04 maj 2006

ASPEKTE TË KUNDËRRUGOVIZMIT (8)

FILOZOFIA POLITIKE E DR. IBRAHIM RUGOVËS
DHE ELEMENTE TË KONFLIKTIT IDEOLOGJIK

Një aspekt më vete të kundërrugovizmit që nga dalja në skenë e dr. Ibrahim Rugovës që filozofinë tij politike e bëri filozofi politike të lëvizjes politike shqiptare në Kosovë dhe në ish-Jugosllavi, krahas aspekteve që i kam shqyrtuar gjer më tani, është edhe aspekti i një lufte ideologjike që nacionalsocialistët dhe jugosllavokomunistët e bënë ndërmjet vete dhe kundër filozofisë politike të dr. Ibrahim Rugovës.

Shkruan: Rexhep KASTRATI

Në të gjitha vendet komuniste, regjimet komuniste kishin qenë të kujdesshme dhe të vëmendshme që edhe pas përmbysjes së tyre, në regjimet e reja postkomuniste dhe parademokratike të jenë të pranishme në të gjitha nivelet e përfaqësimit politik. Në këto vende, ish-partitë komuniste, puniste e sovjetet e ndryshme u shndërruan në parti të tipit socialdemokrat, duke provuar në këtë mënyrë që të kenë vazhdimësinë e funksionimit të tyre. Përveç kësaj, elemente filokomuniste, prokomuniste dhe neokomuniste u infiltruan në organizimet e reja politike që u krijuan në këto vende. Kështu ka ndodhur që ish-komunistë të ndryshëm të bëhen drejtues partish jokomuniste. Kosova, ndërkaq, paraqet një përjashtim për sa i përket kalimit të Lidhjes Komuniste të Kosovës në një parti tjetër, ta zëmë në një Parti Socialiste, por nuk shpëtoi dot nga krijimi i partive me bazë socialdemokrate të drejtuar nga ish-drejtues komunistë. Partia Socialdemokrate e Kosovës drejtohet nga dy ish-drejtues të lartë të Lidhjes Komuniste të Kosovës: Kaçusha Jashari dhe Iljaz Kurteshi. Në anën tjetër, në lëvizjen politike të Kosovës të drejtuar nga dr. Ibrahim Rugova, krahas nacionalsocialistëve shqiptarë, u infiltruan njerëz të ish-regjimit, qoftë për t’u rehabilituar, qoftë për të dhënë kontributin e tyre. Në këtë kontekst është shfaqur edhe një element tjetër i filozofisë politike të dr. Ibrahim Rugovës, e që ka të bëjë me konceptimin e lëvizjes politike shqiptare si një lëvizje të të gjithë shqiptarëve pavarësisht nga bindjet politike, por edhe pavarësisht nga e kaluara e tyre. Kjo do të thotë se filozofia politike e dr. Ibrahim Rugovës nuk ishte përjashtuese, pra ishte e hapur për të gjithë ata që mund dhe duan të kontribuojnë për arritjen e qëllimit politik; krijimin e shtetit të Kosovës. Përderisa në shtete të tjera ishte shfaqur një konflikt ndërmjet demokratëve të sotëm dhe komunistëve të djeshëm, konflikt që e ka dominuar për një kohë relativisht të gjatë jetën politiko-partiake të këtyre vendeve, në Kosovë më shumë bëhej fjalë për një lloj sinkretizmi, për një lloj përbashkimi dhe për një lloj bashkëveprimi, se sa për një konflikt të tillë mbi baza ideologjike. Përbashkues të gjithë kësaj kishte qenë dr. Ibrahim Rugova, i cili me filozofinë e tij politike u pranua si një lider politik e më vonë edhe institucional nga pjesa dërmuese e shqiptarëve të Kosovës dhe të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Mirëpo, edhe pse e drejtuar nga një autoritet i padiskutueshëm, siç ishte dr. Ibrahim Rugova, lëvizja politike në Kosovë, nuk u shpëtoi tendencave të ndryshme të dy rrymave të tjera politike: asaj nacionalsocialiste dhe asaj të filokomunistëve për ta imponuar filozofinë e tyre politike si filozofi dominuese të saj. Përderisa nacionalsocialistët e mbledhur rreth Hydajet Hysenit në fillim, e më pastaj rreth Rexhep Qosjes, provuan që nga brenda ta marrin kalanë, filokomunistët, apo thënë më mirë pinjojtë e komunistëve, u munduan që me veprime politike më vete të provojnë të marrin primatin në lëvizjen politike shqiptare të Kosovës. Dalja në skenë e djalit të ambasadorit, Veton Surroit nëpërmjet SHIDJ-it (UJDI-t) të themeluar nga Ante Markoviq, sikur