28 prill 2006

ASPEKTE TË KUNDËRRUGOVIZMIT (4)

BAZA PAGANO-KRISTIANE E IDENTITETIT KOMBËTAR DHE QYTETËRUES
TË SHQIPTARËVE DHE FILOZOFIA POLITIKE E DR. IBRAHIM RUGOVËS


Një nga aspektet e kundërrugovzimit ka qenë i lidhur me një nga elementet substanciale të identitetit kombëtar dhe qytetërues të shqiptarëve, me bazën pagano-kristiane të qytetërimit shqiptar, në të cilën është mbështetur shumë dhe fuqishëm filozofia politike e dr. Ibrahim Rugovës, e që është keqinterpretuar në mënyrë shumë të ulët dhe me synime të qarta kundërshqiptare.

Shkruan: Rexhep KASTRATI

Sa herë që kam thënë se filozofia politike e dr. Ibrahim Rugovës është mbështetur fortë në vlerat më të mira të krijuara që nga Dardania antike e këndej, kam menduar pikërisht në bazën pagano-kristiane të identitetit të qytetërimit shqiptar të krijuar gjatë shekujve. Prandaj, mbështetja në këtë, do të thotë mbështetje dhe riafirmim i identitetit të vërtetë të shqiptarëve si komb. Përderisa mbështetja në traditën ekomomike që nga Dardania antike, siç është mbështetja në traditën më të mirë të kultivimit të hardhisë së rrushit, prej nga mund të krijoheshin degë të ndryshme të industrisë ushqimore, mbështetja në pasurinë e botës shtazore, prej nga dr. Ibrahim Rugova ka shquar qentë e Sharrit si një nga racat më fisnike të qenve dhe në tërësi të botës shtazore, mbështetja në pasuritë minerare, që dr. Ibrahim Rugova e simbolizoi me gurët që ua dhuronte diplomatëve ndërkombëtarë dhe të tjerëve, kishte të bënte me aspektin ekonomik të traditës së lashtë dhe të vazhdimësisë së pashkëputshme iliro-shqiptare, si një pjesë e argumentimit të identitetit shqiptar, por edhe të potencialit ekonomik shqiptar, mbështetja në traditën pagano-kristiane kishte të bënte me elemente që kanë përcaktuar aspektin shpirtëror, kulturor e etnopsikologjik të shqiptarëve, dhe të dy aspektet; ai ekonomik dhe ky shpirtëror kanë përbërë atë sistem vlerash mbi të cilin është mbështetur konstituimi i shqiptarëve si komb. Baza pagano-kristiane e qytetërimit shqiptar është theksuar kaherë, dhe kjo është bërë nga arkeologë, gjuhëtarë historianë e shkencëtarë të tjerë të huaj, e unë me këtë rast vetëm dua të theksoj elementet themelore që e bëjnë të qartë këtë lidhje. Një nga elementet identifikues është edhe emri ilir që studiues të ndryshëm e kanë lidhur me gjarpërin. Identifikimi i emrit ilir me gjarpërin, në të vërtetë, është i mbështetur në mitin e Kadmit dhe të Europës, të cilët, pasi lindën djalin e tyre Ilirin, ose greqisht Illyrios, dhe pasi u mplakën, u shndërruan në gjarpërinj. Në kohë të më vonshme, në folkloristikën shqiptare, ku edhe vërehen elemente të lidhjes së paganizmit antik me kulturën shqiptare të mëvonshme, është një legjendë, sipas të cilës një çiftit, Zoti ua kishte falur një gjarpër, i cili natën e hiqte lëkurën dhe bëhej njeri, kurse ditën e vishte atë lëkurë, duke e fshehur të vërtetën për të. Vetëm pasi u martua, e zbuloi veten se ishte djalë dhe ashtu jetuan të lumtur. Epika legjendare shqiptare, është një element tjetër i ndërlidhjes dhe i vazhdimësisë iliro-shqiptare. Prania e zanave në epikën legjendare, është e ngjashme me praninë e muzës në epikën