15 maj 2006

ASPEKTE TË KUNDËRRUGOVIZMIT (20 - 21)

ASPEKTE TË KUNDËRRUGOVIZMIT (20)

POLITIKA GJITHËPËRFSHIRËSE SI PJESË
E FILOZOFISË POLITIKE TË DR. IBRAHIM RUGOVËS
DHE E QËNDRIMIT PREJ BURRËSHTETASI TË DEVOTSHËM

Megjithëse i sulmuar, i anatemuar dhe i fyer, dr. Ibrahim Rugova kurrë nuk ra në grackat provokative të linjës së Tiranës/Kretës dhe të asaj udbasho-jugosllavokomuniste, që do të bënin që të rrëshqiste në pozita konfrontuese me to. Si burrështetas i devotshëm, si atdhetar i përkushtuar, si politikan i urtë, si diplomat i mençur dhe si njeri i punës, dr. Ibrahim Rugova, edhe në kohët më të vështira për të, diti të ofrojë bashkëpunim, bashkëpërgjegjësi dhe gjithëpërfshirje në të mirë të interesit kombëtar të shqiptarëve dhe në të mirë të interesit shtetëror të Kosovës.

Shkruan: Rexhep KASTRATI

Ishte e qartë se radikalizmi i situatës në Kosovë, sidomos pas Marrëveshjes së Arsimit të 31 gushtit 1996, që forcat policore serbe e nxisnin me veprime të vazhdueshme të dhunshme, e që shoqëroheshin edhe me vrasje të personaliteteve të ndryshme, si puna e Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës, Akif Zejnullahut, e të tjerëve, me arrestime të ndryshme, por edhe me forma të ndryshme të bastisjeve dhe të ndalimeve, bëhej për të nxjerrë nga rendi i ditës vetë marrëveshjen e Arsimit si dhe për të përjashtuar mundësinë e zgjidhjes paqësore dhe diplomatike të problemeve në Kosovë. Kjo të thotë se e tëra u bë për të imponuar zgjidhje të dhunshme edhe në Kosovë, ashtu sikurse në Bosnjë, e që do të thotë shkatërrim i shtetit funksional të Kosovës në krye me dr. Ibrahim Rugovën dhe ndarjen e jashtme dhe të brendshme të saj. Është nënkuptueshme se këtë Beogradi synonte të krijonte rrethana sociopolitike për rrënimin politik të dr. Ibrahim Rugovës dhe të linjës institucionaliste që kishte adoptuar zgjidhjen diplomatike hap pas hapi të problemeve në Kosovë, për të ardhur te zgjidhja e statusit të Kosovës, strategji që u mor vesh nuk i leverdiste Serbisë. Ashtu edhe siç ka dalë gjer më tash, radikalizimi i situatës në Kosovë, e sidomos shfaqja e një organizate politiko-ushtarake me emrin UÇK, ishte pikërisht në këto funksione qëllimore. Mirëpo, dr. Ibrahim Rugova, kurrë nuk ra në grackat e këtilla, duke vazhduar punën e tij prej burrështetasi, prej politikani e diplomati të përkushtuar ndaj qëllimit politik, e që ishte njohja formale e pavarësisë së Kosovës. Në këtë funksion duhet kuptuar edhe karakteri jopolemik i veprimtarisë së tij, e edhe ndaj të gjithë atyre që ndaj tij kishin drejtuar një varg sulmesh, akuzash, shpifjesh e fyerjesh ndër më të rëndat. Si njeri me vizion të qartë, me vetëdije të lartë politike e kombëtare, dr. Ibrahim Rugova e kishte të qartë se një nga qëllimet themelore të Serbisë gjatë historisë politike dhe ushtarake të ballafaqimit të shqiptarëve me të, ka qenë pikërisht konfliktualiteti i brendshëm, e që do të çonte në luftë qytetare ndërmjet vetë shqiptarëve. Grindjet historike ndërmjet komunistëve dhe nacionalistëve shqiptarë, arsenali propagandistik që komunistët kanë përdorur kundër nacionalistëve, sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe më parë ndërmjet dy luftërave botërore ndërmjet nacionalsocialistëve dhe nacionaldemokratëve, ishin grindje dhe arsenal propagandistik që mbështetej në diskualifikime mbi baza kombëtare. Ashtu siç kam thënë edhe para më se 8 vitesh, qysh