06 maj 2006

ASPEKTE TË KUNDËRRUGOVIZMIT (10)

TOLERANCA NDËRETNIKE DHE ÇËSHTJA E PAKICAVE
NË KOSOVË, NË FILOZOFINË POLITIKE TË DR. IBRAHIM RUGOVËS

Një aspekt më vete të kundërrugovizmit që në masë të madhe është shpërfaqur sidomos nga grupe marksist-leniniste në përgjithësi e nga linja e Tiranës/Kretës në veçanti, është edhe qëndrimi i dr. Ibrahim Rugovës për pakicat kombëtare, apo siç i quante ai, grupet etnike, e që ishte qëndrim i shtetit të Kosovës ndaj qytetarëve të Kosovës me përkatësi tjetër etnike. Respektimi i të drejtave të njeriut dhe të pakicave nga ana e shtetit të Kosovës, nga këto grupe u konsiderua si qëndrim proserb dhe madje edhe kundërshqiptar. Po a kishin të drejtë këto grupe në këtë aspekt të kundërrugovizmit të tyre?

Shkruan: Rexhep KASTRATI

Shteti i Kosovës i projektuar nga dr. Ibrahim Rugova si shtet me një identitet të qartë pagano-kristian dhe vero-perëndimor, kishte koncept shumë të përparuar dhe shumë modern ndaj joshqiptarëve, qytetarë të Kosovës. Sipas këtij koncepti, joshqiptarët, qytetarë të Kosovës, do të trajtohen në mënyrë të barabartë si çdo qytetar tjetër i Kosovës, duke gëzuar të drejtat themelore të njeriut dhe të drejtat e tyre kombëtare. Asnjë qytetar i Kosovës nuk do të jetë i diskriminuar, edhe pse ndaj minoriteteve, apo siç thoshte dr. Ibrahim Rugova, grupe etnike, praktikohej një diskriminim pozitiv, duke u lënë vende të rezervuara në të gjitha institucionet e shtetit të Koosvës që funksionoi deri në vendosjen e administratës së UNMIK-ut në Kosovë. Një ndër diskriminimet pozitive ishte edhe lejimi i vendeve të rezervuara për grupet etnike në Kuvendin e Republikës së Kosovës, praktikë që u zbatua edhe pas vendosjes së administratës së UNMIK-ut në Kosovë. Gjatë tërë kohës së funksionimit të shtetit të Kosovës e deri kur u vendos administrata e UNMIK-ut në Kosovë, qëndrimi pozitiv ndaj grupeve etnike, nga ana e institucioneve shtetërore të Kosovës, ka qenë i vazhdueshëm dhe në të gjitha fushat ku ka mundur të tregohet. E një nga fushat ku është treguar qëndrimi jodiskriminues ndaj grupeve etnike ka qenë edhe fusha e ndihmave humanitare që e mbulonte SHHB “Nëna Tereze”, e cila njësoj si shqiptarët i ka trajtuar edhe grupet etnike, sidomos serbët, që i drejtoheshin dyerve të kësaj shoqate. Dhe ky qëndrim pozitiv ndaj grupeve etnike, në të vërtetë, ishte qëndrim i shtetit të Kosovës i ndërtuar mbi traditën më të mirë kombëtare të shqiptarëve, duke pasur parasysh sidomos tolerancën ndëretnike që shqiptarët kanë pasur në vazhdimësi ndaj pakicave etnike. Me këtë dua të them se edhe qëndrimi ndaj pakicave kombëtare, përkatësisht ndaj grupeve etnike, ka qenë një nga elementet tjerë të filozofisë politike të dr. Ibrahim Rugovës, i marrë pikërisht nga veçantia pagano-kristiane shqiptare dhe nga përkatësia evro-perëndimore e kombit dhe e qytetërimit shqiptar në gadishullin ilirik. Edhe pse gjithë këto grupe etnike, sidomos ai serb dhe turk, në Kosovë janë vendosur si pasojë e veprimeve pushtuese të sllavëve të jugut dhe të osmanlinjve-selxhukë, shqiptarët si komb kanë ditur që të bëjnë dallimin ndërmjet pushtuesit dhe qytetarëve të thjeshtë të pushtuesve, duke u ofruar një jetë të qetë dhe normale. Lashtësia, sidomos ndjenja se ishin në shtëpi të tyre, në vendin e tyre, me një ndjenjë të thellë të mikpritjes dhe të solidaritetit ndërnjerëzor, trajtim shumë të mirë shqiptarët u kanë ofruar edhe joshqiptarëve gjatë tërë historisë së tyre në gadishullin ilirik. Gjatë zhvillimeve sociohistorike, toleranca ndaj të huajve, ka kaluar në tolerancë ndëretnike, e cila është shfaqur në çdo kohë të vështirë për këtë grupe etnike. Me këtë rast, duhet të përmendi qëndrimin shumë human që shqiptarët kanë mbajtur ndaj hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nuk ka shënime që të jetë ekzekutuar asnjë hebre në hapësirën etnike shqiptare, së paku jo për shkak të mosmbështetjes nga ana e shqiptarëve, përkundrazi, sipas shënimeve më të reja, vetëm në shtetin aktual shqiptar janë rreth 72.000 hebrenj që janë shpëtuar me kontributin e Patër Anton Harapit, përkatësisht të Këshillit të Lartë të Regjencës Shqiptare. NË anën tjetër, duhet theksuar se në kohën e ashtuquajtur si kohë e Shqipnisë, gjatë Luftës së dytë Botërore janë serbët ata që u shpëtuan dhe u ndihmuan nga popullata shqiptare. Me këtë rast mund ta përmendi vetëm rastin e Hoçës së Madhe, një fshat afër Rahovecit, banorët serbë të të cilit janë mbrojtur nga vetë shqiptarët. Dhe ishin vetë serbët që menjëherë, me ta marrë Beogradi kontrollin