19 maj 2006

ASPEKTE TË KUNDËRRUGOVIZMIT (25)

DHUNA POLITIKE SI NJË ASPEKT I KUNDËRRUGOVIZMIT

Dhuna politike nuk është aspekt i kundërrugovizmit vetëm pse ishte e drejtuar kundër njerëzve të linjës institucionaliste, por edhe për faktin se në këtë mënyrë provohej të ndryshohej mënyra e sjelljes së kësaj linje në rrafshin politik, përkatësisht që të detyrohej të shndërrohej nga një parti politike-qytetare-demokratike që veprimtrine e vet e ushtron mbi baza të parimeve demokratike dhe institucionale, në parti ekstremiste që përdor edhe mjete të dhunshme politike, duke synuar kështu që të vënë përballë dhe kundër njëra-tjetrës udhëheqjet e degëve me atë qendrore, përkatësisht kundër dr. Ibrahim Rugovës.

Shkruan: Rexhep KASTRATI

Vrasja e veprimtarëve të LDK-së dhe e ushtarakëve të ndryshëm që vepronin në kuadër të institucioneve të shtetit të Kosovës, ishte e shpeshtë që nga periudha e luftës në Kosovë. Derisa në njërën anë vriteshin Ali Ukaj, kolonel Ahmet Krasniqi, Enver Maloku, në anën tjetër vriteshin Fehmi Agani, Latif Berisha etj. Krijohej përshtypja se ekzistonte një bashkërendim, apo edhe një garë se kush po vret më shumë veprimtarë të linjës institucionaliste: Beogradi apo linja e Tiranës/Kretës. Sido që të jetë, ishte një zell i madh për të vrarë sa më shumë veprimtarë të linjës institucionaliste, me qëllimin e vetëm që të dobësohej dhe të rrënohej tërësisht kjo linjë. Kjo dhunë politike vazhdoi edhe pas luftës në Kosovë, duke u bërë një nga metodat kryesore të veprimtarisë së linjës së Tiranës/Kretës, të nxitur dhe të ndihmuar edhe nga shërbime të ndryshme sekrete që vepronin e vazhdojnë të veprojnë në Kosovë. Shtabet e dhunës që ishin krijuar në çdo komunë, apo në shumicën prej tyre, me kohë kishin hartuar listat e njerëzve që duheshin eliminuar fizikisht, që duheshin kërcënuar, apo që duheshin detyruar që ta lëshonin LDK-në në veçanti, e linjën institucionaliste në përgjithësi dhe të kalonin në parti të tjera politike, e kryesisht në ato që i përkisnin linjës së Tiranës/Kretës. Dhuna politike ishte bërë ndër mënyrat kryesore të veprimtarisë së Tiranës/ Kretës, për shkak se kishin dështuar të gjitha mënyrat e tjera të dobësimit apo të rrënimit të LDK-së, edhe pse nuk kishin qenë pa pasoja largimi i grupit të Hydajet Hysenit më 1998, vrasja e gjithë atyre personaliteteve si Fehmi Agani apo Latif Berisha, si dhe largimi i shumë njerëzve të LDK-së menjëherë pas luftës në Kosovë. Linja e Tiranës/Kretës dhe mentorët, përkatësisht shefat e saj në Tiranë, Beograd e gjetiu, e kishin tashmë të qartë se autoriteti i dr. Ibrahim Rugovës ishte i padiskutueshëm dhe se nuk kishte asnjë mundësi tjetër për margjinalizimin politik të tij, si dhe për ta vënë në pozita të pavolitshme e të cilat do të reflektoheshin në qëndrimet e tij për statusin e Kosovës dhe për variantet e tij, përveçse të vazhdohej me dobësimin bazës politike të tij. Prandaj, dhuna politike në Kosovë, jo vetëm që kishte neglizhencën e faktorëve të ndryshëm, por edhe përkrahjen e tyre. Për këtë arsye, edhe pse dhjeta mijëra njerëz të sigurisë në Kosovë, aktorët dhe faktorët e dhunës politike vazhdimisht mbetnin jo vetëm të lirë, por edhe gjoja të panjohur për organet e sigurisë në Kosovë. Mirëpo, ajo që duhet thënë tashmë, është se dhuna politike kryesisht ishte e drejtuar kryesisht në nivelet e mesme dhe të ulëta të strukturës së