur as ajo që ndodhi, unë i pata bërë thirrje akademik Dacit që të distancohej nga të gjithë ata që kishin përdorur forma jodemokratike, bile edhe dhunën për të detyruar njerëzit për të votuar për të, me bindjen se edhe nëse do të humbte tash, do të fitonte më shumë nesër. Dhe fitorja më e madhe do të ishte uniteti dhe stabiliteti i partisë, si dhe imazhi i mirë i krijuar nga ana e tij për të konkurruar për kryetar në Kuvendin e ardhshëm zgjedhor. Mirëpo akademik Daci, fatkeqësisht, ishte bërë peng pikërisht i individëve dhe i strukturave që kanë interesat personale mbi interesat e Kosovës, dhe si i tillë nuk e kishte pasur dot forcën që të distancohej nga ata. Edhe pse përshtypjen se akademik Daci ishte bërë peng i individëve dhe i strukturave të dyshimta, e pata krijuar qysh gjatë muajit prill, kur hapur i pata thënë nëpërmjet Sefer Rexhajt nga Korisha, eksponent i tij në Prizren, se nëse akademku dëshironte ta kishte përkrahjen time dhe të gjithë të tjerëve do të duhej që t’i korrigjonte së pakut këto gabime: 1. të distancohej nga vëllezërit Gecit të Llaushës, nga bajrush morinët e albatros rexhajt, pasi që nuk janë njerëz që i bëjnë nder atij dhe që realisht i ndihmojnë për të fituar simpatinë e strukturave organizative të LDK-së dhe të vetë opinionit të gjerë; 2. të korigjonte politikën kadrovike, pasi që injorimi i strukturave organizative të LDK-së dhe afrimi njerëzve të dyshimtë edhe për korrupsion si puna e disa ish-ministrave dhe të disa ish-këshilltarëve të dr. Ibrahim Rugovës, vetëm sa e komprometonte vetë akademik Dacit, dhe; 3 që të hiqte dorë nga qëndrimi inatçor që kishte për shkak të shkarkimit arbitrar dhe arrogant, sepse në atë mënyrë mund të humbte edhe atë përkrahje dhe simpati që kishte fituar, ai kurrë nuk arriti që të bënte atë që ishte e mirë për ta bërë. Në të vërtetë, këto kishin qenë sugjerime qëllimmira, pasi që unë vetë kam qenë përkrahësi i parë publik dhe më i vendosur i akademikut dhe denoncuesi kryesor publik i aktit të shkarkimit të tij nga posti i kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Këto tri sugjerime ia pata bërë pasi që vëllezërit Geci në LDK janë munduar që ta imponojnë mendësinë feudaliste të gjoja familjeve të mëdha dhe në zë, duke u munduar që në atë mënyrë të imponojnë veten në struktura të LDK-së, jo vetëm si anëtarë të forumeve të ndryshme, por edhe si imponues të rrjedhave në LDK. Gani Geci vetë pat pohuar në një intervistë për gazetën “Lajm” se ishin në biseda me njerëz në Drenicë për ta bërë Drenicën qendër të politikës në Kosovë. Për ta imponuar veten si përcaktues të rrjedhave politike në Kosovë, vëlezërit Geci nuk lënë mënyrë pa shfrytëzuar, ndër të cilat duhet dalluar dy: krushqinë me njerëz të caktuar si dhe keqpërdorimi i gjakut dhe i sakrificës së të tjerëve për interesat e tyre. Me këtë rast duhet thënë se vëllezërit Geci në njërën anë kanë lidhur krushqi me Hysen Gërvallën, kurse në anën tjetër me Sami Lushtakun, edhe pse kjo e fundit është prishur nga ana e djalit të Samiut. Në anën tjetër jo njëherë janë thirrur edhe në gjakun e Besim Dajakut dhe të Bekim Kastratit, ashtu siç bënë edhe dje në Kuvendin e LDK-së, edhe pse ata nuk kanë të drejtë as morale e as njerëzore, e lë më politike për t’u thirrur në emrin e tyre. Në rrafshin personal, unë kam të drejtë, dhe këtë e kam bërë edhe herë tjetër, që të kërkoj nga ata dhe nga Bajrush Morina e Sylejman Aliu të sqarojnë gjithë rastin e vrasjes