11 maj 2006

ASPEKTE TË KUNDËRRUGOVIZMIT (14)

(Nga sot, do të publikoj nga dy e më shumë vazhdime, për shkak të interesimit të madh të lexuesve, si dhe për shkak të shkurtimit të kohës së publikimit të fejtonit në tërësi. Më poshtë do të keni mundësi të lexoni vazhdimet 14 dhe 15, të dhëna në renditjen normale, vazhdimin e 15, pas vazhdimit të 14.)
Autori

MARRËVESHJA E ARSIMIT DHE NDIKIMI I SAJ NË FILLIMIN E LUFTËS NË KOSOVË

Deri më tash e kam përmendur disa herë Marrëveshjen e Arsimit të 31 gushtit 1996, duke i dhënë shkurtimisht edhe ndonjë aspekt lidhur me të, por tashmë është momenti që të trajtoj pak më konkretisht këtë Marrëveshje, pasi që ajo ka qenë rrjedhë e funksionimit të shtetit të Kosovës, si dhe ka qenë me ndikim shumë të madh në zhvillimet e mëpastajme në Kosovë, e që rezultuan me fillimin e luftës. Për temën tonë është e rëndësishme, sepse rreth kësaj Marrëveshje apo lidhur me të është ndërtuar një aspekt i kundërrugovizmit e që ka të bëjë me gjoja nënshtrimin e dr. Ibrahim Rugovës dhe nëpërmjet tij edhe e Kosovës ndaj Milosheviqit dhe ndaj Serbisë. Po cila është e vërteta?

