08 maj 2006

ASPEKTE TË KUNDËRRUGOVIZMIT (12)

FUNKSIONIMI I SHTETIT TË KOSOVËS, OSE: A MUND TË BËHET
FJALË PËR IDENTITET SHQIPTAR DHE PËR IDENTITET KOSOVAR?

Një aspekt të kundërrugovizmit, ka paraqitur edhe çështja shumë e diskutueshme e dy identiteteve nacionale: identitetit shqiptar dhe identitetit kosovar, me ç’rast kritikët e filozofisë së dr. Ibrahim Rugovës theksonin se kryetari i LDK-së, pasi që nuk e njihnin për kryetar të Kosovës, dëshiron të krijojë një komb të ri: kombin kosovar.

Shkruan: Rexhep KASTRATI

Projekti për shtetin e Kosovës i udhëhequr nga dr. Ibrahim Rugova, ishte projekt që kishte parasysh raportet gjeopolitike dhe gjeostrategjike të kohës së shkatërrimit të federatës jugosllave, dhe synonte subjektivizmin ndërkombëtar të statusit juridiko-kushtetues dhe politiko-diplomatik. Për ta bërë këtë, dr. Ibrahim Rugova u mbështet në bazën pagano-kristiane që nga Dardania antike e këndej, si dhe në bazën juridiko-kushtetuese të Kosovës gjatë shekujve të ndryshëm. Ashtu siç ka dalë edhe deri më tash, nëpërmjet bazës pagano-kristiane, dr. Ibrahim Rugova ka synuar krijimin e shtetit të Kosovës me identitet të qartë dardano-shqiptar, ët gatshëm dhe të përgatitur për proceset gjeopolitike e gjeostrategjike që ndodhnin dhe që po ndodhin në Evropë, ku më i njohuri është procesi integrativ në familjen evropiane të shteteve dhe të kombeve evropiane. Me këtë dr. Ibrahim Rugova nuk ka synuar të bie ndesh me asnjë ocion tjetër integrues, qoftë ky integrim i brendshëm, qoftë edhe integrim ndërkombëtar. E ballafaquar edhe me të drejtën e natyrshme të shqiptarëve për t’u integruar në shtetin e përbashkët kombëtar, teza për krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës, e konceptuar nga dr. Ibrahim Rugova, gjithsesi nuk del të jetë penguese, ashtu siç ka synuar që çështja e bashkimit eventual të shqiptarëve, të mos jetë pengesë për krijimin e shtetit të Kosovës. Shteti i Kosovës dilte nga një e drejtë kushtetuese që im lindte edhe nga fakti se Kosova kishte qenë pjesë e federatës jugosllave, sikurse njësitë e tjera federale, si dhe nga e drejta që buron nga përbërja etnike e popullit shumicë të saj, e jo si një shtet që më shumë do t’i përngjante një gjësendi që është i tillë vetëm pse nuk ka si të bëhet apo të lihet ndryshe. Fakti se dr. Ibrahim Rugova jo njëherë ka thënë se nëse demokratizohet Shqipëria, shqiptarët do të kërkojnë të bashkohen me të, thënie e tij edhe e viteve ’90 të shekullit të kaluar, e edhe në vitet e vendosjes së administratës së UNMIK-ut në Kosovë, për ta përsëritur edhe në Gjykatën e Hagës gjatë dëshmisë kundër Milosheviqit, është një fakt që i hedh poshtë tezat se dr. Ibrahim Rugova nuk është për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, përkatësisht synon që nëpërmjet shtetit të Kosovës ta krijojë kombin kosovar. Mirëpo, nuk është vetëm ky fakt që mund të përdoret kundër këtij aspekti të kundërrugovizmit. Edhe vetë mënyra e funksionimit të shtetit të Kosovës gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar, sjellë argumente të angazhimeve për integrime nacionale. Fakti se për herë të parë pas disa dekadash dy ministritë e arsimit, ajo e Prishtinës dhe e Tiranës, bënë unifikimin e planprogrameve mësimore, mbi bazën e të cilave janë hartuar edhe tekstet shkollore dhe ato universitare, është një argument shtesë që shkon në favor të lëvizjeve integrative. Edhe në rrafshin kulturor, duhet thënë se pati veprimtari të përbashkëta, si në fushën botimeve, si në fushën muzikore, si në fushën e teatrove, ashtu edhe në ato sportive. Në anën tjetër, jo njëherë, delegacione të përbashkëta të Prishtinës dhe të Tiranës kanë marrë pjesë në ngjarje të ndryshme ndërkombëtare, ku në mënyrë unike janë