25 prill 2006

Aspekte të kundërrugovizmit (1)

ASPEKTE TË KUNDËRRUGOVIZMIT (1)

EDHE NËPËRMJET SIMBOLEVE KYÇE,
DR. IBRAHIM RUGOVA SYNOI VLERAT MË TË MIRA KOMBËTARE

Tendencat për rrënimin e filozofisë politike të dr. Ibrahim Rugovës, e që janë tendenca për rrënimin e identitetit politik të linjës institucionaliste në përgjithësi, e të LDK-së në veçanti, njëherësh po bëhen çdo ditë e më shumë tendenca për rrënimin e identitetit historik të Kosovës si pjesë e vazhdimësisë së identitetit historik të Ilirikumit në përgjithësi, e në të cilin identiteti themelor është identiteti pellazgo-iliro-shqiptar.

Shkruan: Rexhep KASTRATI

Projekti për shtetin e pavarur të Kosovës, si projekt kompromisi me bashkësinë ndërkombëtare dhe si pjesë e lëshimeve të shqiptarëve për hir të paqes, stabilitetit dhe qetësisë në gadishullin ballkanik, është një projekt që në vete do të duhej të ngërthente vlerat më të mira që ka ofruar Kosova gjatë gjallimit të saj sociohistorik që nga kohët më të lashta, të njohura për historinë, arkeologjinë, sociologjinë e etnologjinë botërore e atë shqiptare. Si i këtillë, ky projekt është konceptuar edhe nga vetë dr. Ibrahim Rugova, i cili në sistemin e tij të filozofisë politike kishte inkorporuar pikërisht vlerat më të mira që janë krijuar në hapësirën e Kosovës, si pjesë e hapësirës së Ilirikumit, që përbën hapësirën kryesore të gadishullit ballkanik. identifikimi që dr. Ibrahim Rugova ia bënte Kosovës me Dardaninë antike, është pikërisht një nga elementet kryesore e filozofisë së tij politike, ashtu siç janë pjesë të kësaj filozofie, edhe mbështetja në kulturën sociale e ekonomike pellazgo-iliro-shqiptare, e që është mbështetur në kulturën e kultivimit të hardhisë së rrushit, të pemëve dhe të perimeve të tjera. Në këtë drejtim, dr. Ibrahim Rugova i dha rëndësi të madhe edhe botës shtazore të Kosovës, në të cilën dalloi qentë e Sharrit, si një nga racat më fisnike dhe më të veçanta në gjithë botën shtazore të globit. Dhe të gjitha këto i bënte pikërisht për të treguar veçantinë, pasurinë dhe madhështinë e Kosovës, Dardanisë antike, dhe të racës shqiptare si pasardhëse e popullit të lashtë pellazgo-ilir që gjatë mileniumeve e dominoi gadishullin ballkanik. Bashkë me gurët e çmuar, dhurimin e të cilëve e pat bërë ritual të zakonshëm, dr. Ibrahim Rugova pat krijuar sistemin e simboleve shënjuese të të gjithë filozofisë politike të tij, duke synuar që gjithë ky sistem i vlerave të inkorporohet pastër në sistemin e vlerave të përgjithshme njerëzore. Prandaj ai pat synuar gjatë tërë veprimtarisë së tij politike që t’ia arrinte që shteti i ardhshëm i Kosovës të mos ishte një krijesë pa ndonjë mbështetje sociohistorike, sociopolitike e socioekonomike, por t’i kishte rrënjët thellë në gjallimin sociohistorik, sociopolitik e socioekonomik të pellazgo-iliro-shqiptarëve. Dhe kjo ishte shumë e kuptueshme, pasi që shteti i ardhshëm i Kosovës, do të duhej që të ishte i përgatitur për procese të tjera sociohistorike, siç janë integrimet brendakombëtare dhe integrimet evropiane. identifikimi i Kosovës me Dardaninë antike, në të vërtet, do të duhej t’i shërbente pikërisht integrimeve brendakombëtare, pasi që Dardania antike, ishte vetëm një nga principata e mbretëritë ilire të shtrira gjithandej Ilirikumit, të