LDK-së, kryesisht në degë, në nëndegë dhe në aktive. Vrasja e Shaban Manajt, e Ismet Rracit, e Haki Ymerit dhe të tjerëve, ishte vrasje që kishte për qëllim një trysni mbi nivelet e mesme dhe të ulëta të LDK-së, e që kishte për qëllim radikalizmin e tyre, përkatësisht nxitjen e degëve, të nëndegëve apo të aktiveve të LDK-së që të ndryshonin kursin politik të praktikuar nga dr. Ibrahim Rugova, e që ishte kurs i mosreagimit të dhunshëm ndaj dhunës politike, si dhe vazhdim i veprimtarisë politike me mjete demokratike, bile shumë larg politikës së rrugës, e cila ishte shumë e pranishme në Kosovë nëpërmjet veprimtarisë së linjës së Tiranës/Kretës. Kjo më tej duhej të shtynte këto struktura të LDK-së që të bëjnë trysni mbi qendrën, përkatësisht mbi dr. Ibrahim Rugovës, që të lejonte organizime të tilla vetëmbrojtjeje. Kjo nxitje e një rebelizmi politik të strukturave të mesme dhe të ulëta të LDK-së ndaj udhëheqjes qendrore, në të vërtetë, drejtohej kryesisht ndaj dr. Ibrahim Rugovës, pasi që pjesa tjetër e kryesisë së LDK-së ishte shumë konfuze, kurse unitetin e saj e siguronte vetë dr. Ibrahim Rugova. Zhvillimet e këtilla të dhunshme në Kosovë, ishte qartë se nuk kishin mbetur pa pasoja, pasi që edhe në struktura të ndryshme të LDK-së ishin shfaqur tashmë zëra që kërkonin qëndrime më të ashpra ndaj atyre që ushtronin dhunë mbi ta. Të gjitha këto kishin bërë që edhe në kryesinë qendrore të shfaqeshin zëra radikalë që kërkonin ndryshim të kursit politik, ose së paku qëndrime më të ashpra ndaj dhunës politike që ushtrohej ndaj veprimtarëve të LDK-së. Një nga njerëzit me qëndrime të këtilla kishte qenë edhe mr. Eqrem Kryeziu, i cili hapur kishte shprehur pakënaqësi me qëndrimin e butë të kryesisë së LDK-së ndaj dhunës politike që ushtrohej në Kosovë, duke shprehur madje pakënaqësi edhe ndaj vetë dr. Ibrahim Rugovës. Në anën tjetër, po në kryesinë qendrore të LDK-së, ishte profilizuar një grup tjetër që jo vetëm që kërkonin qëndrime më të buta, por edhe kërkonin që të zhvillonin takime politike me përfaqësues të linjës së Tiranës/Kretës për të kërkuar nga ta që t’i jepnin fund dhunës politike. Në të dyja grupet, fatkeqësisht kishte njerëz të linjës së Tiranës/Kretës si dhe të linjës që tashmë po profilizohej si linjë udbasho-jugosllavokomuniste, kjo e fundit e fshehur mbrapa epiteteve të shoqërisë civile , të cilat provonin që të bënin edhe politikën e tyre, por edhe rolin e spiunit të tyre. E gjithë kjo, është e qartë se paraqet një situatë konfuze brenda linjës isntitucionaliste në përgjithësi, e brenda LDK-së në veçanti, pasi që askush nuk e kishte të qartë se çfarë duhej bërë më tej. Dhe pikërisht këtu erdhi në shprehje autoriteti, mençuria dhe largpamësia e dr. Ibrahim Rugovës, i cili megjithatë, nga të dy ekstremet nuk mori thuajse asgjë, por udhëzoi që të vazhdohej veprimtaria politike me mjete demokratike dhe veprimtarët e LDK-së të qëndronin larg çdo tendence të Beogradit për destabilizim të Kosovës me mundësi kalimi në luftë qytetare dhe larg provokimeve të ndryshme që mund të çonin në këtë drejtim. Dr. Ibrahim Rugova kishte mbetur autoriteti i pakontestueshëm edhe për ata që e kishin mohuar në Tiranë, e në Shkup, edhe për ata që e kishin përkrahur vazhdimisht. Dhe kjo ishte pozitive pasi që ndikoi edhe në unitetin e partisë, por edhe në konsolidimin e saj pas goditjeve që kishte marrë. Mirëpo, edhe