14 maj 2006

ASPEKTE TË KUNDËRRUGOVIZMIT (18 - 19)

ASPEKTE TË KUNDËRRUGOVIZMIT (18)

KEQINTERPRETIMET E QËNDRIMEVE
TË DR. IBRAHIM RUGOVËS NDAJ LUFTËS NË KOSOVË

Me masakrat në Likoshan, Qirez, Dobrashec e në ndonjë tjetër në Drenicë, e që u pasuan me masakrën mbi familjen e Jasharajve në Prekaz, situata konfliktuale në Kosovë rrezikonte gjithë procesin politik në Kosovë. Bashkësia ndërkombëtare që shpresonte në një zgjidhje paqësore të problemit, si dhe institucionet e shtetit të Kosovës, u gjendën para një situate të një autizmi politik, pasi që ishte e vështirë të mbahej situata nën kontroll. Rekrutët e shërbimeve sekrete serbe që ishin infiltruar në një organizatë të re ushtarako-politike UÇK, por edhe në qarqe të afërta me të, si kurrë më parë e vunë në shënjestër dr. Ibrahim Rugovën dhe linjën institucionaliste në përgjithësi, duke e akuzuar edhe për tradhti, edhe për proserbizëm dhe të ngjashme. A kishin të drejtë?

Shkruan: Rexhep KASTRATI

I kishin provuar të gjitha mënyrat për rrënimin moral, politik e diplomatik të dr. Ibrahim Rugovës, ishin munduar ta minonin stabilitetin e linjës institucionaliste edhe duke u larguar nga ajo grupi i Hydajet Hysenit, kishin provuar që ta shfrytëzonin situatën e krijuar për delegjitmimin e institucioneve shtetërore të Kosovës, por nuk ia kishin arritur. Kjo ngaqë populli kishte një besim të palëkundur në dr. Ibrahim Rugovën, në urtinë, mençurinë, seriozitetin dhe përgjegjëgjshmërinë e tij. U kishte mbetur që ta dezinformonin opinionin për qëndrimet e tij ndaj luftës, duke e ndërlidhur edhe me qëndrimin e tij ndaj UÇK-së. Në këtë mënyrë shpresonin që të ngjallnin reagimin emocional të popullit dhe kështu ta nxisnin kundër dr. Ibrahim Rugovës. Edhe pse qëndrimet e dr. Ibrahim Rugovës ndaj luftës ishin të njohura qysh moti, sipas të cilave ai ishte kundër luftës sepse ajo në Kosovë mund të sillte vetëm masakra dhe spastrim etnik të popullit shqiptar, e që ishin qëndrime realiste dhe serioze, por edhe paralajmëruese, ajo që tashmë ishte profilizuar si linjë e Tiranës/Kretës, këtë e interpretonte si qëndrim kundër UÇK-së, edhe pse kurrë vetë personalisht dr. Ibrahim Rugova apo ndonjë zyrtar i lartë shtetëror i Kosovës nuk kishte nxjerrë ndonjë deklaratë të tillë. Mirëpo, të jesh kundër luftës dhe të jesh kundër UÇK-së janë dy çështje të ndryshme, pasi që as Milosheviqi vetë nuk është deklaruar qartë ndonjëherë pro luftës dhe pro zgjidhjeve ushtarake të problemeve në ish-Jugosllavi, a të jesh kundër ndonjë organizate politiko-ushtarake, që pavarësisht se edhe atëherë kishte zëra se kontrollohej nga shërbime sekrete serbe dhe nga SHIK-u i Tiranës, por që kishte grumbulluar gjithë ata djem dhe vasha të reja, ishte krejt diçka tjetër. Mund të jesh shtet me të gjitha të drejtat dhe kompetencat e një shteti edhe të njohur ndërkombëtarisht, pra ta kesh edhe ushtrinë tënde zyrtare, dhe mund të jesh kundër luftës. Cili prej atyre që dje janë thirrur në emër të UÇK-së mund të