26 prill 2006

ASPEKTE TË KUNDËRRUGOVIZMIT (2)

TENDENCAT PËR VRASJEN POLITIKE DHE FIZIKE TË DR. IBRAHIM RUGOVËS
DHE KULTURA JOPOLEMISTE E FILOZOFISË SË TIJ POLITIKE

Tendencat për vrasjen politike e fizike të dr. Ibrahim Rugovës, kanë qenë tendenca për vrasjen e projektit të shtetit të Kosovës të mbështetur në vlerat më të mira të krijuara që nga Dardania antike ekëndej, si dhe tendencan për ta shkatërruar kulturën jopolemiste, jokonfliktuale dhe demokratike të instaluar nga ai.

Shkruan: Rexhep KASTRATI

Investimi që Beogradi bëri në rekrutët e saj shqiptarë dhe në përgjithësi në linjën e Tiranës/Kretës dhe në atë udbasho-jugosllavokomuniste që hap pas hapi po formësohej si e tillë, ishte investim për vrasjen politike të dr. Ibrahim Rugovës dhe të filozofisë së tij politike. Dhe ky investim, natyrisht, nuk fillonte as me “denimet” spektakolare në prag të Konferencës së Rambujesë, e as me deklaratat e Rada Trajkoviqit, sipas të cilave serbët nuk na qenkëshin në rrezik nga LDK-ja dhe dr. Ibrahim Rugova, por nga “ekstremistët” shqiptarë, pra nga ata që e quanin veten njerëz të luftës. Investimi i Beogradit në linjën e Tiranës/Kretës kishte filluar më hapur që nga vrasja makabre e familjes së Adem e Hamëz Jasharit në Prekaz, por edhe më parë me vrasjen e Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës e Akif Zejnullahut. Kjo kishte ndodhur që t’i hapej rrugë depërtimit të linjës së Tiranës/Kretës në rezistencën guerile shqiptare, e cila nuk ka filluar me 1997/1998, por shumë më herët. Investimet e tilla, treguan se Beogradi, përveç investimit politik, për linjën e Tiranës/Kretës bënte edhe investim kriminal dhe gjenocidal, duke rrënuar çdo pengesë për depërtimin politik dhe ushtarak të linjës së Tiranës/Kretës. Përderisa investimet në planin kriminal-gjenocidal përfundimisht dhanë rezultatet e tyre, ato në planin politik kishin hasur në pengesën e pakalueshme që quhej dr. Ibrahim Rugova. Me gjithë propagandën e mjerë që bëhej nga pjesa dërmuese e mediave në Kosovë që botoheshin me licencë të Beogradit, si dhe nga një pjesë e mediave dhe e politikës së majtë shqiptare në Tiranë, pozitat e dr. Ibrahim Rugovës nuk u lëkundën, ashtu siç nuk u lëkund përkrahja e tij nga populli. Dhe kjo ndodhte pikërisht për shkak të filozofisë politike të tij, e cila mbështetej në mendësi jokonfliktuale, jopolemiste dhe në mendësinë e një lideri – intelektual të vetëdijshëm për situatën sociohistorike në të cilën ndodhej Kosova dhe në vendosmërinë që me çdo kusht ta çonte në fund misionin që kishte: ta dëshmonte vetëdijen shtetformuese te shqiptarëve, ta konsolidonte kulturën demokratike të shumësisë së mendimeve si dhe ta ruante stabilitetin brendashqiptar në Kosovë. Prandaj, përveç përpjekjeve për vrasjen politike të dr. Ibrahim Rugovës, pati angazhime serioze edhe për vrasjen fizike të tij. Bashkërendimi i angazhimeve për vrasjen politike të dr. Ibrahim Rugovës me angazhimet për vrasjen fzike të tij, ishte një nga aspektet tjera të kundërrugovizmit të shfaqura sidomos pas fillimit të luftimeve në Kosovë. Veprime të tilla propagandistike sipas të cilave Beogradi dhe rekrutët e tij shqiptarë shpërndanin letra gjoja të shkruara dhe të nënshkruara nga dr. Ibrahim Rugova për largim të popullatës nga Kosova e të ngjashme, mbajtja e dhunshme në Prishtinë nga policia serbe, dërgimi i dhunshëm në Beograd për ta bërë shoun politik të radhës, ishin vetëm disa nga veprimet që Beogradi dhe rekrutët e tyre shqiptarë bënin për ta rrënuar politikisht dr. Ibrahim Rugovën. Mirëpo, të gjithë e kishin të qartë se këto ishin spekulime dhe manipulime të radhës që Beogradi i bënte qoftë vetë, qoftë nëpërmjet rekrutëve të tij shqiptarë me të vetmin