05 maj 2006


ÇËSHTJA E FLAMURIT DHE E HIMNIT TË SHTETIT TË KOSOVËS

Në sistemin e filozofisë së tij politike, dr. Ibrahim Rugova vend të posaçëm i ka dhënë çështjes së flamurit dhe të himnit të shtetit të Kosovës, duke synuar që edhe nëpërmjet tyre të ngërthejë konceptin e tij për natyrën dhe veçantitë iliro-dardane të këtij shteti.

Shkruan: Rexhep KASTRATI

Një ndër çështjet themelore për çdo shtet është çështja e simboleve të saj me të cilat do të identifikohet nga të tjerët, si dhe me të cilat do të mund të anëtarësohet në organizma të ndryshëm ndërkombëtarë. Në konceptin e tij për shtetin, dr. Ibrahim Rugova pati një besnikëri të theksuar ndaj bazës pagano-kristiane të identitetit kombëtar të shqiptarëve dhe ndaj përkatësisë evro-perëndimore të tyre. Kjo nuk vlen vetëm për natyrën funksionale dhe identifikuese të shtetit si një entitet terriitorialo-juridik, por edhe për simbolet e saj shtetërore. Flamuri i presidentit të Kosovës, i konceptuar që të jetë flamur i shtetit të Kosovës, në vete ngërthen elementet sinkronike dhe diakronike të gjallimit iliro-shqiptar gjatë shekujve dhe gjatë mileniumeve, ashtu siç ngërthen edhe elemente të përkatësisë evro-perëndimore të tyre. Sfondi i kaltër i flamurit shtetëror të Kosovës, shenjon përkatësinë evro-perëndimore të shqiptarëve, përkatësisht ngjashmërinë me sfondin e flamurit të Bashkimit Evropian. Në qendër të këtij sfondi të kaltër është një rreth ngjyrë ari, brenda të cilit është një sfond tjetër, por me ngjyrë të kuqe, që është sfondi i atij që quhet flamur kombëtar i shqiptarëve. Në hapësirën e këtij sfondi të kuq, gjendet shqiponja dykrenore, si në atë që quhet flamur kombëtar i shqiptarëve, mbi kokat e të cilës gjendet stela ilire me gjashtë cepë me ngjyrë të artë, ngjashme me stelën e gjendur mbi kokat e shqiponjës në stemën e Kastriotëve. Përveç këtyre elementeve, në pjesën qendore të shqiponjës dykrenore gjendet një si stemë me dy kënde të drejta në pjesën e sipërme, dhe gjysmëharkore në pjesën e poshtme. Dy pjesë të saj, e majta lartë dhe djathta poshtë janë me ngjyrë ari, kurse dy të tjerat janë me ngjyra të ndryshme: e djathta lartë është me ngjyrë të kuqe, kurse e majta poshtë është me ngjyrë të zezë. Në të dy pjesët me ngjyrë të artë, janë dy rrathë të lashtë ilirë, që përbëjnë një nga elementet e simboleve diellore, ashtu siç janë edhe disku dhe rrathët koncentrikë. Këta rrathë janë të ndarë në tetë pjesë, duke shenjuar katër anët themelore të hapësirës dhe katër të tjerat të ndërmjetme. Si stela ilire, ashtu edhe rrathët e lashtë ilirë janë pjesë të një tërësie konceptuale religjioze, përkatësisht si shënjuese të besimit të ilirëve në Diellin. Dielli, përkatësisht zoti i diellit dhe i vetëtimës, përfaqëson një nga elementet kryesore, në mos edhe kryesorin në sistemin religjioz pagano-politeist, por edhe një nga burimet kryesore natyrore të dritës dhe të nxehtësisë, e që janë të domosdoshme për jetën në Tokë dhe si i tillë ka përfaqësuar një nga elementet themelore të identitetit të ilirëve, e që në mënyra të tjera është bartur ne tërësinë konceptuale, etike, morale dhe filozofike të identitet iliro-shqiptar të kombit që ka këtë emër. Prania e stelës ilire edhe në vula e stema të princërve arbëroro-shqiptarë, e së këndejmi edhe në stemën e Kastriotëve, është