ASPEKTE TË KUNDËRRUGOVIZMIT (6)
PACIFZMI POLITIK I DR. IBRAHIM RUGOVËS DHE GANDIZMI
Një nga aspektet e kundërrugovizmit ka pasur të bëjë me zgjidhjen paqësore të statusit të Kosovës, përkatësisht të realizmit të pavarësisë së saj, e që ka qenë një nga elementet e rëndësishëm të filozofisë dhe të strategjisë politike të dr. Ibrahim Rugovës, që është keqinterpretuar nga kundërshtarët e tij si një inertizëm, shterpësi dhe pasivitet politik që i konvenon Beogradit, kurse nga të tjerë është identifikuar me gandizmin indian, përkatësisht me mënyrën e veprimtarisë së Mahtma Gandit. Në këtë vazhdim do të përpiqem të dëshmoj se pacifizmi i dr. Ibrahim Rugovës nuk ka pasur të bëjë me asnjërin prej këtyre interpretimeve, por ka qenë një koncept dhe një strategji e mbështetur në një vetëdije shtetërore të veprimit dhe të përgjegjësisë, në urtinë e Pjetër Bogdanit dhe në shembëlltyrën e Nënës Tereze.
Shkruan: Rexhep KASTRATI
Shqiptarët si komb janë ndër ata kombe që më së shumti kanë bërë luftëra për lirinë e tij, por që vazhdimisht janë dëmtuar qoftë në fushë të betejës, qoftë edhe në tavolina diplomatike. Që nga Iliria antike e këndej, hapësira gjeografike e ilirëve, e më pastaj pasardhësve të tyre, shqiptarëve, është rrudhur për të ardhur në fundshekullin e njëzet në një hapësirë të gjithëmbarshme prej rreth 45.000 – 50.000 km2, pa Çamërinë, të ndarë në disa shtete. Kjo kishte ndodhur për dy arsye themelore: a) për shkak se shqiptarët nuk bëjnë pjesë në ndonjë nga familjet e mëdha indo-evropiane, siç është puna me sllavët, dhe; b) për shkak të luftërave të shumta dhe të shpeshta që u janë imponuar shqiptarëve nga pushtues të ndryshëm. Këto kanë bërë që shqiptarët të mos shquhen sa dhe si duhet për një veprimtari të dalluar politiko-diplomatike, përkatësisht për të mbrojtur angazhimin luftarak të tyre për çlirim me një diplomaci të efektshme. As periudha e Gjergj Kastriotit, që konsiderohet si një nga periudhat më të rëndësishme të historisë ushtarake e politike të shqiptarëve në veçanti, por edhe e të gjithë rajonit tonë në përgjithësi, nuk është shquar për ndonjë bashkërendim të veprimtarisë ushtarake me një veprimtari të efektshme diplomatike. Është e qartë se duke mos i takuar ndonjë familje të madhe indo-evropiane, shqiptarët, as në kohën Gjergj Kastriotit nuk gjetën mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e popujve rreth tyre. Ndikimi i madh mbeturinave orientalo-bizantine, sidomos te sllavoortodoksët, origjina e tyre nomado-barbare, kishte refuzuar dorën e shtrirë të Gjergj Kastriotit për një luftë të përbashkët kundër Perandorisë Osmane. Princi serb, Gjuragj Brankoviqi, madje kishte penguar edhe funksionimin e aleancës me bazë krisitiano-katolike, ndërmjet Gjergj kastriotit dhe Janosh Hundiadit, pasi që nuk i ishte lejuar ushtarëve hungarezë në krye me Janosh Huniadin që të bashkoheshin në një front të përbashkët kundër Perandorisë Osmane. Sllavoortodoksët jo që nuk iu bashkuan koalicionit ballkano-kristian kundër Perandorisë Osmane, por edhe lidhën miqësi me Sulltan Muratin, padishahun osman të vendosur në qendrën kryesore të orientalo-bizantine, Konstatinopojën, përkatësisht Istambulin e osmanizuar. Në këtë mënyrë, sllavoortodoksët u bënë pengesë për bashkimin e gjithë ballkano-kristianëve në një front të përbashkët kundër Perandorisë Osmane. Interesat e ndryshme të popujve të ndryshëm të gadishullit tonë, kishin bërë që shqiptarët si të vetëm të hynin në një luftë me Perandorinë Osmane, sikurse Davidi me Goliatin, duke bërë që për një çerek shekulli shqiptarët të bëheshin mbrojtësit e vetvetes, por edhe të qytetërimit perëndimor evropian. Si shpërblim, Gjergj Kastrioti dhe shqiptarët patën mospërfilljen dhe mospërkrahjen efektive. Dhe kjo ndodhte pikërisht se shqiptarët