se Bekim Kastratit, që nga fillimi e deri në fund. Kjo nënkupton sqarimin real të rrethanave se si u bë që Sylejman Selimi të kërkojë ndërmjetësimin e Gani Gecit në “Bota sot” për t’ia mundësuar atij sqarimin e rastit G.G. për të cilin kishte shkruar Bardhyl Ajeti, përkundër këmbënguljes sime që të mos botohej ai fejton, sidomos implikimin që ia bënin pikërisht Sylejman Selimit në atë rast, edhe pse mua më rezultonte krejt ndryshe, nga që shkruhej në fejtonin në fjalë. Pastaj rrethanat se si u mor Bekim Kastrati në shtëpi të tij, në kohën që sapo ishte kthyer nga Skënderaj dhe ishte duke ngrënë bukë, si dhe vetë rrethanat e vrasjes, duke përfshirë edhe gjithë shokët e Gani Gecit. Në anën tjetër, afrimi rreth tij i njerëzve që qoftë me të drejtë apo pa të drejtë i kishin humbur privilegjet e tyre, si ta zëmë Adem Salihaj, ndaj të cilit kam ruajtur vazhdimisht konsideratën, i Berim Ramosajt dhe ndonjë tjetri, që ishin entuziazmuar nga simpatia dhe përkrahja që kishte marrë atë kohë akademik Daci, e shihnin shansin për t’i rikthyer privilegjet e humbura dhe për të realizuar hakmarrjen e tyre, ishte një element tjetër komprometues për të, pasi që realisht vetë Daci dhe një pjesë e grupit të tij u bënë një grup njerëzish inatçorë, zevzek dhe që duan të hakmerren me çdo kusht. Dhe për këtë ishin në gjendje të bashkëpunonin me të gjithë përfshirë edhe ata që dikur vetë Daci i kishte quajtur OJQ dhe mediat që i kontrollonin ata. Përcjellësit e vëmdenshëm të rrjedhave në Kosovë, kanë mundur të vërjenë se si media të tilla si Koha ditore e KTV, por edhe ndonjë tjetër i jepnin hapësirë shumë të madhe si vetë akademik Dacit, ashtu edhe e njerëzve të tjerë rreth tij. Nexhat Daci nuk kundërshtonte as afrimin që e bënin edhe njerëz që deri dje ishin pjesë e, ta quajmë për ngjashmëri, “projektit Kryeziu” dhe si të tillë edhe njerëz shumë të mirëpritur dhe të privilegjuar prej tij. Të mos harrojmë se ishin vëllezërit Geci ata që hapur kishin filluar të mblidhnin nënshkrime për shkarkimin e kryetarit të FR të LDK-së, Sejdë Tolajt, njeriut që kishte shprehur përkrahjen për akademik Dacin, kurse pak ditë përpara kësaj, kishin arritur të merrnin “pëlqimin” e 19 degëve për emërimin e Fadil Gecit në postin e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, në kohën e “projektit Kryeziu” për ndryshime në qeveri, përkatësisht me rastin e themelimit të dy ministrive të reja. Inati i madh që kishte akademik Daci për shkak të shkarkimit arbitrar e arrogant dhe të dënueshëm edhe nga unë, kishte ndikuar që shfryrjen e këtij inati ta vinte mbi gjithçka dhe të lidhej edhe me të gjithë ata që kishte iluzion se mund t’i ndihmonin, duke injoruar edhe strukturat organizative të LDK-së. Si përkrahës i filozofisë politike të dr. Ibrahim Rugovës, e edhe për këtë shkak i LDK-së dhe në përgjithësi i linjës institucionaliste, nuk mund të isha dakord dhe nuk e konsideroja të drejtë që kryetari i mundshëm i LDK-së të injoronte në atë mënyrë strukturat e LDK-së, si dhe mundin e sakrificën e gjithë atyre njerëzve që edhe jetën kanë dhënë për të mos e shuar veprimtarinë e kësaj partie. Nëse Gecët e Llaushës thirren në sakrificën e të tjerëve, sa kanë të drejtë ata që kanë sakrifikuar për vite të tëra të thirren në atë sakrificë? Dhe t’i injorosh gjithë këto dhe të pretendosh të marrësh partinë me njerëz edhe jashtë LDK-së, ishte më shumë se e papranueshme. Në anën tjetër, të shohësh një goxha akademik, si