27 prill 2006

ASPEKTE TË KUNDËRRUGOVIZMIT (3)

FILOZOFIA POLITIKE E DR. IBRAHIM RUGOVËS U MBËSHTET
NË VLERAT MË TË MIRA TË NACIONALDEMOKRACISË SHQIPTARE

Tendencat për rrënimin e filozofisë politike të dr. Ibrahim Rugovës kanë qenë edhe tendenca për shkëputjen e çdo lidhjeje me traditën nacionaldemokratike shqiptare të krijuar ndërmjet dy luftërave botërore dhe pas saj nga nacionalistë shqiptarë me orientime proevropiane dhe proamerikane, siç ka qenë edhe Mit’hat Frashëri, udhëheqës i Partisë së Ballit Kombëtar, e më vonë edhe i Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”.

Shkruan: Rexhep KASTRATI

Mbështetja në vlerat më të mira kombëtare të krijuara gjatë mileniumeve e deri më sot, do të thotë mbështetja edhe në vlerat më të mira të nacionaldemokracisë shqiptare, e cila në një mënyrë apo tjetër, ka qenë vazhduese e angazhimit atdhetar që nga koha e Lidhjes shqiptare të Prizrenit e këndej. Dhe filozofia politike e dr. Ibrahim Rugovës, pikërisht ka pasur parasysh dhe i ka bërë për vete gjithë ato vlera pozitive që nacionaldemokracia shqiptare i ka krijuar gjatë funksionimit të shtetit shqiptar ndërmjet dy luftërave botërore, por edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore e më pas. Mbështetja në këto vlera, ishte mbështetje në praktikën e funksionimit të shtetit shumëpartiak, e që do të thotë respektimin e sistemit zgjedhor shumëpartiak, të respektimit të vlerave tradicionale kombëtare, respektimin e pronës private dhe të krijimit të aleancave properëndimore të nacionaldemokracisë shqiptare. Edhe pse kultura e pluripartizmit kishte pasur vështirësi në funksionimin normal të saj ndërmjet dy luftërave botërore, duhet thënë se në këtë kohë kishte arritur që të formësohet nacionalizmi shqiptar i mbështetur në vlera perëndimore, për dallim nga një pjesë e nacionalistëve shqiptarë të orientuar nga koncepte prosovjetike dhe orientaliste. Edhe pse të padiferencuara mirë, këto orientime ishin të pranishme gjatë tërë kohës së funksionimit të monarkisë shqiptare, kurse gjatë luftës e pas saj, u diferencuan dukshëm dhe u bënë blloqe të veçanta politiko-ushtarake. Përderisa ndërmjet dy luftërave botërore, ishte nacionalizma shqiptare ajo që ishte fraksionuar në të ashtuquajtur popullorë e demokratë, e të cilin fraksionim e përfaqësonin Ahmet Zogu dhe Fan S. Noli, rreth të cilëve janë mbledhur atdhetarë të ndryshëm shqiptarë, ajo që ndodhi gjatë dhe menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, siç është krijimi i Partisë Komuniste Shqiptare, i Partisë së Ballit Kombëtar dhe i Lëvizjes së Legalitetit, na bëjnë që të flasim për një nacionaldemokraci, socialdemokraci dhe një autokraci, që më vonë u shndërrua në totalitarizëm. Përballë rrezikut që paraqiste mundësia e vendosjes së një diktature komuniste, e që do ta zhvendoste gjepolitikisht shtetin shqiptar kah qendra oriantalo-bizantine, u bënë bashkë nacionaldemokracia dhe socialdemokracia shqiptare. Dhe ajo që i bëri bashkë është pikërisht pengimi i vendosjes së shtetit shqiptar kah qendra gjeopolitike orientalo-bizantine, pra për të bërë gjithçka që shteti shqiptar të orientohej kah Perëndimi dhe vlerat perëndimore qytetëruese, politike e shoqërore. Dhe këtu është bërë ndeshja e madhe ndërmjet dy orientimeve gjeopolitike: atij Lindor të përfaqësuar nga BRSS-ja dhe nga ai Perëndimor të përfaqësuar nga SHBA-të, të cilat ndërmjet vete e filluan një luftë të paarmatosur, që u quajt lufta e ftohtë. Dhe pikërisht në këtë kohë u shfaqën fuqishëm elementet themelore të nacionaldemokracisë shqiptare, e cila siç thashë në fillim