24 prill 2006

KUR MBROJTËSIT E MR. EQREM KRYEZIUT TREGOJNË NGJASHMËRITË ME ATA QË NA SHANIN E NA VRISNIN DJE

GJUHËREJA ME MENDËSI TË VJETRA
DHE ME KODE LIGJËRIMORE TË NJË KUNDËRRUGOVIZMI TË HERSHËM

Kërkesa e mr. Eqrem Kryeziut për shtyrjen zgjedhjeve brenda LDK-së, përkatësisht të kryetarit të saj, duket se përfundimisht po tregon se konceptet autoritariste dhe kundërrugovë brenda LDK-së, si dhe bartësit e tyre janë në krizë. Dhe ky është një lajm i mirë, pasi që ka shpresë se filozofia politike e dr. Ibrahim Rugovës do të jetë edhe më tej dominuese dhe përcaktuese e identitetit të LDK-së. Kjo edhe përkundër faktit se mjeranë të ndryshëm në kulmin e dëshpërimit , përveç gjuhëresë së mr. Eqrem Kryeziut, sipas të cilës kundërrugovizmi është rugovizëm, autoritarizmi është demokraci, rikthimi i mohuesve të dr. Ibrahim rugovës në LDK është reformim i partisë, në përdorim kanë vënë kode ligjërimore të përdorura nga disa pamflete mediale sipas të cilave të gjithë ne që e mbronim filozofinë politike të dr. brahim Rugovës qenkëshim gatuar në kuzhina të Beogradit.

