04 maj 2006

KOSOVA NË PRAG TË NJOHJES FORMALE TË PAVARËSISË

VETON SURROI KUJTON BORXHET E JASHTME TË KOSOVËS,
POR JO EDHE TË DREJTËN PËR SUKSESION
E AS BORXHET QË TË TJERËT I KANË KOSOVËS

Nga Aeroporti i Prishtinës, Veton Surroi u çon selam shqiptarëve të kujtojnë borxhet që Kosova u ka pasur shteteve, fondacioneve dhe institucioneve të tjera monetare ndërkombëtare, si një paralajmërim për atë që e pret Kosovën pas përcaktimit të statusit të saj politiko-juridik.

Shkruan: Rexhep KASTRATI

Derisa në Vjenë po zhvillohet takimi i katërt ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për çështjen e decentralizimit, dhe derisa revista të njohura botërore si “Njusvik” paralajmërojnë mundësinë që KS i OKB-së qysh në qershor të njohë edhe formalisht pavarësinë Kosovës, duke e shpallur atë shtetin më të ri në botë, Veton Surroi zgjodhi Aeroportin e Prishtinës për t’ua kujtuar shqiptarëve borxhet që Kosova ua ka shteteve dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare financiare qysh nga koha e ish-Jugosllavisë. Kujtesa e këtij borxhi nga Aeroporti i Prishtinës, sikur nënkuptonte se lidhja e Kosovës me botën do të bëhet nëpërmjet respektimit të këtij borxhi dhe kthimit të tij. Mirëpo, Veton Surroi harroi, apo nuk deshi që të kujtonte se pranimin e borxhit të jashtëm, kryetari i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova e ka bërë në kohën kur vetë Vetoni bënte lojën e opozitarit të Milosheviqit, përkatësisht në kohën kur dr. Ibrahim Rugova dhe lëvizja politike shqiptare e kishin ndërtuar shtetin e Kosovës, kurse vetë kryetari i këtij shteti nga bota njihej si lider i shqiptarëve të Kosovës, kurse nga Veton Surroi e ndonjë tjetër njihej vetëm si kryetar i LDK-së. Me këtë dua të them se shteti i Kosovës i formuar fill pas Referendumit për Pavarësi të vitit 1991, i ka pranuar të gjitha obligimet ndërkombëtare, e që janë shumë më shumë se sa borxhi i jashtëm i Kosovës, prandaj kjo dhe asnjë çështje tjetër nuk ka paraqitur problem për njohjen formale të pavarësisë së Kosovës. Mirëpo, dr. Ibrahim Rugova si kryetar i Kosovës, gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar, po ashtu ka kërkuar edhe të drejtën për suksesion që i takon Kosovës si ish-njësi e federatës jugosllave, ashtu siç i ka paralajmëruar investitorët e huaj, sidomos ata grekë e italianë që kishin të bënin me posttelekomin e Kosovës që të kenë kujdes se investimet e tyre nuk do të garantohen pasi që kur Kosova të njihet formalisht nuk do të njohë kontratat që këto kompani kanë bërë me Beogradin, qoftë për posttelekomin, qoftë për ndonjë sipërmarrje tjetër, siç është edhe “Trepça”. Kjo do të thotë, se qëndrimet largpamëse të dr. Ibrahim Rugovës, kanë bërë që t’i bëjnë të qartë të gjithëve se shteti i Kosovës përveçse do të pranojë të gjitha obligimet ndërkombëtare, ka kërkuar me të njëjtën vendosmëri edhe të drejtën për suksesion, si dhe mosnjohjen e kontratave që kompani të ndryshme të huaja bëjnë me Beogradin për pasuritë e Kosovës. Kjo i bie që as “Trepça”, e as posttelekomi dhe asnjë prej kompanive të tjera të Kosovës të mos e pranojnë asnjë nga borxhet që Beogradi ka krijuar pas heqjes së autonomisë së Kosovës, përkatësisht pas vendosjes së masave të dhunshme në këto kompani. Po ashtu, institucionet e Kosovës do të duhej që urgjentisht ta shtrojnë edhe çështjen e suksesionit të Jugosllavisë, pasi që asaj nuk i takojnë vetëm borxhet që i ka pasur si ish-njësi e federatës jugosllave, por edhe të drejtat tjera, ndër të cilat është edhe e drejta për suksesion. Dhe këtë të drejtë do të duhej ta kujtonte edhe Veton Surroi, dhe siç e përmendi borxhin e jashtëm të Kosovës, do të duhej të përmendte edhe të drejtën për suksesion, por edhe borxhet që ish-njësi të tjera të federatës jugosllave, përfshirë edhe Serbinë, i kanë pasur dhe i