12 maj 2006

ASPEKTE TË KUNDËRUGOVIZMIT (16 - 17)

KUSH E DËSHIRONTE LUFTËN NË KOSOVË?
Pyetja që është bërë titull i këtij vazhdimi, përgjigjen për të cilën do ta përpiqem ta jap në këtë vazhdim, ka disa dimensione, disa prej të cilave e bëjnë absurd edhe vetë shtrimin e saj, si dhe ka të bëjë me disa aspekte të kundërrugovizmit, e që lidhen edhe me vetë funksionalitetin e filozofisë politike të dr. Ibrahim Rugovës. Të gjitha aspektet e tjera të kundërrugovizmit që i kam trajtuar në këtë fejton, pas Marrëveshjes së Arsimit u bashkërenduan, ashtu siç i bashkërenduan veprimet e tyre kundërrugoviste të gjithë ata që i kishin shpërfaqur aspektet e ndryshme të kundërrugovizmit. Si gjithnjë qëllimi kryesor ka qenë rrënimi i filozofisë politike të dr. Ibrahim Rugovës, i vetë dr. IbrahimRugovës dhe në përgjithësi i shtetit të Kosovës i ndërtuar mbi këtë bazë.

Shkruan: Rexhep KASTRATI

Të pyesësh në mënyrë humane dhe logjike, se kush e dëshironte luftën në Kosovë, do të thotë të pyesësh se kush e dëshironte krimin, vrasjen, shkatërrimin dhe spastrimin e territoreve nga banorët e atyre territoreve. Kjo sidomos pas gjithë atij gjaku të derdhur në pjesë të tjera të ish-Jugosllavisë. Mirëpo, filozofia e dhunës, e hegjemonizmit dhe e shovinizmit në Ballkan, që është pjesë e konstitucionit politik dhe nacional të serbëve, ashtu siç nuk u pajtua me zgjidhjet politiko-diplomatike të problemeve në njësitë e tjera të ish-Jugosllavisë, nuk mund të pajtohej që problemet në Kosovë dhe vetë problemi i statusit të Kosovës të zgjidheshin ndryshe përveçse nëpërmjet përdorimit të makinerisë ushtarake dhe paraushtarake si në njësitë e tjera të ish-federatës jugosllave. Në Kosovë, ndërkaq, ishte në pozitë më të vështirë, për shkak se forcat policoro-ushtarake ishin të vendosura në Kosovë, pra ushtarakisht Kosova ishte territor i pushtuar dhe nuk mund të kishte shkas të drejtpërdrejt për të filluar ndonjë operacion të përmasave të mëdha të dhunës në Kosovë. Për shkak se shteti i Kosovës funksiononte mbi bazën e një veprimtarie legale-institucionale dhe publike, Serbia nuk kishte ndonjë palë kundërshtare ushtarake në Kosovë. Ndërkaq, e gjithë bota demokratike priste që ajo ta zbatonte Marrëveshjen e Arsimit të 31 gushtit 1996. Për dallim nga rastet e tjera me njësitë e tjera të ish-Jugosllavisë, që marrëveshjet i nënshkruante pas fillimit të luftimeve dhe pas shfaqjes së pasojave të saj, duke krijuar kështu rrethana për të imponuar zgjidhje, në Kosovë, Serbia u detyrua që të nënshkruante marrëveshje pa filluar ndonjë konflikt i armatosur i përmasave të mëdha. Përveç kësaj, Serbia u detyrua që ta nënshkruante Marrëveshjen e Arsimit duke pasur në kurriz epitetin e një shteti që i shkelte të drejta njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve, si një vend që ua pamundësonte shqiptarëve t’i realizojnë të drejtat e tyre, duke përfshirë edhe të drejtën për arsimim. Këtë imazh të keq të Serbisë e përkeqësonte edhe dhuna sistematike që policia serbe kishte kryer ndër vite dhe vazhdonte ta kryente ndaj shqiptarëve të Kosovës. Kjo do të thotë se shqiptarët ishin në pozitën e viktimës së dhunës dhe shtypjes serbe. Këtë e kishin konfirmuar rezoluta, deklarata dhe qëndrime të shumta të shumicës së organizmave ndërkombëtare që nga KS i OKB-së. Në pikëpamje strategjike dhe diplomatike Serbia vetëm sa mund ta përkeqësonte pozitën e vet nëse do të fillonte ndonjë operacion përmasash të mëdha. Prandaj, ajo