09 maj 2006

ASPEKTE TË KUNDËRRUGOVIZMIT (13)

SHTETI I KOSOVËS SI REALITET DHE SI SFIDË

Modeli i ndërtimit dhe i funksionimit të shtetit të Kosovës është unik edhe në praktikën ndërkombëtare të krijimit dhe të funksionimit të shteteve, për faktin se paraqet modelin e një tipi të ndërtimit dhe të funksionimit të shtetit që në kushtet e okupimit krijoi infrastrukturën themelore të një shteti që de facto u bë pjesë e gjeopolitikës, e gjeostrategjikë dhe e diplomacisë ndërkombëtare, duke sfiduar si Beogradin, ashtu edhe mendësinë tradicionale të ndërtimit dhe të funksionimit të shteteve.

Shkruan: Rexhep KASTRATI

Kosova gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar nuk u ndërtua si shtet as në bazë të parimit të fitimtarit të luftës, as në bazë të parimit të njohjes ndërkombëtare të të drejtës së saj për vetëvendosje, as në bazë të parimit të shkolonizimit të popujve të kolonizuar, as në bazë të ndonjë marrëveshje dypalëshe apo shumëpalëshe, e as si pasojë e mbetjeve territoriale pas kusuritjeve ndërkombëtare. Shteti i Kosovës i viteve ’90 të shekullit të kaluar, u krijua si një model që u mbështet në vullnetin e qytetarëve për ta bërë atë, dhe në bazë të angazhimit që kishte marrë lëvizja politike shqiptare në krye me dr. Ibrahim Rugovën për ta ndërtuar pavarësisht nga rrethanat që ekzistonin dhe pavarësisht nga gatishmëria e Beogradit dhe e bashkësisë ndërkombëtare për ta pranuar apo për të mos e pranuar si realitet. Në pikëpamje sociohistorike, në pikëpamje juridiko-kushtetuese dhe në pikëpamje gjeopolitike, Kosova u krijua si vazhdimësi e një bazamenti daradano-ilir dhe pagano-kristian, si vazhdimësi e pozitës juridiko-kushtetuese gjatë shekujve dhe në bazë të një fakti juridiko-kushtetues të shkatërrimit të bashkësisë shtetërore pjesë e të cilës kishte qenë, dhe si përfillje e parimit të mosndryshimit të kufijve ndërmjet shteteve me anë të dhunës. Mbi këtë bazë, shteti i Kosovës u ndërtua dhe funksionoi si një shtet i okupuar por pa njohje ndërkombëtare. Kur them këtë kam parasysh faktin se ky shtet u ndërtua dhe funksionoi i okupuar pa mundësinë paraprake të vetëçlirimit dhe pa njohje ndërkombëtare, që e vështirësonte funksionimin e tij. Shteti i Kosovës nuk e pati luksin e Tajvanit që nga brenda t’i krijojë të gjitha mekanizmat e shtetit, edhe pse vazhdon të mos njihet ndërkombëtarisht, sepse Serbia u kujdes që mekanizmin e dhunës, të represionit dhe të shtypjes e instaloi para se të kryheshin aktet juridiko-kushtetuese të ndërtimit të tij si shtet. Kjo do të thotë se lëvizja politike shqiptare në Kosovë kishte marrë përsipër që ta ndërtonte një shtet nën trysnitë e gjithanshme të Serbisë. Mjafton ta kujtojmë shpalljen e Deklaratës Kushtetuese më 2 korrrik 1990, për ta kuptuar këtë. Mirëpo, Tajvani kurrë nuk ka arritur që ta ketë pranueshmërinë ndërkombëtare që e pati shteti i Kosovës. Asnjë burrështetasi i ndonjë shteti të panjohur ndërkombëtarisht nuk pati pranim dhe bashkëbisedim sikurse që pati kryetari i Kosovës dr. Ibrahim Rugova, i cili de facto, edhe pse de jure jo, u prit si burrështetas dhe ashtu siç priten burrështetasit e tjerë. Shteti i Kosovës, pra pati diplomacinë e saj dhe de facto u bë emër i përveçëm edhe për vetë bashkësinë ndërkombëtare. Edhe pse pa njohje ndërkombëtare, shteti i Kosovës u bë pjesë e angazhimeve ndërkombëtare për vendosjen e baraspeshës gjeopolitike e gjeostrategjike në botë, duke e dhënë edhe ajo kontributin e saj në këtë drejtim. Shteti i Kosovës me urtësinë brilante prej një intelektuali, me vendosmërinë e pathyeshme të një burrështetasi dhe me largpamësinë e një vizionari, çfarë ishte dr. Ibrahim Rugova, arriti që në ballkanin e trazuar ku ndeshen gjeopolitika, ku ndeshen qytetërime dhe ku e kaluara kishte prodhuar armiqësi të shumta, arriti që të bëhet model i një funksionimi paqësor, diplomatik dhe model i dominimit të nacionalitetit mbi emocionalitetin. Falë faktit se në Kosovë funksionoi