cilin për hir të së vërtetës e ka përmendur edhe shën Pali kur ka shkruar për rrugën e tij të përhapjes si krishterimit, e që fillon nga Jerusalemi e deri në Ilirikum. Këtij qëllimi i ka shërbyer edhe publikimi dhe përdorimi i flamurit të presidentit të Kosovës, e që njihet si flamuri i Ibrahim Rugovës, apo siç e thërrasin edhe si flamur i Dardanisë antike. Ky flamur, bashkë me himnin e Kosovës, që është një himn i kënduar në kryengritjet e vazhdueshme në Kosovën e viteve 1910-192, kryengritje që sollën edhe pavarësinë e atij trohë shteti shqiptar, në të vërtetë janë shembujt më të mirë të lidhjes së traditës së hershme pellazgo-iliro-shqiptare me traditën më të mirë të vonshme shqiptare, e të cilat do të duhej të bëheshin themel të shtetit të ardhshëm të Kosovës. Këmbëngulja e dr. Ibrahim Rugovës për t’i dhënë shtetit të ardhshëm të Kosovës bazën sociohistorike, sociopolitike e socioekonomike, në të vërtetë, ishte një punë prej Prometheu, pasi që kishte për qëllim shndërrimin e vlerave më të mira të krijuara që nga Daradania antike në argumente historike, politike, ekonomike e shoqërore për veçantinë e Kosovës, jo vetëm në rrafshin juridiko-kushtetues të kohës së sotme dhe të zhvillimeve të sotme sociohistorike, sociopolitike, gjeopolitike e gjeostrategjike, por edhe në kontekst të pandërprerë të rrjedhës historike në gadishullin ilirik, veçanti që do të duhej të respektohej nga bashkësia ndërkombëtare dhe këtij populli që gjatë mileniumeve ka jetuar në këto troje, t’ia mundësojë që të jetojë i lirë dhe zot shtëpie në shtëpi të vet. Pikërisht për këtë arsye, pushtuesit e hershëm dhe të vonshëm kanë bërë gjithçka që kjo filozofi politike të rrënohet, duke shpresuar në këtë mënyrë që të rrënohet edhe e drejta e shqiptarëve për të qenë të lirë dhe zot shtëpie në Kosovë, gjithnjë duke i respektuar edhe qytetarët e tjerë të Kosovës. Në këtë kontekst, shumë herë sidomos nga ana e Beogradit është provuar të kontestohet dhe të mohohet origjina e shqiptarëve nga ilirët. Në këtë drejtim, institucione shkencore të Beogradit kanë botuar edhe libra, kurse politikanë të ndryshëm , si Vuk Drashkoviqi, kanë dalë me teza sipas të cilave shqiptarët janë një përzierje racash etnish, kurse serbët vijnë nga një popull i hershëm, i cili ka ekzistuar në kohën antike, por që tash nuk ekziston, e që janë quajtur Mizë, kurse shteti i tyre ka qenë Mizia. Kundërshtimi i institucioneve shkencore e politike të Beogradit për origjinën ilire të shqiptarëve dhe shfaqja e tezave të tilla mizike për origjinën e serbëve, në të vërtetë, jo që binte ndesh me historiografinë shqiptare, por në radhë të parë me historiografinë, gjuhësinë, etnografinë dhe etnologjinë botërore, pasi që nuk janë shqiptarët ata që e kanë përcaktuar origjinën ilire të shqiptarëve, por studiues të ndryshëm të huaj, ndër të cilat duhet përmendur: Hanin, Bopin, Majerin, e shumë të tjerë. Prandaj, Beogradi nuk ka arritur kurrë që ta rrënojë filozofinë politike të dr. Ibrahim Rugovës, por është rrënuar vetë para kësaj filozofie. Duke e parë dështimin e tij në raport me filozofinë politike të dr. Ibrahim Rugovës, Beogradi provoi t’ia arrinte kësaj nëpërmjet rekrutëve të tij shqiptarë, nëpërmjet linjave të ndryshme politiko-mafioze dhe nëpërmjet grupeve të ndryshme