puna e akademik Dacit se si për hir të intatit personal është në gjendje të pranojë edhe mendësi feudaliste e bajrakatarllëku, madje edhe lidhjet farefisonre si mënyrë të veprimit politik, ishte më tepër se irituese. Ata që e kanë përcjellë Kuvendin e djeshëm, kanë pasur rastin të shohin se njerëzit më të zëshëm kundërshtues ishin Gani Geci dhe Hysen Gërvalla, e që siç thashë edhe më lartë janë dy njerëz të dy familjeve që kanë krushqi ndërmjet vete, pasi që me sa di unë, Halil Geci, vëllai i madh i Gecëve e ka të fejuar vajzën për djalin e Hysen Gërvallës. Në anën tjetër, Agim Rexhaj i degës së Nju Jorkut duhet të tregojë se a ka dhe çfarë afërsie ka me Sefer Rexhajn e Korishës, eksponentit kryesor të akademik Dacit në Prizren dhe sipas disa informacioneve, edhe njeriut që i ka paguar rreth 50.000€ për vizitën e akademikut në SHBA, kur edhe pat shpallur kandidaturën e tij për kryetar të LDK-së. Si përkrahës i akademik Dacit në kohën e shkarkimit të tij nga posti i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, por më tepër si përkrahës i filozofisë politike të dr. Ibrahim Rugovës, e për shkak të kësaj edhe të vetë LDK-së, por edhe si njeri që me qëndrimet konstruktive kam gëzuar vazhdimisht përkrahjen e shqiptarëve kudo që janë, nuk mund të mos i sugjeroja akademik Dacit që të bënte korigjimet e tri gabimeve të lartëpërmendura, duke i dhënë edhe kohën e mjaftueshme për ta bërë këtë. Dhe zhvillimet e djeshme në Kuvendin e LDK-së, përveç tjerash duhet parë edhe si paaftësi të akademik Dacit për t’i korigjuar këto gabime fillestare, sepse akademik Daci në këtë Kuvend shkoi me raporte të tilla me strukturat organizative të LDK-së të mbështetur mbi forcën trysninë dhe forma të tjera jodemokratike, pra duke iu imponuar këtyre strukturave, me të njëjtit njerëz dhe me të njëjtin inat si në fillim fare, duke dëshmuar se “projekti Daci”, ishte në të vërtet projekt i gjithë të tjerëve që e përdornin akademikun si mjet për të realizuar qëllimet e tyre personale. Dhe gabimi i katërt i akademik Dacit ishte pikërisht se nuk e kuptonte se ishte vetëm një mjet në duart e të tjerëve, e jo një subjekt dinjitoz dhe me integritet, ashtu siç e deklaronte veten dhe siç kishim dëshirë ta konsderonim. Gjithë ata njerëz që në Kuvendin e djeshëm dilnin njëri pas tjetrit në foltore dhe thërrisnin me sa zë gjoja në mbrojtje të “projektit Daci”, e që dukeshin si susta të sinkronizuara të një bombe që shpërtheu më vonë, as që e kishin hallin e akademik Dacit, sa të fatit të tyre personal, si dhe të shbërjes së ambicieve të tyre perosnale. Dhe këtë, akademik daci, së pakut dje u desh ta shihte me sy hapur dhe të bënte hapin e madh, atë të subjektivizimit të vetvetes dhe të mos lejonte që të komprometohej në atë mënyrë. Ata njerëz që vetëm pse nuk ishin realizuar planet e tyre të parapërgatitura, ishin në gjendje të deklaronin edhe humbjen e LDK-së në zgjedhjet e ardhshme dhe të shpreheshin më keq se eksponentë të secilës parti kundërshtare, në të vërtetë treguan se sa të mjerë janë, dhe sa fatkeq e kanë paraqitur veten. Është kështu, për faktin se panë që dështoi edhe skenari tjetër i cili kishte të bënte me faktin se nëse eventualisht nuk fiton akademik Daci, atëherë së paku të bëhet përpjekje për të marrë kontrollin në Këshillin e Përgjithshëm, duke treguar kështu histerinë e tyre, e pse jo edhe panikun që i kishte kapluar. Pse kjo histeri? Pse ky panik? Këtë duhet ta tregojnë