06 maj 2006

ÇFARË TË RE DO TË SJELLË BEHXHET PACOLLI NË POLITIKËN SHQIPTARE NË KOSOVË?

ZHVILLIME NË SKENËN POLITIKE TË KOSOVËS

ÇFARË TË RE DO TË SJELLË BEHXHET PACOLLI
NË POLITIKËN SHQIPTARE NË KOSOVË?

Pas paralajmërimeve më të hershme, Behxhet Pacolli hyri edhe zyrtarisht në politikën shqiptare në Kosovë, dhe me të parën paralajmëroi se do të fitojë mbi 60% të votave. Vallë ku do t’i marrë ai këto vota dhe ku do t’i çojë ato?

Shkruan: Rexhep KASTRATI

Kalimi i një biznesmeni në politikë është një dukuri më se normale dhe aspak e kritikueshme, për sa i përket realizimit të një të drejte themelore të njeriut, dhe është një dukuri e shpeshtë, për të mos thënë edhe dominuese në praktikën politike botërore. Shumica e kongresmenëve dhe e senatorëve amerikanë janë ndër biznesmenë të njohur në SHBA, ashtu siç ndodh edhe në shumë shtete vero-perëndimore. Edhe në politikën shqiptare në Kosovë, hyrja e një biznesmeni në poltikë është një praktikë e njohur. Një ndër biznesmenët më të njohur të Kosovës, Veton Surroi tashmë është në politikë në kuptimin klasik të fjalës, edhe si drejtues i një partie politike të tipit të listave qytetare serbe, edhe pse angazhimi personal politik daton së paku që nga fillimi i viteve ’90 të shekullit të kaluar. Prandaj, futja edhe zyrtarisht e Behxhet Pacollit nuk përbën ndonjë lajm për shqiptarët e Kosovës, apo thënë më mirë, është një veprim i pritshëm dhe i paralajmëruar. Ajo që përbën lajm për shqiptarët e Kosovës është paralajmërimi i tij për fitimin e më shumë se 60% të votave, e që në një formë tjetër e kemi dëgjuar edhe nga një nga drejtueset e partisë së Edita Tahirit, Edi Shukriut, e cila dikur kishte pasur frikë se mos po i fiton mbi 50% të votave në zgjedhjet e fundit të përgjithshme. Dhe dihet se sa përlind të votave mori ADK-ja e Edita Tahirit në zgjedhjet e fundit të përgjithshme. Mirëpo, atë që e bën lajm parashikimin e Behxhet Pacollit për fitoren e mbi 60% të votave në zgjedhjet e ardhshme është pikërisht fakti se ky parashikim i tha nga vetë Behxhet Pacolli, i cili ka paratë, edhe gazetën, edhe televizionin, edhe përkrahjen. Kur i përmendi këto, mendoj në ato kushte që i duhen një politikani të vendeve postkomuniste dhe të botës së tretë për të pasur sukses. Dhe pikërisht priten sqarime nga z. Pacolli se sa do ta përdorë paranë për t’i fituar votat, e nuk po them për t’i blerë ato, a do ta përdorë gazetën dhe televizionin për këtë qëllim dhe çfarë përkrahje tjetër ka që e bën të parashikojë se do t’i fitojë mbi 60% të votave. Nëse do t’i përdorë paratë, mediat e tij dhe përkrahjen tjetër që mund ta ketë për t’i fituar votat e parashikuara, a mos bën shkelje ligjore dhe të etikës gazetareske, përkatësisht se a mos mund të jetë objekt hetimi lidhur me këto çështje, kurse mediat e tij, sidomos gazeta e tij, a do të mund të dënohej nga Komisioni i Pavarur për Media, ashtu siç janë dënuar media gjatë këtyre viteve? Natyrisht se këto nuk kanë të bëjnë me qëndrimin personal ndaj aktit të futjes së z. Pacolli në politikë, qëndrim që do të përcaktohet gjatë ditëve, javëve dhe muajve në vazhdim, por janë çështje që shtrohen në gjithë botën demokratike. Le të kujtojmë vetëm telashet e Berluskonit lidhur me mediat dhe bizneset e tij kur ka hyrë në politikë, e sidomos pasi është zgjedhur kryeministër i Italisë. Në anën tjetër, një problem tjetër është se si arriti z. Pacolli që veprimtarinë e tij kryesore biznesore ta realizojë në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, përfshirë edhe vetë Rudinë? Në këtë drejtim, duhet thënë se vetë z. Pacolli ka folur shpesh për miqësi me burrështetas dhe zyrtarë të tjerë të lartë të këtyre vendeve, duke përfshirë edhe