20 prill 2006

LDK-JA – KAH PO SHKON AJO?
VAZHDIMËSI E SIGURT ME BESNIKËRI NDAJ IDENTITETIT TË SAJ POLITIK

Moslejimi i shndërrimit të saj në servis të individëve dhe të klaneve që interesat dhe ambiciet personale i kanë më të rëndësishme se funksionimin normal të partisë dhe të jetës politike në Kosovë; moslejimi i mendësisë së klanit, si mendësi parapolitike; moslejimi i filozofisë dhe i koncepte feudaliste; respekti më i madh për qytetarët dhe për personalitetet publike e mediale; uniteti rreth filozofisë politike të dr. Ibrahim Rugovës dhe rreth trashëgimisë politike gjashtëmbëdhjetë e sa vjeçare; përcaktimi i fuqishëm për vlera kombëtare dhe integrimin e përshtatshëm të këtyre vlerave në sistemin e vlerave perëndimore, si dhe përcaktimi i fuqishëm për përkatësinë politike perëndimore, janë vetëm disa nga detyrat që duhet t’i kryejnë strukturat drejtuese të linjës institucionaliste për të pasur një vazhdimësi të sigurt edhe në të ardhmen, e të cilat kjo linjë mund dhe duhet t’i kryejë me përkushtim dhe pa lëkundje. Në të kundërt, askush nuk do të ketë të drejtë më vonë që të provojë që të shfajësohet duke thënë se nuk e kemi ditur se si janë punët...

Shkruan: Rexhep KASTRATI

Është pritur që pas dr. Ibrahim Rugovës LDK-ja të ballafaqohet me lëvizje të brendshme nga të cilat ose do të jepte provimin e stabilitetit të brendshëm, ose do të mund t rrezikohej seriozisht vazhdimësia e saj si forcë kryesore politike në Kosovë. Pas largimit, qoftë për punë moshe, qoftë për punë vdekjeje të liderit karizmatik dhe udhëheqësit të saj shpirtëror çfarë ka qenë dr. Ibrahim Rugova, në LDK do të nxirrnin krye individë dhe klane që vakuumin e krijuar ta zënë me një shpejtësi marramendëse, por njëkohësisht është pritur që fryma e udhëheqjes dhe drejtimit të partisë nga dr. Ibrahim Rugova, si dhe vetë filozofia e tij politike të jenë të mjaftueshme për t’i shërbyer shumicës së kësaj partie që të mos e lejojë askë që ta cenojë stabilitetin e saj të brendshëm. Kjo për më tepër, pasi që rugovizmi si filozofi politike është aq i fuqishëm në politikën shqiptare të Kosovës, sa që është e vetmja filizofi dominuese, e përvetësuar edhe nga ato parti që kanë synuar dhe synojnë rrënimin e LLDK-së dhe të dr. Ibrahim Rugovës. Fakti se drejtuesi i PDK-së në veprimtarinë e tij publike politike ka adoptuar një ligjërim tërësisht rugovist, në të cilat spikat pacifizmi ekstrem, toleranca verbale, kurse ndaj serbëve më tepër se kaq, kurse kryeministrat e Kosovës që kanë ardhur nga AAK-ja, janë treguar e po tregohen aq të butë, aq të urtë dhe aq kalamaj të mirë, sa janë duke i përngjarë shumë fëmijës së ulur në karrige në bankat e shkollës fillore që e përjetojnë me shpirt miklimin e mësuesit të tij të dashur, tregon se rugovizmi jo vetëm që është përqafuar me të dy duart nga PDK-ja dhe AAK-ja, por edhe është tejkaluar në kuptimin negativ. Duke parë tendencën e shndërruar në realitet të përvetësimit të rugovizmit si filozofi politike nga ata që nuk lanë gjë pa bërë për ta rrënuar dr. Ibrahim Rugovën dhe LDK-në, është pritur që edhe spiunët e tyre në radhët e LDK-së ta kuptojnë se nuk mund të bëjnë karrierë politike duke e rrënuar atë që të tjerët po provojnë në çdo mënyrë ta bëjnë për vete. Në këtë kuptim, është pritur që bashkëpunëtorët e sinqertë të dr. Ibrahim Rugovës brenda