në kohën e Nolit, veprimtarët shqiptarë ishin ndarë në patriotë dhe tradhtarë, duke i dhënë madje edhe plumba njëri-tjetrit. Dhe kjo frymë konfliktuale e nxitur nga qarqet serbe e greke, por edhe nga qarqe të tjera kundërshqiptare, u mundua që të imponohet edhe gjatë fundit të viteve ’90 të shekullit të kaluar, duke u synuar të bëhet ndarja në patriotë dhe në tradhtarë, e ku në “patriotë” hynin të gjithë ata që ishin kundër dr. Ibrahim Rugovës, kurse në “tradhtarë”, ata që ishin me dhe pro dr. Ibrahim Rugovën. Edhe pse nuk mbeti pa pasoja kjo ndarje e imponuar, pasi që sikurse gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe më parë, pati personalitete publike dhe politike që u vranë nga dora e zezë e shqiptarëve të mjerë, duhet thënë se situata shpëtoi nga ndonjë luftë e mundshme dhe e synuar qytetare falë rolit shumë pozitiv, konstruktiv dhe atdhetar të dr. Ibrahim Rugovës. Si një udhëheqës i përgjegjshëm dhe vizionar, dr. Ibrahim Rugova bëri gjithçka që shqiptarët të mos ia kthejnë pushkën njëri-tjetrit. Ai duroi të gjitha sulmet, akuzat, shpifjet e fyerjet me të vetmin qëllimtë vetë të bëhet shembull i durimit, i tolerimit dhe i stabilitetit të brendshëm. Përveç këtyre, ai në të gjitha angazhimet kombëtare, jo që nuk e keqpërdori politikisht dhe institucionalisht pozitën që kishte si dhe mbështetjen plebishitare që kishte në popull, por u tregua shumë bashkëpunues, duke ftuar dhe ofruar të gjithë grupet politike dhe ushtarake në Kosovë që të bëhen pjesë e procesit politiko-diplomatik. Si Grupi 15, si G-5, që gjatë asaj kohe u themeluan nga presidenti i Republikës së Kosovës, brenda kishte të gjitha përfaqësimet politike të Kosovës. Aty ishin edhe nacionalsocialistët, të cilët refuzuan që të jenë, si jugosllavistët e tipit të veton Surroit e të Blerim Shalës, apo të Mahmut Bakallit e kështu me radhë. Në shumë deklarata të kohës, dr. Ibrahim Rugova kishte bërë të qartë se zgjidhja e çështjes së Kosovës nuk ishte detyrë dhe e drejtë ekskluzive e institucioneve të republikës së Koosvës, por në këtë proces duhet të inkuadroheshin të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga bindjet politike dhe nga interesat e tjera. Kjo frymë bashkëpunimi në një kohë kur kishte një histeri gati psikopatologjike kundër dr. Ibrahim Rugovës, ishte një nga veçantitë brilante të karakterit të dr. Ibrahim Rugovës si politikan dhe burrështetas. vetëm një njeri i madh, një politikan racional, një diplomat dinjitoz dhe një burrështetas karizmatik mund të ngrihej mbi gjithë klimën armiqësore që e rrrethonte dhe t’u ofronte bashkëpunim edhe atyre që ndoshta e dëshironin edhe të vdekur. Edhe pse në një situatë të vështirë dhe kur ishte shumë zor të ruhej baraspesha politike dhe njerëzore, dr. Ibrahim Rugova nuk hoqi dorë kurrë nga koncepti gjithëpërfshirës dhe kombëtar për çështjen kombëtare. Nga ky aspekt, duhet kuptuar edhe karakterin jopolemik të tijin dhe të filozofisë së tij politike, sepse fryma e bashkëpunimit nuk mund të ngrihej mbi bazën e polemikave verbale, ashtu siç bëjnë politikanët e Tiranës, pavarësisht të cilit krah politik janë, ashtu siç nuk kishte mundësi që të arrihej ndonjë sukses duke shpenzuar energji në debate të brendshme fajësimesh e shfajësimesh. Për dr. Ibrahim Rugovën ishte e rëndësishme se nuk kishte ndonjë hesap me popullin, siç synonin që të impononin të tjerët, ndërsa për individët dhe për grupet