16 maj 2006

ASPEKTE TËKUNDËRUGOVIZMIT (22 -24)

ASPEKTE TË KUNDËRRUGOVIZMIT (22)

RIKTHIMI I SHQIPTARËVE NË VATRAT E VETA
DHE LOJA POLITIKE KUNDËRSHQIPTARE

Rikthimi i shqiptarëve në vatrat e veta, disa në shtëpi e disa në tenda, pasi u ishin djegur shtëpitë, u shoqërua me disa pështjellime politike dhe ushtarake, e që kishin të bënin me paqartësitë institucionale në Kosovë, pas vendosjes së KFOR-it dhe UNMIK-ut...

Shkruan: Rexhep KASTRATI

Konfuziteti politik i krijuar gjatë luftës në Kosovë, e që kishte të bënte me kierarkinë politike-institucionale, përkatësisht me legjitimitetin politik-institucional, e që kishte për qëllim margjinalizimin dhe defaktorizimin politik e institucional të dr. Ibrahim Rugovës dhe të tërë strukturës shtetërore të Kosovës, pas luftës u konkretizua me tri forma të përqasjes politiko-institucionale. Në njërën anë, institucionet shtetërore të Kosovës, e më konkretisht Kryetari i Kosovës dhe Kryeministri i Kosovës, përkatësisht Qeveria e Kosovës, të dala nga zgjedhjet e 22 marsit 1998, pretendonin me të drejtë legjitimin dhe legjitimitetin e përfaqësimit politik e institucional të Kosovës, duke u thirrur në legjitimitetin e marrë nga populli i Kosovës, në anën tjetër ishte ajo që e quante veten Qeveri e Përkohshme e Kosovës në krye me Hashim Thaçin, e cila thirrej në marrëveshjen trepalëshe të arritur në Paris në kontekst të Konferencës së Rambujesë-Parisit, e që në të vërtetë, parashikonte ndarje proporcionale t resorëve ministrorë, dhe ishte UNMIK-u që thirrej në Rezolutën 1244. Dr. Ibrahim Rugova, kryetari i Kosovës, ishte takuar me Bujar Bukoshin pas disa vitesh raportesh të ftohta, dhe ia kishte konfirmuar legjitimitetin Qeverisë që drejtonte ai. Hashim Thaçi, përkatësisht ajo që quhej Qeveri e Përkohshme e Kosovës, ishte ngutur që të vendoste njerëzit e saj nëpër do farë prefektura e të ngjashme, duke pretenduar në këtë mënyrë të drejtën për të drejtuar Kosovën, përkundër faktit se kjo çka kishte bërë ajo, më shumë i përngjante KNÇ-ve partizane dhe një farë grushtshteti mbi institucionet legjitime të Kosovës. UNMIK-u që veten e quante legjitime për administrimin civil të Kosovës, i quante jolegjitime që të dyja palët. Në të vërtetë, Kushner, kryeadministratori i dytë i Kosovës, kishtepritur një marrëveshje të brendshme për një qeveri, e cila do të legjitimohej edhe nga Zyra e tij, por pasi kishte munguar kjo, kishte vendosur që t’i shkrinte të dyja palët dhe të krijonte një qeveri të përbashkët, të quajtur Këshilli i Përkohshëm Administartiv (KPA) dhe krijoi një surrogat Kuvendi, të quajtur Këshilli Transitor i Kosovës (KTK). Edhe pse kjo de facto i dha fund polemikave se kush është legjitim në Kosovë, megjithatë lufta e linjës së Tiranës/Kretës kundër linjës institucionaliste vazhdoi. Nga situata paraprake, situata e pasluftës kishte trashëguar media të politizuara dhe të orientuara kundërrugovë, një Union të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës të politizuar dhe të orientuar kundërrugovë, si dhe dy linja politike, po ashtu të orientuara kundërrugovë. Asnjë media në Kosovë, prej atyre që dolën menjëherë, siç