07 maj 2006

LUFTA PËR KUFIJ

ÇKA FSHIHET MBRAPA HIDHËRIMIT TË BEOGRADIT
ME QËNDRIMIN E FUNDIT TË SHKUPIT
PËR ÇËSHTJEN E KUFIRIT NDËRMJET KOSOVËS DHE MAQEDONISË?

Kur para pesë vjetësh pata denoncuar marrëveshjen ndërmjet Koshtunicës e Trajkovskit për kufirin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë e pata quajtur si përpjekje të Beogradit dhe të Shkupit për ridefinimin e kufijve në Ballkan pa pjesëmarrjen e shqiptarëve. Tashmë kur ka kohë që kjo çështje, pra çështja e kufirit Kosovë – Maqedoni është bërë aktuale dhe një nga temat e ditës, duket sheshit se qëndrimi im i para pesë vjetëve, jo vetëm që është aktual, por edhe është sqaruar edhe më shumë...

Shkruan: Rexhep KASTRATI

Për të gjithë analistët e zhvillimeve rajonale, pra jo vetëm në Kosovë, është e qartë se Serbia si provokuese e të gjitha luftërave në ish-Jugosllavi ka synuar që në kontekst të shpërbërjes së Jugosllavisë, të kontekstualizojë praninë e serbëve në njësi të ndryshme ti ish-fedretaës jugosllave për interesa të ekspansionit dhe të pretendimeve territoriale ndaj këtyre njësive. Me fjalë të tjera, Serbia ka synuar që gjatë procesit të shpërbërjes së Jugosllavisë, të dalë me kufij sa më të zgjeruar dhe një shtet me i madh se sa që do të dilte po të mos i provokonte gjithë ato luftëra. Ridefinimi i kufijve në ish-Jugosllavi, e rrjedhimisht edhe në Ballkan, ka qenë një nga qëllimet kryesore të gjithë luftërave në ish-Jugosllavi, e së këndejmi edhe në Kosovë. Edhe pse po të mos ishte ndërhyrja ndërkombëtare, këtij qëllimi Serbia do t’ia arrinte me lehtësi marramendëse, duhet thënë se nuk ka mbetur pa rezultate pozitive. Fakti se në Bosnjë është krijuar një Republikë Serbe, fakti se në Kosovë është në këtë rrugë, mjaftojnë për t’i parë si relativisht të suksesshme synimet e Beogradit. Është kështu për faktin se Republika Sërbska në Bosnjë ka lidhje speciale me Serbinë, kurse të njëjtën është në rrugë për ta arritur edhe në Kosovë. Asnjë popull tjetër, e asnjë njësi tjetër e ish-federatës jugosllave nuk ka arritur që të krijojë republika dhe lidhje speciale të pjesëtarëve të saj në Serbi me shtetet e tyre amë, ashtu siç ka arritur Serbia. Prandaj, çdo analizë dhe qasje serioze, do të duhej që t’i pranonte dhe t’i pohonte këto fakte. Kjo për më tepër vlen për ata që në Kosovë veten e quajnë analistë, kolumnistë e të ngjashëm, pasi që Kosova vetë është përfshirë në një proces të këtillë politik si Bosnja. Mirëpo, fatkeqësisht në Kosovë nuk është bërë kjo, së paku jo nga ata që me punën e analistit dhe të gazetarit kanë bërë pasuri dhjetamilionshe në euro, apo të tillë që në anglisht pohojnë se tashmë janë duke bërë pasuri për nipat e tyre, pra për fëmijët e fëmijëve të tyre. Mirëpo, është e qartë se Serbia, pas Bosnjës, është përpjekur dhe po përpiqet me të madhe, duke i angazhuar edhe rekrutet e saj shqiptarë, që nëpërmjet Kosovës t’i realizojë ambiciet e saj për ndryshime të kufijve të brendshëm dhe të jashtëm të disa prej njësive të ish-federatës jugosllave. Kantonizimi i Kosovës, apo enklavizimi i Kosovës, është vetëm njëri nga angazhimet dhe qëllimet e Beogradit në Kosovë, e që do të mundësonte bosnizimin e Kosovës. Marrëveshja ndërmjet Koshtunicës dhe Trajkovskit, atëherë kryetar i të ashtuquajturës RFJ dhe të Maqedonisë, për kufirin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, është