Shkruan: Rexhep KASTRATI

Tashmë kur kundërrugovizmi është bërë i dukshëm edhe për njohësit më modest të zhvillimeve brenda LDK-së, dhe pas dërdëllitjeve të disa mjeranëve që jo se u ndihmojnë diç këtyre jurishnikëve të kreut të LDK-së, por që në të vërtetë tregojnë për mjerimin se ku janë katandisur këta jurishnikë të mjerë, mund të them se si njohës i hershëm i zhvillimeve brenda LDK-së, e sidomos në degën e LDK-së në Prizren, pasi që në këtë qytet jetoj prej vitesh, jam shumë optimist se LDK-ja do t’ia hedhë edhe kësaj here, ashtu siç ia ka hedhur edhe herë të tjera. Optimizmin tim e shton pozita në të cilën gjendet mr. Eqrem Kryeziu në të cilën nuk ka kush tjetër ta mbrojë përveç një kolopuçi të mjerë që mendon se një ditë do të shpërblehet siç është shpërblyer kolopuçi tjetër i degës së FR të LDK-së në Prizren, tash zëvendësministri Fadil Kryeziu, dhe një korrespondenti të harruar të një gazete, e cila gjallon ende edhe falë kontributit tim modest në vitet më të vështira, vite kur mr. Eqrem Kryeziu u braktis nga shumica e bashkëpunëtorëve të tij të deridjeshëm, e që sot drejtojnë degën lokale të PDK-së në Prizren. Edhe pse këtë pozitë të mjerë të mr. Eqrem Kryeziut e kam ditur kaherë, bërja publike e kësaj pozite nga disa mjeranë që nuk i besojnë edhe vetë ato që i shkruajnë, është një sihariq që duhet përshëndetur, sepse në këtë mënyrë kanë rast edhe ata pak individë që kanë pasur iluzione, ta kuptojnë se mr. Eqrem Kryeziu dhe shokët e tij të partisë që kanë marrë guximin ta privatizojnë partinë për hir të ambicieve personale dhe karrieriste, nuk është njeriu që i duhet LDK-së e as që është garant i paprekshmërisë së programit dhe të statutit të kësaj partie. Dhe kjo ndodh pikërisht se mr. Eqrem Kryeziu gjatë tërë këtyre viteve ka qenë i rrethuar nga njerëz që me LDK-në i kanë lidhur vetëm interesat personale dhe të biznesit, e të cilët në momente kritike e kanë lënë vetëm, duke i shkaktuar edhe kriza personale e shëndetësore. Mr. Eqrem Kryeziu i di më mirë se çdo kush tjetër krizat e tilla, nga të cilat ka pasur rast që e kam nxjerrë unë me angazhimet e mia qytetare. Për të mos thënë më shumë, mr. Eqrem Kryeziu e di mirë angazhimin tim personal dhe pa konsultim paraprak me të për takime me strukturat më të larta të KFOR-it, të UNMIK-ut dhe të OSBE-së në Prizren gjatë korrikut 1999, për sensibilizimin e këtyre subjekteve ndërkombëtare për respektimin e demokracisë sonë të brendshme, sipas të cilës dr. Ibrahim Rugova është kryetar i Kosovës, kurse mr. Eqrem Kryeziu kryetar i Prizrenit. Dhe për këto angazhime nuk i kam kërkuar kompensim, ashtu siç kanë bërë gjithë ata njerëz që kanë defiluar në degën e LDK-së në Prizren, apo siç shpresojnë ata mjeranë që sot janë në këtë degë. Braktisja e mr. Eqrem Kryeziut nga bashkëpunëtorët, përveç tjerash ka ndodhur pikërisht edhe për shkak të autoritarizmit të tij që ka bërë që gjithë bashkëpunëtorët e tij t’i trajtojë thjesht si shërbëtorë personalë të tij, edhe për shkak se rreth vetes ka afruar njerëz që i janë bindur verbërisht dhe pa ia bërë dysh fjalën, pavarësisht se statuti i partisë dhe i komunës thonë ndryshe. Në të vërtetë, autoritarizmi i tij ka bërë që ai kurrë të mos pranojë të jetë i dyti, e as ta respektojë mendimin ndryshe. Vetëm kur ka qenë në vështirësi, thuajse u është përkulur gjer në gjunjë atyre që i ka trajtuar keq më herët. Prandaj, ai kurrë nuk mund të mbajë rreth vetes njerëz me dinjitet, me personalitet dhe integritet. Prandaj ai mbetet në mëshirën e ndonjë kolopuçi, apo edhe të ndonjë mjerani tjetër që ta mbrojë. Duke e njohur prej vitesh mr. Eqrem Kryeziun, shumë përpara këtyre mjeranëve që sot i vihen në mbrojtje, vërtet më vjen keq për të, pasi pavarësisht kundërshtive që i kam shprehur lidhur me babëzinë me të cilën ia ka mësyrë kreut të LDK-së, prapë se prapë nuk kam synuar kurrë që ta vë në pozita të tilla të mjera. Si analist politik, si njeri që edhe kokën kam rrezikuar për ta mbrojtur filozofinë politike të dr. Ibrahim Rugovës, konceptet demokratike e shtetformuese që i ka kultivuar LDK-ja, kam synuar dhe synoj realisht që të denoncoj zhvillimet negative brenda saj, e të cilat do ta dëmtonin seriozisht LDK-në dhe filozofinë politike të dr. Ibrahim Rugovës. Gjuhëreja e trasuar nga mr. Eqrem Kryeziu, që është një variant personal i tij i gjuhëresë