ishin ato që i kam përmendur në vazhdimet paraprake, e që kontrolloheshin nga linja e Tiranës/Kretës dhe nga linja jugosllaviste, ashtu edhe të tjera që u krijuan më pastaj, me përjashtim të "Botës sot" dhe të "Dardania Press-it", që doli disa kohë e u mbyll, nuk provuan ta kryenin punën si duhet. Në këto media kishte me bollëk shkrime shumë të ulëta dhe të dobëta profesionalisht, të cilat në mënyrë çmendurake dhe psikopatologjike u munduan ta rrënonin politikisht dr. Ibrahim Rugovën dhe linjën institucionaliste në përgjithësi. Nuk di politikan në Ballkan në përgjithësi të jetë sulmuar, akuzuar, fyer e përdhosur më shumë se dr. Ibrahim Rugova. Një Komision i Përkohshëm për Media që bënte monitorimin e tyre nuk e shihte të arsyeshme që t’ua tërhiqte qoftë edhe një herë të vetme vërejtjen se e kishin tepruar. Përkundrazi, të tillat nuk munguan ndaj "Botës sot", e cila atëherë ishte bërë çerdhe ku ishin mbledhur ata gazetarë, njerëz të jetës publike, por edh të jetës politike që ishin të interesuar të mbronin legjitimitetin, rregullin e frymën kombëtare në politikën shqiptare në Kosovë, dhe jo vetëm vërejtje, por edhe dënime. Dhe kjo bëhej nga njerëz të dëshmuar me orientime kundërrugovë, ndër të cilët duhet ta përmendi Astrit Salihun, i cili nën petkun e shoqërisë civile ishte bërë anëtar i Komisionit që merrej me monitorimin e mediave në kuadër të Komisionit të Përkohshëm të Mediave, i cili jo njëherë nëpërmjet "Kohës ditore" kishte shfaqur hapur diskonim kundërrugovë. Më kujtohet një shkrim ndaj të cilit pata reaguar atë botë, e në të cilin veprimtarët e vrarë të LDK-së, jo që nuk i quante të vrarë politikisht, por nuk i quante as viktima. Në anën tjetër, ish-drejtues të Unionit të Pavarur të Studentëve të Univesitetit të Prishtinës, i hoqën maskat dhe u bënë anëtarë dhe funksionarë të partisë së Hashim Thaçit, kurse në krye të organizatës studentore i vendosën njerëzit e tyre, për të vazhduar edhe më tej kontrollin politik të tij. Por jo vetëm kaq: dy drejtuesit kryesorë të partisë së Hashim Thaçit, pas tij kuptohet, Arsim Bajrami dhe Hajredin Kuqi, njëri që kishte botuar dy vëllime me dokumente dhe komente për Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjitimitetin e funksionimit të shtetit të Kosovës deri në vitin 1996, kur ka botuar ato, e tjetri pjesëtarë i gjeneratës së Republikës, e disa thonë edhe bursist i Bukoshit, pra që të dy ishin vendour në krye të Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, duke u bërë prorektorë të këtij Universiteti. Politikisht, linja e Tiranës/ Kretës kishte vazhduar të njëjtin avaz si gjatë luftës në Kosovë, kurse linja jugosllaviste, që ende nuk ishte profiluar në linjë udbasho-jugosllavokomuniste, kishte vazhduar edhe ajo me avazin e vjetër: kishte mbetur gjysmëpolitike, e gjysmëpërfaqësuese e shoqërisë civile. Në fund të fundit, ndiqnin të njëjtën rrugë apo të ngjashme si në vendet e tjera postkomuniste. Si të këtillë, kishin hyrë nëpër OJQ të ndryshme, nëpër organizata të ndryshme ndërkombëtare, si ato civile – humanitare, edhe në ato civile – institucionale. Për dallim nga arroganca e linjës së