LDK-së, qoftë në kryesinë e saj, qoftë në Këshillin e Përgjithshëm, qoftë edhe nëpër degë të ndryshme të LDK-së, ta ndiejnë veten më të fortë dhe më të sigurt në mbrojtjen e filozofisë politike të dr. Ibrahim Rugovës. Mirëpo, koha ka treguar se jurishnikët mjerë që me vite kanë pritur vdekjen e dr. Ibrahim Rugovës, për t’iu turrë LDK-së dhe për ta bërë pronë private të tyre, nuk kanë durim që të presin zhvillimet normale brenda kësaj partie për ta nxjerrë kryesinë e re të LDK-së dhe kryetarin e ri të partisë. Njerëz si mr. Eqrem Kryeziu, si Fatmir Sejdiu e ndonjë tjetër që fshihet mbrapa këtyre, sikur politika dhe organizimi politiko-partiak të ishin një bioletër, siç do të shprehej Sabri Hamiti, po të ishte fjala për teori letrare, në mënyrë shumë të mbrapshtë i janë vënë në shpinë LDK-së, duke provuar që ta imponojnë veten si udhëheqje të ardhshme të LDK-së. Në pikëpamje politike, në pikëpamje organizative e në pikëpamje logjike, do të ishte gjithçka në rregull që këta shokë të partisë të provojnë në mënyrë të rregullt, në përputhej me dokumentet partiake që ta marrin kreun e LDK-së. Por e keqja është se këta shokë të partisë po veprojnë si debatikas të fillimshekullit njëzet e një, duke shkelur çdo normë statusore të LDK-së, si dhe duke provuar të rrënojnë filozofinë politike të dr. Ibrahim Rugovës dhe gjithë trashëgiminë politike të tij. E kam thënë edhe herë tjetër, mr. Eqrem Kryeziu, edhe pse adhurues i veprës së Ernest Koliqit, nuk ka arritur që të lirohet nga mendësia e lagjes dhe nga logjika që kudo që të jetë të jetë i pari me çdo kusht. Për këtë arsye, ai ka refuzuar ftesën e vazhdueshme të dr. Ibrahim Rugovës për të shkruar në Prishtinë si nënkryetar i parë i LDK-së, duke qëndruar më mirë i pari në Prizren, se sa i dyti në Prishtinë. Autoritarizmi i tij, ambicia që më mirë të jetë i pari i mëhallës se i dyti i shehrit, ka bërë që për vite të tëra të mos e ushtrojë plotësisht detyrën e tij të nënkryetarit të parë të LDK-së. Në anën tjetër, Fatmir Sejdiu, jo njëherë ka pasur raporte të ftohta me dr. Ibrahim Rugovën. Unë tash nuk dua të spekuloj se të tilla raporte fatmir sejdiu i ka pasur edhe për shkak të afërsisë me ish-deputetin e PDK-së, Shefki Sejdiun, përkatësisht me sekretarin e përhershëm të Ministrisë së Shëndetësisë, Pleurat Sejdiun, edhe pse po të kihet parasysh fakti se vendosja e kolopuçit të mr. Eqrem Kryeziut, Fadil Kryeziu në postin e zëvendësministrit të Shëndetësisë, do të mund të përdorej nga ndokush si argument për të thënë se ja një lidhje tjetër mes mr. Eqrem Kryeziut dhe Fatmir Sejdiut, apo edhe ja një lidhje ndërmjet këtyre njerëzve të LDK-së, me njerëz të PDK-së. Duke qenë njeri i përgjegjshëm për fjalën publike, unë nuk dua të spekuloj me këto, pasi që do të jetë koha ajo që do të tregojë të vërtetën, por është e vërtetë se shokët e partisë, pa e përfshirë Kolën në këtë mes, pasi që ai gjatë viteve ka treguar se është afër filozofisë politike të dr. Ibrahim Rugovës, ani që tash nuk po e gjen forcën e duhur për t’i bërë rezistencë mr. Eqrem kryeziut, Fatmir Sejdiut e ndonjë tjetri që qëndron prapa këtyre, pra është e vërtetë se shokët e partisë, debatikasit e fillimshekullit njëzet e një, janë duke e dëmtuar mjaft filozofinë politike të dr. Ibrahim Rugovës si dhe vetë LDK-në. Është kështu, pasi që për dallim nga stoicizmi