thotë se nëse ndahet Mitrovica, do t’i rrokim armët e do të luftojmë? Natyrisht se askush, pasi që edhe vetë plani për zyrtarizimin e ndarjes së këtij qyteti ka dalë nga zyrat e një partie që thirret në emër të UÇK-së. Prandaj, të jesh kundër luftës, kjo nuk do të thotë se je edhe kundër një organizate politiko-ushtarake, që edhe pse zyrtarisht kontrollohej nga linja e Tiranës/Kretës, një linjë që kishte dalë nga kulisat e SHIK-ut të Tiranës dhe nga kulisat e shërbimeve sekrete serbe, por që në shtrirjen e saj kishte djem e vasha shumë trima dhe shumë të përkushtuar ndaj çlirimit të Kosovës. Prandaj, edhe spekulimi që është bërë atëherë dhe më pas me qëndrimin e dr. Ibrahim Rugovës ndaj luftës, paraqiste vetëm synimin për realizimin e një qëllimi serb: rrënimin politik të dr. Ibrahim Rugovës, nëpërmjet tij edhe të bazës institucionale të shtetit të Kosovës. Se ishte kështu, dëshmon edhe një fakt i paraqitur gjatë dëshmisë së dr. Ibrahim Rugovës në Gjykatën e Hagës kundër Milosheviqit, e që ka të bëjë me një gjoja thirrje që kryetari i Kosovës gjoja i paska bërë popullit që ta lëshonte Kosovën, e të ngjashme. Kjo thirrje që doli se nuk ishte shkruar si duhet në gjuhën shqipe, pra mund të jetë shkruar në ndonjë zyrë të ndonjë shërbimi sekret serb, apo edhe në ndonjë nga malet e Kosovës, sheshit doli që ishte bërë për të komprometuar dr. Ibrahim Rugovën si kryetar i Kosovës, si dhe për ta paraqitur spastrimin etnik të shqiptarëve jo si spastrim etnik, por si përgjigje në thirrjen që gjoja e paska bërë dr. Ibrahim Rugova. Përveç kësaj, për ta rrënuar linjën institucionaliste, linja e Tiranës/Kretës filloi edhe vrasjet politike, të cilave u kishte paraprirë vrasja e Ali Ukajt në Tiranë dhe që kishte vazhduar me vrasjen e ndonjë veprimtari të LDK-së, me vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqit e kështu me radhë. Kundërrugovizmi i kësaj kohe nuk ishte vetëm kundërrugovizëm verbal, por edhe veprues, në kuptimin e vrasjeve politike, e kërcënimeve për t’u tërhequr nga LDK-ja e kështu më radhë. Të gjitha këto bëheshin me qëllim të rrënimit të linjës institucionaliste, e më keq se kaq, edhe për të nxitur një luftë qytetare ndërmjet shqiptarëve. Është kështu, sepse propaganda e mbrapshtë e nxitur nga SHIK-u i Tiranës, dega e Kosovës, dhe nga shërbimet sekrete serbe, popullin mundohej ta ndante në patriotë dhe në tradhtarë, duke thënë se kush është me LDK-në është tradhtar. Edhe pse në ndonjë anë të Kosovës dhe në Katesh të shtetit aktual mund të ketë pasur edhe ndonjë krismë kundër njëri-tjetrit, duhet thënë se situatën e shpëtoi nga eskalimi në luftë qytetare, pikërisht urtia e dr. Ibrahim Rugovës, i cili me qëndrimet e tij të mençura u angazhua që të mos bëheshin rivalitete se kush çka është, por që të ruhen njerëzit, t’u ndihmohet atyre dhe të shpëtohen sa më shumë jetë njerëzish. Në planin publik-politik, zëdhënëse e të gjitha këtyre në Kosovë ishte bërë “Bota e re” që drejtohej nga Muhamet Mavraj, i