paralajmëroi se jugosllavokomunizmi do të provonte që të mbijetonte në Kosovë nëpërmjet formave alternative politike. E konceptuar si një shoqatë, e ngjashme me OJQ-të e sotme, apo edhe si lista politike që i kanë serbët në Kosovë, Shoqata për Iniciativë Demokratike Jugosllave (SHIDJ) dhe themeluesi i saj, kryeministri i atëhershëm jugosllav, Ante Markoviq, kishte provuar që të shfaqej kujdeshëm në skenën politike e publike në ish-Jugosllavi. Nuk ishte provuar që të dilej me emra partie apo të ngjashme, pasi që në kapërthyerjet ideologjike e politike, mund të mos ishin të favorshme, prandaj angazhimin e saj politik SHIDJ-i (UJDI) provoi ta bënte si një shoqatë, si një OJQ, apo si një listë qytetare. E drejtuar në Kosovë nga Veton Surroi, SHIDJ-i mblodhi rreth vetes pinjoj të komunistëve si dhe individë të tjerë që me çdo kusht donin të kapeshin diku. Mirëpo, për shkak të furisë me të cilën në hapësirën e ish-Jugosllavisë dolën parti politike me orientime jokomuniste dhe të tjera, SHIDJ-i përjetoi fatin e themeluesit të saj, pra u shpërbë. Kjo në radhë të parë vlen të thuhet për Kosovën, e cila me daljen në skenë të LDK-së, e filloi një lëvizje politike serioze që do ta dominojë jetën politike gjatë tërë këtyre viteve. Edhe pse lëvizja politike e drejtuar nga dr. Ibrahim Rugova ishte dominuese dhe përcaktuese, pinjojt e komunistëve si Veton Surroi, Shkëlzen Maliqi, Baton Haxhiu e të tjerë, angazhimin e tyre e vazhduan tashmë nëpërmjet një reviste javore “Koha”, të cilën e drejtonte Veton Surroi, dhe nëpërmjet filalave të organizatave, shoqatave e fondacioneve të ndryshme siç ishte “Sorosi”. Kjo mënyrë e veprimtarisë, bëri që pinjojtë e komunistëve të rifunksionalizojnë lidhjet e hershme, sidomos Veton Surroi, me miq të babait të tij jashtë, për të cilët me siguri se do të shkruaj jashtë këtij konteksti, pra jashtë kontekstit të shpërfaqjes së aspekteve të kundërrugovizmit, të cilët më tej i mundësuan lidhje dhe pranim në qarqe të ndryshme politike e diplomatike. Edhe pse vetëm botues i një reviste, e më pastaj edhe i një të përditshmeje që vazhdon të dalë sot e gjithë ditën, Veton Surroi u bë bashkëbisedues i diplomatëve të huaj për çështjen e statusit të Kosovës. Me një forcë të tillë politike, por edhe me forcë të madhe financiare që dita-ditës bëhej më e madhe, Veton Surroi mori guximin dhe të provojë të lëvizë nga vendi stepjen e kundërshtarëve të dr. Ibrahim Rugovës. “Koha”, e më pastaj edhe “Koha ditore” u bënë zëdhënëse të kundërrugovizmit në Kosovë. Këto, bashkë me “Forumin” e Adem Demaçit, u bënë në të vërtetë, mjete të propagandës kundërrugovë dhe kundërldk, duke synuar dobësimin e pse jo edhe rrënimin e tyre. Në këtë mes duhet përmendur edhe “Zërin” e Blerim Shalës, një reviste joprivate që vepronte e vepron si të ishte private. Mirëpo nuk u desh shumë kohë që në skenën politike të Kosovës të shfaqet një konflikt jo i përmasave të mëdha ndërmjet jugosllavokomunistëve, marksist-leninistëve, apo siç i kam quajtur në këtë fejton, nacionalsocialistëve dhe linjës insitucionaliste, edhe pse kjo e fundit vetëm ishte bërë objekt i këtij konflikti e jo edhe subjekt i tij. Ky lloj konflikti fillimisht u shfaq te Parlamenti Rinor, i transformuar më pastaj në Parti Parlamentare, e në të cilën primatin e patën herë pinjojtë e komunistëve, siç ishin Blerim Shala e Veton Surroi, herë marksist-leninistët, përkatësisht nacionalsocialistët si Bajram Kosumi, Adem Demaçi etj. Këtë konflikt e fituan marksist-leninistët, përkatësisht nacionalsocialistët, pasi që Partinë Parlamentare e bënë parti të tyre. Marksist-leninistët, përkatësisht nacionalsocialistët, qenë duke e marrë edhe LDK-në, sikur të mos ishte mjeshtëria e dr. Ibrahim Rugovës, autoriteti i padiskutueshëm në popull si dhe vendosmëria e