ishte në kërkim të arsyeve për të arsyetuar dhunën e përmasave të mëdha ndaj shqiptarëve të Kosovës. Në mesin institucioneve të Kosovës, sidomos të presidencës, nuk mund ta gjente, pasi që dr. Ibrahim Rugova vazhdimisht kishte deklaruar se në Kosovë mund të ketë vetëm masakrim të një populli të pambrojtur e kurrsesi luftë. Këtë qëndrim e kishte përkrahur shumica e shqiptarëve të Kosovës, e cila përtej aspekteve emocionale të situatës, ishte përcaktuar për një veprimtari racionale nën drejtimin e dr. Ibrahim Rugovës. Dhe këtë nuk mund ta ndryshonin as rekrutët shqiptarë të shërbimeve sekrete serbe që Serbia i kishte me bollëk në Kosovë, e as inspektorët e lartë serbë që i dirigjonin këta rekrutë. Shqiptarët ishin të bindur se në një situatë kur Serbia kishte dhjeta mija, e që e kalonin edhe njëqindmijëshin në Kosovë, dhe pasi kishte gjithë atë arsenal armësh municionesh, ishte e pamundur që t’i shpallte luftë Serbisë. Kjo nuk ka të bëjë aspak me ndonjë logjikë disfatiste, kapitulluese apo tjetër, për çka u akuzua dr. Ibrahim Rugova atë kohë, për me një racionalitet e që kishte të bënte me pamundësimin e realizimit të skenarëve serbë për spastrim etnik dhe masakra mbi popullatën shqiptare. Përkundër kritikave se lëvizja politike shqiptare nuk mund të jepte më tepër, kritika që bëheshin atë kohë, sidomos nga Qosja dhe Demaçi, duhet thënë se këmbëngulja në strategjinë e zgjidhjes paqësore dhe politiko-diplomatike të problemeve në Kosovë dhe të statusit ndërkombëtar, përveç të tjerash kishte të bënte pikërisht në synimin që Serbia të dëshmohej si shtet që nuk i respekton marrëveshjet, prandaj bashkësia ndërkombëtare duhet të përdorë metoda detyruese, siç janë sanksionet e pse jo edhe një intervenim ushtarak mbi caqet serbe në Kosovë. Mundësia e ballafaqimit me pasojat e mosrespektimit të marrëveshjeve, nëse do të zgjaste edhe më tej pa ndonjë trazim të madh të situatës në Kosovë, sa vinte e bëhej më e sikletshme për Beogradin dhe jo vetëm për të. Aleatë të ndryshëm të Serbisë që kishin bërë të zbuteshin tonet e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Beogradit, po ashtu ishin në një situatë kur nuk kishin si të mos e arsyetonin pushtetin serb për mosrespektim dhe për mosrealizim të Marrëveshjes së Arsimit. Prandaj, edhe ato në të vërtetë ishin për një radikalizim të situatës në Kosovë, e cila në një mënyrë apo tjetër do ta nxirrte nga rendi i ditës atë Marrëveshje. Kjo do të thotë se nuk ishte vetëm Serbia e interesuar për një radikalizim të situatës në Kosovë, por edhe ishin edhe aleatë të saj. Ndërkaq, pjesa më madhe e bashkësisë ndërkombëtare ishte që të ruhej angazhimi diplomatik rreth dhe për Kosovën, pasi që ende kishin shpresë se me ndonjë trysni mbi Serbinë mund të arrihej që të zbatohej Marrëveshja e Arsimit dhe të fillonte zbatimi në praktikë i mënyrës diplomatike e zgjidhjes së problemeve në Kosovë. Rezultat i kësaj trysnie ishte lejimi që u bëri Beogradi punonjësve të Institutit Albanologjik që të ktheheshin në objektin e tyre, objekt që ishte përfshirë edhe në Marrëveshjen e Arsimit. Për objektet shkollore, Serbia arsyetohej se i duhej kohë për përgatitjen e tyre për t’u vënë në funksion të nxënësve dhe të studentëve. Në ndërkohë, kishte filluar që ta acaronte situatën në Kosovë. Gjatë vitit 1997 u shfaqën modele të vrasjeve të personaliteteve të ndryshme, siç ishte dhe vrasja e Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës dhe e Akif