11 maj 2006

ASPEKTE TË KUNDËRRUGOVIZMIT (15)

MARRËVESHJA E DEJTONIT PËR BOSNJËN DHE ÇËSHTJA E KOSOVËS

Bosnja dhe zhvillimet atje ishin dëshmi i zbrazjes së hegjemonizmit serb, e rishfaqjes së raporteve të hershme gjeopolitike e gjeostrategjike, si dhe fillimi i protagonizmit pozitiv të SHBA-ve në Ballkan, e që ishte shumë e ngjashme me protagonizmin amerikan në sidomos në përfundimin e Luftës së Parë Botërore dhe në Konferencën e Versajës e të Parisit. Marrëveshja e dejtonit e vitit 1995, e që u arrit me protagonizmin pozitiv të SHBA-së nëpërmjet Riçard Holbrukut, është dëshmi i potencës diplomatike të këtij shteti të madh të quajtur edhe kampion i demokracisë.

Shkruan: Rexhep KASTRATI

Shpërfaqjes së aspekteve të kundërrugovizmit, të përmendura në vazhdimin pararendës të këtij fejtoni, edhe pse shumë agresive, e që kishin të bënin me Marrëveshjen e Arsimit të 31 gushtit 1996, nuk i ka dhënë të drejtë as konteksti gjeopolitik i arritjes së saj, pasi që si e tillë, përveçse kishte të bënte me një situatë kur palët, Prishtina e Beogradi, duhej të dëshmoheshin se seriozisht ishin për dialog, kishte të bënte edhe me një realitet të ri të krijuar në kontekstin rajonal dhe ndërkombëtar. Kjo ka të bëjë me Marrëveshjen e Dejtonit (1995) që u arrit ndërmjet Serbisë, Kroacisë e Bosnjës, me ndërmjetësimin amerikan të Riçard Holbrukut, e cila i dha fund luftës dhe gjenocidit në Bosnjë. Me këtë Marrëveshje ishte mbyllur cikli i zgjidhjes së çështjes së Sllovenisë, të Koracisë dhe të Bosnjës dhe kishte ardhur koha që t’i gjendej një zgjidhje edhe çështjes së Kosovës. Kjo madje ishte paralajmëruar fill pas Marrëveshjes së Dejtonit, duke u paralajmëruar edhe Dejtoni 2. Kosova, e cila në planin e brendshëm ishte ndërtuar si shtet dhe funksiononte si i tillë, kishte shkaktuar konfuzion dhe paqartësi shumë të mëdha në vetë bashkësinë ndërkombëtare. Edhe pse ishte e qartë se çështja e Kosovës ishte një çështje ndërkombëtare që duhej të zgjidhej, dhe në këtë drejtim nuk kishte ndonjë dilemë të madhe, përjashto diplomacinë ruse, që vazhdonte të këmbëngulte se çështja e Kosovës është çështje e brendshme e Serbisë, ishte pikërisht vetë zgjidhja dhe mënyrat e zgjidhjes së kësaj çështje që kishin bërë që bashkësia ndërkombëtare të mos ishte tamam e qartë dhe tamam unike në përcaktimin e zgjidhjes dhe të mënyrës së zgjidhjes së këtij problemi të ndërlikuar në Kosovë. Asnjë shtet, së paku jo publikisht, nuk kishte idenë se si të zgjidhet çështja e Kosovës, e as çfarë do të jetë statusi ndërkombëtar. Ajo që ishte e qartë për bashkësinë ndërkombëtare ishte se kishte të bënte me dy palë që në asnjë mënyrë nuk e pranonin pushtetin e tjetrit mbi Kosovën: shqiptarët që i kishin kryer të gjitha procedurat formalo-juridike të shtetit të Kosovës dhe kishin filluar funksionimin tij, e që kërkonin vetëm njohjen ndërkombëtare të këtij shteti, ose një protektorat ndërkombëtar ushtarak dhe civil si fazë kalimtare, enë anën tjetër serbët që çfarëdo shenje të mirëkuptimit ndaj kërkesës së shqiptarëve e kërcënonin me një luftë të re në Kosovë. Përvoja e Bosnjës, vështirësitë që kishte pasur bashkësia ndërkombëtare për ta zgjidhur atë çështje, diplomacinë ndërkombëtare e kishte vënë në një pozitë të vështirë edhe në raport me Kosovën. Është kështu se në njërën anë kishte të bënte me një territor shumë më të qartë etnikisht se sa shumica e njësive