nuk i përkisnin ndonjë familje të madhe indo-evropiane, kurse vetë si popull ishin shumë pak për të ngjallur interesimin e pjesës tjetër të Evropës për ta. Përkundër kësaj, shqiptarët nuk hoqën dorë nga angazhimi për ta ruajtur kulturën dhe qytetërimin e tyre pagano-kristian dhe përkatësinë evro-perëndimore të tyre, dhe në këto angazhime, për gjysmëshekulli treguan se sa të vendosur ishin për të mos lejuar shkatërrimin e kulturës dhe të qytetërimit të tyre. Për këtë arsye, Perandoria Osmane, pasi arrti që ta thyejë rezistencën e pandërprerë të shqiptarëve, filloi hakmarrjen e egër të tyre, duke i prekur pikërisht aty ku nuk e ka prekur asnjë popull tjetër evropian: në bazën pagano-kristiane të shqiptarëve. Derisa gjithë popujve të tjerë të Ballkanit nuk provoi t’ua ndryshonte fenë, t’ua ndryshonte përcaktimin e institucioneve të kultit, dhe duke u dhënë një shkallë të caktuar të autonomisë, apo thënë me terma modernë juridiko-politikë, duke u dhënë autonomi maksimale, shqiptarëve provoi t’ua ndërronte fenë, objekteve të tyre të kultit ua ndryshoi përcaktimin nga kisha në xhami dhe u ngarkoi obligime të tjera të rënda, ndër të cilat ishte edhe nizami, përkatësisht shërbimi i detyruar ushtarak. Kjo hakmarrje kaq e egër e Perandorisë Osmane ndaj shqiptarëve, ndodhte pikërisht se shqiptarët deshën ta mbrojnë kulturën, qytetërimin dhe identitetin e tyre pagano-kristian, si dhe përkatësinë evro-perëndimore të tyre. Në anën tjetër, periudha çerekshekullore e rezistencës së shqiptarëve në krye me Gjergj Kastriotin, u kishte dhënë kohë popujve të Evropës që të përgatiteshin, si dhe kishte bërë që të humbte efekti i befasisë dhe i shpejtësisë së ndërhyrjes osmane në Evropë. Imponimi vazhdueshëm i luftërave, mënyra feudale e të bërit të luftës dhe disa çështje të tjera, kishin bërë që shqiptarët të mos dinin të organizonin një diplomaci efektive për t’i mbrojtur qoftë rezultatet e luftës, qoftë tërësinë territoriale të tyre. Në mënyrën më shkollore kjo është parë në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, por edhe në kohën e luftërave ballkanike dhe në kohën e Luftës së Parë Botërore. As krerët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, as udhëheqësit e tjerë të kryengritjeve dhe të angazhimit politik e diplomatik të mëvonshëm, nuk arritën që të bëjnë një përcaktim të qartë gjeopolitik e gjeostrategjik, por u bënë masha kush në dorë të një shteti, kush të një shteti tjetër, duke e akuzuar madje njëri-tjetrin për veprimtari kundërkombëtare. Për pasojë të kësaj, që nga koha në prag të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e deri në fundin e Luftës së Dytë Botërore, tërësia territoriale shqiptare është zvogëluar nga rreth 150.000 km2 në rreth 45.000 – 50.000 km2, gjithnjë pa Çamërinë. Dhe bashkë me zvogëlimin e hapësirës gjeografike të shqiptarëve, ndodhën edhe masakrime, dëbime e humbje të substancës entike shqiptare. Qindra mijë shqiptarëve të dëbuar nga Sanxhaku i Nishit, i Prokuples etj., iu shtuan edhe qindra mijë të tjerë nga sanxhaqe, kaza e nahi të tjera shqiptare qoftë në veri, qoftë në jug të territoreve shqiptare. Dhe kjo ndodhi edhe gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur qindra mijë shqiptarë u dëbuan nga Çamëria, nga Kosova e territore të tjera shqiptare. Gjithë historia e shqiptarëve u mbush me varre, u mbush me dëbime, u mbush me gërmadha, u mbush me zaptime të territoreve shqiptare. Përballë këtyre fakteve tragjike, shqiptarët ose duhej të zgjidhnin veprimtarinë politiko-diplomatike, ose duhej të vazhdonin të shpërbënin substancën e tyre kombëtare. Dhe ishte fat për shqiptarët që një personalitet i tillë si dr. Ibrahim Rugova nuk u pushtua nga elemente nacionalromantike, por me përgjegjësi të madhe mori përsipër që të