politik dhe institucional i dr. Ibrahim Rugovës, për dallim nga toleranca e tij ndaj mendimit ndryshe, për dallim nga shuarja e butë e konflikteve brenda LDK-së, sot kemi një grup të vogël individësh që po e defaktorizojnë çdo ditë e më shumë LDK-në, duke e bërë bisht të politikës në Kosovë. E pasojat nuk po i bart vetëm LDK-ja, por e tërë Kosova. Tash të gjithë jemi dëshmitarë se kryetari Kosovës dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, në Ekipin Negociator janë bërë çunakë të mirë dhe po zbatojnë çdo dëshirë të opozitës zyrtare, por të pozitës faktike, ashtu siç po zbatojnë çdo element të dëmshëm për strukturën territoriale të Kosovës. Në kundërshtim me programin politik të LDK-së dhe në kundërshtim edhe me Kornizën Kueshtetuese, kryetari i tashëm i Kosovës dhe kryetari i tashëm i Kuvendit të Kosovës, po e cenojnë çdo ditë funksionimin demokratik të institucioneve, pasi që vetë nuk janë duke funksionuar si institucione kushtetuese, por si individë që po e bëjnë veten dhe LDK-në bashkëpërgjegjëse për zyrtarizimin e enklavave në Kosovë dhe ndarjen faktike e juridike të Mitrovicës, e ndoshta edhe të Kosovës. A është ky çmimi që po e paguajnë këta për postet që kanë marrë? Natyrisht se po. Është kështu për faktin se Fatmir Sejdiu, Kolë Berisha e mr. Eqrem Kryeziu janë produkt i skemës paraprake, parapolitike e kundërstatutore të garës së brendshme për kreun e LDK-së, duke u marrë vesh që Fatmir Sejdiu të jetë kryetar i Kosovës në mandatin politik të dr. Ibrahim Rugovës, Kolë Berisha kryetar i Kuvendit të Kosovës, kurse mr. Eqrem Kryeziu kryetar i ardhshëm i LDK-së. Kjo mënyrë veprimi është shumë e ngjashme me veprimet mafioze të donëve të njohur të mafias botërore. Edhe shkarkimi i akademik Dacit erdhi si pasojë e marrëveshjeve të këtilla të fshehta, si dhe të imponimit, prandaj ka qenë e kritikueshme nga ana ime dhe nga ndonjë tjetër, që nuk po i fërkon duart se nëse bëhet mr. Eqrem Kryeziu kryetar i LDK-së mund të shpresojë ta ketë mëshirën e tij dhe të përfitojë ndonjë copë ashti për ta lëpirë. Në këtë kuptim, po më duket spekulim i pastër nga ana e mr. Eqrem Kryeziut me funksionet institucionale që i kanë Fatmir Sejdiu dhe Kolë Berisha, si dhe përpjekje për të krijuar përshtypjen se veprimet e tipit të donëve evropianë që po i bëjnë këta shokë të partisë, paraqesin një lëvizje që e përkrahka shumica e LDK-së, e jo veprime të izoluara të këtyre të treve dhe të ndonjë tjetri që kurrë nuk ka pasur kurajën që të dalë në ballë të mbrapshtive vet, por po i përdorë, dje Edita Tahirin, e sot mr. Eqrem Kryeziun dhe shokët e tjerë të partisë. Sido që të jetë, është e qartë se këta shokë të partisë janë të babëzitur për ta privatizuar përfundimisht LDK-në, ashtu siç e kanë privatizuar edhe Kosovën dhe po e copëtojnë sipas dëshirave të serbëve dhe të tjerëve, sikur t’ua kishin lënë amanet baballarët e tyre. Prandaj, përkrahja ndaj këtyre shokëve të partisë, është përkrahje për rrënimin e filozofisë politike të dr. Ibrahim Rugovës dhe të vetë LDK-së. Ndonjë gazetë si puna e ‘Botës sot” që ka marrë përsipër që të jetë zëdhënëse e këtyre shokëve të partisë, e që logjikisht po e vazhdon aty ku e la “Kohavizioni”, “Koha ditore” , “Zëri” e ndonjë tjetër, vetëm sa po kontribuon në rrënimin e filozofisë politike të dr. Ibrahim Rugovës, duke rrënuar kështu