Zejnullahut, që ishin në krye të grupit të LLapit. Unioni i Pavarur i Studentëve që drejtohej nga Driton Lajçi, Bujar Dugolli etj., e që ishte vënë plotësisht nën kontrollin politik të grupeve të ndryshme marksist-leniniste, sidomos të LPK-së, por edhe të individëve dhe eksponentëve të tjerë të majtizmit të Kosovë, përkatësisht të nacionalsocialistëve si Qosja e Demaçi, bashkë me organin e saj media “Bota e re”, e që drejtohej nga Muhamet Mavraj, ishin bërë mjete politike me të cilat synohej të eliminohej politikisht dr. Ibrahim Rugova dhe në tërësi sistemi i funksionimit të shtetit dhe veprimtarisë shtetërore e të bërit politikë. Pretekst për këtë bëhej moszbatimi i Marrëveshjes së Arsimit nga ana e Serbisë. Moszbatimi i Marrëveshjes së Arsimit nga ana e Serbisë, i faturohej dr. Ibrahim Rugovës, sikur ai të ishte moszbatues i saj, dhe prandaj quhej politikan i dështuar dhe vetë veprimtarinë e gjeratëhershme politike në Kosovë ta quanin politikë të dështuar. Investimi i Beogradit në rekrutët e saj shqiptarë kishte filluar të jepte efekt. Prandaj, nuk kishte pse të ngutej në zbatimin e Marrëveshjes së Arsimit, kur ishte pikërisht moszbatimi i saj, ajo që nga rekrutët shqiptarë të shërbimeve sekrete serbe përdorej argument për ta akuzuar dr. Ibrahim Rugovën dhe lëvizjen politike në Kosovë dhe për t’i shpallur ata të dështuar. Dhe ishin këta rekrutë që ishin infiltruar edhe në UPS të UP-së, në grupet marksist-leniniste, në mesin e profesoratit të UP-së, e pse jo edhe në mesin e strukturave të ndryshme të lëvizjes politike në Kosovë. Dhe ishte kjo kohë kur njerëz si Qosja e Demaçi, por edh të tjerë që çirreshin kundër dr. Ibrahim Rugovës, duke e akuzuar me të gjitha akuzat e mundshme për kohën. Dhe kjo valë e kundërrugovizmit që nuk kishte për synim vetëm që ta eliminonte politikisht dr. Ibrahim Rugovën, por në tërësi shtetin e Kosovës të ndërtuar në bazë të Referndumit për Kosovën Shtet i Pavarur dhe Sovran i vitit 1991 dhe në bazë të dokumenteve të tjera juridiko-kushtetuese, për të cilat një kompetencë shumë të madhe për të folur ka dr. Arsim Bajrami i PDK-së, dhe në përgjithësi filozofia politike mbi të cilën kishte funksionuar ky shtet. Kjo periudhë ishte periudha më e vështirë për filozofinë politike të dr. Ibrahim Rugovës, për shtetin e Kosovës të bazuar në identitetin pagano-kristian dhe evro-perëndimor të tij dhe për vetë qenien etnike shqiptare në Kosovë. Tashmë Serbia nuk ishte e vetme në kundërshtimin e shtetit të Kosovës, pasi që ishin gjithë këta që e bënin të njëjtën gjë. Për rexhep Qosjen dr. Ibrahim Rugova kurrë nuk kishte qenë më shumë se kryetar i LDK-së, edhe pse për botën, përveçse kryetar i LDK-së, ishte edhe lideri i shqiptarëve të Kosovës, e që e thënë në njëjës, do të thotë prijësi, udhëheqësi, kryetari i tyre. Dhe në synimet e tij për rrënimin e filozofisë politike të dr. Ibrahim Rugovës dhe të vetë atij, Qosja kishte filluar angazhimet agresive, duke organizuar disa mjeranë që në shenjë proteste të largoheshin edhe nga Shoqata e Shkrimtarëve e Kosovës, duke paralajmëruar kështu një rol shumë aktiv në zhvillimet e kohës në krah të gjithë atyre që synonin shkatërrimin e shtetit të Kosovës dhe të gjithçkaje që ishte arritur gjer atëherë. Dhe kjo ishte kohë kur UPS i UP-së kishte shkuar në kërcënime të drejtpërdrejta kundër dr. Ibrahim Rugovës, duke synuar që ta detyronte të tërhiqej nga të gjitha angazhimet e gjertanishme dhe të oranonte diktatin e kësaj