vetë ata, nëse nuk duan që këtë ta bëj unë në ndonjë nga shkrimet e mia të radhës. Përndryshe, populli që mund t’i ketë parë të gjitha ato që kanë ndodhur dje në Kuvendin e LDK-së, tashmë e ka të qartë se kush çka është në LDK dhe kush çka synon prej saj. Nëse nuk duan që fundi i tyre të jetë më tragjik se sa ai i djeshmi, duhet t’i thërrasin mendjes dhe të kthehen në mandatet e tyre në Këshillin e Përgjithshëm dhe t’i lënë pazaret e mundshme, sepse alternativa tjetër është që ta vetëpërjashtohen me bindjen se asnjë degë nuk do t’u shkojë mbrapa, ashtu siç ka ndodhur edhe me të tjerë përpara, dhe të shkojnë ndonjëri edhe te Behxhet pacolli po qe se duan. Ndërsa organeve të reja të LDK-së u bëj thirrje që të mos bien pre e trysnive të ndryshme, por të vazhdojnë punën normalisht, duke e lënë në vullnetin dhe në përgegjësinë e gjithësecilit prej atyre që dje e deklaruan tërheqjen nga Këshilli i Përgjithshëm se a do ta pranojnë apo jo të qenët anëtar në këtë Këshill, të kenë kujdes të mos bijnë nën ndkimin e individëve dhe strukturave të dyshimta që vazhdimisht duan t’i impojnë rrjedhat në LDK. Degës së LDK-së në Zvicër, e në mënyrë të veçantë, Hysen Gërvallës i bëj thirrje që të mos e njollosë edhe më tej emrin e mirë të familjes së tij dhe të vëllezërve të tij dhe të ndaj krushqinë nga politika dhe nga fati i LDK-së në Zvicër, ashtu siç i bëj thirrje degës së Nju Jorkut që të veprojë në mënyrë pragmatike si amerikanët dhe të bëhen pjesë e ndërgjegjshme dhe e përgjegjshme e LDK-së dhe së bashku me veprimtarët brenda Kosovës të bëjnë trysni pozitive mbi drejtuesit e rinj të LDK-së që të mos heqin dorë nga filozofia politike e dr. Ibrahim Rugovës, që t'i mbrojnë simbolet shtetërore të Kosovës, duke i bërë kështu edhe një oponencë konstruktive, në mënyrë që kjo parti të vazhdojë të jetë e aftë të udhëheqë proceset politike në Kosovë. Në këtë drejtim, të jenë të bindur se do ta kenë përkrahjen time dhe të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë në Kosovë.

08 dhjetor 2006

NJË DITË PARA KUVENDIT TË LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVËS

LDK-JA NUK DUHET TË JETË PENG I INDIVIDËVE DHE E QARQEVE TË DYSHIMTA, POR PARTI E FORMATIT KOMBËTAR, QYTETAR E DEMOKRATIK

Një ditë përpara, Kuvendi i LDK-së, si temë, është e pranishme më shumë se tjera herë në faqet e para të mediave të shkruara në Kosovë, duke e trajtuar këtë si ngjarje të rëndësishme, bile më të rëndësishme se sa vetë temën e statusit politik të Kosovës! Është shumë normale, pasi që nesër do të shihet se çfarë do të jenë rezultatet e gjithë asaj fushate mediale, të strukturave kriminale dhe të shërbimeve sekrete që shtë bërë deri më tash: dikush pret që të çahet LDK-ja, dikush tjetër zgjedhjen e njerëzve të rekrutuar nga ata, por gati të gjitha po presin që kjo parti të rrenojë filozofinë politike të dr. Ibrahim Rugovës dhe të jetë e paaftë të udhëheqë proceset politike në Kosovë. Po cili është interesi real i delegatëve të Kuvendit të nesërm të LDK-së: të çojnë në vend pretendimet kundrldk dhe kundërrugovë në të mirë të do farë interesash të ngushta të individëve dhe grupeve të caktuara, dhe në të mirë të pretendimeve jashtëldk që janë të njohura për vite të tëra, apo të vihen mbi trysnitë që janë bërë dhe do të bëhen edhe nesër dhe të thonë qartë se LDK nuk do të jetë peng e interesave të ngushta të individëve, as viktimë e skenarëve ogurzi, të cilat mediat i kanë shpalosur kaherë?