një marrëveshje që fsheh një qëllim tjetër madhor të Serbisë: duke u legjitimuar ndryshimi eventual ndërmjet Kosovës dhe të Maqedonisë, të legjitimohet edhe parimi i ndryshimit të kufijve të njësive të ish-federatës jugosllave, e së këndejmi edhe të Bosnjës, e pse jo edhe të Kroacisë. Duhet thënë se arsyeja se përse Republika Sërbska nuk iu bashkua dot Serbisë, është pikërisht hezitimi i bashkësisë ndërkombëtare që të lejojë ndryshimin e kufijve ndërmjet njësive të ish-federatës jugosllave. Me legalizimin e ndryshimit të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, sado që do të komentohej si ndryshim jo i dhunshëm i kufijve, do të legalizonte edhe mundësinë ndryshimit të kufijve edhe ndërmjet Bosnjës e Serbisë, edhe ndërmjet Bosnjës dhe Kroacisë, edhe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, edhe ndërmjet Serbisë e Malit të Zi në rast të pavarësimit të tij, edhe ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës, edhe ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë. Kufiri ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë veç do të ishte i ndryshuar në favor të Maqedonisë, pasi që Kosova duke mos qenë shtet i njohur ndërkombëtarisht nuk do ta kishte mundësinë që të pengonte këto ndryshime kufijsh. Sllavomaqedonasit, apo një pjesë e tyre, që deri dje këmbëngulnin për përcaktimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, e që e quanin përcaktim të vijës kufitare ndërmjet Shkupit dhe Beogradit, tepër vonë e kuptuan hilen e Beogradit, dhe nëpërmjet kryeministrit të tyre u shprehën se çështja e përcaktimit të vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, nuk ishte më çështje politike, por ishte çështje teknike, për zgjidhjen e të cilës do të punojnë grupe ekspertësh nga Kosova dhe nga Maqedonia, e jo tashmë nga Serbia dhe Maqedonia. Hidhërimi i Beogradit, ndërkaq, i shprehur nëpërmjet zyrës së ministrit të Jashtëm të saj, Vuk Drashkoviq, nuk ka të bëjë vetëm me faktin se në këtë mënyrë po e ndien veten të tradhtuar nga Maqedonia, si dhe të përjashtuar nga procesi i përcaktimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, por edhe për një arsye tjetër shumë të rëndësishme për të: pamundësimi që edhe nëpërmjet të përcaktimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë Serbia ta imponojë veten si palë që vendosë për çështje të Kosovës, e edhe për kufijtë e saj me shtete të tjera. Me ndryshimin në dukje të qëndrimit rreth çështjes së kufirit të saj me Kosovën, Maqedonia, Serbisë po ia mbyll edhe këtë mundësi të faktorizimit dhe të subjektivizmit të saj në Kosovë, ashtu siç po ia rrezikon edhe mundësinë që nëpërmjet këtij kufiri të legjitimojë ndryshimin e kufijve ndërmjet të njësive të ish-federatës jugosllave. Edhe pse mund të jetë kështu, Kosova përsëri nuk e ka të sigurt paprekshmërinë kufijve të jashtëm të saj, pasi që Buçkovksi dhe Çeku nuk janë marrë vesh që të mos ndryshojë kufiri ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, por që kjo çështje të zgjidhet ndërmjet Prishtinës dhe Shkupit e jo ndërmjet Beogradit dhe Shkupit, si dhe zgjidhja të bëhet në nivel të ekspertëve të të dy palëve. Në anën tjetër ende nuk është kryer çështja e përcaktimit të hartës së re të Kosovës, për t’u parë përfundimisht se si do të duket ajo, edhe pse po qarkullojnë qysh tash harta të tilla...