Tiranës/Kretës, e cila vepronte në mënyrë shumë të vrazhdët dhe shumë destruktive, linja jugosllaviste ishte shumë më e kujdesshme që edhe të mos ndeshej me imitimin popullor, por edhe në sy të bashkësisë ndërkombëtare të imponohej si linjë më konstruktive dhe më e përshtatshme për bashkëpunim. Në planin diversiv, ndërkaq, linja e jugosllavistëve bënte diversion herë në linjën institucionaliste, e bëhej bashkë me linjën e Tiranës/Kretës, herë në linjën e Tiranës/Kretës e bëhej me linjën inistucionaliste. E tërë kjo për të krijuar një situatë apo klimë të tillë që vetë veton Surroi do ta quante klimë fashiste. Me këtë strategji, linja jugosllaviste, tashmë kishte arritur që të rekrutonte edhe njerëz të tjerë brenda linjës institucionaliste dhe brenda linjës së Tiranës/Kretës, edhe pse njerëz të tillë kishte pasur edhe para dhe gjatë luftës në Kosovë. Në anën tjetër shpesh e ndërsente linjën e Tiranës/Kretës kundër linjës institucionaliste, e provonte që edhe linjën instituciobaliste ta ndërsente kundër linjës së Tiranës/Kretës, duke shpresuar në rrënimin e ndërsjellë dhe në komprometimin e mëtutjeshëm në sy të faktorit ndërkombëtar, por edhe të vetë popullit të Kosovës. Ato që shkruheshin ato kohë në "Kohën ditore", janë dëshmi e gjithë këtyre angazhimeve. Në gjithë këtë lojë të mbrapshtë, s’do mend se ishin të implikuara në mënyrë të veçantë shërbimet e ndryshme sekrete, jo vetëm SHIK-u, SDB, KOS etj., por edhe shërbime sekrete të huaja që në Kosovë vepronin qoftë nën petkun ndonjë punonjësi të UNMIK-ut, të OSBE-së dhe të organizatave të tjera të huaja, qoftë edhe brenda radhëve të policisë ndërkombëtare në Kosovë. Një pjesë madhe e drejtuesve të lartë të linjës së Tiranës/Kretës dhe asaj jugosllaviste, përveçse ishin rekrutë të shërbimeve sekrete serbe, njëherësh ishin edhe rekrutë të shërbimeve të tjera të huaja. Duhet thënë se këtu duhet kërkuar edhe faktin se përse të këtillët kishin krijuar pasuri marramendëse, se përse kishin hapësirë shumë të madhe në media dhe në aspekte të tjera publike, si dhe ishin kaq të paprekshëm. Përveç këtyre aspekteve, duhet thënë se edhe lidhjet me mafian shqiptare dhe ndërkombëtare e disa prej eksponentëve të këtyre linjave, kishte bërë që këta të kishin një forcë të madhe edhe politike, e jo vetëm publike. Lidhjet e politikës me mafian, në të vërtetë, nuk ishin të pasluftës, ashtu siç nuk ishin të pasluftës edhe rekrutimet nga shërbimet e ndryshme sekrete të këtyre njerëzve, por vetëm tash u shfaqën me agresivitetin e tyre të plotë. Kjo ndodhte për shkak se tashmë synohej margjinalizimi i plotë i dr. Ibrahim Rugovës, i linjës institucionaliste. Prandaj u toleruan gjithë ato vrasje politike në Kosovë, dhe në përgjithësi gjithë ajo dhunë politike në Kosovë. Dështimi i këtyre angazhimeve për margjinalizimin politik të dr. Ibrahim Rugovës dhe të linjës institucionaliste gjatë luftës, jo vetëm që nuk i kishte mbushur mend këto dy linja, sidomos, atë të Tiranës/Kretës, dhe sh[tërbimet sekrete që qëndronin e qëndrojnë mbrapa tyre, por i kishte bërë edhe më agresivë. Dhe në këtë kontekst nuk pësonte vetëm linja institucionaliste, jo