e ndryshme që dilnin qoftë nga kulisat e SHIK-ut të Tiranës apo të shërbimeve sekrete serbe, nuk kishte ndonjë merak, sepse ai ishte kryetar i zgjedhur nga populli e jo nga konjukturat politiko-diplomatike të kohës. Si kryetar i zgjedhur nga populli, ai mbante përgjegjësi vetëm për fatet e popullit të sanksionuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e jo për bindjet, dëshirat dhe qëllimet e individëve dhe të grupeve të dyshimta që kishin mbirë si kërpudhat pas shiut. Në anën tjetër, ishte shumë e rëndësishme që të shpëtohej situata, që të mos shkatërrohej ajo që ishte ndërtuar me vështirësi, sakrifica dhe mund të madh për vite të tëra. Dhe qëllimi kryesor i dr. Ibrahim Rugovës ishte pikërisht ky. Dhe për të arritur këtë, ai ishte në gjendje që të ofronte gjithçka që mund të ofronte për kundërshtarët e tij politikë, duke filluar nga oferta për bashkëpunim, e deri të toleromi për ta kontrolluar politikisht UÇK-në. Për të nuk ishte me rëndësi se çfarë thoshin ata, por si të pengoheshin skenarët serbë për luftë vëlla-varsëse në Kosovë. Përveç kësaj, duhet thënë se me faktorizimin qoftë real apo të dhunshëm të kundërshtarëve politikë të tij, dr. Ibrahim Rugova ata i shihte edhe si pjesë të procesit të zgjidhjes, pra ua njihte forcën politike që kishin fituar qoftë edhe me tolerimin e tij. Pra, politika gjithëpërfshirëse e dr. Ibrahim Rugovës, përveçse ishte politikë qetësuese, jokonfliktuale, ishte edhe politikë demokratike e vlerësimit të ndikimit politik që kishin faktorët e ndryshëm në Kosovë. Edhe pse ishte kështu, nacionalsocialistët e profilizuar si linjë e Tiranës/Kretës nuk pranuan që të kontribuojnë në një punë të përbashkët për të mirën e Kosovës. Ata kurrë nuk pranuan të jenë pjesë të veprimtarive të përbashkëta politiko-diplomatike, por gjithnjë ndoqën politikën e përjashtimit, linçimit dhe e mosrespektimit të vullnetit zgjedhor të popullit. Përkundrazi, jo vetëm që nuk pranuan bashkëpunim, por edhe qëndrimet filluan t’i mbajnë ndryshe vetëm për të qenë të kundërt dhe kundër qëndrimeve të dr. Ibrahim Rugovës. Adem Demaçi madje nuk nguroi që të bjerë ndesh edhe me vullnetin e shqiptarëve për pavarësi, të shprehur në referendumin e viti 1991, duke dalë me një projekt të vjetër “Ballkania”, kurse pati zëra nga radhët e UÇK-së që të pranohet edhe statusi e republikës së tretë në kuadër të të ashtuquajturës RFJ. Se sa i përket qëndrimeve për çështje më të vogla as që diskutohet për përputhje pikëpamjesh me dr. Ibrahim Rugovën. M këtë logjikë përjashtuese dhe linçuese, por edhe të njerëzve zevzekë, njerëz të linjës së Tiranës/Kretës, nuk pranuan që të shkojnë bashkë as në Rambuje, por shkuan të ndarë në tri delegacione: i institucioneve shtetërore të Kosovës, i LBD-së së Qosjes dhe i UÇK-së së Hashim Thaçit. Kjo kishte ndodhur pasi që Qosja në një takim që kishte pasur me dr. Ibrahim Rugovën në prag të përgatitjeve për Konferencën e Rambujesë, i kishte kërkuar atij që të mos thirrej si kryetar i Kosovës, por vetëm kryetar i LDK-së, e që natyrisht ishte e papranueshme për logjikën institucionalsite dhe për përgjegjësinë institucionale që kishte dr. Ibrahim Rrugova. Posti i kryetarit të Kosovës nuk ishte një karrige e blerë në ndonjë sallon mobiliesh, as i dhuruar nga rexhep Qosja, por një funksion i ndërtuar në bazë të Kushtetutës së republikës së Kosovës dhe i legjitimuar në bazë të procesit zgjedhor