cili më vonë do ta themelojë një gazetë ditore me emrin “Epoka e re”, si dhe ajo që atëherë quhej LBD në krye me Rexhep Qosjen. Jakup Krasniqi, i cili ishte bërë zëdhënës i UÇK-së, ndoshta është mirë që t’i lexojë deklaratat e bëra në atë kohë dhe të shohë se a ka pasur të drejtë në ato që ka thënë. Edhe qeveria e Tiranës në krye me Fatos Nanon ishte bërë pjesë e luftës kundërrugovë dhe kundërshtet, kurse Sali Berisha kishte mbetur si i thonë fjalës, si çura në mjegull, pasi që ende nuk e kishte të qartë se me kë kishte të bënte. Pas elementeve të kundërrugovizmit, të shfaqura që nga viti 1996, kur iu kishte bashkuar thirrjeve të Demaçit e të ndonjë tjetri që t’i bashkoheshin opozitës serbe në krye me Drashkoviqin për ta rrëzuar Milosheviqin, por që qëllim kishin rrënimin e dr. Ibrahim Rugovës, Berisha ende nuk e kishte kuptuar se ishte mashtruar edhe nga Demaçi, edhe nga Bukoshi, edhe nga gjithë të tjerët. U desh të ndodhë eksodi më shumë se biblik i shqiptarëve dhe deklarimet individuale të tyre nëpër kampet e strehimit se ishin me dr. Ibrahim Rugovën, që ta shtynin Berishën që të fillonte disa mitingje, në të cilat për herë të parë pas sa vitesh, jepte vlerësime të larta për dr. Ibrahim Rugovën. Atij nuk i kishin mjaftuar tubimet e vazhdueshme në Kosovë gjatë vitit 1998, e në të cilat merrnin pjesë qindra mija shqiptarë, e në të cilat kërkohej që UÇK-ja dhe dr. Ibrahim Rugova, pra institucionet e Kosovës të ishin bashkë, e që do të thotë vënien e UÇK-ës nën kontrollin e shtetit të Kosovës. As fakti se nga ana e tij, Kuvendi i Republikës së Kosovës gjatë verës së 1998, kishte miratuar një rezolutë me të cilën e njihte UÇK-në si ushtri të Kosovës, por që nuk ishte pranuar nga ata që e kishin monopolizuar këtë organizatë politiko-ushtarake, si dhe as fakti se institucionet e shtetit të Kosovës ishin të gatshme që t’ia jepnin drejtimin e qeverisë një përfaqësuesi të LBD-së, pra të partisë së Qosjes, por që në të vërtetë ishte grupi i Hydajet Hysenit i dalë nga LDK-ja, nuk e bindën Berishën se ishin ata që e kishin monopolizuar UÇK-në, që nuk ishin të gatshëm për këtë, pasi që nuk ishin në skenën politike dhe ushtarake të Kosovës për të ofruar bashkëpunim, por rrënim, shkatërrim dhe luftë qytetare. I mbetur edhe pa mbështetje nga Tirana, por edhe me një mosbashkërendim ndërmjet Presidencës dhe Qeverisë, për shkak se Bukoshi i kishte hipur kalit nga bishti dhe i kishte hipur në kokë se i kishte 200 mijë ushtarë të gatshëm për luftë dhe se mund të bënte luftë me Serbinë, por që në të vërtetë kishte hyrë në do marrëveshje me njerëz të LPK-së, qoftë për kompetenca në fonde dhe në armatim, qoftë edhe në aspekte të tjera, pa u konsultuar me Presidencën dhe me vetë dr. Ibrahim Rugovën, kryetari i Kosovës po i kalonte kohët më të vështira dhe po i përballonte mirë të gjitha sulmet, pasi që populli megjithatë ishte me të. Përkundër gjithë këtyre, dr. Ibrahim Rugova shprehu me kohë qëndrimin që UÇK-ja të vihej