Shkruan: Rexhep KASTRATI

Projekti për shtetin e Kosovës si vazhdimësi e veçantisë dardano-ilire dhe pagano-kristiane, ashtu edhe siç ka dalë deri më tash është ndërtuar dhe ka funksionuar në bazë të dokumenteve më të rëndësishme vendore dhe atyre ndërkombëtare. Për shkak të situatës së gjithëmbarshme në rajon, ku logjika e luftës dhe dhunës, fatkeqësisht kishte dominuar mbi arsyen dhe logjikën e shëndoshë, por edhe për shkak të veçantisë së Kosovës si një çështje me një histori më të gjatë dhe më të ndërlikuar të konfliktualitetit që për pasojë ka pasur spastrimin e dhunshëm dhe të manipuluar etnik, lëvizja politike e Kosovës në krye me dr. Ibrahim Rugovën ishin mbështetur në një strategji funksionale të ndërtimit dhe të funksionimit të shtetit, e cila kishte të bënte me vënien e bazave juridiko-kushtetuese dhe institucionale të shtetit, të demonstrimit të mundësisë së funksionimit të tij normal dhe të rolit shumë konstruktiv të tij në rajon dhe më gjerë. Mbi këtë strategji, shteti i Kosovës që edhe pse pa njohje de jure ndërkombëtare, por me një njohje de facto të tij, u përcaktua që të funksionojë si shtet dhe si i tillë të ndërtojë diplomacinë e saj të pavarur si të çdo shteti tjetër, si dhe të japë dëshmi se përcaktimi i këtij shteti për dialog dhe zgjidhje diplomatike të të gjitha problemeve është i njëmendët dhe shumë serioz. Gjatë viteve të funksionimit të këtij shteti është bërë një punë e madhe që Kosova të jetë në çdo nivel të diplomacisë ndërkombëtare, duke u bërë një paraqitje e fortë e pozicionit të Kosovës si në raport me çështjet konkrete të qytetarëve, ashtu edhe në raport me vetë pozitën ndërkombëtare të Kosovës e që ka të bëjë me njohjen ndërkombëtare të shtetit të Kosovës. Në mënyrë shumë të mirë janë paraqitur të gjitha problemet në Kosovë, zgjidhja e të cilave shihej vetëm në një Kosovë të njohur ndërkombëtarisht si shtet i pavarur dhe sovran. Në të vërtetë, përqendrimi i shtetit të Kosovës ishe pikërisht në argumentimin se të gjitha problemet konkrete të popullatës në Kosovë, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike, fetare etj., burimin e kishin te prania e një shteti dhe e një pushteti jo legjitim dhe që nuk dilte nga vullneti i atij populli. Delegjitimimi i atij pushteti edhe në nivelet ndërkombëtare u provua të bëhet dhe u arrit falë urtisë dhe zhdërvjelltësisë politike e diplomatike të dr. Ibrahim Rugovës, i cili arriti që ta bindë bashkësinë ndërkombëtare se gjendja e Kosovës dhe vetë dhuna ndaj shqiptarëve në Kosovë bëhet vetëm për të imponuar dhunshëm dhe në kundërshtim me vullnetin e popullit një pushtet të huaj. Tashmë bashkësia ndërkombëtare e kishte të qartë se Kosova ishte viktimë e Serbisë, ashtu edhe siç ishte edhe barrë për Serbinë. Mekanizmat për delegjtimim faktik të pushtetit të Beogradit edhe për shkak të raporteve të gjithëmbarshme gjeopolitike e gjeostrategjike ishin mjaft të kufizuara, prandaj u provua diplomacia hap pas hapi, apo step baj step, pra diplomacia e zgjidhjes së çështjeve konkrete, para se të zgjidhet ndërkombëtarisht statusi e Kosovës. Kjo diplomaci mundësonte që t’ia impononte palëve të arrinin marrëveshje konkrete për probleme konkrete dhe pastaj varësisht prej realitetit që mund të krijohej të përshtatej aso lloj diplomacie që do të mund të përmbyllte edhe statusin politik të Kosovës. Si mënyrë e zgjidhjes paqësore dhe diplomatike e problemeve, ky lloj i diplomacisë ishte i pranueshëm për shtetin e Kosovës, sepse në këtë mënyrë e implikonte vetë bashkësinë ndërkombëtare në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, dëshmonte para saj seriozitetin, konstruktivitetin dhe aftësinë diplomatike, vinte Beogradin në pozita të vështira faktike, pasi që e vinte në ballafaqim me bashkësinë ndërkombëtare. Kjo do të thotë se nëpërmjet diplomacisë hap as hapi, bashkësia ndërkombëtare