vetëm Kosova, por edhe vetë organizmat ndërkombëtarë në Kosovë, siç ishin UNMIK-u, OSBE-ja e tj. të cilat në këtë mënyrë nuk mund të kryenin misionin e tyre zyrtar në mënyrën se si duhej dhe në bazë të mandatit që kishin. Kjo ndodhte për shkak se individë të shërbimeve sekrete që ishin në këto institucione, ose pengonin, ose dekonspironin, ose pamundësonin luftimin e dukurive negative në Kosovë, sidomos dhunën politike, vrasjet politike dhe gjithë atë fushatë mediale kundër dr. Ibrahim Rugovës dhe linjës institucionaliste në përgjithësi. Ishte qartë se ishin përzier interesa të ndryshme të shteteve të ndryshme me misionet zyrtare që kishin dhe kanë UNMIK-u, OSBE-ja dhe organizata të tjera ndërkombëtare që janë apo kanë qenë në Kosovë. Konfuziteti në një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare dhe në disa shtete të veçanta, të cilat madje kishin pasur rezerva në lejimin bombardimeve të NATO-s rreth qedrimit që duhet mbajtur ndaj dr. Ibrahim Rugovës, i shfaqur qysh gjatë kohës sa mbahej peng nga policia serbe, e ku e kishte burimin edhe gjithë ajo neglizhencë, mosreagim dhe mosveprim në pengimin e dhunës politike në Kosovë, pas luftsë dhe pas goditjes që mori me qëndrimin plebishitar popullor ndaj dr. Ibrahim Rugovës, kishte bërë që të ketë edhe një pëshjëllim më të madh në bashkësinë ndërkombëtare. Kjo për faktin se veprimet e ndryshme të shteteve të ndryshme binin ndesh me qasjen zyrtare që kishte bashkësia ndërkombëtare dhe institucionet ndërkombëtare në raport me Kosovën, e që ishin: vendosja e paqes, e rendit, e ligjit, e lirisë, e barazisë dhe e përparimit si kushte themelore për t’i hyrë procesit politik për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Edhe pse paqja u vendos, vendosja e rendit, e ligjit, elirisë, e barazisë dhe përparimit, për një kohë relativisht të gjatë ishte peng i kundërthënieve ndërmjet interesave të veçanta të shteteve të veçanta dhe synimeve tërësore të bashkësisë ndërkombëtare, të shprehura që me Rezolutën 1244. Lojërat kundërshqiptare kishin bërë që në Kosovë të kishte dhunë politike, të kishte dhunë që u cilësua etnike, por që në thelb nuk ishte e tillë, pasi që të njëjtat struktura që vrisnin një serb, vrisnin tre-katër shqiptarë, si dhe për faktin se nuk kishte ndonjë reagim të dhunshëm të shqiptarëve ndaj komuniteteve të tjera etnike, ashtu siç kishin bërë që të vazhdonin angazhimet për rrënimin politik të dr. Ibrahim Rugovës dhe të linjës institucionaliste, përkundër faktit që shqiptarët e kthyer në vatrat e veta asnjëherë nuk ia kishin marrë apo nuk ia kishin hequr mbështetjen që ua kishin dhënë qysh në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar.
(vijon)

ASPEKTE TË KUNDËRRUGOVIZMIT (23)

PSE SYNOHEJ RRËNIMI POLITIK
I DR. IBRAHIM RUGOVËS DHE I LINJËS INSTITUCIONALISTE?

Tendencat për margjinalizimin politik të dr. Ibrahim Rugovës, nuk ishin vetëm një aspekt i kundërrugovizmit, por përveç kësaj, përfaqësonin qëllimin kryesor të të gjithë aspekteve të tjera të kundërrugovizmit që i kam shqyrtuar gjer më tash, prandaj këto tendenca ishin ndërtuar mbi aspektet e tjera të kundërrugovizmit.