kanë Kosovës. Është çështje tjetër nëse Veton Surroi e ka keqpërdorur mundësinë që ia jep të qenit në krye të një partie politike dhe në Ekipin Negociator të Kosovës për të vënë kontakte me ndërkombëtarë, për të krijuar afarizëm për vete. Kur jemi këtu, nuk duhet harruar kurrë faktin se Veton Surroi është një nga bisnesmenët më të njohur dhe më të pasur të Kosovës, fillet e biznesit tët ët cilit duhet kërkuar pikërisht në kohën kur në kompanitë e Kosovës janë vendosur masa të dhunshme, përkatësisht në kohën kur këto u vunë nën kontrollin e Beogradit. Nëse Veton Surroi i shfrytëzon kontaktet zyrtare që ka si kryetar partie, e për më tepër si anëtar i Ekipit Negociator të Kosovës, për interesa të tij private, atëherë kemi arsye të dyshojmë për ndonjë pazarllëk jo të mirë dhe që mund të jetë edhe në dëm të procesit politik në Kosovë. Prandaj, ndoshta do të kish qenë mirë që në kohën kur ka deklaruar pasurinë dhjetamilionshe në euro, Veton Surroi të deklaronte edhe bizneset nëpërmjet të të cilave i ka fituar ato dhjetamilionë euro, në mënyrë që edhe opinioni i gjerë ta dijë se me çka tjetër merret Veton Surroi përpos politikës dhe medieve private. Në këtë mënyrë do të ishin më të qetë njerëzit, ashtu siç do të mund të kërkonin më me lehtësi që si biznesmen të kujtohej për të drejtat e kompanive të Kosovës për t’i vjelë borxhet që ia kanë kompani të ndryshme. Në anën tjetër, hiq më larg se sot ishte një kronikë televizive në televizionin e Veton Surroit, e që bënte fjalë për borxhin që “Trepça” ua paska kompanive të ndryshme, e në të cilat borxhe ishin llogaritur edhe borxhet e krijuara pas vendosjes së masave të dhunshme serbe në “Trepçë”. Dhe Veton Surroi do të duhej të deklarohej se a duhet të njihet edhe ky borxh nga “Trepça”, përkatësisht nga qeveria e Kosovës, ashtu siç do të kishte qejf Beogradi, apo nuk do të duhej të njihej, ashtu siç ka paralajmëruar këtu e dy-trembëdhjetë vite më parë, kryetari i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova? Sido që të jetë, nuk është lajm i mirë për Kosovën, që në prag të njohjes formale të pavarësisë së saj, shqiptarët paralajmërohen për borxhet që duhet kthyer, pa iu siguruar një herë e drejta për suksesin, si dhe e drejta për t’i vjelë borxhet që shtete të tjera, kryesisht ish-njësi të federatës jugosllave i kanë Kosovës. Me këtë rast nuk po i përmendi shumat e mëdha që Kosovës, kompanive të saj dhe qytetarëve të saj ua ka marrë Serbia nga xhirollogaritë ndryshme bankare, si dhe dëmet e luftës të shkaktuara nga ajo. Se po t’i përmendnim edhe ato, do të dilte një raport shumë i pafavorshëm të të tjerëve në raport me Kosovën, se sa i Kosovës në raport me të tjerët. Pas një privatizimi çoroditës dhe rrënues për ekonominë e Kosovës i kryer nga AKM-ja, theksimi i borxhit të jashtëm që e paska Kosova, dhe për më tepër mostheksimi i suksesionit dhe i borxhit që të tjerë i kanë Kosovës, lajmi i keq është se shteti i Kosovës, pas njohjes formale të tij, do të ballafaqohet me një tërësi vështirësish, nga të cilat do të mund të fitojnë vetëm ata që kanë lidhje politike me qendra të vendosjes politike dhe financiare. Dua të shpresoj se pjesa tjetër e Ekipit Negociator të Kosovës, gjatë procesit negociator për statusin e Kosovës, do të jenë më të vëmendshëm dhe do t’i kërkojnë edhe të drejtat e jo vetëm t’i pranojnë obligimet ndërkombëtare, edhe pse bisedat për decentralizimin e Kosovës e kanë komprometuar shumë këtë ekip. Kur them këtë mendoj kryesisht në njerëzit që në Ekipin Negociator janë si përfaqësues të linjës institucionaliste dhe ata se paku do të duhej që t’i mbesin besnik qëndrimeve të shprehura nga dr. Ibrahim Rugova para shumë vitesh, për çështjen e suksesionit dhe të mosrepsktimit të kontratave që kompani të ndryshme kanë bërë me Beogradin lidhur me pasuritë e Kosovës.