e bënte veten garantuese të marrëveshjeve eventuale ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, e bënte të bindej në seriozitetin e institucioneve shtetërore të Kosovës, si dhe e bënte ta provonte në praktikë demagogjinë serbe për gjoja gatishmërinë e Beogradit për dialog me Prishtinën. Duhet thënë se gjatë tërë kohës së funksionimit të shtetit të Kosovës, Beogradi u mundua vazhdimisht që ta mashtronte bashkësinë ndërkombëtare se vetë është i gatshëm për dialog me shqiptarët, por është Prishtina përkatësisht dr. Ibrahim Rugova ai që është kundër dialogut. Për fat të keq, në këtë drejtim ka shkuar edhe angazhimi i disa qarqeve të brendshme në Kosovë, kryesisht të mbledhur rreth të përdishmes “Koha ditore” dhe javores “Zëri”, të cilët jo njëherë e fajësuan dr. Ibrahim Rugovën për gjoja mosgatishmëri për zgjidhjen e problemeve me dialog, bile edhe si pengues i çdo përpjekjeje eventuale edhe nga të tjerët për zgjidhje të tilla. Prandaj, angazhimi për zgjidhjen e problemeve hap pas hapi, përveç aspekteve të tjera, kishte për qëllim që të demantonte edhe gjithë zërat për gjoja mosgatishmërinë e dr. Ibrahim Rugovës për dialog me Beogradin. Edhe pse qëndrimi zyrtar i shtetit të Kosovës, i cili në bashkësinë ndërkombëtare njihej si shtet paralel, ishte që dialogu me Beogradin mund të bëhet me praninë e palës së tretë, pra dialog i ndërmjetësuar, substancial dhe frytdhënës, kjo u mundua të paraqitej si pengesë për dialog me Beogradin, pasi që kishte të tjerë që po t’u jepej rasti do të mund të bënin dialog me Beogradin edhe pa praninë e palës së tretë. Dhe e gjithë lufta diplomatike e Beogradit dhe e qarqeve jugosllaviste në Kosovë ishte pikërisht në këtë drejtim, pra në drejtim të paraqitjes së qëndrimit zyrtar të shtetit të Kosovës që me Beogradin të dialogonte në praninë e palës së tretë si garantuese e marrëveshjeve eventuale, si fshehje mungesës së vullnetit të dr. Ibrahim Rugovës për dialog me Beogradin. Duhet thënë se në këtë kohë, pra në kohën e mesit të viteve ’90 të shekullit të kaluar, edhe brenda lëvizjes politike në Kosovë kishin filluar të dalin sado johapur, disa zëra për dialog me Beogradin edhe pa praninë e palës së tretë. Dhe këto zëra, edhe pse të dobët, kishin jehonën e tyre në diplomacinë ndërkombëtare, prandaj edhe pozitat e dr. Ibrahim Rugovës u vështirësuan. Në anën tjetër, të ashtuquajturat grupe marksist-leniniste dr. Ibrahim Rugovën e sulmonin për vasalitet dhe përulësi ndaj Beogradit pikërisht për shkak të gatishmërisë së tij që të dialogojë me Beogradin edhe për probleme konkrete. Ndikimi i këtyre sulmeve ishte i madh, pasi që duhet thënë se grupi i Hydajet Hysenit kishte pozita të forta edhe brenda lëvizjes politike të Kosovës. Në një situatë të tillë u gjend dr. Ibrahim Rugova dhe shteti i Kosovës kur filluan bisedat për çështje të arsimit. Edhe pse qëndrimi zyrtar i institucioneve të Kosovës për dialog me Beogradin me ndërmjetësim ndërkombëtar u përfill, karakteri fetar i ndërmjetësuesit, “Shën Egjidio” dhe imzot Vincenco Paglia-s, më tepër u interpretua vetëm si një lloj ndërmjetësimi formal e madje edhe si devalvim i çështjes së arsimit në Kosovë. Për këtë arsye, ende pa u arritur Marrëveshja, u vu në dyshim zbatimi i saj, pasi që garantuesi i saj nuk kishte fuqi imponuese, edhe pse mbrapa “Shën Egjidio-s” qëndronte Vatikani dhe e gjithë bashkësia ndërkombëtare demokratike. Pas disa ecejakeve të Vincenco Paglia-s në relacionin Prishtinë – Beograd, Marrëveshja u arrit më 31 gusht 1996, një ditë para se të fillonte viti shkollor 1996/1997. Rëndësia e kësaj marrëveshjeje qëndron në faktin se tashmë ishte krijuar precedenti juridiko-politik që de facto legjitimonte shtetin e Kosovës, pavarësisht nga komentet e Beogradit, dhe atë edhe nga Beogradi, edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Si Beogradi, ashtu edhe