të interesit. Në këtë drejtim. duhet përmendur strategjinë e marrjes së kalasë nga brenda, e cila kishte për qëllim që rrënimin e filozofisë politike të dr. Ibrahim Rugovës ta arrinte duke e marrë kontrollin mbi linjën institucionaliste në përgjithësi, e mbi LDK-në në veçanti. Dështimi i kësaj përpjekjeje, erdhi edhe për shkak të vendosmërisë, mençurisë, urtisë dhe mjeshtërisë së dr. Ibrahim Rugovës. Prandaj, bartësit e kësaj strategjie, pra të strategjisë së marrjes së kalasë nga brenda, nuk patën rrugë tjetër përveçse të dalin për fare nga LDK-ja dhe të përpiqen tashmë hapur që ta rrënojnë filozofinë politike të dt. Ibrahim Rugovës. Dalja në skenë e Rexhep Qosjes, që ndodhi në të njëjtën kohë me largimin e bartësve të strategjisë së marrjes së kalasë nga brenda, ishte një indikacion i qartë për situatën në të cilën ndodhej Kosova, e cila përveç gjendjes së mjerueshme ekonomike, filloi të përballej edhe me masakra serbe. ishte shumë e kuptueshme që mu në këtë kohë të dalë në skenë edhe linja e Tiranës/Kretës, e cila mu si Partia Komuniste e Shqipërisë, mori monopolin mbi zhvillimet luftarake në Kosovë. Të gjithë këta i bashkonte luftimi i dr. Ibrahim Rugovës dhe i filozofisë së tij politike. Përballë këtij fronti të bashkuar kundërrugovë e kundërldk, linja institucionaliste në përgjithësi e LDK-ja në veçanti u gjet në vështirësi, nga të cilat, vërtet mund të rrënohej, ose të dobësohej për fare. Shumë drejtues të kësaj linje, që për vite ishin paraqitur bashkëpunëtorë të ngusht të dr. Ibrahim Rugovës, kush në Shkup e kush në Tiranë dhanë shenja të braktisjes së dr. Ibrahim Rugovës, kurse shumë të tjerë e bënë këtë pas rikthimit të shqiptarëve në Kosovë. E këto ishin vetëm disa nga pasojat që i lanë tendencat e Beogradit dhe të rekrutëve të tyre shqiptarë për rrënimin politik të dr. Ibrahim Rugovës dhe të filozofisë politike të tij. Mirëpo, edhe dr. Ibrahim Rugova, edhe filozofia e tij politike mbetën të fortë pikërisht për shkak të mençurisë, urtisë dhe mjeshtërisë së dr. Ibrahim Rugovës dhe mbështetjes që patën në popull. Dhe këtë vullnet të popullit për ta mbrojtur dhe për ta mbajtur të fortë dr. Ibrahim Rugovën e filozofinë politike, e kishte bërë të tillë pikërisht mbështetja e këtyre në vlerat më të mira kombëtare që nga Dardania antike e këndej. duke qenë kështu, nuk ishte dr. Ibrahim Rugova, e as filozofia e tij politike që pësuan, por ata që provuan ta rrënojnë, qofshin ikanakët e LDK-së, qofshin të dy linjat politiko-mafioze: të linjës së Tiranës/Kretës, apo të asaj udbasho-jugosllavokomuniste, morën grusht të vazhdueshëm nga populli. Dhe kjo ndodhi pikërisht falë pjekurisë së popullit, i cili u ngrit mbi propagandën e mbrapshtë denigruese që bëhej ndaj dr. Ibrahim Rugovës, mbi krimin politik dhe ekonomik që bëhej dhe mbi çdo të keqe tjetër dhe në mënyrë plebishitare deklarohej se në Kosovë ka ekzituar dhe ekziston vetëm një lider politik: dr. Ibrahim Rugova. Dhe këto nuk ishin vetëm përgjigje disa mjeranëve që kishin ikur nga LDK-ja, qoftë pse ishin frikësuar, qoftë pse ishin mashtruar, qoftë pse nuk kishin arritur t’i realizojnë ambiciet personale dhe karrieriste brenda LDK-së, apo edhe më keq, që kishin për të dhënë llogari për mënyrat e shpenzimit të mjeteve financiare, as dy linjave