Shkruan: Rexhep KASTRATI

Kur ndodhi lufta në Kosovë, linja udbasho-jugosllavokomuniste, e bijve të ambasadorëve të Jugosllavisë, e sekretarëve të punëve të brendshme të Kosovës, e referentëve të ndryshëm dhe e lakejve të tjerë të komunizmit, si dhe linja e Tiranës/Kretës, menduan se tashmë Lidhja Demokratike e Kosovës, e në mënyrë të veçantë dr. Ibrahim Rugova do të përfundojnë në kujtesën e shqiptarëve si të damkosur me vulën e kundërshqiptarizmit dhe të tradhtisë. Bashkëbiseduesi i ish-shefit të SDB-së, Jovica Stanishqit, Baton Haxhiu e kishte shpallë edhe publikisht dr. Ibrahim Rugovën të vdekur politikisht, kurse njerëz të linjës së Tiranës/Kretës filluan ta quanin shalli i Beogradit. Mirëpo, për fatin e tyre të keq, as LDK-ja, e as dr. Ibrahim Rugova nuk vdiqën politikisht, pasi i fituan të gjitha zgjedhjet e pasluftës, duke dëshmuar edhe njëherë se këtë parti dhe këtë politikan populli nuk i lë të vdesin. Për fatin e keq të të gjithë atyre që për vite të tëra janë duke punuar për rrënimin politik e moral të dr. Ibrahim Rugovës dhe të filozofisë së tij politike, ishin vetë ata që morën mallkimin dhe ndëshkimin e popullit: në planin politik u ndëshkuan me votë, kurse në planin medial, ishin më të palexuarat në Kosovë. Në planin personal, mua më vjen keq që më është hequr kënaqësia për t’u ballafaquar edhe në gjykatë me njerëz të tillë si Baton Haxhiu, Jakup Krasniqi e Xhavit Haliti, të cilët ndaj meje kishin ngritur kallëzime penale dhe padi private për shkrime të ndryshme që i kisha shkruar derisa punoja në “Bota sot”, pasi që unë realisht kam pritur që të ndeshem burrash me ta në prani të kolegëve të mi gazetarë si nga mediat e shkruara, ashtu edhe nga ato elektronike, edhe pse këto media kurrë nuk kanë informuar për paraqitjet e mia në gjykatë, edhe pse i kam informuar me kohë. Por sido që të jetë, humbja, asgjëja dhe heshtja e tyre ishte vetëm vazhdim i humbjes, asgjësë dhe heshtjes publike pas disfatave të vazhdueshme politike që i pësonin nga presidenti i Kosovës dr. Ibrahim Rugova. Dhe në vend të pranimit burrëror të humbjeve, njerëzit, qarqet dhe struktura të tjera që punojnë për kushedisa shërbime sekrete, bile edhe kundërshqiptare, kaluan në një dimension tjetër të luftës kundër dr. Ibrahim Rugovës dhe filozofisë politike, duke i sjellë dëme më shumë Kosovës se sa vetë dr. Ibrahim Rugovës, një ndër të cilat dëme Kosova është duke i paguar me formatin e tashëm të decentralizimit në Kosovë, nga i cili do të dalë së paku një republika sërbska, ashtu siç kam tërhequr vërejtjen këtu e rreth gjashtë vite më parë. Ky dimension tjetër kishte të bënte me rekrutimin njerëzve të rëndësishëm në LDK nga këto qarqe dhe nga këto shërbime sekrete, në planin e brendshëm, kurse në servilizmin diplomatik dhe në gatishmërinë për të pranuar gjithçka për Kosovën, vetëm që të ndihmohen për eliminimin politik të dr. Ibrahim Rugovës. Mirëpo, autoriteti i padiskutueshëm i dr. Ibrahim Rugovës ka bërë që vetë ai, vetë LDK-ja dhe vetë Kosova të mos pësojnë gjithaq, edhe pse nuk kishte mbetur pa pasoja. Në vitin 2004, pata botuar një thirrje publike për linjën insitucionaliste që të kishte vëmendjen për shkakun se njerëz të kësaj linje tashmë ishin shitur te linja udbasho-jugosllavokomuniste, te linja e Tiranës/Kretës dhe te shërbime të ndryshme sekrete. Tashmë kur dr. Ibrahim Rugova nuk është më i gjallë fizikisht, të gjitha këto qarqe dhe këto shërbime sekrete po mundohen që atë ta vrasin edhe politikisht, qoftë duke bërë përpjekje për ta copëtuar LDK-në, një nga trashëgimitë e dr. Ibrahim Rugovës, qoftë duke vendosur sa më shumë njerëz të tyre në krye të saj. Kohëve të fundit i është shtuar edhe grupi njerëzve të tubuar rreth Behxhet Pacollit, i cili në mënyrë më të rafinuar po pret se çka do të ndodhë me LDK-në dhe sa njerëz të saj do të mund të shkojnë