një argument që shkon në favor të kësaj. Mirëpo, ajo që e bën më të kapshëm këtë vazhdimësi të simbolikës së diellit në tërësinë konceptuale të metafizikës kombëtare të shqiptarëve, paraqet fakti se në asnjë pjesë të tërësisë territoriale shqiptare sharja e diellit, nuk hyn në tërësinë e sharjeve dhe të fyerjeve, ashtu siç e kanë serbët. Shqiptarët shajnë me nënë, dhe më të tjerë, por nuk shajnë me diell dhe me Zot. Kjo vlen sidomos për pjesën dardane të territoreve shqiptare. Edhe çështja e plisit të bardhë, mund të konsiderohet si një nga simbolikat që kanë të bëjnë me respektin e madh ndaj diellit. Megjithëse me forma të ndryshme, plisi i bardhë, sidomos në hapësirën e sotme të Dardanisë, e ka ruajtur formën gjysmëharkore të diellit. Pra, edhe besimi në diellin, përkatësisht në zotin e diellit, ka pësuar modifikimin e tij gjatë periudhës shumëshekullore të gërshetimit të paganizmit ilir me kristianizmin, ashtu siç kanë pësuar modifiko edhe elemente të tjera të metafizikës ilire, siç janë epika legjendare, festat e ndryshme etj. Megjithatë, të gjitha këto elemente kanë mbetur elemente thelbësore të vazhdimësisë iliro-shqiptare, si dhe i lashtësisë së shqiptarëve në gadishullin ilirik. Si të këtilla, këto elemente janë bërë pjesë e flamurit të shtetit të Kosovës, të atij shteti të konceptuar nga dr. Ibrahim Rugova, si vazhdimësi të Dardanisë antike. Dhe sikur për të theksuar këtë, në pjesën qendrore të shqiponjës dykrenore është vendosur një fjongo e bardhë dhe në të cilën me shkronja të mëdha shkruan: DARDANIA. Është e qartë se flamuri i këtillë dhe që është përdorur nga dr. Ibrahim Rugova si flamur i Presidentit në të gjitha rastet zyrtare në Presidencë dhe jashtë saj nga LDK-ja dhe në përgjithësi nga linja institucionaliste, ka përmbyllur sistemin filozofiko-politik të dr. brahim Rugovës, e rrjedhimisht edhe gjithë sistemin shtetëror të konceptuar nga ai, e që identifikohej me identitetin daradano-shqiptar të Kosovës. Është kështu për faktin se edhe vula e Presidentit përbëhet prej të njëjtëve elemente sikurse flamuri, vetëm se vula është e rrumbullakët dhe në sfondin e kaltër me shkronja të mëdha shkruan: VULA E PRESIDENTIT TË KOSOVËS. Duhet thënë se ky flamur dhe kjo vulë e Presidentit nuk janë pranuar kurrë nga linja e Tiranës/Kretës dhe nga ajo udbasho-jugosllavokomuniste, ashtu siç nuk është pranuar as himni i propozuar nga dr. Ibrahim Rugova, e që është një himn që ngërthen përvojën më të mirë dhe më frytdhënëse të kryengritjeve shqiptare në Kosovë gjatë kryengritjeve të fillimshekullit njëzet e deri në shpalljen e pavarësisë në Vlorë më 1912. “Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë”, është një nga këngët më popullore, ngritur në himn dhe në marsh frymëzimi për qindra e mijëra shqiptarë të Vilajtetit të Kosovës në kryengritjet e tyre të vazhdueshme për liri e pavarësi. Është fakt i pranueshëm nga historiografia shqiptare se kryengritjet e shqiptarëve të Vilajtetit të Kosovës, sidomos ato të viteve 1910, 1911 e 1912, ishin kryengritjet më të mëdha dhe më të efektshme, e që mundësuan krijimin e rrethanave për shpalljen e pavarësisë së shtetit shqiptar më 1912. Çlirimi i kryeqytetit të Vilajtetit të Kosovës, Shkupit nga kryengritësit shqiptarë në krye me ideologun e tyre, Hasan Prishtina, ishte një nga