organizate që vetëm formalisht kishte mbetur e studentëve. Këtë synim kishte edhe protesta e 1 tetorit 1997, e cila hapur u pa se më shumë ishte e drejtuar kundër dr. Ibrahim Rugovës se sa kundër Serbisë. Ishte kështu për shkak se gjithë kundërrugovistët, përfshirë edhe Qeverinë e Kosovës në krye me Bujar Bukoshin, e cila në ndërkohë kishte përfunduar fatkeqësisht në duart e mafias shqiptare dhe diktohej prej saj, dhe që me vite kishin shpërfaqur aspekte të ndryshme të kundërrugovizmit, disa prej të cilave i kam trajtuar edhe në këtë fejton, e shihnin rastin më të volitshëm për ta rrënuar dr. Ibrahim Rugovën, filozofinë e tij politike dhe vendosmërinë e tij që ta çojë deri në fund gjunjëzimin diplomatik të Serbisë. Dhe si mëlmesë për gjithë këta ishte shfaqja publike por me maska e atyre që quheshin pjesëtarë të UÇK-së në varrimin e mësuesit Halit Geci në Llaushë. Tashmë për Beogradin ishin krijuar të gjitha rrethanat për një operacion masiv të dhunës në Kosovë, por për shkak të raporteve gjeopolitike e gjeostrategjike dhe për shkak se dr. Ibrahim Rugova ishte i fortë politikisht, Serbia u mor me punët parapërgatitore për një masakër ndaj shqiptarëve. Dhe një nga punët e tilla ishte tërheqja strategjike nga Drenica në kufijtë e saj, për ta bërë rrethimin faktik të saj. Kushdo që ka shkuar ato kohë në Drenicë ka mundur të bindet se Drenica nuk ishte zonë e lirë, siç propagandohej, por një kamp përqendrimi që mund të sulmohej nga çasti në çast. Autoblindi i vendosur në Jashanicë, një fshat në afërsi të Klinës duke shkuar për në Skënderaj, si dhe i një tjetri në Komoran ato ku ndahet rruga për në Gllogoc nga rruga Prishtinë – Pejë, ishin dëshmi të një rrethimi policoro-ushtarak të Drenicës, e jo e çlirimit të saj nga policia dhe ushtria serbe.

(vijon)


ÇËSHTJA E LEGJITIMITETIT
TË PËRFAQËSIMIT POLITIK DHE INSITUCIONAL
Një nga aspektet e kundërrugovizmit gjatë vitit 1996 e më pastaj, ka qenë edhe ai që ka pasur të bëjë me legjitimitetin e përfaqësimit politik dhe institucional të shqiptarëve, nëpërmjet të të cilit provohej që të futeshin edhe aktorë dhe faktorë të tjerë e në fund edhe angazhimi pë delegjitmimin e dr. Ibrahim Rugovës si lider i shqiptarëve. Kjo u pa qartë, sidomos, pas shfaqjes së UÇK-së si organizatë politiko-ushtarke dhe pas krijimit të një situate lufte në Kosovë...

Shkruan: Rexhep KASTRATI

Që nga Kuvendi i Dytë i LDK-së më 1994, ai që më vonë do të identifikohet si grupi i Hydajet Hysenit, mori krahë dhe filloi hapur të japë shenja të kontestimit të dr. Ibrahim Rugovës si lider i shqiptarëve. Edhe pse kjo nuk u tha hapur atë kohë, kjo kuptohej nga disa intervista dhe kërkesa politike të kohës. Fjalën e kam për intervista që i jepninherë Hydajet Hyseni, e herë Bajram Kosumi, sipas të cilave kërkohej tandemi Rugova – Demaçi. Qëndrimet e këtilla të shpërfaqura në “Zërin “ javor që ishte bërë një qendër kundërrugovizmi atëherë, kishin për qëllim barazimin e Demaçit pa asnjë legjitimitet zgjedhor me dr. Ibrahim Rugovën që jo vetëm se kishte legjitimitetin zgjedhor të partisë më të madhe të Kosovës e që ishte bartësja procesit politik në Kosovë, po ashtu kishte edhe legjitimitetin zgjedhor të shqiptarëve në zgjedhjet presidenciale dhe kuvendore të 24 majit 1992. Ideja për tandemin Rugova – Demaçi u konkretizua më pas me propozim-kërkesën që Demaçi të bëhej nënkryetar i Kosovës, edhe pse Kushtetuta e Kosovës nuk e parashihte një post të tillë. Atë botë, ideja