bashkësia ndërkombëtare kishin hyrë në një proces të pakthyeshëm të zgjidhjes ndërkombëtare të statusit të Kosovës. Në këtë kontekst, Marrëveshja e Arsimit e 31 gushtit 1996, duhet të konsiderohet si moment dhe si datë e fillimit zyrtar të formalizimit ndërkombëtar të pavarësisë së Kosovës, proces që do t’i ketë ecejaket e veta. Në anën tjetër, Marrëveshja e Arsimit e 31 gushtit 1996, përballë e vendosi shtetin e Kosovës dhe shtetin e Serbisë, duke filluar përjashtimin e këtij të fundit nga Kosova. Fakti se me Marrëveshje parashihej lejimi i nxënësve dhe i studentëve shqiptarë që të vijojnë mësimet dhe studimet në objektet shkollore dhe universitare me planprogramet e Ministrisë së Arsimit të Republikës së Kosovës, dëshmonte se në këtë sektor themelor të shoqërisë, shteti serb kishte pranuar që të përjashtohej nga Kosova. Për këtë arsye, kjo Marrëveshje e vuri në pozitë shumë të vështirë Beogradin, i cili tashmë ndodhej para një situate që nëse lejonte realizimin e saj, do të thoshte lejim i shtetit të pavarur të Kosovës, e nëse nuk e lejonte, i binte poshtë gjithë ajo demagogji që kishte bërë gjatë viteve se gjoja është i gatshëm për dialog me Prishtinën, për gjoja është kjo e fundit që nuk është e gatshme që të bisedojë me Beogradin. Në anën tjetër, Marrëveshja e Arsimit e 31 gushtit 1996, i vuri në siklet si jugosllavistët e Kosovës në krye me Veton Surroin dhe të tjerët, të cilët më vonë do të formojnë UJDI-n si shoqatë panjugosllaviste, ashtu edhe grupet marksist-leniniste, të cilat i druheshin realizimit eventual të kësaj Marrëveshjeje, të cilën e shihnin me të drejtë si fillim i realizimit përfundimtar dhe ndërkombëtar të shtetit të Kosovës sipas projektit të dr. Ibrahim Rugovës dhe të lëvizjes politike që e drejtonte ai. Në këtë kontekst duhet parë edhe smirën e Adem Demaçit në atë kohë, si dhe histerinë e Rexhep Qosjes, e cila kishte vënë në shënjestër gjithë sistemin e funksionimit të shtetit të Kosovës atëherë. Po ashtu, në këtë kontekst duhet parë edhe lëvizjet e grupeve të ndryshme marksist-leniniste, sidomos të LPK-së për të vepruar, dhe atë në mënyrë ilegale. Punën e parë që e bënë ishte një përpjekje për të vënë nën kontroll grupet guerile, sidomos atë të Drenicës dhe të Llapit, nëpërmjet të të cilave do të mund të ndërmerrnin veprime luftarake në Kosovë. Për këtë arsye i kanë mbajtur do takime nëpër fshatra të Drenicës dhe të Llapushës për gjoja themelimin e asaj që më vonë do të quhet Ushtri Çlirimtare e Kosovës. Këto veprime u bënë me bindjen se pas Marrëveshjes së Arsimit rruga e pavarësimit ndërkombëtar të Kosovës do të jetë çështje kohe dhe mjafton vetëm një grumbull krismash nëpër Kosovë dhe meritat për pavarësimin ndërkombëtar t’i marrin ata. Një pjesë tjetër e tyre, ndërkaq, që ishin të instrumentalizuar nga Beogradi, përkatësisht që ishin rekrutë të shërbimeve sekrete serbe, provonin që nëpërmjet grupeve guerile ekzistuese të krijonin rrethanat për një operacion të gjerë ushtarak serb në Kosovë, e cila përveçse do të shkatërronte shtetin e Kosovës, përveçse do ta nxirrte nga rendi i ditës Marrëveshjen e Arsimit, do të realizonte ndarjen e Kosovës si Bosnjën, nëpërmjet spastrimit etnik të territoreve etnike shqiptare. Për të ndodhur këto, duhej të radikalizohej opinioni, të acarohej situata, dhe të jepeshin shenja të mosrealizimit të Marrëveshjes së Arsimit, e që do të ndikonte drejtpërdrejt në rritjen e pakënaqësisë së njerëzve dhe vetë radikalizimin e situatës. Serbia de facto po përgatitej për operacione gjenocidale në Kosovë. A thua vetëm Serbia? Para përgjigjes në këtë pyetjeje, të shohim se çka i parapriu në fakt Marrëveshjes së Arsimit të 31 gushtit 1996, a ishte hap para apo hap mbrapa në sendërtimin e shtetit të Kosovës, dhe a fitonin apo humbisnin shqiptarët me këtë marrëveshje? Të gjitha këto në vazhdimin vijues.

(vijon)