ritheksonte përkushtimin ndaj vlerave më të mira kombëtare dhe demokratike, siç janë ato që kanë të bëjnë me elemente substanciale të identitetit kombëtar shqiptar, me bazamentin evropiano-perëndimor të këtij identiteti, me demokracinë perëndimore dhe procedurat demokratike të funksionimit të shtetit dhe të shoqërisë shqiptare, i cili shtet do të duhej të funksiononte në tërësinë territoriale shqiptare në përputhje me të drejtën e tyre për vetëvendosje dhe në përputhje me vullnetin e tyre politik e kombëtar. Megjithëse me vështirësi, vështirësi që i përcaktonte situata e përgjithshme gjeopolitike e gjeostrategjike dhe gjendja e luftës, si dhe moskonsolidimi i plotë organizativ, nacionaldemokracia dhe socialdemokracia shqiptare e kohës, u angazhuan maksimalisht për sendërtimin e orientimeve të tyre politike dhe kombëtare. Për historinë politike shqiptare është me rëndësi se nacionaldemokracia shqiptare e drejtuar nga Ernest Koliqi, Mit’hat Frashëri e të tjerë, arritën që të lënë trashëgim vlera të tilla politike, siç janë pikërisht ato që kanë të bëjnë me fundamentin tërësisht evro-perëndimor të identitetit shqiptar, me orientimin demokratik të funksionimit të shtetit shqiptar, si dhe me mënyrat e realizimit të interesave kombëtare shqiptare. Krijimi i Bllokut Kombëtar Independent i drejtuar nga Gjon Marka Gjoni, e ku ishte edhe Ernest Koliqi e ndonjë tjetër, si dhe krijimi i Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë” i drejtuar fillimisht nga Mit’hat Frashëri, e pas vdekjes së tij (1949) dhe pas një riorganizimi të tij, nga Hasan Dosti, dhe për më tepër orientimet e tyre programore janë vetëm një nga ato angazhime që nacionaldemokracia shqiptare synonte të realizonte. Edhe pse këtu nuk është vendi të jap detaje të hollësishme, të cilat i kam paraqitur në Sesionin e Dytë për të Djathtën Shqiptare të mbajtur në Prizren, më 2004, në kuadër të një serie sesionesh të tilla shkencore, duhet thënë se pas Dekalogut të Ballit Kombëtar të vitit 1942, programet e këtyre dy organizimeve politike të nacionaldemokratëve shqiptarë, përfaqësojnë një bazament të mirë programor, në të cilat u mbështet pikërisht filozofia politike e dr. Ibrahim Rugovës. Orientimet programore të këtyre organizmave politikë, siç janë ruajtja e tërësisë territoriale shqiptare bashkë me pavarësinë e tij dhe zotimin që në mënyrë paqësore të krijohet Shqipëria etnike dhe jokomuniste, (pika 1); ruajtja e vlerave tradicionale siç janë: respekti për personalietin e individit, të familjes, të lirive shoqërore, politike, të nisiativës së lirë, gjithnjë në dobi të përgjithshme (pika 2); respekti për pronën private (pika 3); angazhimi për bashkëpunim me të gjithë ata që janë të interesuar për çlirimin e Shqipërisë (pika 4); përcaktimi për mëvetësi institucionale nëpërmjet votës së lirë të qytetarëve (pika 5); angazhimi për ndalimin në Shqipëri të partive me financime të huaja, të partive me bazë fetare, të partive pjesë të formacioneve të huaja, parti që shpërdorojnë liritë politike dhe që synojnë të vendosin regjime totalitare, parti politike që pagëzohen me emra, mbiemra e tituj personash (pika 6); angazhimi për ndarjen e fesë nga shteti (pika 7); angazhimi për një arsimim mbi baza kombëtare por duke shfrytëzuar edhe rezultatet moderne të dijes dhe të shkencës (pika 8); angazhimi për riatdhesimin e të gjithë shqiptarëve të shpërngulur dhunshëm nga trojet shqiptare (pika 9); angazhimi për miqësi me të gjithë shtetet, sidomos me fqinjët duke ruajtur rigorozisht interesin kombëtar (pika 10); angazhimi për zhvillimin ekonomik privat