evropiane, dhe si e tillë ka të bëjë me besimin për ekzistencën e qenieve të tjera përpos njeriut e që në të vërtetë janë aleate të tij. Legjendat e ndryshme të murimit të gruas si simbol i pjellorisë dhe i vazhdimësisë së racës njerëzore, janë një element tjetër i vazhdimësisë iliro-shqiptare i shpërfaqur nëpërmjet Këngëve të murimit. Festat e ndryshme si buzmi, festat e stinëve etj., janë elemente tjera që përplotësojnë vazhdimësinë iliro-shqiptare. Shfaqja e krishterimit ndër ilirë që me shën Palin, e që i përket kohës pararomake të krishterimit, është një nga ngjarjet që ka pasur ndikim shumë të madh, e pas pranimit të kësaj feje nga shumica e ilirëve, është bërë edhe një nga përcaktuesit e konstitucionit të tyre shpirtëror. Me përqafimin e krishterimit dhe me heqjen dorë nga paganizmi, shumë elemente të kulturës shpirtërore ilire pësuan ndryshime dhe ndikime nga krishterimi. Legjenda e gjarpërit është një nga shembujt e ndikimit të krishterimit në ndryshimin e traditës pagane, përkatësisht të kulturës shpirtërore pagane. Çifti i nevojshëm për një fëmijë, i lutet Zotit, pra i lutet një Zoti, për t’ia falur një fëmijë, qoftë ky edhe gjarpër, e jo zotave paganë. Në anën tjetër, shumë festa pagane si festa e shën Gjergjit, ajo e shën Pjetrit, e shën Mitrit apo ajo e buzmit, që përcaktojnë periudhat e ndryshme të vitit, u mveshën edhe me një mbishtrat kristian dhe si të tilla u kremtuan nga shqiptarët gjatë historisë, e edhe sot shërbejnë për ndarjen e periudhave të ndryshme të vitit. Një nga ato elemente që dëshmojnë për ndërlidhjen e elementeve pagano-ilire me traditën kristiano–shqiptare është edhe legjenda e Konstantinit dhe e Doruntinës, e cila përveçse është legjendë për besën, për fjalën e dhënë, është edhe një legjendë origjinale e ngritjes nga varri, e ngritjes nga të vdekurit për një mision të caktuar, dhe që ka elemente të shumta të ringjalljes së Krishtit. Kjo legjendë, në aspektin sociohistorik mund të interpretohet edhe si kalim nga tipi i martesave endogamike, pra brenda fisit, në tipin e martesave ekzogamike, pra jashtë fisit. Këto dhe elemente të tjera të asaj që unë e po e quaj bazë pagano-krisitiane të kulturës dhe të qytetërimit shqiptar, në të vërtetë, paraqesin vetëm një aspekt të shkallës së ndikimit të krishterimit në konstitucionin etno-psikologjik, sociokulturor dhe sociohistorik të shqiptarëve. Një aspekt tjetër paraqet edhe aspekti socio-juridik i ndërlidhjes së të drejtës ilire me të drejtën kristiane, e që është bërë nëpërmjet Kanunit të Lekë Dukagjinit, Kanun i mbështetur pikërisht në traditën pagano-ilire, kristiano-ilire dhe kristiano-arbërore. Me ato që përmban Kanuni i Lekë Dukagjinit, dëshmon për një traditë të hershme të mënyrës së rregullimit juridik të raporteve shoqërore, ekonomike e të tjera ndërmjet banorëve të një entiteti shoqëror. Të gjitha këto paraqesin elemente të ndikimit të ndërlidhjes së traditës pagano-ilire me atë kristiano-ilire dhe kristiano-arbërore në konstitucionin etno-psikologjik dhe sociokulturor të shqiptarëve. Një aspekt tjetër mjaft të rëndësishëm përbën kontributi që iliro-shqiptarët i kanë dhënë kristianizmit që nga shekulli i dytë e këndej. Me