21 prill 2006

Refuzimi serb

REFUZIMI SERB

Kryeadministratori Petersen dhe kryetari Sejdiu shkuan dje në Shtërpcë për t’u takuar me serbët dhe hasën në një pritje siç dinë ta ofrojnë serbët: me fishkëllima, sharje e fyerje. Kryeministrit Rexhepi vetëm një herë i ka ndodhur që të mos pritet mirë nga serbët, edhe atë në një vizitë të fshehtë nga doli më vonë se na qenkësh marrë vesh me të ashtuquajturin Këshill Nacional Serb për bashkimin e veriut të Mitrovicës me Zveçanin. Kryeministrit Çeku iu refuzua kërkesa për të shkuar në kishën e Graçanicës për të kremtuar pashkët ortodokse. Refuzimi kësaj radhe pati një emër: popi Artemije. Pritet të shihet se a do ta pranojë Sava Janjiqi kryetarin Sejdiu që të falet në kishën e Deçanit. Ndoshta kisha e Deçanit do të jetë më mikpritëse, pasi ka qenë shumë mikpritëse ndaj Hashim Thaçit dhe Bajram Rexhepit. Sido që të jetë, refuzimi serb, është refuzim për veçantinë juridiko-kushtetuese të Kosovës, ani që ajo veçanti mund të jetë e veçantë edhe për kah strukturimi territorialo-politik i saj.

