18 prill 2006

Koçit pak, bre Gani Geci

SHKURT E SHQIP

KOÇIT PAK, BRE GANI GECI!

Intervista e Gani Gecit dhënë të përditshmes “Lajm...” të datës 15 prill, parë nga të gjitha aspektet, është një intervistë që në mënyrë shumë të qartë i shpalos ambiciet karrieriste dhe angazhimin e vërtetë të vëllezërve Geci në LDK, e pse jo edhe në UÇK. Edhe pse ambiciet karrieriste të tyre unë i kam të njohura qysh moti, duhet thënë se tashmë në mënyrë shumë të qartë këto ambicie po i bëjnë res publica , edhe në kuptimin literal të saj, pra të gjësë publike, si një çështje publike që ka pasoja për publikun, edhe në kuptimin e bërjes të njohur edhe për publikun e gjerë. Si gjë publike, karrierizmi i vëllezërve Geci natyrisht se bëhet objekt i shqyrtimit të njerëzve të ndryshëm të cilët mund të përkrahin ose të kundërshtojnë këtë, pavarësisht se këta a i fërkojnë duart apo i terrojnë vetullat.

Shkruan: Rexhep Kastrati

Në këtë kuptim, unë jam i shtrënguar që shkurt e shqip, t’ia them disa fjalë Gani Gecit, e nëpërmjet të tij edhe vëllezërve të tjerë të tij, lidhur me disa çështje parimore dhe morale, të cilat i ka përfolur në intervistën në fjalë: 1.Me gjithë respektin e madh që kam për Drenicën, duhet thënë se konceptet feudale në politikë, Drenicës ia kanë imponuar të tjerë para vëllezërve Geci, dhe si të tilla kanë dështuar dhe po i kushtojnë shumë vetë Drenicës. Në këtë kuptim vëllezërit Geci përveçse paraqiten të vonuar në idenë për dominimin e politikës në Kosovë nga Drenica, ata paraqiten edhe kopjues të ideve të të tjerëve. Si të këtillë, vëllezërit Geci, më shumë e dëmtojnë veten, se sa që mund ta realizojnë ambicien e tyre që në këtë mënyrë ta marrin bajrakun e afirmimit të Drenicës. Edhe në rrafshin e filozofisë politike që ka LDK-ja, feudalizmi politik nuk është pjesë e kësaj filozofie. Prandaj, përveçse është i dëmshëm për Gecët e Llaushës, feudalizmi politik, është i dëmshëm edhe për vetë LDK-në. Në anën tjetër, mënyra e realizimit të këtij koncepti pa përfillur vijën politiko-partiake dhe vetë zgjedhjet si mënyrë e besimit të pushtetit nga ana e atij që e jep pushtetin, tregon më shumë për dëshirën që me çfarëdo çmimi Fadil Geci të bëhet ministër, si dhe për mundësinë që nëse i humbë zgjedhjet LDK-ja, këta të kalojnë edhe në organizime të tjera politike, nëse në këtë mënyrë mund të vazhdojnë realizimin e ambicieve të tyre karrieriste. Shkurt e shqip, ideja për dominimin e politikës së Kosovës nga Drenica do të thotë dominim i politikës nga vëllezërit Geci të Llaushës. 2. Apostrofimi i Ramë Marajt si një e keqe për LDK-në nga Gani Geci, po ashtu, është mjaft e vonuar, pasi që të tjerë e kanë thënë para tij këtë. Shumë kohë më parë, është kompania mediale KOHA e Veton Surroit, ajo që e ka thënë këtë. Në këtë pikë, Gani Geci sikur pajtohet me Veton Surroin. Gani Geci, nëse vërtet i dhemb zemra për LDK-në, do të duhej qysh moti, bile para Veton Surroit ta thoshte të keqen që përfaqëson Ramë Maraj. Këtë mundësi ai e ka pasur vazhdimisht, pasi që në “Bota sot” edhe përralla mund të tregonte dhe të mos dilte kush e të mos ia botonte. E nëse e ka për qëllim që ta eliminojë ndikimin e Ramë Marajt në individë të ndryshëm në LDK, për ta zëvendësuar me ndikimin e familjes Geci, atëherë, duhet thënë shkurt e shqip se LDK-ja është po aq në rrezik në mos më shumë nga gecizmi sa edhe nga marizmi. Si të tilla duhet të jenë jashtë LDK-së dhe jashtë politikës shqiptare që të dyja rrymat. Shkurt e shqip, LDK-ja duhet t’i mbetet besnike filozofisë politike të dr. Ibrahim Rugovës, koncepteve demokratike të funksionimit të saj dhe të politikës shqiptare në Kosovë në përputhje me konceptet moderne politike perëndimore. 