dhe shtetëror dhe për ndalimin e monopoleve të ndryshme që dëmtojnë interesat kombëtare (pika 11); angazhimi për lejimin e kapitaleve të huaja kur ato i nënshtrohen rregullativës ligjore të vendit (pika 12), si dhe angazhimi që në fazën tranzitore të ndalohet çdo lloj hakmarrje apo ndonjë veprim pa gjyq të rregullt (pika 13) (Programi i BKI-së), vullneti për bashkëpunim me elementet antikomunistë e antitotalitarë brenda dhe jashtë atdheut (pika 3), angazhimi për ruajtjen dhe sigurimin me të vërtet të indipendencën dhe integritetin tokësor dhe kombëtar të Shqipërisë si dhe sovranitetin e shtetit në gjirin e Kombeve të Bashkuara.”(neni 4), angazhimi për zgjedhje të lira dhe për marrëdhënie ndërkombëtare në bazë të Kartës së Atlantikut, pra të OKB-së (neni 5), angazhimi për të mos bërë marrëveshje që rrezikojnë “të drejtat e popullit dhe të shtetit shqiptar”(6), si dhe përcaktimi i KKSHL-së si lëvizje çlirimtare e jo si qeveri në mërgim, (Statuti i KKSHL-së), bashkë me shkrimet diskurzive të Mit’hat Frashërit dhe të ndonjë tjetri, u bënë bazament në të cilin u mbështet filozofia politike e dr. Ibrahim Rugovës, gjithnjë duke u përshtatur dhe duke u funksionalizuar në kushtet dhe rrethanat konkrete të bashkëkohësisë së fundshekullit njëzet e fillimshekullit njëzet e një. Dhe këto ishin vlera të pakontestueshme kombëtare dhe si të tilla shprehje e vazhdimësisë politike e kombëtare shqiptare që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e këndej. Për këtë arsye, kundër këtyre vlerave, në mënyrë të bashkërenduar dhe secili në mënyrën e vet u angazhuan si Beogradi komunisto-titist, ashtu edhe Tirana punisto-enveriste. Përveç luftimit të drejtpërdrejt dhe klasik, përveç përndjekjes dhe përveç shkrimit të një historiografie selektive dhe seleksionuese, Beogradi dhe Tirana në mënyra specifike i hapën rrugë rrymave nacionaliste të kohës ndërmjet dy luftërave botërore, të përfaqësuar nga Fan S. Noli, e që në të vërtetë ishin rryma nacionaliste me orientime të majta, përkatësisht filosovjetike. Ta kujtojmë me këtë rast faktin se vetë Noli që në rini kishte aderuar në organizata rinore komuniste panballkanike, kurse me vendosjen e tij në krye të një qeverie shqiptare, vendosi marrëdhënie diplomatike me Moskën sovjetike. Në anën tjetër, Beogradi komunisto-titist dhe Tirana punisto-enevrist anatemuan, ndaluan dhe pamundësuan praninë e nacionalistëve dhe naciondaldemokracisë së mirëfilltë shqiptare që nga koha e Gjergj Fishtës e deri te koha e Ernest Koliqit, Mit’hat Frashërit etj. Si rezultat i kësaj, në territoret e pushtuara shqiptare nën ish-Jugosllavinë u shfaq një tip i nacionalizmit të majtë, i nacionalizmit revolucionar që u trupëzua në të ashtuquajtura grupe marksist-leniniste, kurse në planin politiko-intelektual, u identifikua me emrin e Rexhep Qosjes. Rifunksionalizimi i ideve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare të vendosura mbi një bazë ideologjike punisto-enveriste nga ana e Rexhep Qosjes, ishte produkti më tipik i tipit të nacionalistit me orientime të majta, pra të një tipi nacionalsocialist të nacionalistit që e përcaktuan angazhimin e manipuluar të shqiptarëve për liri. Dalja në skenën politike e dr. Ibrahim Rugovës dhe e lëvizjes politike të drejtuar prej tij, i ra ndesh pikërisht tipit të nacionalsocializmit shqiptar të trupëzuar në të ashtuquajtura grupe marksist-leniniste dhe në tipin e nacionalsocialistit Rexhep Qosja. Dhe këtu duhet kërkuar bazën politike e ideologjike të kundërshtimit të dr. Ibrahim Rugovës dhe të lëvizjes politike të drejtuar prej tij, e që