edhe veten, ashtu siç e ka rrënuar gjatë këtyre viteve, për shkak të klientelizmit politik ndaj klaneve dhe individëve të ndryshëm brenda LDK-së. Për të qenë tërësisht të sinqertë, lidhja e “Botës sot” me këta shokë të partisë, e sidomos me mr. Eqrem Kryeziun, daton qysh moti, bile edhe në kohën kur unë punoja në atë gazetë. Atë botë, Bardhyl Ajeti, si gazetar që përcillte veprimtarinë e partive politike, qëndrimet e LDK-së nuk i merrte nga Kolë Berisha në Prishtinë, i cili faktikisht kryente punët e përfaqësimit të LDK-së, për shkak të mosgatishmërisë së mr. Eqrem Kryeziut për t’iu përgjigjur ftesës së dr. Ibrahim Rugovës për të shkuar në Prishtinë dhe për të kryer funksionin e nënkryetarit të parë të LDK-së, por i merreshin këtij të fundit. Dhe paramendo kur mr. Eqrem Kryeziu deklarohej për veprimet që de facto i kryente tjetër kush dhe informatat për të cilat veprime i merrte vetë nga Kolë Berisha apo nga ndonjë tjetër. Në këtë vazhdë duhet parë edhe censurimin, apo thënë më mirë pamundësimin që i bëhej Kolë Berishës për të botuar në “Bota sot”. Pra, lidhjet e “Botës sot” me mr. Eqrem Kryeziun kanë qenë shumë të hershme, prandaj nuk më çudit fakti që tash këto raporte janë bërë kaq të afërta, për të mos thënë janë zyrtarizuar. Mua, që kam qenë njëri nga ata që në vite shumë të vështira kam dhënë kontributin tim modest në trasimin e mendimit jooportunist dhe të një gazetarie që është mbështetur në intelektualizmin publicistik dhe në të vërtetën, për ç’gjë unë dhe “Bota sot” kemi gëzuar një përkrahje të gjerë morale, natyrisht se nuk më vjen mirë kur shoh se kjo gazetë nuk po mund të lirohet nga roli i keq i vënies së vetes në shërbim të individëve dhe të klaneve të ndryshme që e kanë dëmtuar dhe po e dëmtojnë filozofinë politike të dr. Ibrahim Rugovës. Kështu ka qenë dje, kur njerëz brenda “Botës sot” bënin punën e Ramë Marajt, të PDK-së e të AAK-së dhe në këtë mënyrë pamundësonin punën time dhe të të tjerëve që me LDK-në na bashkonte filozofia politike e dr. Ibrahim Rugovës, e jo shpërblimet e ndryshme financiare dhe të karrigeve. Dhe këta shërbëtorë të paguar me para dhe me karrige të ndryshme nëpër ministri të ndryshme, që me devotshmëri i shërbyen individëve të ndryshëm brenda LDK-së, të mbledhur rreth Ramë Marajt, por edhe shërbëtorë të PDK-së dhe të AAK-së, bënë që në një mënyrë apo tjetër, unë, Bekim Kastrati e ndonjë tjetri të ballafaqoheshim me intriga dhe provokime ndër më të ndryshmet, e që shkonin deri në pamundësimin e një pune normale në gazetë. Dhe krejt kjo vinte pikërisht se me punën tonë mundoheshim të ishim larg individëve dhe larg klaneve që filozofinë politike të dr. Ibrahim Rugovës e kishin vetëm një pllakat dekorativ për veprimet e tyre të mbrapshta. Në të vërtetë, veprimet parapolitike dhe me logjikën e veprimit të linjës së Tiranës/Kretës dhe të SHIK-ut si dorë e fshehtë e saj, kanë bërë që linja institucionaliste në përgjithësi, e LDK-ja në veçanti, të pësojë rënie të vazhdueshme në zgjedhje, duke krijuar situata të tilla që bastione të LDK-së të rrezikojnë mbajtjen e pushtetit nëpër komuna të ndryshme, siç ka ndodhur me komunën e Prizrenit, ku kryetar është mr. Eqrem Kryeziu. Dhe kjo ka ndodhur pikërisht për shkak të mënyrës së administrimit të mr. Eqrem kryeziut me degën e LDK-së dhe me vetë pushtetin komunal. Kur jemi