paraqitur qëndrimet për shtetin e pavarur të Kosovës. Të gjitha këto synonin që shqiptarët t’i integronin në pikëpamje kulturo-arsimore, pra në rrafshin shpirtëror, por edhe në rrafshin ekonomik, pa e cenuar subjektivitetin e Prishtinës dhe të Tiranës. Një aspekt tjetër të kundërrugovizmit lidhur me identitete dhe bashkime, ka paraqitur edhe shfaqja shumë herë hipokrite e teorive të ndryshme për bashkim kombëtar, të cilat në fund përfunduan si mos më keq. Është e qartë se fjalëne kam për pikëpamjet brilante të Rexhep Qosjes për bashkim kombëtar, të cilat me inkuadrimin e Qosjes në politikë, rezultuan se ishin teori brilante me elemente neoromantike, pasi që vetë Qosja hoqi dorë nga ato pikëpamje për të përfunduar fillimisht në pikëpamjen për Kosovën shtet të pavarur me lidhje të posaçme me Shqipërinë, e më pastaj, në njohjen e të drejtëve të serbëve të Kosovës për vetëvendosje. Po ashtu, kemi edhe pikëpamjen tjetër të kundërt me pikëpamjen për Kosovën shtet të pavarur, e që ishte rifunksionalizimi i tezës së vjetër për një federatë ballkanike, e të cilin Adem Demaçi e paraqiti si projekti “Ballkania”. Po ashtu, duhet përmendur se eksponentë të ndryshëm të UÇK-së, përkatësisht të linjës së Tiranës/Kretës, dolën edhe me opsionin e Republikës së Kosovës në kuadër të të ashtuquajturës RFJ. Këtij grumbulli opsionesh të paqëndrueshme, të pastudiuara mirë dhe servile edhe ndaj eksponentëve ndërkombëtarë, i janë bashkuar edhe pikëpamje të ndryshme edhe nga Tirana zyrtare, qoftë e kohës së demokratëve, qoftë e kohës së socialistëve. Me këtë rast, duhet theksuar se gjatë një vizite në Gjermani në fund të 1995-së, Sali Berisha në një intervistë për “Focusit” gjerman, pat deklaruar se askush nuk mund t’i detyrojnë shqiptarët e Kosovës që të pranojnë më pak se sa statusi që kanë pasur me kushtetutën e vitit 1974. Nga ana e tyre, socialistët nëpërmjet kryetarit të tyre dhe kryeministër i atëhershëm i shtetit aktual shqiptar, Fatos Nano, dolën me disa opsione, duke filluar nga njohja e Beogradit nga ana e shqiptarëve si kryeqytet të tyre, e deri te republika minus, për ta korrigjuar këtë Rexhep Mejdani, i cili u deklarua për Kosovën Republikë në kuadër të të ashtuquajturës RFJ. Të gjitha këto opsione shfaqeshin edhe pse shteti aktual shqiptar e kishte njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës qysh më 1991, dhe rikonfirmuar edhe më 1992. Pra, aspekti kundërrugovist që lidhet me opsione të ndryshme për Kosovën dhe për zgjidhjen e çështjes shqiptare në përgjithësi, më tepër doli si një hipokrizi dhe si mënyrë për ta rrënuar politikisht dr. Ibrahim Rugovën dhe filozofinë e tij politike, sepse për të kontribuar në zgjidhjen sa më të drejtë dhe më të favorshme të statusit të Kosovës dhe të vetë çështjes shqiptare. Përkundër këtyre, shteti i Kosovës, funksionoi për vite të tëra, pa synuar që të prekë çështjet kruciale siç janë identiteti dhe e drejta për bashkim të kombit shqiptar. Shteti i Kosovës funksionoi, e sfidoi Beogradin dhe e vuri në gjunjë, ashtu siç kishte thënë edhe Ismail Kadare para shumë vitesh, dhe po të mos e fillonte konfliktin e armatosur në Kosovë, një ditë do ta shihte faktikisht Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Është kështu se Marrëveshja e Arsimit e 31 gushtit 1996, që aq shumë u kritikua në Kosovë nga çiftat e Adem Demaçit me shokë, në të vërtetë, ishte vetëm hapi i parë juridik i njohjes de facto të pavarësisë së Koosvës nga ana e Serbisë. Një marrëveshje që parashihte rikthimin e shkollarëve shqiptarë nëpër objektet shkollore dhe universitare, si dhe rikthimin e Rexhep Qosjes dhe të shokëve të tij në Institutin Albanologjik, dhe vijimin e procesit mësimor në bazë të planprogrameve të Ministrisë së Arsimit