02 maj 2006

ASPEKTE TË KUNDËRRUGOVIZMIT(7)

DALLIMI NDËRMJET PACIFIZMIT POLITIK TË DR. IBRAHIM RUGOVËS
DHE FORMAVE TË TJERA JO TË DHUNSHME POLITIKO-SHOQËRORE

Pacifizmi i dr. Ibrahim Rugovës nuk ka qenë ndryshe vetëm në raport me gandizmin si një mënyrë jo e dhunshme e veprimit politik, por edhe me disa forma të tjera të jo të dhunshme që u panë në Koosvë, sidomos në fillimet e lëvizjes politike të drejtuar nga dr. Ibrahim Rugova, të cilat më shumë se sa veprime pacifiste, ishin veprime pacifizuese dhe një deformim i pacifizmit si veprim jo i dhunshëm politik.

Shkruan: Rexhep KASTRATI

Lëvizja politike paqësore e drejtuar nga dr. Ibrahim Rugova, ashtu siç doli edhe nga vazhdimi i djeshëm, në të vërtetë ishte një mënyrë, një koncept dhe një strategji e veprimit politik shtetëror, institucional dhe politiko-diplomatik. Si e këtillë, lëvizja politike paqësore, pra pacifizmi politik i dr. Ibrahim Rugovës, ishte në kundërshtim me politikën klasike të rrugës, ashtu siç ishte gjatë viteve ’80 në Kosovë e gjetiu, dhe që u provua të zbatohej edhe gjatë fillimit të viteve të ’90 të shekullit të kaluar, e që në thelb kishin shumë elemente të lëvizjeve sindikaliste dhe të konceptimeve marksiste-leniniste të revolucionaritetit. Edhe pse lëvizje jo e dhunshme politike, lëvizja politike e drejtuar nga dr. Ibrahim Rugova nuk synonte paqtimin pasiv dhe inert të energjive kolektive të shoqërisë shqiptare në Kosovë, ashtu siç nuk kishte për qëllim që nga pozitat e një lufte klasash të ndërmerrte veprime revolucionare ideologjike. Ajo synonte në radhë të parë ndërtimin e një varg mekanizmash të veprimit politiko-diplomatik që në planin e brendshëm dhe atë të jashtëm të përcaktonin këtë lëvizje si një lëvizje shumëplanëshe shtetërore dhe partnere me bashkësinë ndërkombëtare për zgjidhjen politike të kontesteve ndërshtetërore. Si e këtillë, kjo lëvizje nuk ka asgjë të përbashkët, përveç jo dhunës, me veprime të tilla si “varrosja e dhunës”, e organizuar nga Veton Surroi dhe Adem Demaçi, që në të vërtetë ishte një përpjekje për pacifizimin inert dhe pasiv të shqiptarëve, komprometimin e lëvizjes politike paqësore të drejtuar nga dr. Ibrahim Rugova, e që është më keq, edhe devalvimin e kësaj lëvizje, në një lëvizje të thjeshtë opozitare, e jo në një lëvizje shtetërore, në një kompleks veprimesh politiko-diplomatike institucionale. “Varrosja e dhunës”, zhurma e çelësave, e sirenave të traktorëve dhe rrapëllima e tenxhereve dhe e kusive, në të vërtetë, bënin devalvimin e problemit të Kosovës në një problem të drejtash njeriu dhe të drejtash sindikale, e jo në një problem që ka të bëjë me vullnetin kolektiv të qytetarëve të Kosovës për statusin politiko-juridik të saj. Dr. Ibrahim Rugova dhe lëvizja politike e drejtuar prej tij, siç ishte krejt normale dhe në logjikën e vetëdijes dhe të veprimit shtetëror, nuk e pranonte në asnjë mënyrë devalvimin e saj në një lëvizje opozitare në raport me Serbinë, as devalvimin e problemit të Kosovës në çështje të drejtash të njeriut apo të drejtash sindikale, prandaj edhe qëndrimi ndaj Serbisë, ishte qëndrim ndaj një shteti tjetër që në Kosovë manifestohej vetëm nëpërmjet institucioneve të dhunës dhe të dhunshme. Me fjalë të tjera, lëvizja politike paqësore e drejtuar nga dr. Ibrahim Rugova ia kishte kontestuar dhe në fund edhe ia kishte marrë legjitimitetin Serbisë për ta sunduar Kosovën dhe me Kosovën. Prandaj, edhe pse pa njohje formale, shteti i Kosovës i ndërtuar dhe i drejtuar nga dr. Ibrahim Rugova dhe lëvizja politike e drejtuar prej tij, konsiderohej shtet paralel, por sido që të jetë, konsiderohej shtet. Ishte e qartë edhe për bashkësinë ndërkombëtare, edhe për vetë Serbinë se de facto Kosova tashmë ishte një entitet i veçantë me të gjitha strukturat politiko-diplomatike të mundshme për rrethanat, e rrjedhimisht ishte një realitet që priste konfirmimin zyrtar ndërkombëtar. Miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës në shtator 1990, mbajtja e Referendumit për Pavarësinë e Kosovës, zgjedhjet për kryetarin e Republikës dhe për Kuvendin e Republikës, të vëzhguara nga vëzhgues ndërkombëtarë, e shndërruan Kosovën dhe shoqërinë e saj në një shtet faktik, ku përveç logjikës shtetërore, funksiononte edhe praktika shtetërore e legjitimimit të pushtetit, e cila përfundimisht