popullor. Në anën tjetër, rrugë të këtillë nuk kishin ndjekur jugosllavistët, pra si ata që do të profilizohen më vonë si linjë udbasho-jugosllavokomuniste, si ata që më vonë nuk do të përfshihen në këtë linjë politike. Ata asnjëherë nuk kishin refuzuar ofertën e dr. Ibrahim Rugovës për bashkëpunim dhe këtë e kishin bërë për disa arsye, ndër të cilat duhet përmendur dy si më kryesoret: se meqë e kishin humbur qysh moti betejën për të kontrolluar një forcë politike siç ishte Partia Parlamentare dhe kishin mbetur vetëm si individë publikë me epitete të shoqërisë civile, shpresonin shumë në një faktorizim publik e politik në Kosovë nëpërmjet pjesëmarrjes në grupe dhe ekipe shtetërore të republikës së Kosovës. Kështu ka ndodhur edhe me G-15, edhe me G-5, por edhe me rastin e caktimit të delegacionit shtetëror që shkonte në Rambuje, si dhe për faktin se gjithë faktorizimin politik e diplomatik ia kishin borxh strukturave të ndryshme ndërkombëtare që besonin se Veton Surroi apo Blerim Shala kishin ndonjë kompetencë për të folur në emër të shoqërisë civile në Kosovë, rrjedhimisht ishin më të bindshëm ndaj kërkesave të diplomatëve të huaj që atë kohë vinin në Prishtinë. natyrisht se jugosllavistët nuk ishin në nivelin e analfabetëve politikë çfarë ishin në linjën e Tiranës/Kretës për të mos qenë në gjendje për të rezonuar politikisht. Përkundrazi, ata ishin shumë më inteligjent dhe shumë më të sofistikuar në kundërrugovizmin e tyre. Edhe pse nëpërmjet medieve që i kishin atëherë dhe në takime me diplomatë të ndryshëm kishin shprehur me kohë kundërrugovizmin e tyre, jugosllavistët në përgjithësi kishin kujdes që me veprimet e tyre të mos i bënin gabimet që i bënin njerëzit e linjës së Tiranës/Kretës. Ata e kishin parë se politika e refuzimit total, të tillë çfarë e praktikonte linja e Tiranës/Kretës ishte kundërproduktive dhe komprometuese për vetë atë linjë. Në anën tjetër, pozicioni gjysmë politik, gjysmë qytetar, jugosllavistëve u mundësonte edhe ngarkesa më të vogla përgjegjësie, si dhe mundësi qasjeje të madhe edhe në vetë linjën e Tiranës/Kretës, por edhe në linjën institucionaliste. Dhe jugosllavistët kishin shumë leverdi nga ky pozicion, e cila në mënyrë më të prekshme do të shihet pas vendosjes së Kosovës në një administrim ndërkombëtar civil e ushtarak. Përkundër këtyre, për dr. Ibrahim Rugovën dhe për linjën institucionaliste në përgjithësi ishte me rëndësi që fryma e bashkëpunimit të funksionojë, ashtu siç ishte e rëndësishme që prania e shtetit të Kosovës të jetë e dukshme edhe në ato rrethana shumë të vështira, edhe pse thënë të drejtën, lëshimet e shumta që iu bënë linjës së Tiranës/Kretës dhe asaj jugosllaviste në përgjithësi, në emër të ruajtjes së paqes së brendshme nuk mbetën pa pasoja. Njëra nga to ishte edhe tendenca që ishte shfaqur edhe në një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare që dr. Ibrahim Rugova të margjinalizohej politikisht.

(vijon)

ASPEKTE TË KUNDËRRUGOVIZMIT (21)

NGA POLITIKA E BASHKËPUNIMIT
E DERI TE TENDENCAT PËR MARGJINALIZIM POLITIK
Një nga aspektet më të rrezikshme të kundërrugovizmit ka paraqitur tendenca e një pjese të bashkësisë ndërkombëtare për margjinalizimin politik të dr. Ibrahim Rugovës dhe për të kërkuar partnerë të tjerë në Kosovë. Kjo ishte më e theksuar gjatë tërë kohës sa dr. Ibrahim Rugova në rezidencën e tij në “Velani” mbahej peng nga forcat policore serbe...