në partinë e tij. Më vjen keq të konstatoj, por në këtë kontekst nuk është për t’u lavdëruar as pozicioni i një pjese të bashkësisë ndërkombëtare, e cila është duke kushtëzuar përkrahjen për njërin apo kandidatin tjetër me zgjerimin e bazës së koalicionit qeverisës, pra duke kaluar edhe në bashkëqeverisje, mundësisht me Veton Surroin kryeministër. Ndoshta, është koha tashmë që diplomati i shquar z. Solana të ndjejë realisht keqardhje për qëndrimin jopajtues me dr. Ibrahim Rugovën si me rastin e emërimit të Ramush Haradinajt kryeministër nga ana e presidentit dr. Ibrahim Rugova, ashtu edhe lidhur me bazën e koalicionit qeverisës në Kosovë. Ky mik i madh i Kosovës dhe i presidentit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, që është dëshmuar si mbështetës i fortë i lirisë, i paqes dhe i stabilitetit në Kosovë e më gjerë, duhet t’u bëjë thirrje delegatëve të Kuvendit të nesërm që të injorojnë trysnitë, shantazhet dhe format e ndryshme të dhunës dhe nesër të votojnë me dinjitet dhe përgjegjësi të madhe për votën e tyre. Mesazhi i z. Solana, e kësaj figure shumë të respektuar në Kosovë, është shumë i rëndësishëm, jo vetëm për stabilitetin e LDK-së, por edhe të vetë Kosovës, pasi që siç dihet kjo parti e udhëheq procesin politik në Kosovë, si dhe negociatat për statusin përfundimtar të Kosovës. Sido që të jetë, dhe pavarësisht nga angazhimet e tjera të z. Solana, delegatët e Kuvendit të nesërm tashmë duhet t’i kenë lexuar mirë mesazhet që kanë mediat e sotme në Kosovë, si ato që kontrollohen nga Veton Surroi, si ato që kontrollohen nga Blerim Shala, si ato që kontrollohen nga Behxhet Pacolli, si ato që kontrollohen nga Baton Haxhiu, si ato që kontrollohen nga Ramë Maraj etj., dhe të votojnë realisht për partinë, për dr. Ibrahim Rugovën, të votojnë për Kosovën. Akademik Dacit në mënyrë të veçantë i bëj thirrje që të distancohet nga të gjithë ata njerëz që thirren në emër të tij por që gjatë tërë fushatës së brendshme zgjedhore, bile edhe gjatë këtyre ditëve janë duke bërë trysni mbi delegatët për t’ua marrë nënshkrimet në favor të kandidaturës së tij, sepse në këtë mënyrë, pra duke u distancuar nga format jodemokratike të fushatës dhe të zgjedhjes, ndoshta mund të humbë sot, por mund të fitojë më shumë nesër. Në të kundërtën, unë dhe gjithë të tjerët që i dolëm zot akademikut të nderuar në kohën e shkarkimit arbitrar e arrogant nga posti i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, do ta ndiejmë veten keq dhe seriozisht të penduar për përkrahjen që ia kemi dhënë atëherë. Në fund të fundit kjo përkrahje ka qenë e lidhur me shkarkimin arbitrar dhe arrogant të akademik Dacit. Si përkrahës i dikurshëm i akademik Dacit, rezultati 179 vota pro tij që i paraqiti gazeta e Ramë Marajt sot, mund të më bëjë të dyshoj se përkrahjen që ia kemi dhënë atij, akademik Daci ta ketë keqkuptuar edhe si përkrahje për Ramë Marajn, për gecët e Llaushës, për bajrush morinët e Gegjës, për albatros rexhët e Korishës etj., e që kurrë nuk ka qenë e tillë. Akademik Daci dhe të gjithë të tjerët, përfshirë këtu edhe delegatët e Kuvendit të nesërm duhet ta kenë të qartë se përkrahja ime dhe e njerëzve të vullnetit të mirë, por edhe e popullit për LDK-në dhe për dr. Ibrahim Rugovën nuk ka qenë e as që do të jetë përkrahje për interesa partiake dhe individuale të LDK-së dhe të individëve të ndryshëm, por përkrahje për Kosovën. Të gjithë ata që e kanë kuptuar ndryshe, pra si përkrahje për interesa partiake dhe për interesa personale të indivdiëve të ndryshëm, mund të kenë gabuar rëndë dhe ka rrezik që edhe Kuvendin e nesërm dhe vetë LDK-në ta çojnë drejt ndëshkimit nga ana e popullit. Shpresoj se delegatët e Kuvendit të nesërm ta konsiderojnë më të lehtë përballimin e trysnive të ndryshme dhe joshjet për prëfitime personale, se ndëshkimin zgjedhor nesër...