mbi Kosovën, ua kthyen me të keq atyre që i mbrojtën vetëm pak ditë më parë, duke e bërë spastrimin e plotë etnik të Hoçës së Madhe. Çështja e mbrojtjes së hebrenjve dhe e vetë serbëve nga ana e shqiptarëve, janë vetëm disa nga rastet konkrete të tolerancës ndëretnike të shqiptarëve si komb, tolerancë që origjinën e ka pikërisht te origjina e lashtë ilire të tyre, te toleranca fetare që propagandonte krishterimi si fe monoteiste, si dhe te karakteri human dhe humanist që e shquan personalitetin kolektiv të shqiptarëve. Prandaj, dr. Ibrahim Rugova në qëndrimin e tij ndaj grupeve etnike në Kosovë, nuk u nis vetëm nga kartat dhe dokumentet e tjera ndërkombëtare, por duke u mbështetur edhe në to, kryesisht u mbështet pikërisht te toleranca ndëretnike e shqiptarëve si komb, e që më parë e kishte bërë të veten edhe nacionaldemokracia shqiptare e kohës, e kryesuar nga Mit’hat Frashëri, Ernest Koliqi, Patër Anton Harapi e shumë të tjerë. duke u mbështetur në traditën shembullore të shqiptarëve për tolerancë ndëretnike, si dhe në dokumentet ndërkombëtare, dr. Ibrahim Rugova arriti të adoptojë një qëndrim realist, sa politik aq edhe human për sa i përket trajtimit të grupeve etnike nga shteti i Kosovës. Mirëpo, trajtimi i mirë dhe i drejtë i grupeve etnike në Kosovë, sipas filozofisë politike të dr. Ibrahim Rugovës, nuk ishte as proverb e as kundërshqiptar, siç e kanë akuzuar. Ndryshe nga këto akuza, qëndrimi i dr. Ibrahim Rugovës ndaj grupeve etnike, ka qenë qëndrim qytetar dhe qytetërues, për shkak se ai ka dalluar trajtimin e drejtë të qytetarëve të Kosovës dhe të grupeve etnike nga interesat vitale të shtetit të Kosovës. Trajtimi drejtë i grupeve etnike, në asnjë mënyrë nuk do të duhej të rrezikonte natyrën e shtetit të Kosovës, e as relievin etnik dhe territorial të Kosovës. Dr. Ibrahim Rugova, gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar, jo njëherë, u ka bërë thirrje serbëve që nëse duan të jetojnë bashkë me shqiptarët në Kosovë, të kenë kujdes se si sillen ndaj tyre. Kjo ishte thirrje për serbët që të hiqnin dorë nga veprimet e këqija që i bënin andej-këndej Kosovës të nxitur nga Beogradi, apo edhe nga ndonj strukturë tjetër serbe në Kosovë, si dhe ishte paralajmërim për ta që të mos i vinin në pozitë shqiptarët që të mos mund të jetojnë më bashkë me serbët. Ky qëndrim largpamës, ka qenë shumë larg servilizmit të sotëm të atyre që e akuzonin dje për qëndrim proverb dhe kundërshqiptar. Ky ishte një qëndrim prej një burrështetasi që ka përgjegjësinë për kujdes ndaj gjithë qytetarëve të shtetit të tij, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike. Dhe ky ishte qëndrim që ishte në përputhje me konceptin e shtetit që e kishte projektuar dhe që e kishte realizuar për aq sa lejonin kushtet e një vendi të pushtuar dhe të kolonizuar, çfarë ishte Kosova, koncept që mbështetej në bazën pagano-kristiane dhe përkatësinë evro-perëndimore të shqiptarëve që nga Dardania antike e këndej, si dhe koncept që mbështetej në traditën më të mirë të shtetformimit dhe të gjallimit të barabartë dhe joinferor të shtetit të Koosvës, si një kompromis që shqiptarët bënin për paqen dhe stabilitetin e përgjithshëm. Si pjesë e një shteti me identitet të qartë pagano-kristian, e jo e një shteti pa bazë sociohistorike, socioekonomike e sociokulturore, qëndrimi ndaj grupeve etnike, siç doli edhe deri më tash, ishte qëndrim që kishte një mbështetje të hershme sociohistorike, sociokulturore e sociopolitike, duke synuar një trajtim që do të mbështetej në qëndrimin respektues të ndërsjellë dhe jopolitizues. Kjo do të thotë se qëndrimi i dr. Ibrahim Rugovës për një trajtim të mirë të grupeve etnike, nuk synonte politizimin e kësaj çështjeje për interesa të ndryshme politike, siç do të bëhet më vonë nga të tjerë, përfshirë edhe vetë Beogradin, por synonte krijimin kushteve normale për jetë për të gjitha grupet etnike, të cilat përveç të drejtave tëtyre individuale dhe kolektive, do të kishin edhe obligimet e tyre ndaj shtetit të Kosovës, e ndër të cilat obligime kryesore do të ishte sjellja e mirë ndaj shqiptarëve, moslejimi i keqpërdorimit të tyre nga Beogradi dhe të tjerë, respektimi i sinqertë i shtetit të Kosovës dhe i strukturës etniko-territoriale të tij. Është e qartë se ky qëndrim nuk ishte as proverb, as kundërshqiptar, por ishte qëndrim i një burrështetasi të përgjegjshëm dhe përgjegjës për të gjithë qytetarët e Kosovës, për natyrën e shtetit të tij dhe për integritetin territorial, qoftë të jashtëm, qoftë edhe të brendshëm.

(vijon)