Rusinë, miqësi që i kanë kaluar kufijtë e dy palëve kontraktuese biznesore. Sa ka ndikuar miqësia me burrështetas të vendeve të ish-Bashkimit Sovjetik, dhe me vetë Rusinë në përcaktimet e tij politike, për të mos thënë edhe gjeopolitike. Shqetësimi im lidhet me faktin se a mos edhe politikën e Kosovës, njësoj si edhe biznesin e tij, do ta drejtojë kah vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, e më keq se kaq, nga vetë Rusia? Ky shqetësim i imi nuk ka të bëjë vetëm me faktin se pjesën kryesore të biznesit të tij, z. Pacolli e ka të orientuar kah vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, përkatësisht kah Rusia, por edhe me faktin se, ashtu siç ka thënë edhe vetë, ka pasur edhe një veprimtari të dendur politike me qeverinë e Beogradit dhe me vetë Slobodan Milosheviqin për çështjen e statusit të Kosovës, përkatësisht për negociatat individuale të tij me vetë Milosheviqin për një status prej republike për Kosovën, që ia paska premtuar vetë Milosheviqi, ani që dr. Ibrahim Rugova, qysh më 1993, një premtim të tillë të Milan Paniqit e ka pas refuzuar, për shkak të mandatit të tij për shtetin e pavarur të Kosovës. Dhe shqetësimi im lidhet pikërisht me këtë veprimtari të fshehtë politike, jopërfaqësuese dhe jo të autorizuar nga institucionet e as nga qytetarët e Kosovës, veprimtari që është bërë me këshillën dhe ndërmjetësimin e zyrës së ministrit të atëhershëm të Jashtëm të Rusisë, z. Primakov. Kjo mua, e besoj se askujt prej njohësve të zhvillimeve politike në Kosovë nuk i jep garanci se shteti i ardhshëm i Kosovës në krye me z. Pacolli nuk do të jetë i orientuar kah një bosht gjeopolitik orientalo-bizantin. Këto garanci nuk i jep as fakti se disa lloj lobingjesh apo organizatash politike janë krijuar edhe afër Brukselit dhe Uashingtonit, pasi që po të nisemi nga kjo, atëherë duhet thënë se ka qenë Zvicra vendi prej kah z. Pacolli e gjeti Moskën dhe vendet e tjera të ish-Bashkimit Sovjetik. Prandaj, z. Pacolli, do të bënte mirë që ta zhvishte petkun e një njeriu humanist dhe ndihmues ndaj të tjerëve, dhe meqë ka hyrë edhe zyrtarisht në politikë, nëpërmjet të të cilës synon që t’i ketë mbi 60% të votave të votuesve të Kosovës, e që do të thotë se synon ta ketë pushtetin në shtetin e ardhshëm të Kosovës, dhe t’i sqarojë këto çështje dhe një çështje tjetër shumë delikate, e që ka të bëjë me raportet e tij me vëllain e Bin Ladenit dhe në përgjithësi me rrjete të këtilla në vendet arabe dhe në përgjithësi në botë. është kështu për faktin se për shqiptarët nuk është sqaruar, ose nuk është kuptuar sa duhet arsyeja e vërtetë e bastisjes së zyrave të tij në Zvicër para disa vitesh. Kur të sqaroheshin këto çështje, ndoshta do të mund të mirrnim përgjigje të saktë në pyetjen se ku do t’i marrë 60% të votave dhe ku do t’i çojë ato. Kur jemi te kjo pyetje, duhet thënë se t’i fitosh 60% e më shumë të votave në Kosovë, do të thotë po ashtu që ta shkatërrosh bazën elektorale të subjekteve ekzistuese politike, e në mënyrë të veçantë, bazën elektorale të LDK-së, e cila është një parti që e drejtuar nga dr. Ibrahim Rugova e udhëhoqi procesin politiko-diplomatik të krijimit të shtetit të Kosovës, të një shteti që do të mbështetet në bazën e fortë pagano-kristiane të Dardanisë antike, dhe në përkatësinë evro-perëndimore të kombit dhe të qytetërimit shqiptar. Nëse z. Pacolli llogarit në shakërrimin e bazës elektorale të LDK-së, e që është bazë elektorale e dr. Ibrahim Rugovës, a do të thotë se llogarit edhe shkatërrimin e përcaktimit gjeopolitik e gjeostrategjik të tyre për boshtin Bruksel – Uashington? Në këtë drejtim a llogarit në përkrahjen e ndonjë drejtuesi të lartë të LDK-së dhe kush mund të jenë ata?