udhëheqë një lëvizje politiko-diplomatike, në të cilën dhe rreth të cilës i inkuadroi dhe i përmblodhi të gjithë shqiptarët. Me këtë element të filozofisë dhe të strategjisë së filozofisë politike, autori i librit “Strategjia e kuptimit “ dhe “Refuzimi estetik”, që janë vetëm disa nga librat e tij në fushë të letërsisë, dr. Ibrahim Rugova, përveçse po e zbatonte një koncept të tij të mëhershëm të rezistencës, të refuzimit, ai po e mishëronte edhe urtinë e Pjetër Bogadanit, të personalitetit të fuqishëm dhe të urtë, autorin e “Çetës së profetëve” (“Cuneus prophetarum”), që përfaqëson një sintetizim të traditës më të mirë pagano-kristiane, përkatësisht një përgjithësim dhe mishërim të bazës pagano-kristiane të identitetit kombëtar të shqiptarëve dhe të kulturës e qytetërimit të tyre evro-perëndimor, ashtu siç po e mishëronte edhe urtinë, butësinë dhe humanizmin e madh të Nënës Tereze. Përcaktimi i dr. Ibrahim Rugovës për një veprimtari politiko-diplomatike, pra kishte bazën edhe te formimi i tij intelektual dhe qytetar, dhe si i këtillë ishte larg konceptit gandian të rezistencës. Është kështu për faktin se gandizmi ishte një tërësi e mendimit politik, filozofik e shoqëror që origjinën e hiqte te hinduizmi, por mbi të gjitha te formimi intelektual e qytetar i vetë Mahtma Gandit. Dhe në formimin e tij intelektual e qytetar kishin ndikuar në masë të madhe edhe lëvizjet e ndryshme të lumpenproletariatit si dhe lëvizje të ndryshme të ludizmit. Në këtë kuptim, duhet thënë se padëgjueshmëria qytetare e Mahtma Gandit kishte shumë elemente të një veprimtarie sindikaliste, përkatësisht të një greve të përgjithshme të punëtorëve. Mbështetja e strategjisë së Mahtma Gandit kryesisht në refuzimin popullit indian për të punuar në industrinë e pambukut, të kripës etj., si mënyrë për ta shkaktuar dobësimin e ekonomisë londineze, ka pasur shumë ngjashmëri me grevat e ndryshme të punëtorëve për t’i imponuar qeverisë sigurimin e kushteve më të mira për punë dhe për jetë qoftë nga qeveria vetë, qoftë edhe nga punëdhënësit privatë. Në këtë mënyrë, gandizmi më shumë del një lëvizje e majtë politiko-shoqërore, se sa një lëvizje origjinale e Mahtma Gandit. Përcaktimi i mëvonshëm i Indisë në Lëvizjen e Mosinkuadrimit, i bën më të besueshme këto që po i them me këtë rast. Për dallim nga gandizmi, pacifizmi i dr. Ibrahim Rugovës karakterizohej nga një tërësi veprimesh politiko-diplomatike dhe institucionale, dhe si e tillë nuk kishte asgjë të përbashkët me ndonjë lëvizje sindikale. Në lëvizjen politike paqësore të drejtuar nga dr. Ibrahim Rugova ishin përfshirë të gjitha shtresat e shoqërisë dhe ishin vënë në zbatim të gjitha veprimet paqësore të refuzimit të pushtimit. Dr. Ibrahim Rugova dhe lëvizja e politike e drejtuar prej tij, i kishin bërë një refuzim institucional dhe shoqëror Serbisë dhe kishin ndërtuar një sistem institucional dhe shtetëror të funksionimit të Kosovës, duke e përcaktuar Kosovën një shtet që ishte në pozitë të një vendi të pushtuar në mënyrë klasike. Në kushtet e një pushtimi klasik, lëvizja politike shqiptare në Kosovë dhe në përgjithësi në ish-Jugosllavi, kishte ndërtuar institucionet klasike të shtetit, siç janë institucioni i Kryetarit të shtetit, institucioni i Kryeministrit dhe i Qeverisë së shtetit, institucioni Kuvendit të shtetit dhe një varg institucionesh të tjera shtetërore dhe shoqërore që e karakterizojnë shtetin. Ajo që ishte shumë e rëndësishme, te shqiptarët ishte krijuar dhe konsoliduar vetëdija institucionale dhe shtetërore e rezistencës dhe e realizimit të qëllimit politik. Për herë të parë, në mënyrë kaq të organizuar, shqiptarët si komb politikën e hoqën nga rruga dhe e futën në institucione, që mund të konsiderohet një fitore shumë e madhe dhe e pallogaritshme që pati