07 maj 2006

ASPEKTE TË KUNDËRRUGOVIZMIT (11)


BAZA JURIDIKO-KUSHTETUESE E SHTETIT TË KOSOVËS

Projekti për Kosovën shtet i pavarur dhe sovran, mbi të cilin punoi dr. Ibrahim Rugova dhe lëvizja politike shqiptare në Kosovë gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar, përveç aspekteve të tjera substanciale dhe konstituuese, është mbështetur edhe në vazhdimësinë e saj historike, kurse e sanksionuar juridikisht me ligjin osman mbi vilajetet përbërëse të Perandorisë Osmane të vitit 1864, dhe e konfirmuar edhe në reformat e viti 1868. Që këtej fillon edhe ndërtimi i bazës juridiko-kushtetuese të Kosovës si entitet i veçantë juridiko-kushtetues...

Shkruan: Rexhep KASTRATI

Shteti i Kosovës i projektuar nga dr. Ibrahim Rugova dhe nga lëvizja politike shqiptare në Kosovë, ishte shtet që përveç bazës pagano-kristiane të identitetit të kombit shqiptar dhe të përkatësisë evro-perëndimore të kulturës dhe të qytetërimit shqiptar, kishte një bazë të fortë juridiko-kushtetuese të pashkëputshme deri në nxjerrjen e dokumenteve konstituuese të këtij shteti, gjatë dhe pas shpërbërjes së ish-federatës jugosllave. kjo do të thotë se nuk u ndoq vetëm rruga e arsyetimit sociohistorik dhe etnik e krijimit dhe e funksionimit të shtetit të Kosovës, por edhe rruga e argumentimit dhe mbështetjes juridiko-kushtetuese të këtij shteti. Derisa në shumicën e vazhdimeve të gjertanishme jam marrë me aspekte të tjera të shtetkrijimit, si elemente të filozofisë politike të dr. Ibrahim Rugovës, e që kanë provokuar edhe aspekte kundërrugoviste, në këtë vazhdim do të japim vetëm elementet themelore të bazës juridiko-kushtetuese të shtetiformimit në Kosovë. Edhe pse Kosova, qoftë si Dardani, qoftë më vonë si Vilajet i Kosovës, paraqet një tërësi me vazhdimësi të pashkëputshme sociohistorike, duhet thënë se kjo u konfirmua dhe u sanksionua gjatë ndryshimeve kushtetuese në vetë Perandorinë Osmane gjatë vitit 1868. Këtyre ndryshimeve kushtetuese u parapriu një ligj, i cili ligjëronte formimin e vilajeteve të ndryshme në kadër të Perandorisë Osmane, për ta përcaktuar atë si një shtet konfederal. Një ndër vilajetet që u formuan me këtë ligj është edhe Vilajeti i Kosovës me rreth 22,900 km2 , gati sa shteti aktual shqiptar. Këtë realitet juridiko-kushtetues e tumiri edhe vetë Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878), e cila kërkoi bashkimin e të gjitha vilajeteve shqiptare në kuadër të Perandorisë Osmane. Pavarësisht nga zhvillimet e mëvonshme, Vilajeti i Kosovës pati një vazhdimësi të funksionimit të tij deri në vitet 1912-1913, në kohën e luftërave ballkanike, kur u pushtua nga Serbia. Edhe pse Serbia, me pushtimin e Kosovës, u mundua që ta shkatërrojë kompaktësinë territorialo-etnike të saj, duke e ndarë fillimisht në katër qarqe: të Prishtinës, të Prizrenit, të Pejës e të Mitrovicës (1921), dhe në banovina: të Moravës, të Zetës e të Vardarit (1929/1930), dhe edhe pse ndërmori spastrime të hatashme entike, duke dëbuar shqiptarët nga territoret etnike shqiptare dhe duke e kolonizuar me serbë, spastrim që u elaborua me elaboratin e parë të Vasa Çubriloviqit të vitit 1937, dhe me marrëveshjen xhentelmene me Turqinë të vitit 1938, Kosova në aspektin brendshëm dhe në atë funksional, i ruajti veçantitë e saj si një territor shqiptar dhe i banuar me shumicë nga shqiptarët. Me shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore, përkatësisht me pushtimin e Jugosllavisë nga Gjermania, forcat partizane u munduan që ta tërheqin popullin shqiptar të Kosovës në një luftë kundër gjermanëve, duke u premtuar realizimin e të drejtës për vetëvendosje dhe realizim të aspiratave të tyre shekullore. Kulmi i këtyre premtimeve ishte kur u lejua që të mbahej Konferenca themeluese e KNÇK (Këshillit Nacional Çlirimtar të Kosovës) si pushtet i ri në Kosovë, më 31 dhjetor 1943 dhe me 1 e 2 janar 1944, në Bujan, e njohur në histori si Konferenca e Bujanit, e cila në rezolutën që u miratua nga 49 delegatët e pranishëm prej 61 sa duhej të ishin, konfirmoi se Kosova e Rrafshi i Dukagjinit ishte një territor