nën kontroll të institucioneve, pra nuk kishte shprehur ndonjë qëndrim kundër UÇK-së, por kishte kërkuar që të vihej nën kontrollin e institucioneve, në mënyrë që të profesionalizohej, të depolitizohej dhe që të kishte një bashkërendim ndërmjet veprimeve politiko-diplomatike dhe veprimeve ushtarake në terren. Në fund të fundit këtë e kërkonte edhe populli në tubimet e përditshme që mbaheshin në atë kohë. Mirëpo të gjitha këto ishin refuzuar nga linja e Tiranës/Kretës, e cila nëpërmjet Mehmet Hajrizit, dhe nëpërmjet Dojçe Veles, më problem e konsideronte dr. Ibrahim Rugovën në Prishtinë se sa Milosheviqin në Beograd. Kjo ishte luftë totale kundër dr. Ibrahim Rugovës, kundër shtetit të projektuar dhe të ndërtuar nga dr. Ibrahim Rugova dhe linja insitucionaliste në përgjithësi, e që ishte shteti në tërësinë territoriale, pa ndarje të jashtme dhe të brendshme dhe me një bashkëjetesë qytetare ndërmjet popullit shumicë dhe pakicave etnike, apo grupeve etnike, siç i quante dr. Ibrahim Rugova, dhe shtet mbi bazën dardano-ilire, pagano-kristiane të identitetit historik dhe njerëzor të tij. Përkundër këtyre, dr. Ibrahim Rugova, përsëri kishte provuar që me qëndrime diplomatike të ndryshme t’i mbrojë nga ndonjë akuzë e mëvonshme, duke thënë se në Kosovë nuk ka luftë, se shqiptarët po i mbrojnë pragjet e shtëpive të tyre dhe se në Kosovë kishte masakra serbe dhe spastrim etnik. Kjo për faktin se nëse ajo që ndodhte në Kosovë cilësohej si luftë atëherë do t’i lindte e drejta Tribunalit të Hagës për të bërë padi ndaj ndonjë pjesëtari të UÇK-së, por edhe do të relativizohej pesha e krimit serb në Kosovë, sepse ndryshe është kur një popull masakrohet, e që do të thotë se Kosova shndërrohej në një kamp përqendrimi shumë më të tmerrshëm se Holokausti, e ndryshe kur një ushtri lufton kundër një ushtrie tjetër. Viktimat dhe spastrimi etnik do të mund të paraqiteshin si pasojë të një konflikti ndërmjet dy ushtrive. Edhe Kosova si entitet politiko-juridik do të mund të kishte përfitime diplomatike. Mirëpo, ky qëndrim u kundërshtua ashpër dhe u përdor për të dëshmuar gjoja qëndrimet kundëruçk të dr. Ibrahim Rugovës. U desh të arrestohej Fatmir Limaj, Haradin Balaj dhe Isak Musliu që vetë ish-eksponentë të UÇK-së të deklaronin se në Kosovë nuk ka pasur luftë, se shqiptarët i kanë mbrojtur pragjet e shtëpive të tyre, si dhe kishte pasur vetëm masakra mbi popullatën shqiptare. Pra, u desh ta bartin peshën e akuzave të Tribunalit të Hagës, që të pranojnë qëndrimet e dr. Ibrahim Rugovës. Mirëpo, atëherë ishte vonë, pasi që kishte vjet që NATO ishte në Kosovë dhe shqiptarët pasi ishin kthyer merreshin me rivarrime, me identifikim kufomash që vinin nga Serbia dhe nga ndonjë varrezë masive. Pavarësisht prej këtyre, vetëm kur u bind bashkësia ndërkombëtare se në Kosovë ndodhte spastrimi etnik dhe msakrat mbi një popull të tërë, vendosi që t’i bombardonte caqet serbe, duke bërë këtë një gjest humanitar për ta shpëtuar një popull të tërë.