pse LDK-në e mbajti larg provokimeve dhe larg situatave që mund të çonin në destabilizim të situatës, dr. Ibrahim Rugova ishte i vetëdijshëm se tashmë LDK-ja, më shumë se kurrë më parë ishte bërë parti ku zhvillohej një debat e gjerë dhe me ide ndër më të ndryshmet, debate që nuk lejonte që të bëheshin edhe qëndrime zyrtare si dhe të ndryshonin kursin politik të saj. Përkundër kësaj, njerëz si Ramë Maraj dhe vëllezërit Geci të Llaushës, pikërisht këtë situatë e gjetën të përshtatshme për veprimtarinë e tyre, e cila nuk kishte asgjë të përbashkët me kursin zyrtar të LDK-së. Të fshehur nën sqetullat e dr. Ibrahim Rugovës, këta dhe njerëz të këtillë provonin që ta impononin veten edhe si ruajtës të LDK-së, edhe pse për një gjë të tillë nuk i kishte thirrur askush. Ramë Maraj që kishte hapur një Institut për Hulumtime të Opinionit... , në mënyra të ndryshme kishte futur në dorë disa dosje me anë të të cilave u bënte shantazh njerëzve të ndryshëm, në mënyrë që këta të punonin për të. Edhe pse është akuzuar se ka themeluar një shërbim sekret të LDK-së, ajo që është e vërtetë, është se Ramë Maraj kurrë nuk ka arritur që ta bëjë një gjë të tillë, edhe për shkak të konfuzitetit fillestar brenda LDK-së, por edhe për shkak se askush nuk e kishte autorizuar për këtë. Veprimtaria e tij, edhe pse e paligjshme dhe në kundërshtim me kursin zyrtar të LDK-së, në momente të caktuara edhe ka pasur efekte pozitive, pasi që në disa raste edhe i ka identifikuar njerëzit kundërrugovë. Po ashtu, në kontekst të ekzistimit të SHIK-ut, që tashmë hapur thuhet se drejtohet nga Kadri Veseli, shok i Hashim Thaçit që në kohë studimesh dhe që është pranuar nga vetë Jakup Krasniqi që punon për PDK-në, apo është afër saj, duhet thënë se veprimtaria e Ramë Marajt, mund të konsiderohet edhe si e imponuar. Mirëpo, ajo që e ka devalvuar veprimtarinë e tij, është fakti se ka dyshime se dosje të ndryshme ua ka shitur shërbimeve të ndryshme sekrete, madje dyshohet se edhe një dosje që e ka botuar “Epoka e re” gjatë vitit 2001 kundër kolonel Tahir Zemajt , se është vetë Ramë Maraj që ia ka shitur asaj. Në anën tjetër, vëllezërit Geci të Llaushës, ndër të cilët më të pranishëm në publik janë Fadil Geci, deputet i LDK-së në Kuvendin e Kosovës dhe Gani Geci, një marakli i madh që të japë intervista dhe ta paraqesë veten më të rëndësishëm se sa që është, sidomos në Drenicë e kanë paraqitur veten si mbrojtës së LDK-së dhe të rugovizmit. Pa dashur të hyj në vërtetësinë apo pavërtetësinë e këtyre gjërave, duhet thënë se këta shokë të Sami Lushtakut, Sylejman Selimit, Rexhep Selimit dhe eksponentëve të tjerë të linjës së Tiranës/Kretës, kaherë kanë dhënë shenja se qëllimi parësor i tyre është që të kujdeseshin për karrierën e tyre politike. Mbrapa përkrahjes për LDK-në dhe për dr. Ibrahim Rugovës, i fshihnin ambiciet e tyre për kontroll më të madh mbi LDK-në dhe njerëzit e saj. Është e tepërt të thuhet se degën e LDK-së në Skënderaj vetëm se e kishin bërë gati degë private të tyre. Për arritjen e qëllimeve të tyre, vëllezërit Geci të Llaushës ishin në gjendje të bënin aleanca me gjithsecilin, që të shantazhonin dhe të kërcënonin. Dhe të gjitha këto i bënin në emër të rugovizmit!. I përmenda vetëm këta dhe shkarazi, vetëm sa për të treguar efektet e dhunës politike që linja e Tiranës/Kretës bënte menjëherë pas luftës në Kosovë, edhe pse