e vendosi Kosovën në pozita ndërshtetërore me Serbinë. Në anën tjetër, përpjekja për ndonjë lëvizje tjetër pacifizuese në Kosovë, si ato që i përmenda më lartë, e që ende vazhdonin që ndaj Serbisë të shfaqnin elemente të veprimit opozitar, nuknishte ndërprerë. Këtë e bën më të qartë adresimi i problematikës së Kosovës dhe të shqiptarëve si pasojë e një regjimi të egër si puna e regjimit të Milosheviqit, e jo si pasojë e një qëndrimi shtetëror, mbipartiak e jashtëpartiak që Serbia ka mbajtur vazhdimisht ndaj Kosovës. Në këtë mënyrë u krijua përshtypja, sado jo aq e përfillshme, se me rënien e Milosheviqit, do të ndryshojë edhe trajtimi i keq i shqiptarëve nga ana e Serbisë. Për këtë arsye, pati edhe përpjekje që të imponohet ndonjë marrëveshje me Beogradin, apo që të ketë një bashkëveprim ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve për ta përmbysur Milosheviqin. Vizita e Paniqit në Prishtinë dhe oferta e tij për një Republikë të Kosovës në kuadër të Jugosllavisë, si premtim për ta bindur dr. Ibrahim Rugovën që të marrë pjesë në zgjedhjet e Serbisë për ta rrëzuar Milosheviqin, ishte një shembull konkret i përpjekjeve që lëvizja politike paqësore shqiptare të devalvohej në një lëvizje opozitare në raport me Serbinë, përkatësisht me regjimin e Milosheviqit. Ashtu siç nuk lejoi që të realizoheshin dëshirat e disa njësive të ish-federatës jugosllave për t’u hapur një front jugor në Kosovë, dr. Ibrahim Rugova nuk lejoi që lëvizja politike paqësore e drejtuar prej tij të devalvohej në një lëvizje politike opozitare. Prandaj, u sulmua hatashëm, u sha e u fye në mënyrë primitive nga ata shqiptarë të mjerë që ishin dakord që lëvizja politike paqësore shqiptare të devalvohej në një lëvizje opozitare. Mirëpo, nuk ishin vetëm sharjet, fyerjet dhe sulmet e ndryshme që iu bënë dr. Ibrahim Rugovës dhe lëvizjes politike të drejtuar prej tij, ato që e karakterizuan kundërrugovizmin e hershëm në Kosovë. Më tepër se kaq, nuk u ndal kurrë angazhimi për ta shndërruar këtë lëvizje në lëvizje opozitare. Shembulli më tipik është angazhimi i Demaçit, i Bukoshit dhe i Berishës në Tiranë, që shqiptarët t’i bashkoheshin opozitës serbe në krye me Vuk Drashkoviqin, e cila në fund të vitit 1996 dhe në fillim të vitit 1997 kishte filluar disa protesta për rrëzimin e Milosheviqit. Thirrja e hapur që u bë për bashkimin e shqiptarëve me opozitën serbe, ishte thirrja që do të fundoste ndërkombëtarizimin e problemit të Kosovës, që do ta zhbënte gjithë atë punë që ishte bërë gjer atëherë, si dhe do të provonte që ta nxirrte nga politika vetë dr. Ibrahim Rugovën. Në këtë mënyrë, bashkimi i shqiptarëve me opozitën serbe, do të dilte edhe si bashkim për përmbysjen e dr. Ibrahim Rugovës dhe të lëvizjes politike të drejtuar prej tij, si dhe krijimi i epërsive politike, diplomatike e shoqërore të Serbisë në raport me shqiptarët dhe me Kosovën. Kundërshtimi i fuqishëm që iu bë kësaj përpjekjeje kundërkombëtare nga ana e dr. Ibrahim Rugovës, e vuri në siklet jo vetëm Beogradin, por edhe ithtarët e pozicionit opozitar të problematikës së Kosovës që ishin shumë aktivë në Kosovë. Ajo që i vuri në siklet të gjithë kundërrugovistët, ishte pikërisht vendosmëria e dr. Ibrahim Rugovës për të mos lejuar gabime politike e strategjike, si dhe përkrahja shumë madhe që kishte nga populli. E kishin të qartë përfundimisht të gjithë se dr. Ibrahim Rugova ishte shndërruar në një udhëheqës shpirtëror të shqiptarëve, veprimet e të cilit miratoheshin gjerësisht nga populli, prandaj edhe përfaqësonte tipin e politikanit më me ndikim në Kosovë dhe në hapësirat e tjera shqiptare nën ish-Jugosllavinë. Me gjakftohtësi, durim, urti e mençuri, dr. Ibrahim Rugova i mbeti besnik projektit për pavarësinë e Kosovës dhe për njohjen formale të saj. Është kështu, sepse tashmë në Kosovë funksiononte shteti i krijuar nga populli dhe i drejtuar nga lëvizja politike shqiptare, dhe ky shtet vazhdonte të ndërtohej çdo ditë, ashtu siç ndërtohej çdo ditë sistemi shtetëror i diplomacisë së Kosovës. Ishte e qartë për të gjithë se Serbia në Kosovë kishte humbur çdo legjitimitet, përveç të ashtuquajturit legjitimitet të dhunës. Këtë më shumë se çdo kush tjetër e kishte të qartë vetë dr. Ibrahim Rugova, i cili tashmë kërkonte njohjen formale të pavarësisë së Kosovës...
(vijon)