(vijon)

ASPEKTE TË KUNDËRRUGOVIZMIT (19)

NACIONALSOCIALISTËT DHE JUGOSLLAVISTËT
BASHKË KUNDËR DR. IBRAHIM RUGOVËS

Gjatë kohës së luftimeve në Kosovë, shfaq një dukuri që në dukje mund të jetë e çuditshme, por që në të vërtetë tregon për origjinën e përbashkët ideologjike të tyre: nacionalsocialistët dhe jugosllavistët që gjatë kohës së monizmit ishin shpallë armiq, tashmë ishin bashkë. Këtë e bënte gjenerata e re e përfaqësuesve të tyre. Arsyeja që i kishte bashkuar ishte lufta e përbashkët kundër dr. Ibrahim Rugovës.

Shkruan: Rexhep KASTRATI

Jugosllavistët që në skenën politike kishin dalë me shoqatën panjugosllave të Ante Markoviqit, kryeministrit të atëhershëm jugosllav, gjatë vitit 1989, por që kurrë më pas, deri në themelimin e “Orës” më 2004, nuk kishin guxuar të profiloheshin si forcë politike jugosllaviste, pasi që edhe vetë Jugosllavia si e tillë kishte marrë fund. Gjatë tërë viteve të ’90 të shekullit të kaluar, e deri në fillimin e luftës në Kosovë, kishin shfrytëzuar veprimtarinë gjysmëpolitike e gjysmëmediale, duke e profiluar veten si përfaqësues të shoqërisë civile, dhe duke u lidhur me organizata, fondacione dhe shoqata të ndryshme, të cilat besonin se investimi në ta ishte investim për konsolidim të demokracisë në Kosovë. Me fillimin e botimit të saj, “Koha” e Veton Surroit, i cili njihej si gazetar, por edhe si djalë i ambasadorit, fjala është për Rexhai Surroin, ambasadorin e Jugosllavisë në disa vende, “Zëri”, një javore tjetër që kishte qenë organ i Lidhjes së Rinisë Socialiste të Kosovës, e në të cilën kishte shkruar Blerim Shala, Bajrush Morina, Halil Matoshi e shumë të tjerë, nuk ishte më vetëm. Blerim Shala që në zëri kishte pasur edhe postin kryeredaktorit, kishte një bashkëpunim edhe me “Delo-n” e Lubjanës, shumë herë kishte bërë editoriale në “Zërin e rinisë” ku shfaqte një apologji ndaj Titos dhe titizmit, ishte një tjetër eksponent i jugosllavizmit në Kosovë. Shkëlzen Maliqi që arriti të bëhej edhe drejtues i Zyrës së “Sorosit” në Prishtinë, shquhej për bashkëpunim me “Danas-in” kroat, por kishte qenë edhe drejtues i lartë i revistës “Fjala”. Bir i Mehmet Maliqit, ish-sekretarit krahinor të Punëve të Brendshme, Shkëlzen Maliqi ishte një eksponent tjetër i jugosllavizmit në Kosovë. Baton Haxhiu, që në “Botën e re” shkruante edhe pasi aty ishte vendosur kryeredaktori i dhunshëm, Bajrush Morina, bashkë me Agim Morinën, një koleg të tijin dhe student i Letërsisë, por që kaloi në degën e Grafikës, e që aktualisht me sa di unë gjendet në Londër, ku u mëson gjuhën shqipe ushtarëve britanikë dhe të tjerëve që vijnë në Kosovë, kishte bërë gjithçka që t’i imponohej rektoratit të atëhershëm për bisedime, duke e sfiduar organizatën studentore Unioni i Pavarur i Studentëve, ishte një tjetër personazh që ishte angazhuar në “Kohën” e Veton Surroit, e që më vonë, do të jetë edhe kryeredaktor i “Kohës ditore”. Baton Haxhiu ka qenë kryeredaktor i “Kohës ditore” në kohën e shpërthimit të luftës në Kosovë. Për opinionin është me rëndësi se “Koha ditore”, edhe pse gazetë e një biri të ambasadorit të Jugosllavisë, e që kryesisht shpërfaqnin përkatësi në taborr të kundërt me