ishte që të shtyheshin zgjedhjet presidenciale dhe kuvendore, kurse struktura e përfaqësimit të plotësohej me adoptimin e deputetëve pa mandat zgjedhor, ndër të cilët llogaritej pikërisht Adem Demaçi. Ideja e shtyrjeve të zgjedhjeve kishte të bënte me situatën krijuar pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Arsimit më 31 gusht 1996, e sidomos pas fillimit të protestave studentore në Kosovë. Tashmë çështja e legjitimitetit të përfaqësimit politik dhe institucional ishte shtruar edhe në nivelin e një debati të mirëfilltë politik , enë të cilin ishin përfshirë edhe parti legale politike si Partia Parlamentare dhe Partia Socialdemokrate e drejtuar nga Luljeta Pula – Beqiri, e që ishin pjesë të lëvizjes politike dhe institucionale në Kosovë. Mirëpo, i vetëdijshëm për prapavijën reale të këtij debati, dhe në përputhje me kulturën jopolemike politike të tij, dr. Ibrahim Rugova as nuk u bë pjesë e këtij debati, as nuk iu nënshtrua ndonjë trysnie më shumë nga brenda, që të pranojë propozim-kërkesat e kohës. Me kalimin e kohës, përkatësisht me zhvillimet e mëvonshme, që i kam përshkruar në vazhdimin paraprak, çështja e legjitimitetit të përfaqësimit politik dhe institucional mori përmasa të ndryshme, e që përfunduan në kontestimin dhe në refuzimin përfundimtar të dr. Ibrahim Rugovës nga ana e nacionalsocialistëve si puna e Qosjes, e Demaçit , e Luljeta Pula – Beqirit, etj. Para kësaj, delegjitmimi i dr. Ibrahim Rugovës provohej të arrihej me propozime të ndryshme, përfshirë edhe propozimet mëhershme për shtyrje zgjedhjesh etj. Rexhep Qosja, Luljeta Pula – Beqiri, në ndërkohë dolën me propozimin që në vend të institucioneve shtetërore të Kosovës të formohej një Këshill Nacional, i cili do t’i kishte elementet presidenciale, kuvendore dhe qeveritare, pasi që do të kishte kompetenca për të nxjerrë vendime dhe për t’i zbatuar ato. Përfaqësimi në atë Këshill kërkohej të bëhej në bazë të një marrëveshjeje ndërmjet partive politike dhe ndonjë personalitet publik. Ky institucion parapulitik dhe parashtetëror, që është veçori e të vepruarit tribal, më shumë se sa politik dhe shtetëror, synonte të godiste bazën politiko-juridike dhe institucionale të ndërtimit të shtetit të Kosovës, si dhe bazën pagano-kristiane dhe nacionaldemokratike e liberaldemokratike të filozofisë politike të dr. Ibrahim Rugovës. Dhe sa më i ashpër që bëhej ky debat rreth legjitimitetit politik dhe institucional, aq më të ashpra bëheshin veprimet policore serbe në Kosovë. Ky bashkërendim apo sinkronizim i qëllimshëm kulmoi me masakrat që u bënë në Qirez dhe Likoshan më 28 shkurt 1998, ditën kur në Prishtinë mbahej Kuvendi i Tretë i LDK-së, Kuvend në të cilin do të dihej fati i mëtutjeshëm të LDK-së, do të jetë edhe më tej nën kontrollin e dr. Ibrahim Rugovës, pra a do të vazhdojë edhe më tej rruga politiko-diplomatike dhe institucionale e gjunjëzimit të Serbisë në Kosovë, apo ajo përfundimisht do të bjerë nën kontrollit e grupit të Hydajet Hysenit që në LDK kishin hyrë për ta marrë kalanë nga brenda. Masakrat e kryera në Likoshan dhe në Qirez, atë ditë kishin për qëllim që të favorizonin pikërisht grupin e Hydajet Hysenit, përkatësisht opsionit të luftës në Kosovë. Ky ishte investimi i parë madhor që Beogradi bënte në atë që më vonë do të shpërfaqet si linjë politike të cilën e kam quajtur linjës së Tiranës/Kretës, e që do të vazhdojë me dënimet spektakolare në prag të Konferencës së Rambujesë, e që