jehonë shumë të madhe në gjithë bashkësinë ndërkombëtare. Përballë një situate luftarake, pra përballë luftërave të vazhdueshme në njësitë tjera të ish-federatës jugosllave, veprimtaria paqësore dhe në mënyrë politiko-diplomatike e shqiptarëve në krye me dr. Ibrahim Rugovën, për bashkësinë ndërkombëtare ishte një nga lajmet e mira që i merrte nga shqiptarët dhe nga rajoni në përgjithësi, dhe si shpresë së në Ballkanin e trazuar, megjithatë nuk kishte humbur arsyeja, përkatësisht nuk ishte shuar tërësisht vullneti për zgjidhje paqësore të konflikteve me bazë të hershme sociohistorike. Për këtë arsye, vetë dr. Ibrahim Rugova dhe filozofia e tij politike patën një përkrahje shumë të madhe në botë, kurse vetë shqiptarët, për herë të parë në përmasa të tilla u panë si popull jokonfliktual, jo problematik dhe paqësor. Tërthorazi, në këtë mënyrë sikur përgënjeshtroheshin teza të tilla si të Jovan Cvijiqit e të ndonjë tjetri për prapambeturinë, egërsinë dhe injorancën kolektive të shqiptarëve, si dhe për përkatësinë, mendësinë dhe frymën anadollake të tyre. Bashkë me elementet e tjera të filozofisë politike të dr. Ibrahim Rugovës, pacifizmi politik i tij dhe i lëvizjes politike shqiptare në përgjithësi, bënë që shqiptarët ta gjejnë veten në bashkësinë e popujve evro-perëndimorë, por edhe bashkësia ndërkombëtare të gjejë në Ballkan aleatin e saj më të sinqertë dhe më besnik. Nuk janë vetëm këto sukseset e dr. Ibrahim Rugovës dhe të filozofisë politike të tij, e që e karakterizoi lëvizjen politiko-diplomatike të shqiptarëve në përgjithësi, edhe pse nuk ishte pak që të konsolidoje vetëdijen shtetformuese tek shqiptarët e pushtuar gjatë shekujve dhe me pushtet të huaj, nuk ishte pak të krijoje e të forcoje besimin në veprimtarinë institucionale te shqiptarët, pas një kohe të gjatë të mungesës së besimit në to, nuk ishte pak që të ripërcaktoje, ripërkufizoje dhe të ridimensionoje përkatësinë pagano-krisitane dhe evro-perëndimore të identitetit kombëtar të shqiptarëve dhe të qytetërimit të tyre, pas gjithë asaj që kishin bërë shtetet pushtuese të shqiptarëve për ta shkatërruar këtë identitet dhe këtë përkatësi si dhe për ta fshehur para bashkësisë ndërkombëtare, por sukseset më të mëdha të filozofisë politike të dr. Ibrahim Rugovës dhe të lëvizjes politike që u mbështet në pacifizmin politik e diplomatik si koncept dhe strategji e veprimit politiko-diplomatik, ishin pa mëdyshje ruajtja e substancës etnike të shqiptarëve si dhe afirmimi maksimal ndërkombëtar i çështjes shqiptare në përgjithësi, e i situatës dhe i gjendjes në Kosovë në veçanti. Lëvizja politike paqësore e drejtuar nga dr. Ibrahim Rugova arriti që ta ruajë Kosovën nga sfida dhe provokime të tilla që do të impononin një gjendje lufte në Kosovë, me të cilën shqiptarët rrezikonin legjitimimin e spastrimeve etnike në Kosovë, si dhe shpërbërjen e çështjes së Kosovës si çështje që kërkon zgjidhje ndërkombëtare, përkatësisht kurdistanizimin, çeçenizimin dhe palestinizimin e çështjes shqiptare. Edhe pse njësi të tjera të ish-federatës së Jugosllavisë u munduan shumë që të hapin një të ashtuquajtur front të jugut në Kosovë, duke përdorur madje edhe filojugosllavët shqiptarë, që më vonë do ta formojnë linjën udbasho-jugosllave, falë urtisë bogdaniane dhe tereziane të dr. Ibrahim Rugovës, Kosova ia arriti që t’i thyejë të gjitha parashikimet e armiqve të shqiptarëve dhe të të tjerëve që dëshironin që Serbinë ta hiqnin nga vetja e ta gjuajnë në shpinë të Kosovës, duke ia marrë përfundimisht të drejtën Beogradit për të folur dhe për të vendosur për Kosovën, si dhe duke e përgatitur edhe Kosovën, edhe bashkësinë ndërkombëtare për sfida të reja të veprimit dhe të angazhimit në Kosovë dhe rreth Kosovës.
(vijon)


0 Comments:
Posto një koment
<< Home