nacionalsocialistët, shqiptarë, pasi që ishin ndarë në titistë dhe në enveristë, nën drejtimin e Baton Haxhiut, arriti që të kishte korrespondentë që raportonin për UÇK-në nga terreni. Është interesant se “Koha ditore” dilte legalisht në gjithë Kosovën, kurse në faqet e saj kishte shkrime për UÇK-në nga terreni! Njeriu i painformuar do të çuditej se si kishte mundësi që një gazetë “titiste” të depërtonte në radhët e UÇK-së “enveriste”, por ky është edhe një fakt që lidhet me bazën ideologjike të titizmit dhe të enverizmit, e që ishte marksizëm-leninizmi. Ndërkaq, është tashmë e njohur botërisht se nacionaldemokracia shqiptare ishte armik i përbashkët edhe i jugosllavistëve, edhe i marksist-leninistëve, pasi ata vriteshin edhe nga Jugosllavia, edhe nga shteti aktual shqiptar. Mit’hat Frashëri ishte i anatemuar si në Beograd e Prishtinë, ashtu edhe në Tiranë, Ernest Koliqi ishte i anatemuar si në Beograd e Prishtinë, ashtu edhe në Tiranë, Gjergj Fishta ishte i anatemuar si në Beograd e Prishtinë, ashtu edhe në Tiranë. Pra, linja institucionaliste, përkatësisht dr. Ibrahim Rugova që siç ka dalë deri më tash filozofinë e tij e kishte të mbështetur në traditën pagano-kristiane të dardano-shqiptarëve dhe në traditën më të mirë të nacionaldemokracisë shqiptare, ishte e qartë se do të konsiderohej armike përbashkët, dhe lufta duhej bërë e përbashkët kundër saj. Ky ishte një aspekt tjetër i kundërrugovizmit në Kosovë, e që ka të bëjë me bazën ideologjike e politike të saj. Në këtë kohë ishte ashpërsuar propaganda e tillë, sipas të cilës dr. Ibrahim Rugova nuk ishte për dialog, se po të ishte për dialog do të pranonte të takohej me Milosheviqin. Është e qartë se gjithë kjo bëhej në kontekst të angazhimeve diplomatike që pas valës së parë të masakrave në Likoshan, Qirez dhe në Prekaz, të parandalohej eskalimi i mëtutjeshëm i situatës dhe të provoheshin zgjidhje diplomatike të problemeve, por që kishin refuzimin e dr. Ibrahim Rugovës për t’u takuar me Milosheviqin, së paku jo pa praninë e palës së tretë si ndërmjetësuese dhe garantuese, pasi që moszbatimi i Marrëveshjes së Arsimit nga ana e Serbisë, kishte bërë të qartë se me Beogradin nuk kishte mundësi marrëveshjeje, pasi që nuk i respektonte dhe nuk i zbatonte ato. Ishte kjo kohë kur Baton Haxhiu si kryeredaktor i “Kohës ditore” ishte arrestuar nga policia serbe dhe kishte rënë në duart e shefit të SDB-së serbe, Jovica Staniqit, me të cilin, pati bisedime bashkëpunimi, të tilla që i ka sqaruar edhe vetë, duke u larguar kështu nga roli i të arrestuarit, bisedime të cilat nuk di a i ka ndërprerë dhe kur. Por ishte kohë kur edhe Mahmut Bakalli na ishte shfaqur tinza si i gatshëm për t’u takuar me Milosheviqin edhe pa praninë e palës së tretë, kuptohet nëse përkrahet nga bashkësia ndërkombëtare për të qenë lider i shqiptarëve. Në këtë mënyrë, dr. Ibrahim Rugova ishte në trysni të hapur të linjës së Tiranës/Kretës që nuk e pranonte si kryetar të Kosovës, por përkundrazi e fyente edhe në baza njerëzore kombëtare, si dhe në trysni jopublike nga jugosllavistët për të fituar përkrahjen ndërkombëtare për ta rrënuar atë, pra dr. Ibrahim Rugovën. Dhe si pasojë gjithë kësaj, pra