qëllim: vrasjen politike të dr. Ibrahim Rugovës, prandaj askush, përveç ndonjë sharlatani të përfshirë edhe vetë në luftën kundërrugovë, nuk i mori seriozisht dhe nuk ndikuan aspak që të vihet në diskutim autoriteti i dr. Ibrahim Rugovës dhe pozita prej lideri të vetëm legjitim të shqiptarëve të Kosovës. Gjithë këto veprime, si dhe propaganda mediale që u bë kundër dr. Ibrahim Rugovës, ku përveç të tjerëve, për fat të keq, u përfshi edhe shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, duke shkruar bile edhe libra kundër dr. Ibrahim Rugovës. Deklaratat e tij të kohës sipas të cilës dr. Ibrahim Rugova nuk është më lider i shqiptarëve, që ishin shumë të ngjashme me ato të Baton Haxhiut, i cili vetë më vonë i ka pranuar lidhjet me shefin atëhershëm të SDB-së (Shërbimit të Sigurimit Shtetëror serb), sipas të cilit Rugova është i vdekur politikisht. Kontestimet dhe mohimet e këtilla të dr. Ibrahim Rugovës, në të vërtetë, synonin të rrënonin një pjesë tjetër të filozofisë politike të tij, e që është dëshmimi dhe zbatimi në praktikë i vetëdijes shtetërore të shqiptarëve, me të cilën e hidhte poshtë praktikisht tezën e hershme serbe sipas të cilës shqiptarët nuk dinë të bëjnë dhe të mbajnë shtet. Pas mohimit të origjinës ilire të shqiptarëve, mohimi i aftësisë së shqiptarëve për të bërë dhe për të mbajtur shtet ishte një element tjetër përbërës i propagandës kundërshqiptare që ishte shndërruar tashmë në sistem dezinformimi dhe mashtrimi të bashkësisë ndërkombëtare. Mohimi i origjinës ilire të shqiptarëve dhe mohimi aftësisë së shqiptarëve për të bërë dhe për të mbajtur shtet ishin të barasvlershme në strategjinë kundërshqiptare të Beogradit. Me tezën se shqiptarët nuk dinë të bëjnë dhe të mbajnë shtet, Serbia, Mali i Zi dhe Greqia, kanë arritur që të përfitojnë në kurriz të shqiptarëve dhe të territoreve etnike shqiptare gjatë historisë, e sidomos që nga koha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e këndej, pra që nga koha e fillimit të krijimit të kombit-shtet e këndej. Pra kjo tezë ishte aq e vjetër sa edhe ambiciet hegjemoniste të shteteve përreth nesh, ashtu siç është e vjetër teza tjetër sipas të cilës shqiptarët nuk janë pasardhës të ilirëve. Për dr. Ibrahim Rugovën dhe për shumicën e shqiptarëve që marrin vesh sado pak nga zhvillimet sociohistorike, sociopolitike e gjeopolitike, ishte e qartë se Beogradi shërbehej me teza dhe koncepte të vjetra, e të cilave tashmë u kishte kaluar koha. Prandaj, edhe rrëzimin e këtyre tezave, dr. Ibrahim Rugova e bëri pjesë të filozofisë së tij politike, duke synuar që këtë ta bënte duke dhënë shembuj konkret të aftësisë së shqiptarëve për të bërë dhe për të mbajtur shtet. Funksionimi i Presidencës së Kosovës, i Qeverisë së Kosovës, i institucioneve lokale politiko-administrative, i institucioneve arsimore, shkencore, shëndetësore dhe sportive gjatë gjithë periudhës para vendosjes së administratës së UNMIK-ut në Kosovë, por mbi të gjitha krijimi i një sistemi shumëpartiak në Kosovë, i dhanë botës të kuptojnë se shqiptarët janë të përgatitur për ta bërë dhe për ta mbajtur shtetin. Kjo mënyrë e të bërit politikë, është e qartë se shpërfaqte një element tjetër të filozofisë politike e që ishte shmangia e politikës polemike dhe e shpenzimit të energjive në polemika politike. Karakteri jopolemik i filozofisë politike dhe i veprimit politik të dr. Ibrahim Rugovës, ishte një nga elementet themelore të kulturës së tij politike. Dhe ky element i kulturës politike të tij, u duk sidomos pas vendosjes së administratës së UNMIK-ut në Kosovë, kur edhe u krijua një sistem i tërë medial që në mënyrë sistematike u mundua ta vriste politikisht dr. Ibrahim Rugovën. Asnjë