30 prill 2006

ASPEKTE TË KUNDËRRUGOVIZMIT (5)


POZICIONIMI I POLITIKËS SHQIPTARE NË KOSOVË
NË BOSHTIN BRUKSEL - UASHINGTON NË PËRPUTHJE
ME PËRKATËSINË EVRO-PERËNDIMORE TË SHQIPTARËVE

Pozicionimi i qartë dhe i drejtë gjeopolitik e gjeostrategjik i politikës shqiptare në Kosovë, e që i parapriu përcaktimit të tillë gjeopolitik e gjeostrategjik të të gjithë politikës shqiptare, ishte një nga elementet e filozofisë politike të dr. Ibrahim Rugovës, me karakter të qartë anticipues, emancipues dhe përcaktues të politikës shqiptare në përgjithësi.
Shkruan: Rexhep KASTRATI

Theksimi i bazës pagano-kristiane të identitetit kombëtar të shqiptarëve, dhe i përkatësisë evro-perëndimore të kulturës dhe të qytetërimit iliro-shqiptar, nënkuptonte edhe përcaktimin e fuqishëm në raporte të tilla gjeopolitike e gjeostrategjike që do të ishin në përputhje me identitetin kombëtar të shqiptarëve dhe të kulturës së tyre në përgjithësi. Prandaj, përcaktimi për boshtin Bruksel – Uashington i politikës shqiptare, jo vetëm si pasojë e zhvillimeve të gjithëmbarshme ndërkombëtare, zhvillime që kishin të bënin me përmbysjen e një ideologjie dhe të një sistemi politik, por edhe si ripërcaktim i qartë i pozitës së gjithëmbarshme t kombit shqiptar, kishte një rëndësi shumë të madhe për vetë natyrën dhe karakterin evro-perëndimor të mendësisë kolektive të kombit shqiptar. Në këtë drejtim, përcaktimi i dr. Ibrahim Rugovës për një Kosovë të pavarur, anëtare e BE-së dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të, që është përsëritur vazhdimisht nga ai, ishte përcaktim për gjithë korpusin e vlerave më pozitive që e përcaktojnë qytetërimin perëndimor në përgjithësi. Si komb me identitet të lashtë pagano-kristian dhe me përkatësi të qartë evro-perëndimore, kombi shqiptar në përgjithësi kërkonin vendin e vet në gjirin e familjes evro-perëndimore, pas mungesës gati gjysmëshekullore në këtë familje për shkak të sundimit të ideologjisë komuniste-sovjetike në hapësirën shqiptare, dhe pas një periudhe të gjatë pushtimesh orientalo-aziatike. Kjo do të thotë se shqiptarët si komb kërkonin që përfundimisht t’i largoheshin lindjes sllavo-bizantine dhe lindjes osmano-turkoshake që kishin provuar më kot ndryshimin e bazës pagano-kristiane të identitetit të tyre kombëtar dhe të kulturës e qytetërimit të tyre shqiptar. Pas disa shekuj robërie nën Perandorinë Osmane dhe pas gati një shekull robërie klasike dhe ideologjike sllave, që kishin provuar ta asgjësonin apo edhe ta shndërronin identitetin pagano-kristian të tyre, shqiptarët nëpërmjet filozofisë politike të dr. Ibrahim Rugovës iu rikthyen plotësisht pjesës evro-perëndimore të qytetërimit evropian, duke e pozicionuar veten qartë për një partneritet e miqësi të përhershme me Evropën Perëndimore dhe SHBA-të. Me një urti brilante, dr. Ibrahim Rugova arriti që ta bindë boshtin Bruksel Uashington se shqiptarët, edhe pse me shumicë myslimane, ishin komb evropian dhe me orientime të qarta properëndimore, pasi që edhe pse me shumicë myslimane, shqiptarët nuk ishin me origjinë arabe e as me origjinë turke, as me origjinë sllavoortodokse. Në këtë drejtim, ka ndihmuar fakti që Kosova nuk u shndërrua dot në bastion të organizatave arabe që islamizmin e përdornin si ideologji për të arritur qëllime të qarta jofetare dhe joislame, edhe pse ka pasur tendenca të tilla. Se përse nuk ndodhi kjo, përgjigjen duhet kërkuar pikërisht të identiteti pagano-kristian i kulturës dhe i qytetërimit shqiptar, identitet që jo në fundshekullin njëzet, por as në asnjërin shekull të historisë nuk ka lejuar që të ketë konflikt apo luftë ndërfetare. Trashëgimia pagano-krisitiane u ruajt me zell dhe me vendosmëri nga shqiptarët, pavarësisht nga fakti se ishin myslimanë., katolikë apo ortodoksë. Të