Shkruan: Rexhep KASTRATI

Në historinë politike botërore, liderizmi politik është parë në kontekst të përkatësive ideologjike, sidomos në periudhën e raportve gjeopolitike gjeostrategjike konfliktuale Perëndim – Lindje mbi baza të ndasive ideologjike. Derisa liderizmi në vendet demokratike konceptohej si aftësi e politikanit, e liderit për të bërë veprime politike dhe institucionale të rëndësishme për shtetin dhe shoqërinë, edhe pse mund të mos jenë shumë populiste, liderizmi në vendet komuniste kuptohej më tepër si autoritarizëm, diktaturë dhe despotizëm. Ballkani për dekada të tëra ka pasur të bëjë me diktaturë, despotizëm dhe autoritarizëm, e shumë pak me liderizëm të mirëfilltë. Si pasojë e kësaj, Ballkani është ballafaquar me gjithë ato luftëra, konflikte e vështirësi që qindra mija njerëzve u ka kushtuar me jetë, e janë bërë gjithë këto shkatërrime. Në këtë kontekst kishte kombe që kishin institucione që mosdurimin etnik, shovinizmin, hegjemonizmin dhe urrejtjen e kishin bërë pjesë të vetëdijes kombëtare dhe pjesë të veprimtarisë politike dhe ushtarake, siç ishin serbët e grekët, ashtu siç kishte kombe që ishin viktima të hegjemonizmit, të shovinizmit, të urrejtjes dhe të mosdurimit ndëretnik, siç janë shqiptarët. Serbët me mitin për Kosovën si djep i serbizimit, kurse grekët me Idenë e Madhe, apo Meghali Idhea-n e tyre që të gjithë ortodoksët i konsideronte grekë, kurse të gjithë jo grekët i konsideronte barbarë, ishin bërë për mbi dy shekuj e keqja e shqiptarëve, e keqja e Ballkanit. Dhe që të dyja ideologjitë nacionalshoviniste ishin panserbe e panhelenike, e që u bënë edhe pansllave me qendër në Rusi. Këto dy ideologji ishin bërë përcaktuese të politikave shtetërore të serbëve dhe të grekëve, sidomos ndaj shqiptarëve, të cilët në këtë mënyrë u detyruan që vazhdimisht që të prodhojnë ide dhe koncepte çlirimtare dhe mbrojtëse. Mirëpo, edhe pse me ide dhe koncepte çlirimtare dhe mbrojtëse, e që u konkretizuan edhe me luftëra të vazhdueshme çlirimtare dhe mbrojtëse, shqiptarët vazhduan të mos kenë sukseset e duhura, por vazhdimisht u tkurrën ehde si popull, edhe si territor. Arsyeja se përse ndodhte kjo ishte pikërisht mungesa e një lideri dhe e një filozofie politike që do të dinte të menaxhonte si paqen ashtu edhe luftën, e që do të thotë të dinte të bënte jo vetëm luftën, por edhe politikën, diplomacinë dhe shtetin. Kjo ndodhte jo se shqiptarët nuk dinin të bënin dhe të mbanin shtet, siç thoshin serbët e grekët, por ngaqë, udhëheqësit e tyre, liderët e tyre ose prodhoheshin nga vetë serbët, grekët apo edhe nga shtete të ndryshme, ose edhe nëse dilnin nga populli, ishin ose të paaftë politikisht, ose përvetësoheshin me para apo me forma të ndryshme nga shërbime të ndryshme sekrete të shteteve në fjalë. Dhe dalja e dr. Ibrahim Rugovës në skenën politike kishte mbi shpinë të gjitha këto, përveç kontekstit gjeopolitik e gjeostrategjik që u krijua me përmbysjen e regjimeve komuniste në Evropë. Në të vërtetë, pikërisht ky kontekst gjeopolitik e gjeostrategjik, ka bërë që të dalë në sipërfaqe pikërisht nacionalshovinizmi