05 dhjetor 2006

NË PRAG TË KUVENDIT TË LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVËS

MENÇURI, URTËSI DHE UNITET
NË FUNKSION TË STABILITETIT TË LDK-SË DHE TË KOSOVËS

Më në fund, LDK-ja pritet të mblidhet më 9 dhjetor dhe të përmbyllë kështu fushatën e brendshme zgjedhore, si dhe do t’i nxjerrë anëtarët e rinj të Këshillit të Përgjitshëm, të Kryesisë dhe Kryetarin e saj. Si gjithë shqiptarët e vullnetit të mirë, edhe unë pres që në këtë Kuvend, delegatët të ngrihen mbi trysnitë që janë bërë mbi ta, mbi ndonjë privilegj që mund të kenë përfituar apo që u është premtuar dhe të votojnë me vullnetin e tyre të lirë për njerëzit që u shërbejnë interesave të partisë dhe të Kosovës, e jo mendësisë klanore, koncepteve feudaliste, e mbi të gjitha që do ta kenë në kujdes filozofinë politike të dr. Ibrahim Rugovës.

Shkruan: Rexhep Kastrati

Sfida me të cilin do të ballafaqohet LDK-ja në Kuvendin e saj të radhës që pritet të mbahet më 9 dhjetor është përmbyllja e suksesshme e procesit të brendshëm zgjedhor, pra që të zgjidhen anëtarët e rinj të strukturave drejtuese të saj dhe të vazhdohet me kursin që kësaj partie ia ka dhënë dr. Ibrahim Rugova. Kjo do të thotë që në Kuvendin e radhës të mos lejohet realizimi i skenarëve të ndryshëm për krijimin e dofarë organesh drejtuese të saj, të cilat nuk do të ishin të afta ta drejtonin si duhet , e rrjedhimisht të mos e kenë mençurinë, urtinë dhe forcën për ta çuar drejt fitores së zgjedhjeve të ardshme si atyre lokale, edhe atyre të përgjithshme, por që edhe të rrënohet identiteti politik i saj duke e braktisur filozofinë politike të dr. Ibrahim Rugovës. Pra, sfida për të cilën e kam fjalën është sfidë për të dëshmuar atë pjekuri politike dhe atë unitet politik që do të dëshmojë se LDK-ja është e aftë që t'i drejtojë proceset politike e shoqërore në Kosovë edhe pa dr. Ibrahim Rugovën, duke i demantuar gjithë ata që kanë parashikuar një zhbërje apo dobësim të kësaj partie pas vdekjes së liderit të saj historik, por edhe që do të dijë ta mbajë të pacënueshme filzofinë e tij politike, duke gjetur mënyra dhe kushte sa më të përshtashme për zbatimin e saj sot dhe në të ardhmen, për aq kohë sa ajo filozofi politike, që në vete ngërthen edhe identitetin nacional të shqiptarëve që nga Dardania e gjer më sot, të jetë një filozofi që u shërben qytetarëve dhe vetë Kosovës si pjesë e tërësisë nacionale dhe territoriale iliro-shqiptare. Nuk do të ishte shumë e mirë që në Kuvendin e radhës të ndodhin gjëra si në Kuvendin e PDK-së, apo edhe të AAK-së, që të mos arrihet të zgjidhet Kryesia, apo edhe të ketë fërkime të brendshme që do të mund ta dëmtonin mbarëvajtjen e këtij Kuvendi, si dhe të funksionimit të kësaj partie më pastaj. Me këtë rast as që dua të diskutoj për parashikimet mjerane të kundërrugovistëve qoftë brenda, qoftë jashtë LDK-së për mundësinë ndarjes së saj në pjesën që drejtohet nga njëri dhe në pjesën tjetër që drejtohet nga kandidati tjetër për kryetar të kësaj partie, sepse secili që do të provonte ta bënte këtë, do të nënshkruante fundin e tij politik dhe moral, pasi që askush nga anëtarësia e gjerë LDK-së, si dhe askush nga përkrahësit e saj nuk do ta përkrahë. Kjo në mënyrë të veçantë shërben për një farë “Reforme”, e cila që nga themelimi është duke vepruar si një Kryesi paralele e LDK-së, anëtarë të të cilës jo rrallë kanë përdorur edhe trysninë dhe dhunën fizike për të