modeli i këtillë i shtetit, bëri që konfliktualiteti historik shqiptaro-serb të mos imponohet edhe në fundshekullin njëzet. Asnjë shtet edhe me njohje ndërkombëtare nuk i ka kontribuar paqes, stabilititetit dhe bashkëpunimit rajonal dhe më gjerë se sa që i ka kontribuar shteti i Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare jo njëherë ka shprehur mirënjohjen për këtë kontribut që po e jepte Kosova si shtet. Nga qarqe politike e parapolitike të spektrit të majtë dhe kryesisht të lidhur edhe me qendra kundërshqiptare të vendosjes politike, ky kontribut i shtetit të Kosovës u interpretua si kontribut që i jepej Serbisë, si pranim de facto të okupimit e kështu me radhë. Edhe pse të tillët do të kishin pasur dëshirë që të ishte kështu, e vërteta është se shteti i Kosovës e sfidoi Beogradin dhe mekanizmin e dhunës, të represionit dhe të shtypjes, duke i dëshmuar botës një imazh të kundërt për Kosovën, imazh për të cilin kish nevojë bashkësia ndërkombëtare. Serbia u tregua e pafuqishme për ta penguar funksionimin e shtetit të Kosovës, edhe pse në Kosovë kishte dhjetamija policë e ushtarë, pikërisht për shkak të rolit shumë konstruktiv që luante shteti i Kosovës në raportet rajonale e më gjerë. Me fjalë të tjera, Serbia kishte dështuar në luftën diplomatike për ta fituar përkrahjen për ta shpërbërë këtë shtet nëpërmjet të masave represive, edhe pse masa të tilla ndërmerrte thuajse rregullisht. Për mendësinë tradicionale, nacionalromantike dhe për mendësinë e revolucionaritetit marksist-leninist, kjo mënyrë e funksionimit të shtetit të Kosovës ishte e pakapshme dhe e papranueshme, por shteti i Kosovës jo vetëm që po funksiononte, por edhe po i shkaktonte humbje të një pas njëshme diplomatike, morale e politike Serbisë. Është kështu për faktin se shteti i Kosovës në krye me dr. Ibrahim Rugova, jo vetëm shtetet aleate të shqiptarëve, apo edhe shtetet pa ndonjë angazhim të mëparshëm për çështjet ballkanike që i bëri për vete, por edhe aleatë tradicionalë të Serbisë madje edhe të arealit sllav i bëri që ta trajtojnë Kosovën dhe shqiptarët si viktima të Beogradit. Kjo nuk do të thotë se shteti i Kosovës i drejtuar nga dr. Ibrahim Rugova nuk ishte sfidë edhe për Rusinë dhe për të tjerë që përbënin boshtin gjeopolitik orientalo-bizantin me qendër në Moskë. Përkundrazi, shteti i Kosovës ishte sfidë e fuqishme për Moskën, e cila dështimin e Beogradit në raport me Kosovën, e shihte edhe si dështim të vijës gjeopolitike e gjeostrategjike Moskë – Adriatik. Sfidimi që shteti i Kosovës ua bëri Beogradit dhe boshtit gjeopolitik me qendër në Moskë, ishte i dukshëm dhe u shpreh edhe nëpërmjet toneve agresive, patetike dhe shoviniste të tipit të Sheshelit, dhe në përgjithësi nëpërmjet ultranacionalistëve serbë e rusë. Mirëpo, jo pa telashe nuk ishte as boshti gjeopolitik Bruksel – Uashington, për shkak të funksionimit të shtetit të Kosovës. Është kështu për faktin se edhe pse bashkësia ndërkombëtare demokratike e simpatizonte rolin shumë konstruktiv të shtetit të Kosovës, jo njëherë u gjend në pozita shumë të vështira diplomatike, kur edhe i është dashur që ta arsyetonte veten për qëndrimet proshqiptare që i mbante, për rezolutat dhe dokumentet e tjera që i miratonte si dhe për pritjen që ia bënte kryetarit të Kosovës, kryeministrit të Kosovës, deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësuesve të tjerë të shtetit të Kosovës. Për shkak të pozitave të vështira në të cilat binte puna e qëndrimeve ndaj Kosovës, bashkësia ndërkombëtare demokratike shpeshherë shtrëngohej që të mos e thoshte deri në fund fjalën e vet për Kosovën. Kur them këtë mendoj kryesisht në cilësimin e pranisë policoro-ushtarake serbe në Kosovë si pushtim të Kosovës, edhe pse cilësime të tilla nuk munguan në nivele të ndryshme shtetesh, organizatash etj. Mirëpo, ajo që ishte e theksuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare, ishte se në Kosovë funksiononte shteti