3. Një çështje tjetër absurde, përveç këtyre, është edhe çështja e përkrahjes së 19 degëve të LDK-së për Fadil Gecin si ministër të Punëve të Brendshme; përkrahja e 18 degëve të FR të LDK-së për Armend Zemajn si kryetar i mundshëm i kësaj organizate rinore, në vend të Sejdë Tolajt, dhe përkrahja ndaj akademik Dacit. Është kështu për faktin se kurrë më parë, e as më pas nuk ka ndodhur që degë të ndryshme të japin publikisht përkrahje për individë të ndryshëm, ashtu siç ka ndodhur me rastin e Fadil Gecit. Përkrahja e 19 degëve për të si ministër i Punëve të Brendshme, është precedent, i cili do të duhej të pasohej nga sqarimi nga ana e fadil Gecit vetë apo edhe nga ana e Gani Gecit , se si u realizua: duke shkuar degë më degë dhe për të fituar përkrahjen; duke kërcënuar, shantazhuar apo blerë këto degë, apo edhe si përkrahje demokratike? Nëse është kjo e fundit, pse nuk janë ndjekur kanalet e brendshme të partisë, por u bë publike? Absurditeti i kësaj çështje bëhet edhe më i madh, kur të kihet parasysh se 18 degë të FR të LDK-së nga 19 degët e LDK-së që i kanë dhënë përkrahje Fadil Gecit, kanë kundërshtuar përkrahjen që kryesia e FR të LDK-së i ka dhënë akademik Dacit. Në këtë mënyrë, duke e përkrahur Armend Zemajn për kryetar të FR të LDK-së, Gani Geci, e bashkë me të edhe vëllezërit Geci vihen kundër njeriut që e ka përkrahur akademik Dacin, siç është Sejdë Tolaj. Vetë Gani Geci, ndërkaq, e ka vënë veten në krah të akademik Dacit. Unë nuk di që absurditeti ka brirë. 4. Çështja e fundit, por më e dhimbshmja për mua është personalizimi i rastit të Bekim Kastratit dhe të Besim Dajakut. Edhe pse këtë ia kam thënë gojarisht disa herë, por pasi nuk po merr vesh, jam i shtrënguar që t’i them edhe publikisht: as Gani Geci e askush tjetër nuk ka të drejtë që ta përdorë vrasjen e Bekim Kastratit për qëllime personale. Po ashtu as Gani Geci e askush tjetër nuk ka të drejtë të kërkojë para në emër të tyre. As Gani Geci e askush tjetër nuk ka të drejtë të ndërtojë përmendore për ta, pasi që ata nuk janë heronj privatë të kurrkujt. Të premten e zezë të 19 tetorit 2001, cak ka qenë Bekim Kastrati e Besim Dajaku, e jo Gani Geci, prandaj rasti nuk është rast i Gani Gecit, por është rast i Bekim Kastratit dhe i Besim Dajakut. Bekim Kastrati është vrarë për veprimtarinë e tij profesionale si gazetar. Shkurt e shqip, Bekim Kastrati nuk është vrarë pse ka qëlluar në makinën e Gani Gecit, por pse për këtë ka ekzistuar një skenar i parapërgatitur mirë. Ajo që duhet të bëjë Gani Geci është që të pushojë së keqpërdoruri rastin e Bekim Kastratit dhe të Besim Dajakut, si dhe të sqarojë publikisht se kush i ka vrarë ata. Pra, ajo që mund të bëjë Gani Geci është që ose të flasë atë që duhet folur, pra ta zbardhë rastin e Bekim Kastratit e të Besim Dajakut, ose të koçitë pak...