serb si dhe ai grek, edhe pse ky i fundit në mënyrë më të sofistikuar. dalja e dr. Ibrahim Rugovës në skenën politike, ishte pra dalje në kohën e rishfaqjes agresive të nacionalshovinizmit serb, e që do të thotë edhe ballafaqim me këtë nacionalshovinizëm. Përvoja historike e ballafaqimit të shqiptarëve me nacionalshovinizmin serb ishte një përvojë e keqe dhe shumë e dëmshme, prandaj edhe përcillte mesazhin e një kujdesi nga ana e shqiptarëve. Në këtë kuptim, për dr. Ibrahim Rugovën ishte qartë se me serbët duhet ballafaquar në mënyrë politike e diplomatike, pasi që në këto aspekte shqiptarët kishin dështuar, edhe pse nuk u kishte munguar guximi dhe gatishmëria për ta luftuar pushtuesin. Në anën tjetër, edhe në kontekstin gjeopolitik e gjeostrategjik, shqiptarët duheshin radhitur dhe pozicionuar mirë mbi boshtin Bruksel – Uashington, e që duhej të bëhej me një politikë e diplomaci të mençur dhe argumentuese. Prandaj, ai u përcaktua për një veprimtari politike diplomatike e jo për një luftë kundër Serbisë. Ky përcaktim ishte i pëlqyeshëm dhe i papranueshëm për vetë Serbinë dhe për aleatët e saj, ashtu edhe siç nuk ishte i mirëpritur edhe nga njësitë e tjera të ish-federatës jugosllave. Në anën tjetër, mbështetja e veprimtarisë së tij politike e diplomatike mbi veçantitë dardano-ilire, përkatësisht pagano-kristiane të shqiptarëve, dr. Ibrahim Rugovën e bënte një politikan me një sistem dhe filozofi autoktone politike. Të gjitha këto, dr. Ibrahim Rugovën e profilizuan një politikan të brumosur në shqiptarësi dhe një diplomat të tipit perëndimor. Të gjitha këto atë bënë një lider politik, e jo një diktator apo despot politik, që në listën e udhëheqësve politikë e institucionalë të Ballkanit, përfaqësonte fytyrën më të ndritshme dhe më pozitive të gjithë rajonit dhe më gjerë. Në një kontekst dhune, në një kontekst lufte, në një kontekst gjenocidi që ishte karakteristik për ish-Jugosllavinë, të profilizoje veten si politikan dhe diplomat që mbështetet mbi veprimtari politike e diplomatike për arritjen e qëllimit politik, e që ishte pavarësia e Kosovës, duhej jo vetëm mençuri, urti e maturi, por edhe guxim politik, pasi që ishte kontekst që favorizonte ideologjitë nacionalromantike dhe nacionalsocialiste që mbështeteshin në luftën, e jo tipa të tillë politikë si dr. Ibrahim Rugova. Prandaj, ai që në fillim nuk u profilizua vetëm një udhëheqës politik, por më shumë se kaq, u profilizua si lider politik. Liderizmi politik i dr. Ibrahim Rugovës u forcua me kalimin e kohës dhe me vendosmërinë e madhe për t’i përballuar racionalist të gjithë sfidat, provokimet dhe situatat e vështira për të dhe për popullin. Por është ky liderizëm, është kjo vendosmëri prej lideri për ta ndërtuar shtetin në mënyrën dhe në bazë të projektit të tij politik, që e bënë atë të jetë madje më tepër se sa lider politik, të jetë udhëheqës shpirtëror i shqiptarëve të Kosovës. Edhe pse edhe sa ka qenë në letërsi, pra në shkencën e letërsisë. dr. Ibrahim Rugova nuk e ka parapëlqyer kultin e individit, sepse e konsideronte si një veçori të diktatorëve, e ai, siç