të gjitha këto as nuk përfaqësonin politikën zyrtare të LDK-së në krye me dr. Ibrahim Rugovën, dhe që megjithatë nuk e patën forcën për t’ia ndërruar kursin politik LDK-së, si dhe për ta shndërruar LDK-në në një parti me elemente parapolicore dhe paraushtarake, siç ishin disa parti të dala nga linja e Tiranës/Kretës. Përkundrazi, LDK-ja ishte dhe mbeti parti e veprimit politik, e veprimit institucional, e veprimit shtetëror, e orientuar demokratikisht, dhe për bashkëpunim serioz me administratën ndërkombëtare në Kosovë dhe me vetë bashkësinë ndërkombëtare në përgjithësi, në mënyrë që procesi politik në Kosovë të ishte sa më i shkurtër dhe sa më i efektshëm. E për dr. Ibrahim Rugovën dhe për LDK-në në përgjithësi ishte shumë më i rëndësishëm përfundimi i suksesshëm i procesit politik në Kosovë, që për dr. Ibrahim Rugovën dhe LDK-në ishte njohja formale e pavarësisë së Kosovës, pasi që Kosova de facto ishte e pavarur, pasi që tashmë i kishte institucionet e veçanta shtetërore (Administrata ndërkombëtare civile, udhëheqjet komunale), institucionet e veçanta të sigurisë (KFOR-i, policia e UNMIK-ut dhe SHPK-ja, si dhe TMK-në si forcë mbrojtëse vendore), sistemin e veçantë ekonomiko-shoqëror etj. Dr. Ibrahim Rugova nga ana e tij ishte vazhdimisht kundër pranisë së shërbimeve sekrete të vendeve fqinje që ndikonin edhe në sigurinë në Kosovë, ashtu edhe siç ishte për krijimin e një shërbimi sekret, apo një shërbimi inteligjent të Kosovës, i cili në mënyrë institucionale, jopolitike e jopartiake do të kryente detyrat e rëndësishme që i kryejnë çdo shërbim sekret në botë. Së këndejmi, janë shpifje të gjithë ato që e kanë lidhur atë me Ramë Marajn, duke e konsideruar këtë të fundit edhe si këshilltar për siguri të kryetarit të Kosovës, shpifje që nuk kanë marrë parasysh se kryetarit të Kosovës nuk i lejohej me asnjë dokument që ta kishte këshilltarin për çështje të sigurisë. Shpifjet e tilla kanë paraqitur edhe një aspekt të kundërrugovizmit, duke synuar inkriminimin e tij, si hap kah komprometimi i tij politik. Ajo që mund të thuhet me siguri është se dr. Ibrahim Rugova ka pasur një shërbim të sigurisë që e ka çdo kryetar dhe çdo bartës institucioni në botë, brenda të cilit ka punuar edhe Ramë Maraj, edhe ata që thënë kushtimisht kanë qenë bashkëpunëtorë të tij, e edhe ata që kanë qenë kundërshtarë të tij, ashtu siç ka qenë edhe ndonjë nga vëllezërit Geci të Llaushës, si dhe ka pasur një përgjegjës të tyre, i cili është dashur të dijë se çfarë njerëz ka në atë shërbim sigurie. Edhe pse nuk i preka të gjitha aspektet e kësaj çështjeje, pasi që qëllimi im nuk është t’i shteroj çështjet që mund të trajtohen veç e veç nëpër fejtone dhe libra të ndryshëm, duhet thënë se dhuna politike në Kosovë, e udhëhequr politikisht nga linja e Tiranës/Kretës, kurse në aspektin kriminal nga SHIK-u dhe shërbime të ndryshme sekrete, edhe pse nuk arriti që ta fusë një konflikt ndërmjet strukturave të mesme e të ulëta të LDK-së me udhëheqësin qendrore të saj, e më konkretisht me dr. Ibrahim Rugovën, megjithatë arriti që të imponojë shfaqje të tilla, të cilat edhe pse vetëm janë thirrur në mënyrë të paautorizuar në LDK-në, kanë krijuar situata të dëmshme. Mjafton të them se shumë njerëz të Drenicës më kanë thënë se kur kanë votuar kundër LDK-së, në të vërtetë, kanë pasur për qëllim të votojnë kundër vëllezërve Geci...

(vijon)