këtë rast po i përmendi vetëm shën Jeronimin, Papa Klementin, Nënën Tereze, pasi që, që të tre kanë bërë epoka në kohët e tyre, dhe pa të cilët edhe vetë krishterimi ndoshta nuk do të ishte ky që është tash. Prandaj, me plotë gojën mund të thuhet se identiteti shqiptar i kombit që mban këtë emër, i ka borxh shumë të madh jo vetëm bazës pagano-ilire, por edhe bazës kristiano-ilire dhe kristano-arbërore, ashtu siç i ka borxh shumë edhe krishterimi vetë bazës pagano-ilire, kristiano-ilire dhe kristiano-arbërore dhe kontributit që iliro-shqiptarët i kanë dhënë atij. Dhe ky borxh i ndërsjellë që është përcaktuar nga marrëdhëniet e traditës autoktone ilire-shqiptare me traditën kristiane, marrëdhënie që kanë qenë përcaktuese të gjithë zhvillimeve sociohistorike, etno-psikologjike e sociokulture në gadishullin ilirik për rreth 15 shekuj me radhë, kohë kur kristianizmi ka qenë fe e vetme ndër shqiptarë dhe për ndonjë shekull tjetër kur ka qenë fe dominuese, ose e barabartë me fenë islame, i përkthyer në koncepte bashkëkohëre dhe moderne, do të thotë ndërveprim i vazhdueshëm i këtyre dyjave në konstituimin e shqiptarëve si komb. Prandaj, mund të thuhet se krishterimi është një nga elementet përcaktuese të identitetit kombëtar shqiptar. Theksimi i këtij elementi, do të thotë theksim i bazamentit evropiano-perëndimor të identitetit kombëtar shqiptar, si dhe përgënjeshtrim faktik i tezave serbe që përveçse mohonin origjinën ilire të shqiptarëve, mohonin edhe përkatësinë evro-perëndimore të tyre, përkatësisht paraqitjen e tyre si orientalo-osmanllinj dhe turkoshakë. Këtë funksion kishte pikërisht theksimi i përkatësisë evro-perëndimore të kombit shqiptar dhe i bazës pagano-kristiane të identitetit të tij. Në kohën kur Serbia dhe shtetet tjera aleate të saj i kishin mbushur bibliotekat e huaja me literaturë që hidhte poshtë origjinën ilire të shqiptarëve, që theksonte përkatësinë islame të tyre si identitet oriental dhe aziatik të tyre, pra që fshihte të vërtetën shkencore të origjinës ilire të shqiptarëve dhe përkatësinë evro-perëndimore të shqiptarëve, ishte e qartë se theksimi i pashkëputshmërisë së vazhdimësisë iliro-shqiptare, përkatësisht pagano-kristiane të shqiptarëve, ishte theksim i një elementi konstituues të kombit shqiptar që është i vërtetë dhe i pakontestueshëm. Kjo është aq e vërtetë, sa është i vërtetë fakti që dhe sllavët që u vendosën në gadishullin ilirik dhe në përgjithësi në atë ballkanik, sidomos ata që më vonë u quajtën serbë, kroatë, sllovenë e boshnjakë të hershëm, identitetin e tyre e kanë krijuar edhe në substratin iliro-shqiptar dhe në substratin pagano-kristian që e gjetën te iliro-shqiptarët. Mbi këtë bazë, dr. Ibrahim Rugova i ka ndërtuar edhe raportet me Vatikanin, përkatësisht me Papa Gjon Palin e Dytë, me të cilin ka pasur raporte shumë të mira dhe shumë të afërta. Dhe ishin këto raporte shumë të mira dhe të afërta që dr. Ibrahim Rugova pati me Vatikanin, përkatësisht me Papa Gjon Palin e Dytë, të cilat bënë që qëndrimi i tyre të jetë shumë dashamirës ndaj kombit shqiptar në përgjithësi, e ndaj Kosovës në veçanti. Në këtë drejtim nuk duhet të mohohet as kontributi shumë i madh që