paralel, pra u pranua ekzistimi i dy shteteve në Kosovë. Në kushtet e mosnjohjes formale të shtetit të Kosovës, ky qëndrim i bashkësisë ndërkombëtare duhet marrë edhe si një formë e pranimit të ekzistimit të shtetit të Kosovës. Ky dualitet shtetëror i njohur dhe i theksuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare, ishte sfida më e madhe për bashkësinë ndërkombëtare, sepse ngadalë po vinte koha kur vetë bashkësia ndërkombëtare do të duhej të deklarohej se cilin shtet e njihte legjitim: shtetin e Serbisë që në Kosovë ishte i pranishëm vetëm nëpërmjet mekanizmave të dhunës dhe pa arritur që ta krijojë qoftë edhe një qeveri kukull, edhe pse provoi ta bëjë këtë, e që i shkilte të drejtat individuale dhe kolektive të një populli dhe të një entiteti të veçantë juridiko-kushtetues, apo shtetin e Kosovës, i cili ishte ndërtuar mbi parimet demokratike të ndërtimit dhe të funksionimit të shteteve dhe të shoqërive demokratike, mbi parimin e vullnetit të shumicës së qytetarëve të Kosovës për shtetin e tyre dhe mbi parimin e të drejtës për vetëvendosje. Pozita e bashkësisë ndërkombëtare për t’u përcaktuar pro njërës e kundër tjetrës, që nënkuptohej vetvetiu, ishte një pozitë sfiduese dhe jo e pëlqyeshme për të, pasi që nëse do të përfillte vullnetin e shqiptarëve për Kosovën shtet i pavarur dhe sovran, mund ta shtynte Serbinë që të tërhiqej nga çdo bashkëbisedim me bashkësinë ndërkombëtare për çështjen e Bosnjes dhe të Kroacisë, si dhe të ndërmerrte masa të dhunshme të përmasave gjenocidale në Kosovë, duke e prishur edhe më tej situatën në rajon. Në anën tjetër deklarimi i prerë kundër vullnetit të shumicës së qytetarëve të Kosovës, po ashtu do t’i vinte në pah grupet e tjera politike në Kosovë dhe rreth Kosovës, të cilat kishte vite që provonin që ta rrënonin politikisht dhe moralisht kryetarin e Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Nuk duhet harruar se edhe brenda vetë bashkësisë ndërkombëtare kishte mospajtime të mëdha lidhur me Kosovën, përkatësisht me statusin e saj. Prandaj, u adoptua diplomacia e pritjes dhe e ballafaqimit të palëve. Në këtë drejtim duhet thënë se refuzimi i dr. Ibrahim Rugovës për të pranuar ndonjë zgjidhje për Kosovën që ishte nën pavarësinë, apo nën një protektorat ndërkombëtar civil dhe ushtarak mbi Kosovën si fazë kalimtare drejt pavarësisë së saj, si dhe refuzimi i dr. Ibrahim Rugovës për të biseduar me Beogradin pa praninë e palës së tretë ndërkombëtare, në të vërtetë është edhe një dëshmi i subjektivitetit politik e ndërkombëtar të Kosovës, e joinferioritetit të shtetit të Kosovës edhe në raport me vetë bashkësinë ndërkombëtare, si dhe e diplomacisë dhe e funksionalitetit origjinal dhe nacional të shtetit të Kosovës. Mesazhi i gjithë kësaj ishte se Kosova përfundimisht ka hyrë në rrugën e vet të ndërtimit të të ardhmes së saj, të lirisë, demokracisë dhe të pavarësisë së saj, kurse ato që mund të bisedoheshin ishin vetëm mënyrat e sendërtimit përfundimtar të këtyre synimeve, përkatësisht mënyrat se si shteti jolegjitim dhe i dhunës të zëvendësohet me shtetin legjitim, të ligjit, të rendit, të lirisë e të demokracisë. Marrëveshjen e Arsimit të 31 gushtit 1996, duhet parë pikërisht në këtë kontekst, pra si fillim i zbatimit de facto dhe de jure të tërheqjes së shtetit jolegjitim dhe të dhunës dhe zëvendësimi i tij me shtetin legjitim dhe të ligjit e të rregullit. Kjo ishte pjesë e diplomacisë step baj step, që Beogradin e vendosi para alternativës: ose të vazhdojë me realizimin e kësaj marrëveshjeje, realizimin edhe të marrëveshjeve të tjera të këtilla që vetvetiu do të përfundonin me tërheqjen e plotë të Serbisë nga Kosova, ose të fillonte dhunën e përmasave të mëdha, përkatësisht të provonte zgjidhje ushtarake të çështjes së Kosovës, e që do të thoshte përsëritjen e skenarit të Bosnjës edhe në Kosovë. Për këtë arsye, lufta ishte e pashmangshme në Kosovë. Çështje ishte me kë do luftonte Serbia?

(vijon)