sukseset e kryengritësve shqiptarë, e që ndikuan drejtpërdrejt në krijimin e rrethanave për shpalljen e pavarësisë së shtetit shqiptar. Edhe pse dihet se si përfundoi në tërësi historia e këtyre kryengritjeve, duhet thënë se “Kur ka ra kushtrimi n”Kosovë, ka qenë një nga marshet-himne që është kënduar nga kryengritësit shqiptarë që kanë hyrë në Shkup më 1912. Si i këtillë, “Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë” i ka plotësuar të gjitha kriteret për të qenë himn i shtetit të Kosovës, e pse jo edhe himn kombëtar. Mirëpo, kundërshtimi i këtij himni, sikurse i flamurit dhe i vulës së Presidentit, ka përbërë një aspekt tjetër të kundërrugovizmit, sidomos i linjës së Tiranës/Kretës. Me të gjitha mënyrat janë kundërshtuar si flamuri e vula e Presidentit, ashtu edhe himni i shtetit të Kosovës, kundërshtim që mundohej të gjente terren dhe përkrahje duke bërë mashtrime optike të tipit se dr. Ibrahim Rugova është kundër flamurit dhe himnit kombëtar, se dëshiron të krijojë një komb kosovar e kështu me radhë, ani që edhe pse edhe flamuri edhe himni, të konsideruara si kombëtare, në të vërtetë ishin flamur dhe himn shtetëror i shtetit aktual shqiptar dhe si të tilla përdoren nga ky shtet, dhe ani që edhe pse si të tilla, edhe dr. Ibrahim Rugova, edhe linja institucionaliste, i ka përdorur krahas flamurit, vulës dhe himnit të propozuar prej tij. Në këtë drejtim, kundërshtarët e dr. Ibrahim Rugovës dhe të linjës inistucionaliste, e që do të thotë de facto, kundërshtarë të shtetit të Kosovës të krijuar dhe të konceptuar nga dr. Ibrahim Rugova dhe nga lëvizja politike shqiptare në Kosovë, patën një sukses të hatashëm, pasi në valën e kundërshtimeve përfshinë edhe disa personalitete të njohura publike të njohur si mbështetës të nacionaldemokracisë dhe liberlademokracisë shqiptare, me ç’rast u bë një debat e nxehtë medial, e në të cilin qeshë përfshirë edhe unë, nëpërmjet një shkrimi të gjatë e që kishte të bënte me një intervistë të Kadaresë lidhur me këtë çështje dhënë të përdishmes tiranase “Shekulli në dhjetor 2003. Edhe pse të dështuar edhe në këtë çështje, kundërshtarët e filozofisë politike të dr. Ibrahim Rugovës, suksesin më të madh e arritën pikërisht në këtë aspekt të kunërrugovizmit. Dhe kur them këtë nuk mendoj vetëm në përfshirjen në debat edhe të personaliteteve të ndryshme mbështetës të nacionaldemokracisë dhe të liberaldemokracisë shqiptare, por edhe në faktin se te nje pjesë e qytetarëve u arrit që të mbillet bindja se vërtet dr. Ibrahim Rugova na qenka kundër flamurit dhe të himnit që quhet kombëtar dhe se po dashka që të krijojë një komb kosovar. Kjo ndodhi edhe për shkak të karakterit jopolemik të dr. Ibrahim Rugovës dhe të filozofisë së tij politike, e që nënkuptonte mospolemizimin me kundërshtuesit e flamurit. të vulës dhe të himnit të Kosovës. Për këtë arsye, kundërshtarët e dr. Ibrahim Rugovës mor[ën krah dhe i lejuan vetes që të bëjnë veprime të tilla huliganeske, siç është djegia publike e flamurit, veprim që e bënë persona të dyshimtë që fshihen mbrapa asociacioneve të ndryshme të UÇK-së. Përkundër gjithë këtyre, dr. Ibrahim Rugova si President i Kosovës dhe të gjitha institucionet e tjera që drejtoheshin prej linjës institucionaliste, vazhduan ta përdornin këtë flamur dhe këtë himn të Kosovës.
(vijon)