politiko-mafioze që në skenën politike të Kosovës ishin për ta rrënuar filozofinë politike të dr. Ibrahim Rugovës dhe për t’ia bërë më të lehtë Beogradit realizimin e interesave të tij në Kosovë, por ishte edhe përgjigje e drejtpërdrejt edhe për Beogradin. Duke parë dështimin e tij edhe në këtë drejtim, Beogradi i lëshoi satelitët e tij në Kosovë, si puna Rada Trajkoviqit e ndonjë tjetër që të provojë ta diskreditojë dr. Ibrahim Rugovën dhe filozofinë e tij politike me deklarata të ndryshme sipas të cilave, serbët nuk na qenkëshin në rrezik nga LDK-ja dhe dr. Ibrahim Rugova, por nga ata që quheshin njerëz të luftës. Dhe kjo bëhej për të krijuar përshtypjen se ishin të vërteta akuzat mediale të linjës së Tiranës/Kretës, sipas të cilave dr. Ibrahim Rugova është njeri i Beogradit. Pas investimit që Beogradi bëri në linjën e Tiranës/Kretës vetëm pak ditë para Konferencës së Rambujesë, me “denimet” spektakulare që u shpalli disa anëtarëve të delegacionit të Kosovës që shkonte në Rambuje, ky ishte investimi tjetër që bëhej ndaj kësaj linje. Lexuesit e fejtonit “Të burgosurit shqiptarë dhe kalkulimet politiko-diplomatike të Beogradit”, të botuar në fund të vitit 2000 në “Bota sot”, por edhe lexuesit e shkrimeve të tjera në këtë drejtim, duhet t’i kenë sado-kudo të freskëta shtjellimet që ua kam bërë këtyre çështjeve, prandaj edhe nuk e kam ndërmend që të merrem më gjatë me to, por ajo që duhet të thuhet edhe tash, është fakti se linja e Tiranës/Kretës është munduar shumë që ta luftojë dr. Ibrahim Rugovën dhe filozofinë politike të tij edhe duke i përdorur deklaratat e serbëve për gjoja parrezikshmërinë e tyre nga LDK-ja dhe rrezikshmërinë nga ata që quheshin djem të luftës. Mirëpo, këta mjeranë të politikës shqiptare dështuan vazhdimisht edhe për shkak se ishin lojtarë të dobët të një ndeshje të madhe: të ndeshjes së qytetërimeve ( pasi që lufta shqiptaro-serbe, lufta politike, sociohistorike e sociokulturore, ishte luftë ndërmjet qytetërimit perëndimor të krijuar në Kosovë gjatë shekujve e gjatë mileniumeve nga ana e pellazgo-iliro-shqiptarëve, dhe nga qytetërimi orientalo-bizantin i importuar në gadishullin ilirik nga grykat uralo-altaike nga ata që sot quhen sllavë të jugut me orientime ortodokse); të ndeshjes së legjitimitetit politik, kushtetues e shoqëror ( pasi që Beogradi binte ndesh me parimet themelore juridiko-kushtetuese, sipas të cilave pushteti buron nga populli dhe i takon popullit, e jo në të kundërtën); të ndeshjes gjeopolitike e gjeostrategjike (pasi që sllavoortodoksët duan ta shndërrojnë gadishullin ilirik në një gadishull sllavoortodoks, në të cilin do të ishte shumë funksionale vija gjeopolitike e gjeostrategjike Moskë – Adriatik, që do të mundësonte kontrollin e Medheut e në përgjithësi trafiqet e ligjshme dhe të paligjshme të të tri kontinenteve: Evropës, Azisë e Afrikës, nga sllavoortoksët). Në këtë ndeshje të madhe, Beogradi as vetë në Beograd, por as në Kosovë nuk gjeti lojtarë të fortë që do të mund t’ia arrinin që ta rrënonin atletin e fundshekullit njëzet dhe të fillimshekullit njëzet e një, nëse guxoj ta përdori një epitet me të cilin është quajtur Gjergj Kastrioti në kohën e tij. Prandaj, dr. Ibrahim Rugova nuk u thye kurrë, ashtu siç nuk u rrënua as filozofia e tij politike...

(vijon)