i banuar me shumicë nga shqiptarët, të cilët kanë të drejtë për realizimin e aspiratës së tyre për t’u bashkuar me Shqipërinë, e të cilën aspiratë duhet ta realizojnë me një luftë të përbashkët antifashiste. Mirëpo, ky ishte vetëm një mashtrim, sepse kjo rezolutë dhe kjo e drejtë e shqiptarëve jo që nuk u realizua atëherë, por më vonë, konkretisht më 10 korrik 1945, në Prizren, dhunshëm u mbajt një lloj Kuvendi, një lloj plebishiti, më të cilën gjoja Kosova shprehte vullnetin për t’u bashkuar me Serbinë federale në kuadër të Jugosllavisë. Edhe pse ky akt,nga juristë të ndryshëm, u konsiderua si mosanulim i Rezolutës së Bujanit, por si një shprehje e dhunshme e vullnetit të Kosovës, duhet thënë se me aktin e 10 korrikut 1945, Serbia provoi që të shkatërronte çdo element juridiko-kushtetues të mëvetësisë së Kosovës. Mirëpo, edhe pse Serbia e aneksoi Koosvën, duhet thënë se në të gjitha kushtetutat që nga e para e viti 1946, e deri te fundit, ajo e vitit 1974, Kosova funksionoi si njësi unike, ani që me shkallë të ndryshme të autonomisë. Një aspekt tjetër që vlen të thuhet se përveç njësisë unike të saj, Kosova ishte pjesë e Serbisë federale në kuadër të Jugosllavisë, pra statusin e tillë të Kosovës, Serbia mund ta mbante vetëm nëse do të ruhej Jugosllavia. Ky fakt është i rëndësishëm për të kuptuar veprimet juridiko-kushtetuese të kryera nga Serbia gjatë viteve 1989-190, veprime që me çdo kusht mundohen ta paraqesin realitetin krijuar gjatë kësaj kohe, sidomos pas pavarësimit të Sllovenisë e Kroacisë, si mosshkatërrim të Jugosllavisë federale, pra edhe si mosshkatërrim i një realiteti që Kosovën do ta mbante pjesë të Serbisë federale në kuadër të Jugosllavisë. Shkëputjen e Sllovenisë dhe të Kroacisë, Serbia u mundua ta paraqesë jo si shkatërrim të Jugosllavisë, por si realizim i të drejtës për vetëvendosje dhe shkëputje të dy prej njësive të federatës jugosllave. Edhe pse në fund do të ngelë një federatë me dy njësi: Serbinë e Malin e Zi, Serbia nuk hoqi dorë nga e drejta për ta trashëguar emrin dhe të gjitha të drejtat e tjera që i kishte RSFJ-ja, duke provuar që ta ruajë edhe të drejtën për ta mbajtur Kosovën si pjesë të Serbisë federale në kuadër të Jugosllavisë. Dhe pikërisht në këtë kontekst duhet parë edhe angazhimin juridiko-kushtetues të Kosovës gjatë kësaj periudhe, përkatësisht të lëvizjes politike të shqiptarëve të Kosovës në krye me dr. Ibrahim Rugovën. Dhe këtë veprimtari duhet parë në periudhën para shkëputjes së Sllovenisë dhe të Kroacisë nga Jugosllavia, dhe në periudhën pas pavarësimit të tyre. Është kështu për faktin se lëvizja politike shqiptare në krye me dr. Ibrahim Rugovën nuk ra në kurthin politik që u provua t’i imponohet qysh menjëherë pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 1989, për ta bërë hapin e parë drejt shpalljes së shkëputjes së Kosovës nga Jugosllavia, e që do t’ia vinte mbi shpinë akuzat për shkatërrim të Jugosllavisë dhe të tërë kontekstit gjeopolitik në rajon, si dhe do t’ia vinte vetes mbi shpinë gjithë makinerinë jugosllave ushtarake për shkatërrim të plotë. Shpallja e Deklaratës Kushtetuese më 2 korrik 1990 nga 114 delegatë të Kuvendit të Kosovës, në të vërtetë, vetëm sa e përgatiste bazën juridiko-kushtetuese të pozitës së Kosovës në varësi me zhvillimet në Jugosllavi dhe varësisht nga rregullimi i saj juridiko-kushtetues i saj. Duhet të kujtojmë se në atë kohë, fillimisht kishin dalë teza për një rregullim asimetrik të raporteve në Jugosllavi, me ç’rast Kroca e Sllovenia do t kishin lidhje të dobëta, gati konfederate me beogradin dhe me pjesën tjetër të Jugosllavisë, pastaj kishte teza për krijimin e një federate apo konfederate me lidhje të dobëta e kështu me radhë. Në këtë situatë, lëvizja politike shqiptare e drejtuar nga dr. Ibrahim Rugova u pozicionua qartë për një status të barabartë të Kosovës me të gjitha njësitë tjera të federatës apo të konfederatës së Jugosllavisë. Ky qëndrim u sanksionua edhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës të miratuar më 7 shtator 1990, kushtetutë që Kosovën