Shkruan: Rexhep KASTRATI
Politika e bashkëpunimit që e praktikonte dr. Ibrahim Rugova dhe në përgjithësi linja institucionaliste, u mor vesh ishte politikë e pastër shtetërore dhe e bazuar në konceptin demokratik të vlerësimit të faktorëve politikë në Kosovë. Pavarësisht nga klima konfliktuale që ishte munduar ta impononte sidomos linja e Tiranës/Kretës, e që jehonë mediale i bënin “Bota e re”, “Koha ditore” e Zëri” javor, interesat politike e strategjike të shtetit të Kosovës e kërkonin që të veprohej me maturi, urti e mençuri, e që do të thoshte që të mos i vihet zjarrit barot, por edhe të vlerësohej drejt tërësia e faktorëve politikë në Kosovë. Dhe në këtë frymë, shteti i Kosovës i bëri hapat konkretë, duke zyrtarizuar UÇK-në si ushtri të shtetit të Kosovës, zyrtarizim që nuk u pranua nga linja e Tiranës/Kretës. Hap tjetër ishte oferta për një qeveri gjithëpërfshirëse me një kryeministër nga radhët e LBD, ofertë e bërë në verë të 1998, fill pas miratimit të rezolutës nga ana e Kuvendit të Kosovës me të cilën UÇK-ja njihej si ushtri shtetërore e Kosovës. Edhe pse pati bisedime rreth kësaj, vetë formula, por edhe çështja e kompetencave të kësaj qeverie të mundshme u bënë shkas që LBD në momentin e fundit të tërhiqej nga bisedimet e tilla. Dhe kjo politikë bashkëpunimi dhe gjithëpërfshirjeje e shfaqur nga ana e institucioneve të Kosovës: nga presidenca dhe nga Kuvendi i Kosovës, siç u pa edhe në vazhdimin paraprak, ishte një praktikë e vazhdueshme edhe për çështjet që u përmendën në atë vazhdim. Mirëpo, sa më shumë që institucionet e Kosovës ofronin politikë bashkëpunimi, ajo aq më shumë refuzohej nga linja e Tiranës/Kretës. Tashmë ishte koha kur UÇK-ja e mijëra djemve dhe vashave shqiptare që kishin rrokur armët, duke i blerë edhe me paratë e veta, me besimin se po luftonte dhe do të vdiste për çlirimin e Kosovës, pra UÇK-ja popullore, UÇK-ja e vërtetë, UÇK-ja që dergjej në shi e në borë, që digjej në temperatura të larta të diellit, përdorej nga një grup i vogël njerëzish për legjitimim politik dhe për goditje ndaj shtetit të Kosovës, ndaj dr. Ibrahim Rugovës. Çdo zë kundërshtues ose dëbohej fare nga UÇK-ja, ose eliminohej fizikisht nën akuzën se është spiun i UDB-së. Dhe me këtë rast nuk po e përmendi faktin se gati ishte bërë praktikë që të pyeteshin vullnetarët që paraqiteshin për t’u inkuadruar në radhët e UÇK-së se a ishin me Rugovën apo me UÇK-në, duke synuar jo vetëm diferencimin politik, por edhe krijimin e imazhit se gjoja UÇK-ja ishte e kundërta e dr. Ibrahim Rugovës dhe anasjelltas. Dhe kjo bëhej në frymën e shpifjeve të tilla se gjoja dr. Ibrahim Rugova është kundër UÇK-së, çështje që e kam trajtuar më përpara. Për të shmangur konflikt në radhët e UÇK-së shteti i Kosovës kishte kërkuar nga gjithë pjesëtarët e UÇK-së dhe nga i gjithë populli të mos hynin në polemika dhe në grindje politike, por të rezistonin aq sa ishte mundur, të shpëtonin popullatën dhe t’u ndihmonin njerëzve në nevojë. Këtë qëndrim atdhetar dhe shumë fisnik, ndërkaq, linja e Tiranës/Kretës e shfrytëzoi për ta imponuar veten si përfaqësuese e UÇK-së, por që në të vërtetë doli se veten e konsideronte pronare të saj. Dhe sa më e madhe që bëhej kjo ta quajmë pronësi e linjës së Tiranës/Kretës mbi UÇK-në, aq më agresive paraqitej kjo linjë edhe në planin politik e diplomatik, duke e propaganduar dhe paralajmëruar vdekjen politike të dr. Ibrahim Rugovës. Në këtë situatë, kur linja e Tiranës/Kretës kundërshtonte gjithçka