këtu, duhet thënë se mr. Eqrem Kryeziu, në degën e LDK-së ka instaluar nepotizmin, duke e vënë të dytin pas tij një kushrui shumë të afërt të tij. Fadil Kryeziun, të cilin tash vonë e bëri edhe zëvendësministër të Shëndetësisë, kurse përveç tij ka afruar edhe njerëz servilë që nuk kanë lidhje me politikën, por që i janë bindur verbërisht vetëm për një troh pushtet, për tendere të ndryshme etj. Favorizimi që u është bërë firmave të ndryshme, ndër të cilat është edhe ajo e Blerim Kuqit, të cilin mr. Eqrem Kryeziu e ka bërë zëvendëskryeministër, është një praktikë politike dhe institucionale që i ka dhënë argumente opozitës në Prizren për dobësimin e pozitave të LDK-së në këtë qytet. Prandaj, tash është një situatë kaosi në këtë degë, e që mund të sjellë humbjen e zgjedhjeve të ardhshme komunale Prizren. I pamësuar të jetë i dyti, por edhe me mundësi minimale për të qenë edhe më tej i pari në Prizren, mr. Eqrem Kryeziu, duket se është duke bërë gjithçka për të qenë i pari në Prishtinë, edhe nëse për këtë duhet të miratojë në heshtje privatizimin e Kosovës nga shokët e tij të partisë, që në ndarjen e posteve si kulaçin e nuses, u ka rënë hise të jenë në krye të dy institucioneve më të rëndësishme të Kosovës. Dhe kjo është një arsye e mjaftueshme për të qenë kundër imponimit të këtyre shokëve të mr. Eqrem Kryeziut në lojërat e mbrapshta për kreun e LDK-së. Mirëpo, nuk është vetëm mr. Eqrem Kryeziu me shokët e tij që nuk duhet të përkrahet, edhe nëse për t’u imponuar luajnë edhe me kartën amerikane të gjoja përkrahjes. Është kështu se është spekulim i vërtetë me respektin e madh që SHBA-të dhe qeveria amerikane gëzojnë në mesin e shqiptarëve, që nuk është respekt vetëm i fundshekullit njëzet, por edhe shumë më i hershëm. SHBA-të, respektin e kanë fituar nga shqiptarët qysh kur ato u bënë strehë për shumë shqiptarë atdhetarë dhe prej se Vudru Uilsoni, kryetari i atëhershëm amerikan bashkë me sekretarin e atëhershëm të shtetit, z. Lansing, i pamundësuan realizimin e marrëveshjes së fshehtë të Londrës të vitit 1915 për copëtimin e shtetit aktual shqiptar, por edhe marrëveshjen italo-greke, Titoni-Venizelos, për të njëjtin qëllim, ashtu siç pamundësuan edhe realizimin e një protektorati tripalësh: Itali, Greqi e Jugosllavi mbi shtetin aktual shqiptar, të gjitha këto në prag, gjatë dhe në kontekst të Konferencës së Versajës dhe të Parisit (1919 – 1921 e në vazhdim). Pra, respekti për SHBA-të tek shqiptarët nuk është ekskluzivitet as i mr. Eqrem kryeziut, as i Nexhat Dacit, bile as i dr. Ibrahim Rugovës, edhe pse ky i fundit ia arriti që këtë respekt të shqiptarëve për SHBA-të ta vëjë në baza institucionale dhe programoro-politike. Në këtë kuptim, as që mund të diskutohet se SHBA-të e përkrahin mr. Eqrem Kryeziun se na qenka pro amerikan, kurse nuk e përkrahin akademik Dacin se nuk na qenka proamerikan. Spekulimi me këtë çështje është naivitet politik, inferioritet politik e intelektual, si dhe shumë i rrezikshëm edhe për raportet e Kosovës me SHBA-të. Prandaj, mund të thuhet qartë se edhe spekulimi me përkrahjen apo jo të SHBA-ve për mr. Eqrem Kryeziun, e me gjojamospërkrahjen për akademik Dacin, është vetëm spekulim i radhës që mr. Eqrem Kryeziu dhe shokët e tij e bëjnë për ta imponuar veten për partinë dhe strukturat e saj drejtuese qoftë ne qendër ose në