ishte lëvizje që pas disa dekadash rikthente nacionaldemokracinë shqiptare në kontekstin modern dhe bashkëkohor me gjithë veçantitë e saj më të mira, siç janë: orientimi properëndimor i politikës dhe i shoqërisë shqiptare, orientimi demokratik dhe zgjidhja paqësore e çështjes shqiptare në Kosovë. Me daljen në skenë të dr. Ibrahim Rugovës, këtij shkencëtari të letërsisë të formuar në traditën më të mirë kombëtare shqiptare si dhe në vlerat më të mira shkencore e politike perëndimore (të kujtojmë se dr. Ibrahim Rugova kishte specializuar semiologjinë te një nga semiologët më të njohur botërorë, Roland Barti), bashkë me fundin e një sistemi politik në Kosovë, mori fund edhe primati i nacionalsocializmit shqiptar, i cili për dekada ia kishte nxënë frymën nacionaldemokracisë shqiptare. Vetvetiu kjo nënkuptonte një kontekst konfliktual ndërmjet këtyre dy tipave të nacionalizmit shqiptar, edhe pse vetë dr. Ibrahim Rugova me të gjitha mënyrat u mundua që ky konflikt të mos ekzistonte, në ç’drejtim pranoi që elemente dhe struktura të djeshme marksist-leniniste të bëheshin pjesë të lëvizjes politike shqiptare për pavarësinë e Kosovës. Edhe pse ky vullnet i dr.Ibrahim Rugovës për t’i bërë pjesë të lëvizjes politike shqiptare edhe grupet marksist-leniniste, duke pranuar që të jenë edhe brenda LDK-së, u keqpërdor nga këto grupe për ta realizuar strategjinë e tyre për ta marrë kalanë nga brenda, duhet thënë se është pikërisht ky vullnet që e bëri atë të fortë politikisht. Vullneti i dr. Ibrahim Rugovës që të mos e përjashtojë askënd nga procesi politik, shoqëror e historik për pavarësinë politike të Kosovës, në të vërtetë ishte vullnet për mbylljen e çdo baze politike, shoqërore e historike të kundërshtive dhe përçarjeve brenda shqiptare, si dhe vullnet për angazhim të përbashkët të të gjithë shqiptarëve për të arritur çlirimin e Kosovës nga Serbia si dhe për vendosjen e një rendi demokratik me orientime kombëtare e perëndimore. Siç është në natyrën e nacionalsocializmit në përgjithësi, e në natyrën e nacionalsocializmit shqiptar në veçanti, dora e shtrirë e dr. Ibrahim Rugovës u kuptua si mundësi për ta thyer atë dorë e jo për ta shtrënguar burrash e shqiptarçe. Gjithë angazhimi i nacionalsocializmit shqiptar u përqëndrua në rrënimin politik të dr. Ibrahim Rugovës dhe të filozofisë së tij politike, e që në mënyrën më brutale, më arrogante dhe më të keqe u provua të bëhet me largimin e grupit të Hydajet Hysenit nga LDK-ja dhe formësimi i saj si organizim politik në krye me kryenacionalsocialistin shqiptar, Rexhep Qosja, si dhe me monopolizimin e gueriles shqiptare nga nacionalsocialistët shqiptarë dhe nga rekrutë të shërbimeve sekrete serbe etj., që u shfaqën si linjë, që unë e kam quajtur linja e Tiranës/Kretës. Beogradi u mbështet shumë dhe pati shpresë shumë që lufta e nacionalsocializmit shqiptar e ndihmuar edhe nga rekrutë shqiptarë të shërbimeve sekrete serbe ndaj filozofisë politike të dr. Ibrahim Rugovës do t’ia arrijë që ta rrënojë atë dhe vetë dr. Ibrahim Rugovën. Asryet se përse nuk u arrit kjo, edhe pse nuk mbeti pa pasoja, duhet kërkuar te personaliteti i fortë i dr. Ibrahim Rugovës, te autenticiteti nacional i filozofisë së tij politike, te orientimi properëndimor dhe te mbështetja edhe në vlera e koncepte demokratiko-perëndimore të kësaj filozofie politike, e që u bënë pjesë substanciale të projektit të dr. Ibrahim Rugovës për shtetin e ardhshëm të Kosovës si kompromis me bashkësinë ndërkombëtare dhe si kontribut i shqiptarëve për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë.
(vijon)