vazhdoi pas luftës me deklaratat e Rada Trajkoviqit, Sava Janjiqit dhe të tjerëve për gjoja rrezikshmërinë e tyre nga ana e atyre që quheshin djem të luftës. Dhe ishte Kuvendi i Tretë i LDK-së i mbajtur më 28 shkurt 1998 që përfundimisht dëshmoi se LDK-ja i mbeste besnike identitetit të saj politik që ishte identitet i ndërtuar mbi filozofinë politike të dr. Ibrahim Rugovës, kurse vetë dr. Ibrahim Rugova u rikonfirmua lider i pakontestueshëm i LDK-së dhe i Kosovës. Për këtë arsye, ata që kishin synuar ta merrnin kalanë nga brenda, përfundimisht e kuptuan se LDK-ja nuk ishte një kala që merrej lehtë. Për këtë arsye u vu në zbatim skenari B, e që ishte largimi kolektiv i këtij grupi nga LDK-ja, duke e quajtur veten LDK legjitime. Largimi i këtij grupi, i hapi rrugën disa njerëzve të tjerë, ndër të cilët edhe Eqrem Kryeziut, Kolë Berishës, Naim Jerliut dhe disa të tjerëve, të cilët do të zënë vendet e tre nënkryetarëve të LDK-së. Me këtë hap, grupi i Hydajet Hysenit synonte rrënimin politik të dr. Ibrahim Rugovës dhe lideizimin e Rexhep Qosjes. Kishte një iluzion se me largimin e këtij grupi, LDK-ja, përkatësisht degët e saj do t’i bashkoheshin grupit të Hydajet Hysenit dhe kështu atributet politike të dr. Ibrahim Rugovës do t’i merrte vetë Rexhep Qosja. Strategjia ishte strategji destruktive, pasi që legjitimiteti politik provohej të fitohej nëpërmjet intrigave. ndërskambcave dhe trysnive të ndryshme. ishte kjo kohë kur mori hov propaganda kundrrugovë që u bë tipike për gjithë periudhën e luftës në Kosovë dhe pas saj, e që e kishin në shënjestër personalitetin njerëzor, intelektual e politik të dr. Ibrahim Rugovës. Kjo filloi me akuza se dr. Ibrahim Rugova ishte kundër UÇK-së, si ishte shall i Beogradit dhe të ngjashme. E gjitha kishte për qëllim delegjitimin përfundimtar të dr. Ibrahim Rugovës dhe largimin e tij nga skena politike e Kosovës. Situata e luftës që ishte krijuar sidomomos pas masakrave të 28 shkurtit 1998 në Likoshan dhe Qirez, ishte një situatë që në të vërtetë ishte situatë e vërtetimit të tezës së dr. Ibrahim Rugovës se në Koosvë mund të ketë masakra mbi popullin e pambrojtur shqiptar e kurrsesi luftë. Mirëpo, kjo situatë shërbeu për rrahagjoksash nga ata për të cilët shqiptarët nuk kishin dëgjuar kurrë dhe që u shfaqën si përfaqësues të UÇK-së. Mirëpo, para kësaj duhej bërë disa punë të tjera: pas masakrave të Likoshanit dhe të Qirezit, masakra e parathënë dhe e paralajmëruar nga dr. Ibrahim Rugova duhej ta eliminonte edhe drejtuesin e grupit tjetër gueril, Adem Jasharin, dretues i grupit të Drenicës. Pas eliminimit të Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës dhe Hakif Zejnullahut, si drejtues të grupit të Llapit, eliminimi i Adem Jasharit, kishte mesazhin e spastrimit të terrenit për njerëzit e linjës së Tiranës/Kretës, që gjatë tërë periudhës së luftës më shumë do të angazhohen në fronit kundërldk dhe kundërrugovë se sa në frontin kundërserb. Mosnjohja e institucioneve të shtetit të Kosovës nga linja e Tiranës/Kretës, bërë në emër të UÇK-së, ishte një veprim politik që shkonte drejtpërdrejt në llogari të Beogradit. Tashmë Beogradi thoshte në botë se dr. Ibrahim rugovën nuk e pranojnë vetë shqiptarët si udhëheqës të tyre. Në këtë drejtim, ison ia mbante edhe Fatos Nano, i cili kishte ardhur në krye të qeverisë pas njjë situatë gati të një lufte qytetare dhe mbi gjakun mijëra qytetarëve të vrarë të shtetit aktual shqiptar. Në kulmin e kontestimit