së vëllait të madh të romanit 1984 të Xhorxh Oruelit, e që duket se është pranuar përmendësh nga mjeranë të tij, është bërë aq bajate sa duket se do t’ia dëmtojë seriozisht shëndetin fizik, shëndetin politik dhe kolegjial vetë promovuesit të kësaj gjuhëreje. Është kështu, sepse tashmë gjuhëresë së trasuar nga mr. Eqrem Kryeziu, e ku spikat paraqitja e kundërrugovizmit si rugovizëm, e autoritarizmit si demokraci, rikthimi i gjithë atyre mohuesve dhe tradhtuesve të dr. Ibrahim Rugovës gjatë viteve, si reformim i LDK-së, mjeranët që në mënyrën më të keqe ia bëjnë hagjiografinë shefit të tyre, ia kanë shtuar kodet ligjërimore , me të cilat unë dhe ndonjë kolegu im jemi ballafaquar në vitet më të vështira, kur LDK-ja kishte mbetur si koloneli i Markesit, të cilit nuk kishte kush t’i shkruante. Janë këto kode ligjërimore që mbështeten në teorinë e konspiracionit, sipas të cilës, të gjithë ata që paskan shkruar kundër mr. Eqrem Kryeziut na qenkan të nxitur, në mos edhe të paguar nga kuzhina kundrrugovë dhe kundërldk, e të cilat na qenkan jashtë LDK-së e kështu me radhë. Dhe për dallim nga kultivuesit e djeshëm të këtij kodi ligjërimor, që i gjenim në disa pamflete politike të linjës së Tiranës/Kretës, siç ishin "Epoka e re", "Kosovapress", "Rilindja", "Zëri i Kosovës", e ndonjë tjetër, që mua dhe ndonjë koleg tjetër na nxirrnin të gatuar në kuzhinat e shërbimeve sekrete serbe dhe na përmendnin me emër e mbiemër, që në mjerimin e tyre paraqiste një kurajë, kopjuesit e sotëm të këtij kodi ligjërimor as nuk guxojnë të thonë se kush janë këta që po e shajnë mr. Eqrem Kryeziun e as në cilat kuzhina janë gatuar. Së paku këtë do të duhej ta thoshin për mua, pasi që mua më njohin edhe personalisht dhe do të mund ta dinë se në cilat "kuzhina" jam gatuar. Por pikërisht pse më njohin mirë, ashtu siç i njoh mirë edhe unë dhe e di vërtet se çfarë mjeranësh janë, nuk kanë kurajën minimale që ta adresojnë saktë mjerimin e tyre që përveç shpifjes ndaj meje dhe servilizmit ndaj shefit të tyre, nuk ka asgjë të re brenda. Prandaj, më shumë se sa mua apo dikë tjetër, mjerimi i këtillë duhet ta shqetësojë mr. Eqrem Kryeziun dhe shokët e tij të partisë që e kanë pritur vdekjen e dr. Ibrahim Rugovës që ta bëjnë rrëmujë LDK-në. Është kështu për faktin se mjeranë të tillë vetëm sa po e komprometojnë edhe më shumë vetë mr. Eqrem Kryeziun dhe shokët e tij të partisë. Në një rrafsh më të gjerë, ndonjëri prej tyre po e komprometon edhe më "Botën sot", e cila një pjesë të madhe të autoritetit të djeshëm, ia ka borxh Xhemail Mustafës, që ka shkruar në të, ia ka borxh Bekim Kastratit që ka qenë punëtor i diskriminuar dhe i keqtrajtuar i saj, ia ka borxh edhe Rexhep kastratit dhe gjithë të tjerëve që sinqerisht janë angazhuar për t’iu kundërvënë luftës së tmerrshme kundër dr. Ibrahim Rugovës dhe filozofisë së tij politike, edhe pse disa mjeranë që sot janë nëpër ministri të ndryshme kanë bërë gjithçka që të na pamundësohej puna normale në atë gazetë. Ajo që unë nuk e di ende është se Mirsad Haliti, i nënshkruar si (zv.Kryetar i Fr-Ldk-së dega në Prizren) paraqet edhe qëndrimet e FR të LDK-së, apo ka folur në emrin e tij personal, ashtu siç nuk dua ta besoj se pajtohet edhe "Bota sot" me ato që i ka shkruar Rami Berisha, korrespondenti i saj në Prizren. Është kështu për faktin se nuk kam dëshirë që kriza që e ka kapluar mr. Eqrem Kryeziun dhe shokët e tij të partisë, debatikas të fillimshekullit njëzet e një, ka përfshirë edhe degën e LDK-së dhe të FR të LDK-së në Prizren, ashtu siç nuk kam dëshirë që "Bota sot" të provojë ta rrisë tirazhin e mjerë të saj me kode ligjërimore të "Epokës së re", të "Kosovapressit", të "Rilindjes", e kështu me radhë. Është kështu, sepse për mua dhe për gjithë të tjerët që angazhimin tonë e kemi pasur dhe e kemi të sinqertë dhe vetëm për hir të filozofisë politike të dr. Ibrahim Rugovës që është një pasuri e madhe për tash dhe për të ardhmen e Kosovës, organizimi politik si bartëse e kësaj filozofie politike është më i rëndësishëm sesa individi, klani apo edhe treshja e partisë, ashtu siç është e vërtetë se historia e "Botës sot", sidomos ajo e viteve të para të pasluftës, është edhe histori e Xhemail Mustafës, është edhe histori e Bekim Kastratit, është edhe histori e Rexhep Kastratit dhe e të tjerëve që sot nuk janë më në atë gazetë.