kleri katolik shqiptar ka dhënë në sensibilizimin e Vatikanit, të Papa Gjon Palit të Dytë dhe në përgjithësi të Perëndimit, kontribut që mbështetej në traditën e hershme të klerit katolik shqiptar së paku që nga koha e Pjetër Bogadanit e këndej. Mirëpo, theksimi i bazës pagano-kristiane të identitetit kombëtar të shqiptarëve nga ana e dr. Ibrahim Rugovës, të cilën e bëri edhe element të filozofisë së tij politike, nga rekrutë të shërbimeve sekrete serbe, nga nacionalsocialistë shqiptarë dhe nga të manipuluar të tjerë u përdor për qëllimet e tyre kundërrugoviste dhe e bënë një aspekt të kundërrugovizmit të tyre. Gjithandej, madje edhe publikisht nëpërmjet mediave të ndryshme, u bë një propagandë e mbrapshtë, e ultë dhe shpifëse në drejtim të dr. Ibrahim Rugovës. Në këtë kontekst, u përdor shumë edhe mbështetja që dr. Ibrahim Rugova i ka dhënë ndërtimit të Katedrales në Prishtinë, duke u përdorur si shkas për sulme të tjera ndaj tij dhe ndaj filozofisë së tij politike. Edhe pse nuk mbeti pa ndikim në opinionin gjerë, kryesisht në atë pjesë të indoktrinuar dhe gjysmanalfabete të shqiptarëve, duhet thënë se edhe ky aspekt i kundërrugovizmit dështoi, ashtu siç kanë dështuar edhe aspekte të tjera të kundërrugovizmit që vinte nga Beogradi, nga rekrutët e tij shqiptarë dhe nga kundërshtarë të tjerë. Shumica e shqiptarëve, apo thënë më mirë, pjesa dërmuese e tyre, e mirëkuptuan dhe e përkrahën dr. Ibrahim Rugovën në përdorimin e bazës pagano-kristiane të iliro-shqiptarëve si argument për dëshmimin e përkatësisë evro-perëndimore të kombit shqiptar. Pjesa dërmuese e shqiptarëve iu përkulën jetës dhe veprës së Nënës Tereze, shenjtores së ardhshme shqiptare, e cila pikërisht pse u mbështet në traditën e ndritshme shqiptaro-kristiane arriti që të bëhet nënë e gjithë njerëzimit. Fakti se shumë shtete, ndër to edhe Italia e Maqedonia u ngutën që ta përvetësonin Nënën Tereze, dëshmon për madhështinë e saj dhe për vlerën e madhe humane që paraqet jeta dhe vepra e saj. Shqiptarët do të duhej të ishin ose të çmendur, ose naivë, ose injorantë që të lejonin që këtë nënë të njerëzimit t’ua merrte dikush tjetër. Dhe nëse është kështu, atëherë kjo vlen edhe për gjithë pasurinë tjetër kristiane që kanë krijuar shqiptarët ndër shekuj. Vetëm të merret me mend se sa shumë ka investuar Beogradi dhe shtetet tjera pushtuese të shqiptarëve dhe uzurpuese të territoreve shqiptare për ta fshirë gjithë këtë pasuri shqiptaro-krisitane dhe për ta mbuluar me një petk anadollak. Vetëm të merret me mend se sa me fat do ta ndienin veten kombet e tjera po ta kishin këtë pasuri me bazë pagano-kristiane që e kanë shqiptarët. Përveç kodifikimit të Biblës së bërë në Koncilin e Parë Vatikanas nga shën Jeronimi, edhe muzika kishtare e Perëndimit dhe e Lindjes është kompozuar nga një David shqiptar dhe nga një Jan Kukuzel shqiptar. Mbrojtja e kësaj pasurie, theksimi i saj dhe dëshmimi i këtillë i identitetit evro-perëndimor të kombit shqiptar, ishin elemente thelbësore që e përcaktuan suksesin e dr. Ibrahim Rugovës dhe të filozofisë së tij politike dhe suksesin e shqiptarëve në kapërthyerjet e fundshekullit njëzet e të fillimshekullit njëzet e një.

(vijon)