imponuar nëpër degë dhe nëndegë zgjedhjen e përkrahësve të njërit prej kandidatëve për kryetar të LDK-së, si dhe kanë provuar që me shuma të caktuara parash e beneficionesh të tjera të përvetësojnë sa më shumë delegatë për kandidatin e caktuar. Pra, sfida për të cilën jam duke shkruar, është edhe sfidë për të gjithë delegatët e Kuvendit të LDK-së që të ngrihen mbi trysninë e ushtruar mbi ta, apo që edhe janë bërë të tillë (delegatë) falë trysnive që janë bërë mbi të tjerët, si dhe ata që votën e tyre e kanë shitur qoftë për para, apo edhe për ndonjë privilegj tjetër, të ngrihen mbi të gjitha këto dhe të votojnë, ashtu siç do të kishin votuar sikur të mos kishin pasur asnjë trysni, apo edhe sikur të mos kishin marrë asnjë lekë apo ndonjë privilegj tjetër. Është kështu, sepse në këtë mënyrë do të tregonin se kanë ose se janë në gjendje të rikthejnë integritetin e tyre njerëzor e politik, si dhe do të ndihmojnë që të zgjedhurit në organet drejtuese të LDK-së, të jenë vërtet shprehës të shumicës reale të anëtarësisë së kësaj partie, por, që nuk është më pak e rëndësishme, edhe vullnetin e gjithë përkrahësve të saj, pra edhe të gjithë atyre që kanë investuar për ta ruajtur këtë parti të fortë dhe stabile edhe pa qenë anëtarë të saj, si dhe pa qenë përfitues postesh dhe privilegjesh të ndryshme, siç janë pjesa më e madhe e atyre që fshihen mbrapa “Reformës”, e që kanë për qëllim t’i rikthejnë, t’i ruajnë pikërisht këto përfitime e privilegje, si dhe t’i bëjnë edhe më të mëdha këto privilegje. Këto që po them, nuk kanë të bëjnë aspak me përkrahjen e njërit apo kandidatit tjetër, por me qëndrimin e vazhdueshëm që kam mbajtur kundër gjithë atyre që në një mënyrë apo tjetër kanë kontribuar për mendësi klanore, koncepte feudaliste dhe për shfrytëzimin e mjeteve të dhunshme për arritjen e qëllimeve. Dhe është e qartë se unë kaherë jam deklaruar kundër marizmit dhe gecizmit në LDK, pa mohuar edhe ndonjë tendencë të ngjashme që ushqehet edhe nga struktura jashtë LDK-së, qofshin këto shërbime sekrete, apo edhe parti të tjera kundërrugovë. Ajo që unë kam përkrahur dhe përkrahi edhe sot e gjithë ditën është legaliteti, legjitimiteti dhe vullneti i lirë i njerëzve për t’u përcaktuar për njërin apo kandidatin tjetër, kur është fjala për kryetar të LDK-së, e jo imponimi i dhunshëm apo edhe korruptimi i atyre që do të votojnë më 9 dhjetor. Dhe ky le të jetë një mesazh i qartë për të gjithë kandidatët për kryetar të LDK-së, nga të cilët, sidomos nga akademik Daci, për shkak se atij i pata ofruar një përkrahje fillestare, që të denonconin gjithë ato veprime të dhunshme dhe të distanconin veten nga ato veprime të dhunshme dhe korruptive. Pra, sfida kryesore me të cilën do të ballfaqohet LDK-ja në Kuvendin e saj të radhës më 9 dhjetor dhe që duhet ta përballojë sukseshëm, është që të tregojë se është vazhduese e denjë e veprës së dr. Ibrahim Rugovës, e që do të thotë se do të vazhdojë të funksionojë në përputhje me parimet themelore të filozofisë së tij politike, e që njëherësh janë edhe parime themelore kombëtare dhe demokratike, duke ua treguar vendin gjithë atyre që qoftë për interesa të tyre personale, apo edht të tjera janë vënë shërbim të strukturave kundërldk dhe kundërrugovë dhe që i kanë vënë në dispozicion edhe mediat, e edhe shërbimet e ndryshme sekrete për të realizuar rrënimin politik të LDK-së dhe të filozofisë politike të dr. Ibrahim Rugovës.