gjitha faltoret në Kosovë ruheshin me kujdesin më të madh nga shqiptarët si një pasuri e madhe e tyre. Edhe pse një pjesë e tyre u shndërruan në xhami, apo në kisha sllavoortdokse, kishat shqiptare kurrë nuk u trajtuan ndryshe nga shqiptarët, veçse si pasuri e paçmuar e tyre kombëtare dhe që shenjonte identitetin e tyre kombëtar. edhe në fushën e toponimisë (emërvendeve), karakteri pagano-kristian u ruajt me kujdesin më të madh, duke u quajtur me emra si Ura e Shenjtë, Ara e Kishës, e kështu me radhë. Ndodhte kështu, pikërisht për shkak të ngulitjes së vetëdijes pagano-kristiane thellë në kujtesën kolektive të shqiptarëve. Edhe pse fe dominuese, islami kurrë nuk arriti që ta ketë ndikimin që e ka pasur krishterimi ndër shqiptarë, pikërisht për shkak se krishterimi u bë një nga përbërësit substancialë të identitetit kombëtar të shqiptarëve. Dhe këtë pasuri të madhe, dr. Ibrahim Rugova e funksionalizoi suksesshëm në të mirë të përcaktimit sa më të drejtë të pozitës gjeopolitike e gjeostrategjike të shqiptarëve, duke i vendosur përfundimisht ata në boshtin Bruksel – Uashington. Me përcaktimin e këtillë, dr. Ibrahim Rugova arriti që të realizojë atë që nuk e ka arritur askush para tij në mënyrën e këtillë siç e ka arritur ai, krijimin e aleancave funksionale dhe frytdhënëse me bashkësinë ndërkombëtare. Është kështu për faktin se si në rastin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si në rastin e Konferencës së Londrës, si në rastin e Konferencës së Versajës, si në rastin e aleancave gjatë Luftës së Dytë Botërore e pas saj, shqiptarët kurrë nuk ditën të krijojnë aleanca parimore, të shëndosha dhe të suksesshme, si aso aleance që arriti të realizojë dr. Ibrahim Rugova. Përderisa më parë atdhetarë të ndryshëm shqiptarë e shndërronin veten në shërbëtorë të shteteve të veçanta, shpeshherë në armiqësi me njëri-tjetrin, aleanca që arriti të krijojë dr. Ibrahim Rugova, ka bërë që edhe aleatë tradicionalë të Serbisë, si Franca, Greqia e Italia, të jepnin dritën jeshile për bombardimet e caqeve serbe në Kosovë. Para kësaj, falë pozicionimit të qartë gjeopolitik e gjeostrategjik dhe falë aleancave funksionale që i arriti dr. Ibrahim Rugova, aleatë të ndryshëm të Beogradit jo që nuk kundërshtuan qëndrime, rezoluta e sanksione ndaj Serbisë për shkak të Kosovës dhe në favor të Kosovës, por edhe mbajtën qëndrime shumë parimore dhe të dobishme për Kosovën. Duke mos arritur ndryshe që ta rrënojë filozofinë politike të dr. Ibrahim Rugovës, Beogradi, përveçse i përdori rekrutët e tij shqiptarë dhe kundërshtarët tjerë të dr. Ibrahim Rugovës ndër shqiptarë, e përforcoi edhe më makinerinë propagandistike kundërshqiptare, duke i rifunksionaliuzar tezat e vjetra kundërshqiptare të manipulimit më përkatësinë fetare të shqiptarëve dhe me gjoja rrezikun që i kanoset Evropës së krishterë nga shqiptarët myslimanë. Në dështimin e kësaj propagande kundërshqiptare, përveç dr. Ibrahim Rugovës dhe filozofisë së tij politike, një ndikim shumë të madh e ka pasur edhe kleri katolik shqiptar dhe në përgjithësi kleri shqiptar pavarësisht nga përkatësia fetare. Miqësia dhe afërsia e dr. Ibrahim Rugovës me Vatikanin, e në mënyrë të veçantë me Papa Gjon Palin e Dytë, raportet e vazhdueshme të klerit katolik shqiptar nëpër qendra të ndryshme të vendosjes politike në dëm të propagandës serbe si dhe qëndrimi shumë parimor e kombëtar i klerit mysliman që nuk lejoi keqpërdorimin e shqiptarëve myslimanë për interesa kundërshqiptare, në ç’drejtim duhet përmendur rastin e fundit me karikaturat e bëra me profetin Muhammed, e në të cilin as Bashkësia Islame, e as shqiptarët myslimanë nuk u përfshin në valën e përgjithshme të politikës së rrugës që u bë gjithandej vendeve arabo-muslimane, kanë bërë që propaganda serbe për