që propozonte dhe miratonte shteti i Kosovës në krye me dr. Ibrahim Rugovën, dolën pikëpamje edhe në një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare që ta margjinalizonin politikisht dr. Ibrahim Rugovën, duke e konsideruar si të parëndësishëm politikisht, e pse jo edhe të vdekur politikisht. Këto qëndrime ishin shfaqur sidomos gjatë kohës sa dr. Ibrahim Rugova me familje në rezidencën e tij në “Velani” mbahej peng nga policia serbe. Mbajtja peng e dr. Ibrahim Rugovës nga ana e policisë serbe që në planin njerëzor ishte një veprim kriminal, kurse në planin moral e politik si një gjest i ulët me qëllim komprometimi dhe defaktorizimi të udhëheqësit shpirtëror dhe institucional të shqiptarëve të Kosovës, kishte për qëllim të pamundësonte konsultimet për një qeveri të përbashkët të LDK-së, të LBD-së dhe të UÇK-së me një kryeministër nga UÇK-ja, sipas marrëveshjes së arritur në Paris ndërmjet dr. Ibrahim Rugovës, Rexhep Qosjes e Hashim Thaçit, si dhe shpartallimin e LDK-së së mbetur pa praninë fizike të kryetarit të saj. Kur jemi këtu, duhet thënë se marrëveshja e arritur ndërmjet dr. Ibrahim Rugovës, rexhep Qosjes dhe Hashim Thaçit për formimin e qeverisë së përbashkët me përfaqësim proporcional, por me kryeministër nga radhët e UÇK-së, parashikonte dhënien fund të mosmarrëveshjeve dhe të kontestimeve brendashqiptare dhe t’i hapte rrugën një bashkëpunimi serioz në pritje të trupave të NATO-s në Kosovë që pritej të bëhej pas kapitullimit të Serbisë nga NATO-ja. Me këtë marrëveshje parashikohej që të vazhdonin konsultimet pas Konferencës së Rambujesë-Parisit rreth modaliteteve të formimit të kësaj qeverie. Për ta pamundësuar një konsultim normal rreth kësaj qeverie, si dhe për ta komprometuar në sy të shqiptarëve, Beogradi vendosi që ta mbante peng dr. Ibrahim Rugovën dhe ta detyronte dhunshëm që të bënte veprime që nuk ka pranuar kurrë që t’i bënte, që të shkonte e të takohej me Milosheviqin në Beograd. Në anën tjetër, brenda radhëve të linjës institucionaliste ishte krijuar një konfuzitet që mund të çonte edhe në shpërbërjen e saj. Një pjesë e kryesisë së LDK-së në Tiranë u takuan me Rexhep Mejdanin, atëherë kryetar shteti, gjatë të cilit takim shpallën mosnjohjen e dr. Ibrahim Rugovës si kryetar, kurse një pjesë tjetër, në Shkup ia bënte për hajër kryeministërllekun Hashim Thaçit. Të dyja grupet shprehën jobesnikëri ndaj dr. Ibrahim Rugovës, por edhe ndaj marrëveshjes për formimin e qeverisë së përbashkët. Dhe ishte kjo kohë kur brenda LDK-së, më shumë se kurrë u shfaqën grupe, klane dhe qëndrime të pabashkërenduara, sa që krijohej përshtypja se nuk kishte më LDK. Në një situatë të tillë, dr. Ibrahim Rugova thuajse ishte margjinalizuar nga bashkësia ndërkombëtare. Lirimi i tij kërkohej për arsye humanitare, por edhe për shkak të krijimit të mundësive që të shprehet lirisht se a ishte vërtet kundër bombardimeve të NATO-s, për të cilat ishte angazhuar për vite të tëra. Masimo D’Alema, kryeministër i atëhershëm i Italisë, tash vonë ka sqaruar nivelin e margjinalizimit që i ishte bërë dr. Ibrahim Rugovës nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, si dhe rrethanat se si ishte lejuar ai me familje që të shkonin në Itali. Dhe tendencat margjinalizuese, fatkeqësisht kishin vazhduar edhe pas mbërritjes së dr. Ibrahim Rugovës me familje në Itali, edhe pas sqarimeve që kishte dhënë lidhur me deklarimet e tij në Beograd për gjoja ndërprerjen e bombardimeve të NATO-s, për qëndrimet