deklarate politike, asnjë shkrimi medial dhe asnjë fyerje që bëhej në drejtim të tij, dr. Ibrahim Rugova nuk pranoi që t’i kundërvihej, qoftë edhe me një përgënjeshtrim të thjeshtë. Dhe kjo kulturë politike, intelektuale e qytetare, në të vërtetë, u bë pjesë e kulturës politike që e karakterizoi veprimin politik të linjës institucionaliste. Nuk është e nevojshme të thuhet se kjo kulturë politike, që mbështetet në punën vetiake e jo në polemika me ata që e shajnë, e fyejnë dhe shpifin, ishte një veçanti pozitive në gjithë rajonin në të cilin jetojmë. Është e qartë se në një rajon, ku në secilin shtet politika ishte bërë shumë konfliktuale dhe mbështetej në sharje, fyerje e shpifje, kultura jopolemiste politike dhe politika jokonfliktuale që praktikohej nga dr. Ibrahim Rugova ishte edhe një befasi për gjithë ata që nuk besonin se në Kosovën e pasluftës do të shfaqej një nivel i tillë politik e shtetformues. Prandaj, Beogradi dhe gjithë ai sistem medial propagandisitik kundërrugovë dështoi në mënyrën më të keqe. Të gjitha zgjedhjet e zhvilluara në Kosovën e pasluftës u fituan nga dr. Ibrahim Rugova dhe nga linja institucionaliste që drejtohej prej tij. Dështimi i angazhimit për vrasjen politike të dr. Ibrahim Rugovës, rikonfirmimi i tij si lider i vetëm i shqiptarëve të Kosovës në të gjitha zgjedhjet, përveçse e rritën forcën politike të tij në raport me zhvillimet brenda Kosovës dhe në raport me zhvillimet diplomatike ndërkombëtare, e bën më legjitim edhe projektin e tij për pavarësinë e Kosovës, projekt që siç thashë edhe në vazhdimin e djeshëm, synonte krijimin e një shteti mbi trashëgiminë dhe vlerat më të mira të krijuara që nga Dardania antike e këndej. Dhe nga këtu buron edhe forca politike e diplomatike e dr. Ibrahim Rugovës që ka bërë t’i hedhë poshtë të gjitha tendencat për imponimin e ndonjë zgjidhjeje tjetër përveç pavarësisë së Kosovës, dhe të tendencave të tjera për dryshimin relievit etnik të Kosovës. Prandaj për të penguar rrjedhën normale të procesit politik, Beogradit, aleatëve të tij dhe rekrutëve të tyre shqiptarë nuk u mbeti tjetër përpos që të provojnë ta vrasin edhe fizikisht dr. Ibrahim Rugovën. Përpjekjet e vazhdueshme për këtë qëllim, në të vërtetë, përveçse shprehnin synimet për eliminimin e një lideri politik në pamundësi për ta vrarë politikisht atë, shprehnin edhe synimet për ta vrarë shtetin e Kosovës në përgjithësi, ose së paku për ta vrarë konceptin e shtetit të Kosovës të projektuar dhe të ndërtuar nga dr. Ibrahim Rugova. Gjuajtjet në rezidencën tij në Velani, ishin vetëm shprehje e inferioritetit të Beogradit dhe të rekrutëve të tij shqiptarë kundrejt dr. Ibrahim Rugovës dhe filozofisë politike të tij. Fakti që këto angazhime mbetën vetëm në tentativë, dëshmon pikërisht për ndikimin e madh që dr. Ibrahim Rugova dhe filozofia e tij politike patën në përcaktimin e rrjedhave në Kosovë, si dhe në raportet diplomatike ndërkombëtare, që nuk favorizonin eliminimin e një lideri të tillë politik që ishte shumë i veçantë për gjithë rajonin, e pse jo edhe për pjesën postkomuniste të Evropës. Dhe kjo ndodhi pikërisht për shkak të bazamentit fortë që pat filozofia politike e tij, konceptet tërësisht perëndimore të ndërtimit të shtetit dhe urtia tipike shqiptare që e karakterizuan atë, si dhe origjina intelektualiste e personalitetit të tij publik. Në Evropën postkomuniste ishin dy liderë politikë që u shquan për kah veçantitë e tyre: dr. Ibrahim Rugova dhe Vaclav Haveli, por kur të kihet parasysh pozita juridiko-kushtetuese dhe faktike e Kosovës, si dhe i situata konfliktuale në rajon, dr. Ibrahim Rugova mbetet lideri i vetëm dhe më i veçantë në gjithë hapësirën postkomuniste të Evropës.
(vijon)