bazë, ashtu siç po spekulojnë edhe me emrin e dr. Ibrahim Rugovës, për ta fshehur kundërrugovizmin e tyre. Duke qenë spekulime të gjitha këto, duhet të refuzohen si arsyetime banale, ashtu siç duhet të refuzohet edhe institucionalizimi dhe legalizimi i donëve dhe i donizmit si praktikë politiko-partiake dhe t’i qëndrohet besnike filozofisë politike të dr. Ibrahim Rugovës, pra t’i qëndrohet besnike identitetit politik që ka linja institucionaliste dhe me të cilën mund të qëndrojë vazhdimisht vertikalisht dhe ballëhapur para qytetarëve. Natyrisht se përveç kësaj, linja insitucionaliste, pra strukturat drejtuese të kësaj linje, duhet të refuzojnë edhe konceptet feudaliste, klanore dhe të tjera që nuk kanë të bëjnë me filozofinë politike të dr. Ibrahim Rugovës, me konceptet politike moderne perëndimore, e as me vlerat politike kombëtare e ndërkombëtare. Në fund të fundit, kjo është mënyra e vetme që kjo linjë politike të vazhdojë të jetë forcë bashkuese, forcë afruese dhe forcë shpresëdhënëse për një të arshme sa më të mirë për shqiptarët dhe si garanci për orientimin kombëtar dhe properëndimor të shqiptarëve si komb dhe si qytetërim. Edhe pse ekziston një vakuum brenda linjës insitucionaliste për shkak të mospranisë fizike të dr. Ibrahim Rugovës, vakuum që ka shkaktuar huti në qendër dhe në bazë, duhet thënë se linja institucionaliste brenda saj ka aq njerëz, aq energji dhe aq pjekuri sa të mos lejojë deformimin e saj, apo shndërrimin e saj në një servis të individëve apo të klaneve që ambiciet personale i kanë më të rëndësishme se funksionimin normal të demokracisë së brendshme partiake dhe shtetërore të Kosovës. Në këtë drejtim kanë në krah trashëgiminë politike të këtyre gjashtëmbëdhjetë-shtatëmbëdhjetë viteve të ekzistencës së saj, e që është trashëgimi i instalimit të koncepteve politike kombëtare, demokratike dhe properëndimore në nivelet më të larta institucionale të Kosovës, dhe trashëgimi i të qenit të një shkolle politike për krijimin e një kulture demokratike dhe shtetërore në Kosovë. Kjo është një pasuri shumë e madhe dhe të cilën nuk e ka asnjë parti apo linjë tjetër politike ndër shqiptarë po se po, por edhe në rajonin tonë në përgjithësi. Ta matarosh mirë këtë trashëgimi dhe këtë pasuri, do të thotë të kesh përgjegjësinë për të shkuarën dhe për të ardhmen, prandaj edhe përgjegjësi për veprimin dhe për zgjidhjet që do të ofrojë për luftën brendshme politike brenda saj. Është përgjegjësi e strukturave drejtuese të linjës institucionaliste që të mos ndikohen nga asnjë mjet trysnie, shantazhi apo edhe manipulimi në vendimet që do të marrin, pasi që me veprimet e tyre, me zgjedhjet e tyre do të bëjnë që ta kenë edhe më tej përkrahjen e qytetarëve të Kosovës, të analistëve dhe të personaliteteve publike që për vite, bile edhe në vitet më të vështira i kanë dhënë mbështetje të plotë publike dhe jopublike. Mbështetja e gjerë, gati plebishitare nga ana e qytetarëve dhe nga ana e personaliteteve publike dhe mediale, është një nga pasuritë që duhet ta ruajë linja insitucionaliste dhe në to duhet të llogarisë secila strukturë drejtuese e kësaj linje. Nënçmimi i mbështetjes së qytetarëve dhe personaliteteve të ndryshme publike e mediale, vetëm sa do të jetë një gabim tjetër që mund ta bëjë kjo linjë dhe që mund të bëjë që të jetë vonë nesër për t’u riparuar.