edhe trysnisë ndërkombëtare që bëhej mbi dr. Ibrahim Rugovën që të takohej me Milosheviqin, ose përkrahja e bashkësisë ndërkombëtare do të kalonte te jugosllavistët, bëri që të ndodhte takimi me Milosheviqin në Beograd, por në të cilin ishte edhe vetë Veton Surroi dhe Mahmut Bakalli. Në këtë mënyrë, nëse mund të ndodhte komprometimi, atëherë ai komprometim të binte edhe mbi Veton Surroin dhe mbi Mahmut Bakallin, dy konkurrentët për t’ia zënë vendin. Por nuk ndodhi ashtu: edhe pse në takimin me Milosheviqin kishin qenë edhe Veton Surroi, edhe Mahmut Bakalli, furia e sulmeve, akuzave dhe e fyerjeve ra vetëm mbi dr. Ibrahim Rugovën. “Enveristët” nuk i akuzonin, nuk i sulmonin dhe nuk i fyenin “titistët”, por një pinjoll të nacionaldemokracisë dhe liberaldemokracisë shqiptare, që serbi ia kishte vrarë edhe babain edhe gjyshin. Kjo ishte ajo aleanca, ta quaj fluide ndërmjet “titistëve” dhe “enveristëve” kundër dr. Ibrahim Rugovës dhe kundër filozofisë së tij politike. Ishte e qartë se ishte synuar komprometimi i dr. Ibrahim Rugovës në sy të popullit shqiptar të Kosovës, pas vrasjes së Adem Jasharit, pasi që llogaritej se populli mund të prekej emocionalisht kur të shihte se si dr. Ibrahim Rugova takohej me Milosheviqin, pra pas vrasjes së Adem Jasharit, përkatësisht pas masakrimit të pjesës më të madhe të familjes së tij. Ata sikur kishin harruar se ishte pikërisht dr. Ibrahim Rugova, i cili në cilësinë e kryetarit të Kosovës, kishte shpallë tri ditë zije në Kosovë me rastin masakrës mbi familjen Jashari, si dhe kishte shprehur keqardhjen e thellë për atë që kishte ndodhur, si dhe respektimin për atë familje. Mirëpo, si gjithmonë ishte populli ai që nuk i harronte gjërat, ashtu siç nuk e lëkundte aspak besimin që kishte te dr. Ibrahim Rugova. Sido që të jetë, duhet thënë se kundërrugovizmi ishte shtrirë në terren, pra bëhej nëpërmjet një propagande verbale, ishte shtrirë në media, ku bajrakun e kishin marrë “Bota e re”, “Koha ditore” dhe “Zëri” javor. Një gazetë tjetër “Bujku”, për shkak të natyrës së punës së saj dhe të statusit të saj, edhe pse kryesisht e kishte ruajtur vijën politike shtetërore, prapë se prapë kishte raste dhe shkrime shumë të ashpra ndaj dr. Ibrahim Rugovës. E gjitha kjo ndodhte për ta rrënuar atë politikisht, filozofinë e tij politike si dhe vetë institucionet e shtetit të Kosovës. Pra, synohej që të rrënohej shteti sipas konceptit të dr. Ibrahim Rugovës dhe të realizoheshin skenarë të ndryshëm për copëtimin e Kosovës. Zgjidhjet ushtarake, në fund të fundit vetëm copëtim realizojnë, ashtu siç kishin realizuar në Bosnjë, sepse zgjidhjet ushtarake janë zgjidhje të dhunshme dhe që dhunshëm imponojnë realitete të reja. Pasi të jenë bërë zgjidhjet e tilla, atëherë në skenë të dalin jugosllavokomunistët dhe nacionalsocialistët. A nuk kishte mesazhe ndarjeje dhe copëtimi deklarata e Qosjes në një intervistë dhënë TVSH-në që e paguante qeveria e Kosovës, në janar të 1999, sipas të cilës deklaratë, Qosja ua njihte serbëve të drejtën për vetëvendosje në Kosovë, një të drejtë që Beogradi nuk ua njihte, e as që ua njeh edhe sot e gjithë ditën dy milionë e sa shqiptarëve të Kosovës?

(vijon)