tij për ta ruajtur karakterin thellësisht nacionaldemokratik e liberaldemokratik të LDK-së dhe të të gjithë lëvizjes politike shqiptare në Kosovë. Dominimi i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së nga grupi i Hydajet Hysenit, por edhe i Kryesisë së LDK-së, që nga Kuvendi i Dytë i LDK-së më 1994, e derisa nuk u largua ky grup nga LDK-ja në Kuvendin e Tretë të LDK-së më 1998, janë disa nga sukseset e nacionalsocialistëve. Mirëpo, edhe pse në një situatë të tillë, grupi i Hydajet Hysenit nuk arriti kurrë që ta imponojë konceptin e vet e as marrjen e kalasë nga brenda, në kuptimin e dobësimit apo të rrënimit politik të dr. Ibrahim Rugovës dhe të filozofisë politike të tij. Përkundrazi, edhe pse me shumicë në organet e larta drejtuese të LDK-së, nacionalsocialistët e prirë nga Hydajet Hyseni, u bënë trumbetues të filozofisë politike të dr. Ibrahim Rugovës. Këtë e bënë që në emër të dr. Ibrahim Rugovës dhe të filozofisë së tij politike të fitonin autoritet në popull në mënyrë që pasi të forcohen sa duhet, të provojnë që ta rrënojnë atë. Fakti se në Kuvendin e Tretë të LDK-së i mbajtur më 1998, grupi i Hydajet Hysenit u detyrua që të tërhiqet, dëshmon se e humbi në mënyrë shumë paqësore, në mënyrë shumë politike dhe në mënyrë shumë demokratike betejën për rrënimin politik të dr. Ibrahim Rugovës dhe të filozofisë së tij politike. Në anën tjetër, pinjojt e jugosllavokomunistëve , duke qenë të humbur edhe në raport me dr. Ibrahim Rugovën, edhe në raport me nacionalsocialistët, u treguan me të kujdesshëm dhe më dinakë. Ata pritën epilogun e luftës kundërrugovë të bërë nga nacionalsocialistët, në mënyrë që të kalonin në veprim, duke u bërë vetë nëpërmjet “Kohës ditore” nxitëse të kësaj lufte, me metodën mirë me të gjithë e kundër të gjithëve. Kjo metodë djallëzore që në të vërtetë synonte rrënimin e të dy palëve: të nacionalsocialistëve dhe të institucionalistëve, nëpërmjet nxitjes së konfliktit të ndërsjellë, bëhej aq agresive sa rritej pranueshmëria e pinjojve të jugosllavokomunistëve në arenën ndërkombëtare. Dhe pikërisht në bashkëbisedimet me ndërkombëtarët, pinjojtë e jugosllavokomunistëve në krye me Veton Surroin provuan që ta dobësojnë pozitën e dr. Ibrahim Rugovës në arenën ndërkombëtare. Kjo mënyrë e angazhimit të jugosllavokomunistëve për rrënimin e dr. Ibrahim Rugovës dhe të filozofisë politike të tij, ka bërë që lëvizja politike shqiptare në Kosovë të binte shpesh në siklet. Kjo sidomos pas kundërshtimit të dr. Ibrahim Rugovës për të marrë pjesë në zgjedhjet serbe dhe bashkimin e shqiptarëve me opozitën serbe për përmbysjen e Milosheviqit. Ashtu siç kam shkruar edhe dje, jugosllavokomunistët e moderuar gati se në vazhdimësi kanë mbajtur qëndrim prej opozite ndaj regjimit të Milosheviqit, regjim i cili ia kishte lejuar Veton Surroit që ta botonte “Kohën” e më pas edhe “Kohën ditore”, si dhe regjim që kishte arritur që Jovica Stanishiqin, shefin e Sigurimit Shtetëror Serb, ta bënte edhe mik të Baton Haxhiut, kryeredaktor të atëhershëm të “Kohës ditore” dhe një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Veton Surroit. Dhe dr. Ibrahim Rugova, edhe pse i rrethuar nga njerëz që synonin rrënimin e tij dhe të filozofisësë tij politike, i sulmuar politikisht nga të gjitha anët, ia arriti që jo vetëm të qëndrojë vertikalisht, por edhe ta sendërtojë gjithë infrastrukturën shtetërore të një shteti të pushtuar dhe të kolonizuar, duke bërë që në Kosovë, megjithatë, edhe lufta e nacionalsocialistëve, edhe e pinjojve të jugosllavokomunistëve të përfundojë si një veprimtari OJQ-sh, prej nga më vonë do të dalë një OJQ e tipit të SHIDJ-it të Ante Markoviqit, e që quhet “Ora” dhe që drejtohet nga kush tjetër, pos nga drejtuesi i degës së SHIDJ-it për Kosovë, Veton Surroi.
(vijon)