të tjera të ish-federatës jugosllave që në ndërkohë ishin bërë shtete të pavarura, e në të cilin shumica e qytetarëve të saj ishin shprehur në referendum për pavarësinë e vendit të tyre dhe në këtë funksion kishin vënë në zbatim vendimet e tyre për pavarësi, kurse në anën tjetër kishte një shtet që dhunshëm ishte imponuar dhe dhunshëm funksiononte në Kosovë. E gjendur ndërmjet një shteti që funksiononte me vështirësi, por që shprehte vullnetin e shumicës së qytetarëve, dhe një shteti që funksiononte në Kosovë vetëm nëpërmjet dhunës dhe ishte shtet i dhunshëm, bashkësia ndërkombëtare duhej ose ta sakrifikonte një nga parimet themelore të të drejtës ndërkombëtare:respektimin e vullnetit të shumicës së qytetarëve të një territori, ose parimin e sovranitetit të shteteve, por që binte ndesh me vullnetin e shumicës së qytetarëve të një territori të caktuar. Pra, ose të njihej vullneti i shqiptarëve për pavarësi, ose të njihej pushteti i dhunshëm serb mbi Kosovën. Nga përvoja e mëhershme ndërkombëtare, pranimi i pavarësisë së Kosovës mund të bëhej edhe me Rezolutën e OKB-së të vitit 1960 për të Drejtën e Kombeve për Shkolonizim, në bazë të të cilës u pavarësuan shumica e shteteve të Afrikës, ose thjesht ta zbatonte të drejtën për vetëvendosje të sanksionuar edhe në Kartën e OKB-së të vitit 1945, dhe të risanksinuar edhe me Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale e Kulturore dhe me Paktin për të Drejtat Civile dhe Politike të vitit 1966. Mirëpo, për shkak të konfuzitetit, paqartësive dhe të rifunksionalizimit të konteksteve gjeopolitike e gjeostrategjike të hershme, bashkësia ndërkombëtare nuk mund të gjente një zgjidhje të pranueshme për të gjithë. Ajo që i bënte bashkë të gjithë, ndërkaq, ishte fakti se sido që të jetë Kosova do të duhej të kishte shkallën më të lartë të autonomisë, e cila do t’u mundësonte qytetarëve të Kosovës që vetë t’i zgjidhnin problemet e tyre si dhe t’i realizonin të drejtat e tyre. Mirëpo, në një kontekst kur në Kosovë ekzistonin dy realitete formalo-juridike dhe kur asnjëra palë nuk pranonte më pak se sa që kishte deklaruar fillimisht, u pa e rrugës që të nxiteshin palët që t’i vënë në zbatim gatishmëritë e deklaruara për dialog ndërmjet tyre. Dhe kështu u imponua diplomacia hap pas hapi, e cila do të mundësonte arritjen e marrëveshjeve për çështje konkrete pa e prejudikuar statusin e Kosovës, por që de facto do të trasonte rrugën edhe të statusit përfundimtar. Kjo, në të vërtetë, ishte diplomaci që do të testonte si gatishmërinë e palëve për zgjidhje reale të problemeve të qytetarëve, që do të testonte aftësinë tyre për të luajtur si duhet në lojën diplomatike, që do të testonte edhe reagimet rajonale e më gjerë gjatë dhe pas çdo marrëveshjeje konkrete që do të arrinin palët, por edhe që do të prodhonte rrethana më të përshtatshme për ta zgjidhur vetë statusin e Kosovës. Dhe si çështje e parë konkrete u shtrua çështja e arsimit, pasi që ishte një çështje që i përkiste lirive dhe të drejtave themelore të njeriut dhe për shkak se ishin dhjeta mija nxënës e studentë që në kushte shumë të vështira e realizonin procesin arsimor në Kosovë, e në anën tjetër objektet shkollore mbaheshin dhunshëm nga pushteti i dhunshëm i Beogradit në Kosovë. Testi, në këtë kuptim, ishte se nëpërmjet kësaj çështjeje mund të dilte kush është e kush nuk është në fakt për marrëveshje, përkatësisht