ndaj UÇK-së etj. Ishte e qartë se synohej që dr. Ibrahim Rugova dhe në përgjithësi struktura institucionale e shtetit të Kosovës të margjinalizoheshin dhe të injoroheshin dhe të përfillej vetëm ajo që u quajt QPK në krye me Hashim Thaçin, e cila u themelua në kundërshtim me marrëveshjen trepalëshe të arritur në Paris, si dhe për ta shpallë të paqenë gjithë strukturën institucionale të shtetit të Kosovës. Në këtë kontekst duhet kuptuar edhe deklarimet e linjës jugosllaviste, e sidomos të Baton Haxhiut për gjoja vdekjen politike të dr. Ibrahim Rugovës. Por nga këto deklarime, qëndrime e veprime, në fakt duhet kuptuar tendencat e ndryshme që në Kosovën e pasluftës, të përkraheshin veçanërisht pjesëtarët e linjës jugosllaviste, disa prej të cilëve më vonë do të profilizohen në linjë udbasho-jugosllavokomuniste, e pak më pak ajo e Tiranës/Kretës. Qarqe t ë ndryshme diplomatike kishin investuar dhe investonin në Veton Surroin, edhe për shkak se konsiderohej përfaqësues i një fryme më liberale, edhe për shkak të origjinës politike të tij, edhe për shkak se ndër tri rrymat politike, konsiderohej më e përshtatshme për një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare, e cila ishte e predispozuar që lëmshin e Kosovës ta zgjidhte me mënyra më të lehta. E dr. Ibrahim Rugova ishte i njohur për qarqet diplomatike si politikan që, edhe pse i orientuar demokratikisht dhe ia kishte përcaktuar Kosovës përkatësinë gjeopolitike në boshtin Bruksel – Uashington, është i vendosur në projektin e tij për shtetin e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran në tërësinë territoriale dhe etnike të saj, dhe si njeri që kishte refuzuar të gjitha ofertat dhe propozimet e tjera që ishin bërë në ndërkohë gjatë viteve, përfshirë edhe ndarjen e Kosovës. Në anën tjetër, linja e Tiranës/Kretës konsiderohej ideologjikisht e papërshtatshme, si dhe tepër e vrazhdë dhe e implikuar, si dhe e drejtuar nga njerëz që nesër mund të gjendeshin në Gjykatën e Hagës. Mirëpo, të gjitha këto angazhime për margjinalizimin e dr. Ibrahim Rugovës morën goditje të rëndë nga populli shqiptar i Kosovës, i cili kurrë nuk u mashtrua as nga propaganda e linjës së Tiranës/Kretës, as nga veprimet komprometuese të Beogradit, por kishte një besim të palëkundur në kryetarin që e kishte zgjedhur vetë. Në të gjitha kampet strehuese, shqiptarët në çdo mënyrë të mundshme e deklaruan mbështetjen e tyre për dr. Ibrahim Rugovën, fati i të cilit përcillej me shqetësim dhe me lot, ashtu siç u prit me entuziazëm të madh dhe me lot gëzimi lirimi i tij. Dhe dy kishin qenë gëzimet më të mëdha të shqiptarëve të Kosovës në atë kohë: lirimi i dr. Ibrahim Rugovës me familje dhe rikthimi në vatrat e tyre në Kosovë. Dhe bota çuditej me këtë popull që kishte kaq besim të madh në liderin e tyre, e që tashmë ishte bërë udhëheqës shpirtëror i tyre, pa e predikuar as budizmin, as hinduizmin, as krisitianizmin, as islamin, pra kurrë nuk kishte propaganduar kultin e individit, por vetëm duke punuar me përkushtim, me përgjegjësi dhe me vendosmëri për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës, e që ishte edhe moto e tij kryesore, e as që kishte zhvilluar ndonjëherë politikë populiste për të tërhequr masat e gjera popullore. Në të vërtetë, dr. Ibrahim Rugova ka qenë dhe ka mbetur tip i intelektualit në politikë, politikan i kabinetit, politikan i punës e jo i fjalëve dhe politikan i durimit dhe i përkushtimit të madh ndaj projektit të tij politik.

(vijon)