të Republikës së Kosovës, si dhe përdorimi i materialeve zyrtare të Republikës së Kosovës, nuk ka si të kuptohet ndryshe përveçse si gjunjëzim i Beogradit para shtetit të Kosovës. Kur të kihet parasysh se Marrëveshja e Arsimit do të pasohej me marrëveshje të tjera të ndërmjetësuara dhe të garantuara ndërkombëtarisht për rikthimin e punëtorëve nëpër vendet e tyre të punës pa kushtin e njohjes së Serbisë si shtet, atëherë bëhet e qartë se diplomacia hap pas hapi, apo e njohur si diplomacia step baj step, e praktikuar nga dr. Ibrahim Rugova do të çonte në funksionalizim,in e plotë të shtetit të Kosovës. Prandaj Serbisë iu desh lufta dhe konflikti në Kosovë. Mirëpo, fillimi i luftës në Kosovë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Arsimit, në të vërtetë, ishte agresion mbi shtetin e Kosovës, e që kishte për qëllim shkatërrimin e shtetit të Kosovës me identitet të qartë pagano-kristian dhe me identitet të qartë shqiptar, ashtu edhe siç e përkufizonte edhe neni 1 i Dispozitave të Përgjithshme të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cituar edhe në vazhdimin e djeshëm. Pra, fillimi i luftës në Kosovë nga ana e Serbisë synoi pikërisht shkatërrimin e një shteti me identitet të qartë shqiptar dhe me bazë të lashtë dardano-pagano-kristiane, si dhe për ndarjen e Kosovës mbi baza etnike. Fakti që Serbia bëri agresion mbi shtetin e Kosovës, është edhe një dëshmi e funksionimit të këtij shteti si dhe dëshmi e gjunjëzimit të Beogradit përpara këtij shteti. Në këtë mënyrë, duhet thënë se shteti i projektuar, i shpallur dhe i funksionalizuar në bazë të projektit të dr. Ibrahim Rugovës dhe në përputhje me filozofinë e tij politike, jo që nuk synonte të krijonte identitet të ri nacional, jo që do të pengonte proceset e brendshme integrative, por e shquante këtë identitet, e pse jo edhe e përgatiste Kosovën dhe shqiptarët për procese të tjera gjeopolitike e gjeostrategjike, që kryesisht janë procese të integrimeve të brendshme dhe ndërkombëtare. Më mirë se kushdo tjetër këtë e kishte kuptuar Beogradi, i cili qysh pas dështimit të Milan Paniqit për ta bindur dr. Ibrahim Rugovën që të pranojë statusin e republikës në kuadër të të ashtuquajturës RFJ, nëpërmjet kryetarit të të ashtuquajturës RFJ, Dobrica Qosiq, doli me propozimin që në Kosovë të zgjidhet çështja shqiptare dhe çështja serbe sipas modelit të ndarjes së Kosovës në përmasat 60% për shqiptarët dhe 40% për serbët. Projekti i Dobrica Qosiqit për ndarjen e Kosovës, nuk ishte projekt vetëm për ndarjen fizike të Kosovës, por më tepër se kaq, ishte përpjekje që në Kosovën me identitet të lashtë dardan dhe pagano-kristian, ta nxirrte në pikëpamje politike e diplomatike edhe një çështje serbe, duke synuar kështu që të imponojë për Kosovën, përveç identitetit dardan dhe pagano-kristian të kombit shqiptar dhe të qytetërimit të tij, edhe një identitet sllavoorotoks me emrin serb. Me fjalë të tjera, Beogradi, nëpërmjet projektit të Dobrica Qosiqit për ndarjen e Kosovës, përkatësisht për zgjidhjen e çështjes shqiptare dhe çështjes serbe në Kosovë, por edhe nëpërmjet konfliktit dhe të luftës në Kosovë për ndarjen Kosovës, ka synuar pikërisht që ta shprishë identitetin e qartë dardan dhe pagano-kristian të Kosovës dhe të shqiptarëve. Kjo për Serbinë, përveç interes ekonomik, kishte të bënte edhe me ruajtjen e mashtrimit të vazhdueshëm të serbëve për gjoja Kosovën si djep i Serbisë dhe i serbizimit. Me fjalë të tjera, ndarja e Kosovës, për Serbinë, përveç rëndësisë ekonomike, politike, strategjike, por edhe të ndonjë rëndësie tjetër, ka edhe rëndësi për ruajtjen e bazës së nacionalizmit, shovinizmit dhe të hegjemonisë historike serbe që është e njohur për shqiptarët dhe për të tjerët.
(vijon)