Shkruan: Rexhep KASTRATI

Në praktikën politike dhe diplomatike ndërkombëtare, refuzimi politik dhe refuzimi qytetar ndaj ndonjë udhëheqësi politik e diplomatik është një praktikë demokratike nëpërmjet të cilit qytetarët apo edhe institucionet e ndryshme shtetërore shfaqin mospajtimin, përkatësisht refuzimin e ndonjë deklarimi, veprimi apo qëndrimi politik, që vlerësohet i papranueshëm. Kështu, së fundit sekretarja amerikane e shtetit u prit me protesta nga qytetarë të ndryshëm anglezë, për shkak të luftës në Irak. Shprehje jo të mira, ndërkaq, ka pasur edhe brenda SHBA-ve ndaj kryetarit Bush, po për luftën në Irak. Mirëpo, derisa këto ishin protesta demokratike të qytetarëve të lirë të këtyre shteteve të lira, në të cilat shumësia e mendimeve, e pikëpamjeve dhe e ideve, dhe në të cilat liria e tubimit, e manifestimit publik dhe e kundërshtimit qytetar është pjesë e kulturës qytetare e politike, refuzimi serb, ndërkaq, nuk ka të bëjë as me demokracinë, as me lirinë e tubimit dhe të manifestimit publik të pakënaqësisë së tyre lidhur me ndonjë çështje të caktuar. Është kështu për shkak se askush më shumë se sa serbët, bile as pakicat tjera në Kosovë nuk janë më të privilegjuara, më të lastuar dhe më të përkëdhelura se sa pakica serbe në Kosovë. Bile as serbët në Serbi nuk janë kaq të përkëdhelur sa serbët e Kosovës, dhe askush më shumë se sa serbët nuk janë të lirë të bëjnë ç’të duan dhe të sillen si të duan në Kosovë dhe me Kosovën. Unë nuk di asnjë rast që të ketë dashur një serb të lëvizë nga një pjesë në pjesën tjetër të Kosovës dhe t’i ketë hasur ato vështirësi që i kanë shqiptarët për të lëvizur nga një pjesë në pjesën tjetër të Kosovës. Le ta kujtojmë vetëm rastin e Çagllavicës, kur një grusht serbësh e bllokuan rrugën magjistrale që e lidh Prishtinën me Prizrenin, Gjilanin, Shkupin..., e që shërbeu si shkas për gjithë ato trazira të njohura si trazirat e 17 e 18 marsit 2004. Ose, le ta shohim situatën e shqiptarëve që ende janë në veriun e Mitrovicës. Të gjithë e dinë se kurrë ndaj tyre nuk kanë pushuar provokimet, sulmet kriminale, vrasjet e plaçkitjet. Me këtë rast nuk po e përmendi çështjen e pronave të shqiptarëve në veriun e Mitrovicës dhe të Kosovës, apo edhe në ndonjë enklavë tjetër serbe. Përderisa shumica, për të mos thënë e tërë prona e serbëve është kthyer, përveç asaj që vetë serbët e kanë shitur, unë nuk di çoftë edhe një rast të vetëm që ndonjë shqiptari t’i jetë kthyer prona në vendet e kontrolluara nga serbët. Dhe askush nuk ebë problem këtë punë. Në vend të kësaj, serbët vazhdojnë të trajtohen si të diskriminuar, jo të lirë, dhe të trajtuar keq. Trajtohen kështu, edhe pse e gjithë bota e di se janë vetë serbët që nuk duan të kthehen në pronat e tyre të paraluftës. Trajtohen kështu edhe pse e gjithë bota e di se janë serbët ata që kanë refuzuar dhe refuzojnë bashkëjetesën me shqiptarët, edhe pse shqiptarët nga ana e tyre janë deklaruar edhe në mënyrë institucionale se do të mund të jetojnë bashkë me serbët, përkundër faktit se janë ata, pra shqiptarët, që u masakruan, u vranë, u dhunuan , u dëbuan dhe u bënë nomadë të përkohshëm si hebrenjtë dikur. Dhe serbët kanë refuzuar dorën e shtrirë të shqiptarëve, edhe pse kjo dorë i është shtrirë shumë më lehtë, shumë më hapur dhe shumë më burrërisht se sa çdo kund tjetër në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Dhe serbët kanë refuzuar gjithçka që ka ardhur nga shqiptarët dhe nga institucionet e Kosovës. Ata, bile kanë refuzuar edhe planin e Bajram Rexhepit për ndarjen e Mitrovicës, ashtu siç kanë refuzuar edhe ofertat e tjera të Ekipit Negociator të Kosovës për komuna-polise, e të cilat do të jenë shtete ende pa u ditur me siguri të plotë se çfarë do të jetë Kosova vetë. Dhe pikërisht këtu duhet kërkuar edhe arsyet e refuzimit të fundit serb që i është bërë kryeadministratorit Petersen, kryetarit Sejdiu dhe kryeministrit Çeku. Pra, serbët tashmë e ndiejnë veten fitimtarë kundrejt shqiptarëve dhe kundrejt Kosovës si entitet territoiralo-politik dhe shumë komod për të injoruar, për të mos përfillur dhe për të refuzuar edhe përfaqësuesin special të OKB-së, edhe kryetarin-kukull të Kosovës, edhe kryeministrin diletant të Kosovës. Serbët e ndiejnë veten fitimtarë, sepse janë duke parë se kundrejt refuzimit të vazhdueshëm të tyre, kundrejt arrogancës dhe kundrejt imponimit të vullnetit të tyre për çdo gjë, kanë pasur përballë disa politikanë të mjerë shqiptarë që vetëm për t’ua përkëdhelur flokët ndonjë diplomat që në Kosovë vjen për të marrë pikë politike e diplomatike edhe nga ndonjë pjesë e harruar e globit dhe shpeshherë edhe kur vetë gjenden buzë refuzimit nga ana e qytetarëve të vendeve të tyre, si dhe për ta quajtur veten kryetarë, janë në gjendje që jo vetëm t’i plotësojnë kërkesat e serbëve, por edhe t’u japin më tepër. A nuk duhet kuptuar kështu rajonalizimin e Kosovës mbi baza etnike, nga do të dalë një “republika sërbska”, e pse jo edhe një shkëmbim territoresh, për të mos e përdorur shprehjen e saktë, një copëtim dhe ndarje e Kosovës? Cili shtet në botë, në çdo kontinent të botës do ta bënte këtë që po e bëjnë disa politikanë të mjerë shqiptarë? A mund të thotë kush se politikanët e mjerë shqiptarë nuk po e realizojnë me luftë e pa luftë atë që Dobrica Qosiçi e ofronte pa luftë, e që është zgjidhja e çështjes serbe dhe çështjes shqiptare në Kosovë nëpërmjet ndarjes së Kosovës 40% për serbët e 60% për shqiptarët? A nuk duhet kuptuar në këtë kontekst deklaratën e autorit të ndarjes së Mitrovicës, Bajram Rexhepit se është në vullnetin e drejtuesve lokalë të vendosin për bashkëpunimin dhe lidhjet e tyre me Beogradin? A nuk do të mund të përkthehet shqip kjo se pasi të zyrtarizohet ndarja e Mitrovicës edhe nga institucionet e Kosovës, ju serbë të dashur, bashkëvendës të Bajram Rexhepit mund të vendosni të bashkoheni me Serbinë? Përveç kësaj, a nuk duhet kuptuar këtë deklaratë të Bajram Rexhepit si paralajmërim se pala shqiptare veç ka pranuar lidhjet e komunave serbe me Serbinë? Edhe pse këtyre pyetjeve u janë dhënë përgjigje, kurse zyrtarisht pritet t’u jepen më 4 maj, një ditë para natës së shën Gjergjit, kësaj feste të hershme shqiptare, duhet thënë se tashmë gjithçka është e qartë dhe nuk do të ketë asnjë formulim politiko-juridik, asnjë ligjërim në gjuhëre tipike orveliane që do të mund t’i bindë shqiptarët se ata që sot thirren përfaqësues institucionalë të Kosovës i kanë mbrojtur si duhet interesat strategjike të Kosovës. Nuk do të ketë asnjë formulim politiko-juridik e asnjë ligjërim në gjuhëre tipike orveliane, që tashmë ka filluar të bëhet lingua publica në diskursin politik shqiptar, se shqiptarët, përveçse të vrarë, të masakruar, të dhunuar, të plaçkitur, të dëbuar dhe të djegur, tash duhet të ballafaqohen edhe me një “republika sërbska”, e pse jo edhe me ndarjen e Kosovës, ashtu siç po bëhet realitet ndarja përfundimtare e Mitrovicës? Dhe në këtë kontekst, serbët e ndiejnë veten shumë superiorë në raport me mysafirët e tyre të paftuar, qofshin këta edhe me epitete të tilla si kryeadministrator dhe kryetar, apo edhe kryeministër. Dhe refuzimi serb që iu bë drejtuesve më të lartë administrativë e institucionalë të Kosovës, në të vërtetë, është refuzimi përfundimtar që po i bëhet Kosovës, që po bëhet bashkëjetesës me pjesën tjetër të popullatës së Kosovës dhe është refuzim që po i bëhet bashkëpunimit të pushtetit lokal me pushtetin qendror të Kosovës. Dhe në këtë refuzim, serbët kurrë nuk kanë qenë më unikë: as për politikën e as për fenë ortodokse serbe shqiptarët nuk janë të mirëpritur dhe të pranuar, kuptohet përveç atyre që në skenën politike shqiptare janë vetëm për të bërë më të lehtë realizimin e interesave serbe në Kosovë, e që janë zyrtarizimi i enklavave dhe zyrtarizimi i ndarjes së Mitrovicës. Për ta ka pasur dhe ka vend çdo herë edhe në institucionet paralele serbe, edhe në kishat serbe. Natyrisht aq sa do të kenë nevojë për ta...