e shpallte Republikë me pozitë të barabartë në federatën apo konfederatën e Jugosllavisë. Ky pozicionim i Kosovës në raport me zhvillimet e përgjithshme në Jugosllavinë e atëhershme, është kritikuar nga qarqe marksist-leniniste, si një qëndrim jo i drejtë dhe në kundërshtim me interesat kombëtare të shqiptarëve. Me fjalë të tjera ka shërbyer për shfaqjen edhe të një aspekti kundërrugovist, sepse edhe pse veprim i lëvizjes politike dhe institucioneve legale të Kosovës, çështja u personalizuar vetëm në personin e dr. Ibrahim Rugovës. Mirëpo, duhet thënë se e gjithë lëvizja politike shqiptare e drejtuar prej dr. Ibrahim Rugovës si dhe vetë institucionet legale të Kosovës, e kishin të qartë se Sllovenia e Kroacia, por edhe njësi të tjera të federatës jugosllave nuk do të kenë vullnet që ta lëshojnë shansin historik për t’u bërë shtete të pavarura, por po ashtu e kishin të qartë se njësitë e tjera synonin që agresivitetin e Serbisë fillimisht ta derdhnin në Kosovë, në mënyrë që të mos kishte kohë të merrej me njësitë e tjera që do të bëheshin të pavarura edhe me argumentin se nuk mund të rrinë në një shtet që i vret qytetarët e vet. Me qëndrimet që i mbajti Kosova gjatë periudhës para se Kroacia e Sllovenia të shpallnin pavarësinë, tregoi një mençuri të madhe, duke e shmangur pikërisht ndonjë kasaphane të përgjakshme, ndoshta më të përgjakshme se sa në Bosnjë, kurse në aspektin politiko-juridik do të mund ta zhbënte atë si problem që duhet të zgjidhet. Se nuk kanë pasur të drejtë kritikët e këtij qëndrimi, pra të qëndrimit për mosdeklarim të pavarësimit të Kosovës nga Jugosllavia para njësive të tjera, dëshmon edhe fakti se vetë dr. Ibrahim Rugova dhe të tjerë kanë thënë se Kosova do ta shpallë pavarësinë me ta shpallur atë e para njësi e federatës jugosllave. Dhe ky qëndrim ishte në përputhje me platformën e Këshillit Koordinues të partive politike shqiptare në ish-Jugosllavi, që të mbledhura në Prishtinë gjatë vitit 1990/1991, sipas të cilës parashikohej që nëse mbetet Jugosllavia, Kosova të jetë pjesë e barabartë e saj; nëse nuk do të jetë Jugosllavia, por nuk do të preken kufijtë e njësive federale, Kosova do të jetë shtet i pavarur dhe sovran, e nëse ndryshojnë edhe kufijtë e këtyre njësive, Kosova do bashkohet me shtetin aktual shqiptar. Me shpalljen e pavarësisë së Sllovenisë, ra poshtë edhe opsioni i parë, ai i pozitës së barabartë të Kosovës në kuadër të Jugosllavisë dhe u fillua të punohet për opsionin e dytë, atë të Kosovës shtet i pavarur dhe sovran. Dhe në këtë kontekst prej 26 e deri më 30 shtator 1991, u mbajt Referendumi gjithëpopullor për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur, e që më tej u legalizua me Rezolutën e Kuvendit të Kosovës për Kosovën shtet i pavarur dhe sovran, që u shpall më 18 tetor 1991, si dhe me amendamentet kushtetuese që Kuvendi i Republikës së Kosovës i miratoi më 19 tetor 1991. Në këtë mënyrë u mbyll cikli juridiko-kushtetues i formimit të shtetit të Kosovës, i cili edhe me Kushtetutë, e shpalli atë shtet të pavarur dhe sovran. Ajo që vlen të thuhet me këtë rast, Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka sublimuar qenien dhe funksionimin historik të Kosovës që nga Dardania antike e këndej, si dhe realitetin etnik të saj në kohën kur është shpallë shteti i pavarur i Kosovës. Neni 1 i Dispozitave të Përgjithshme të Kushtetutës së Republikës së Pavarur të Kosovës e shpallë Kosovën “shtet demokratik të Kombit Shqiptar dhe i pjesëtarëve të kombeve të tjera dhe i pakicave kombëtare të shtetasve të vet; serbëve, myslimanëve, malazezëve, kroatëve, turqve, romëve, e të tjerëve që jetojnë në Kosovë”. Pra shteti i Kosovës, në radhë të parë shihej si realizim i të drejtës së shumicës shqiptare në Kosovë për vetëvendosje, e pastaj edhe si shtet i të gjithë pjesëtarëve të pakicave kombëtare që janë nënshtetas të Kosovës. Me këtë, realizohej një shtet që respektonte veçantinë pagano-kristiane të Kosovës, përkatësinë evro-perëndimore të saj, si dhe jepte garanci kushtetuese për respektimin e pakicave kombëtare.
(vijon)