të dr. Ibrahim Rugovës dhe të lidershipit të tij, u vendos që të mbaheshin zgjedhjet e dyta presidenciale dhe kuvendore më 22 mars 1998. Shpallja e këtyre zgjedhjeve nga ana e dr. Ibrahim Rugovës, desh e çmendi Beogradin dhe kundërrugovistët shqiptarë, sepse kjo ishte një provë reale e legjitimitetit të institucioneve shtetërore të Kosovës. është kështu për faktin se nëpërmjet këtyre zgjedhjeve do të dihej sheshit se kush kishte legjitimitetin për të folur në emrin e shqiptarëve. Kundërshtarët e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve thirreshin në situatën e tensionuar dhe thirreshin në masakrat e kryera në Likoshan dhe Qirez, në të vërtetë, ishin ata që do të duhej të ishin pro tyre, pasi që pikërisht situata e radikalizuar dhe me një gjendje lufte, do të duhej t’i favorizonte pikërisht ata, e jo dr. Ibrahim Rugovën dhe linjën institucionaliste në përgjithësi. Këmbëngulja e dr. Ibrahim Rugovës për t’i mbajtur zgjedhjet, kishte të bënte pikërisht me faktin që t’u ofronte gjithë kundërshtarëve të tij: Qosjes, që tashmë ishte kryetar i LBD-së, Demaçit që ishte kryetar i Partisë Parlamentare, Luljeta Pula-Beqirit që ishte kryetare e PSD-së dhe gjithë të tjerëve që të mateshin me të dhe të provonin që t’ia merrnin legjitimitetin. Mos pjesëmarrja e tyre në këto zgjedhje, ndërkaq, do të dëshmonte për frikën për t’u ballafaquar me realitetin, sipas të cilit ata kishin qenë dhe kishin mbetur një pakicë mjerë që ishte në gjendje të manipulonte me disa çunakë të dyshimtë që u vlonte gjaku dhe që iu ishte turbulluar mendja, e në asnjë mënyrë me rrenat e tyre se nuk mund të mbaheshin zgjedhje derisa bëhej luftë në Drenicë. Këtyre nuk ua shtoi guximin as masakrimi i familjes së Jasharajve të Prekazit më 5- 6 mars 1998, pra para zgjedhjeve të 22 marsit 1998. Dhe kush mund të thotë se ky nuk ka qenë një investim tjetër i Beogradit në dhe për kundërshtarët e dr. Ibrahim Rugovës? Prandaj, ishte e qartë se për të gjitha këto arsye, pra për të gjitha angazhimet e Beogradit, të tiranës së atëhershme zyrtare dhe të nacionalsocialistëve të Prishtinës, për delegjitmimin e dr. Ibrahim Rugovës dhe të shtetit të Kosovës, ishte e domosdoshme mbajtja e zgjedhjeve dhe deklarimi i popullit për të gjitha këto çështje. Ishte e qartë se nëse zgjedhjet dot të dështonin për shkak se populli nuk do të dilte në zgjedhje, atëherë dr. Ibrahim Rugova do të duhej të shkonte nga politika, e nëse zgjedhjet mbaheshin dhe populli ia deklaronte përsëri legjitimitetin përfaqësues dr. ibrahim Rugovës, atëherë logjikisht kundërshtarët e tij do të duhej të shkonin. Rrezikun e ndërhyrjes së Beogradit për t’i prishur zgjedhjet e hoqi bashkësia ndërkombëtare, sidomos amerikanët, të cilët bënë një trysni shumë të madhe mbi qeverinë serbe që të mos guxonte i t’i prekte zgjedhjet. Dhe ato u mbajtën në të gjitha komunat përveç Klinës, Skënderajt dhe Gllogocit, për të cilat ishte marrë vendimi që të shtyheshin. Populli, në mënyrë plebishitare ishte deklaruar pro dr. Ibrahim Rugovës, duke e rikonfirmuar edhe një herë legjitimitetin e tij të përfaqësimit politik dhe institucional. Kjo ishte një goditje për Beogradin, për aleatët e saj dhe për gjithë kundërshtarët e dr. Ibrahim Rugovës, të cilët tashmë ishin bindur se kultura shtetërore veprimit politik, qoftë madje edhe luftës, ishte bërë pjesë e këtij populli dhe përfundimisht kishte rënë teza serbe se shqiptarët nuk dinë të bëjnë dhe të mbajnë shtet.

(vijon)