gjoja rrezikun e Evropës së krishterë nga shqiptarët myslimanë të duket tezë e pabesueshme dhe qesharake nga diplomacia ndërkombëtare. Përkundër kësaj, as Beogradi e as qendra, struktura dhe organizime të tjera kundërshqiptare e kundërkombëtare nuk e ndalën angazhimin për çoroditjen gjeopolitike e gjeostrategjike të shqiptarëve, duke synuar gjithnjë që të bëjnë keqpërdorimin me përkatësinë fetare të shqiptarëve. Pas dështimit për të mohuar origjinën ilire të shqiptarëve, pas dështimit për të mohuar bazën pagano-kristiane të identitetit të kombit dhe të qytetërimit shqiptar, pas dështimit për të mohuar përkatësinë evro-perëndimore të shqiptarëve, Beogradi nuk la gjë pa bërë për të pasur sukses në devijimin gjeopolitik e gjeostrategjik të shqiptarëve nëpërmjet fesë. Mirëpo shqiptarët ditën çdo herë të dallojnë përkatësinë e tyre fetare nga përkatësia e tyre kombëtare, përkatësisht nga bazamenti i fortë pagano-kristian i identitetit të tyre kombëtar dhe nga përkatësia evro-perëndimore e kulturës dhe e qytetërimit të tyre. Në këtë aspekt në mënyrë të tërthortë ka ndikuar edhe pozicionimi i vendeve të tilla si Iraku, Libia, e ndonjë tjetri në anën e Beogradit. Shqiptarët nuk e kanë pritur mirë faktin se Gadafi i ishte drejtuar dr. Ibrahim Rugovës me sugjerimin që ose të pranonte mikpritjen e Serbisë, ose të shkonte në Shqipëri, por as faktin se Serbia ka qenë një nga furnizueset e Irakut si dhe e grupeve të ndryshme me armatim dhe me municione të ndryshme. Shqiptarët nuk mund të mos e kishin parasysh faktin se asnjë vend arab, përjashto Pakistanin me orientime proamerikane, nuk e ka përkrahur kurrë Kosovën dhe synimin e saj për pavarësi. Thjesht shqiptarët e kishin të qartë se përkatësia e tyre fetare synohej të shfrytëzohej për interesa të Beogradit dhe në dëm të filozofisë politike të dr. Ibrahim Rugovës. Prandaj pozicionimi i qartë i politikës shqiptare në boshtin Bruksel – Uashington, përveçse është pozicionim në përkatësinë evro-perëndimore të kombit shqiptar, është edhe rikonfigurim i raporteve gjeopolitike e gjeostrategjike në gadishullin tonë. Është kështu për faktin se Serbia çdo ditë e më shumë ka dhënë prova se para orientimit evro-perëndimor të saj, ka zgjedhur përkatësinë orientalo-aziatike, përkatësisht përkatësinë orientalo-bizantine. Mbështetja e vazhdueshme në Rusinë dhe në miqësi me vende të ndryshme arabe, ka bërë që Beogradi të jetë larg Evropës dhe larg proceseve pozitive që po ndodhin në Evropë. Në anën tjetër, pozicionimi i qartë i shqiptarëve në boshtin Bruksel – Uashington, për herë të parë ka krijuar një epërsi të tillë sa të bëjë që diplomatë të huaj t’ia bëjnë të qartë se Beogradit i duhet të zgjedhë ose Kosovën, ose Bashkimin Evropian, duke i lënë të nënkuptojë se nëse nuk heq dorë nga Kosova, do ta detyrojë Evropën që të heqë dorë nga Beogradi. Në këtë mënyrë bëhet e qartë se edhe ky aspekt i kundërrugovizmit , i praktikuar nga Beogradi dhe i ndihmuar edhe nga disa shoqata dhe grupime të ndryshme arabe, si dhe nga rekrutë e kundërshtarë të tjerë të dr. Ibrahim Rugovës, pra edhe ky aspekt i kundërrugovizmit të dështojë, duke lënë të nënkuptojë edhe dështimin e realizimit të vijës gjeopolitike e gjeostrategjike Moskë – Adratik. Në këtë drejtim Serbinë nuk e shpëton nga dështimi as devijimi i rrugës Durrës – Prishtinë nga orientimi për në Zagreb e më tej në Evropë, në drejtim të kufirit të Kosovës me Serbinë. Kjo për faktin se kompaktësia dhe bashkëveprimi sllavoortodoks është thyer dhe secili vend tjetër sllavoortdoks, duke përfshirë Malin e Zi dhe Maqedoninë janë orientuar kah BE-ja, duke synuar që të zënë një vend në familjen evro-perëndimore.
(vijon)
(Për shkaqe teknike, ky vazhdim nuk ka mundur të dalë dje. Për këtë kërkojmë falje nga lexuesit.)
Autori