kush i respekton e kush jo ato. Nëpërmjet kësaj çështjeje matej gatishmëria e palëve për të arritur marrëveshje dhe për të zbatuar atë, nga e cila gatishmëri më tej do të provohej që të arrihej marrëveshje për kthimin e punëtorëve shqiptarë në vendet e tyre të punës pa kushtin e njohjes së Serbisë si shtet dhe marrëveshje të tjera për çështje konkrete. Shteti i Kosovës, ndërkaq, nëpërmjet dr. Ibrahim Rugovës për vite kishte thënë se Serbia nuk i respekton marrëveshjet, prandaj duhej një ndërmjetësim ndërkombëtar, e që përveç lehtësimit, ndërmjetësimit dhe imponimit të marrëveshjeve, do të garantonte edhe zbatimin e saj. Prandaj, ishte shumë i interesuar që të arrihej marrëveshja, pasi që sido që të jetë, vetë shqiptarët do të ishin fitues, për faktin se nëse Milosheviqi do e respektonte marrëveshjen, atëherë nxënësit dhe studentët shqiptarë do të riktheheshin në objektet e tyre shkollore, kurse më tej do të vazhdohej me marrëveshje të tjera, derisa të vinte një situatë kur të gjitha sektorët publikë do të funksiononin normalisht dhe në përputhje me dokumentet shtetërore të Kosovës, pra do të bëhej përjashtimi i Serbisë nga Kosova, e nëse nuk do ta respektonte marrëveshjen, edhe bashkësia ndërkombëtare do të bindej se shqiptarët kishin të drejtë që nuk i besonin Beogradit, e rrjedhimisht kishin të drejtë të refuzonin pushtetin e Beogradit mbi Kosovës. Me këtë bindje institucionet iu qasën dialogut me Beogradin për çështje të arsimit, gjithnjë duke mos hequr dorë nga qëndrimet e tyre strategjike që dialogu të jetë i ndërmjetësuar nga pala e tretë dhe që të mos diskutohej fare për planprogramet dhe për kompetencën e hartimit të tyre. Kjo bëri që Marrëveshja të arrihej me ndërmjetësim ndërkombëtar, si dhe në të të mos përfshihet çështja e planprogrameve dhe e kompetencës së hartimit të tyre. Kjo ishte një fitore për shtetin e Kosovës, sepse siç thashë edhe në vazhdimin paraprak, u arrit që të bëhet legjitimimi faktik i shtetit të Kosovës, u arrit që të implikohet bashkësia ndërkombëtare si palë e tretë, si dhe u vu në provë edhe Beogradi, e edhe përkrahësit e tij në bashkësinë ndërkombëtare për realizimin apo mosrealizimin e kësaj marrëveshjeje. Natyrisht se pas kësaj Marrëveshjeje asgjë nuk ishte si më parë, pasi që kishte përfunduar koha e fjalëve, e ligjëratave teorike, politike, diplomatike, gjeopolitike e gjeostrategjike për të gjithë dhe kishte ardhur koha e veprimit konkret, e realizimit të marrëveshjeve, që do të thotë një zgjidhje paqësore për Kosovën, ose mosrealizim i marrëveshjeve, e që do të thotë sanksionim ndërkombëtar të palës që nuk i respekton marrëveshjet. Me këtë Marrëveshje, shteti i Kosovës në krye me dr. Ibrahim Rugovën kishte arritur që ta mposhtte Serbinë në të gjitha aspektet, në aspektin e të drejtës historike e etnike mbi Kosovën, në aspektin e manipulimit të Beogradit me përkatësinë fetare të shqiptarëve, me aftësinë e tyre për të ndërtuar shtet, me gatishmërinë reale për dialog dhe për respektim të marrëveshjeve, me një mendësi moderne, demokratike dhe civilizuese të zgjidhjes së problemeve dhe me partneritet real me bashkësinë ndërkombëtare. I vetmi aspekt kishte mbetur edhe ballafaqimi ushtarak ndërmjet Kosovës dhe Serbis. Pra, i vetmi mjet për ta imponuar veten në Kosovë, Serbisë, përfundimisht i kishte mbetur sistemi i përzier ushtarako-policor dhe paraushtarak i dhunës.

(vijon)