ka thënë edhe Demaçi, nuk mund të bëhej diktator, prapë se prapë për të u krijua kulti i pacënueshëm as sot e gjithë ditën. E tëra kjo përbënte një lidhje të fortë ndërmjet dr. Ibrahim Rugovës dhe popullit, e që në të vërtetë, ishte burim i forcës politike të shqiptarëve si popull, sepse ishte hera e parë që ishte krijuar një lidhje e tillë, si dhe ishte hera e parë që populli dhe lideri i tij kishin një zë, kishin një qëndrim dhe kishin një bashkërendim të tillë të veprimeve. Prandaj lëvizja politike shqiptare dhe në përgjithësi shqiptarët patën një sukses të tillë të madh, sa të arrijnë ta gjunjëzojnë edhe Serbinë, edhe aleatët e saj, ashtu siç ishte garant se shteti i Kosovës do të bëhej përfundimisht. Dhe këtu ishte problemi kryesor: Serbia dhe aleatët e saj e panë veten në pozitë të vështirë dhe me pamundësi për realizimin e shtetit të Kosovës. Edhe ndonjë rekrut shqiptar i shërbimeve sekrete serbe i infiltruar në lëvizjen politike shqiptare, e kishte të pamundur të prishte lidhjen e fortë ndërmjet popullit dhe liderit të saj. Prandaj, duhej gjetur të gjitha mënyrat që do ta shkëputnin lidhjen ndërmjet popullit shqiptar dhe dr. Ibrahim Rugovës, sepse vetëm pas kësaj mund të shpresohej për ndonjë zgjidhje tjetër më pak se pavarësia, apo edhe ndarje territoriale të Kosovës. Dhe kjo u synua në dy mënyra kryesore: që të imponoheshin liderë të tjerë, të cilët mund të ishin gjithçka, por jo liderë, si dhe të dobësohej apo të shkatërrohej për fare baza politike e dr. Ibrahim Rugovës, e që ishte LDK-ja dhe në përgjithësi linja institucionaliste. Për këtë qëllim u projektuan dy linjat e tjra politike: linja e Tiranës/Kretës, e cila në politikën shqiptare e futi pikën më të fortë të Beogradit, luftën, pasi që serbët vazhdimisht thoshin se fitojmë në luftë e humbim në paqe, si dhe linjën jugosllaviste që do të mund të mbillte një frymë projugosllave. Në të dyja rastet, mund të arrihej që Kosova të kishte një status më pak se pavarësia, ose që Kosova të ndahej. Dhe ishin këto dy opsione të cilat dr. Ibrahim Rugova i kishte kundërshtuar kategorikisht dhe për të cilat nuk kishte dashur as të bisedonte. Për këtë më mirë se çdo kush tjetër mund të dëshmojë edhe vetë Milan Paniqi, i cili ia premtoi statusin e republikës nëse shqiptarët dalin në zgjedhje. Dhe ishte pikërisht refuzimi i çfarëdo statusi për Kosovën përveç pavarësisë së plotë, ai që kishte bërë që dr. Ibrahim Rugova të konsiderohet jofleksibil, dhe i papërshtatshëm politikisht nga qarqet e ndryshme proserbe, apo edhe të disponuara për të arritur zgjidhje më të lehta. Në anën tjetër, kundër projektit për pavarësinë e Kosovës nuk ishin vetëm Serbia dhe aleatët e saj, por ehde mosuniteti në vetë bashkësinë ndërkombëtare, e cila në një moment u gjend ndërmjet vendosmërisë së shqiptarëve të Kosovës për pavarësi dhe interesave të veçanta të shteteve dhe raporteve gjeopolitike. E tërë kjo kishte krijuar një konfuzitet në qëndrimet ndaj Kosovës, në ç’drejtim vinin propozime dhe opsione ndër më të ndryshmet. Bile edhe copëtimi i Kosovës u konsiderua një nga zgjidhjet e mundshme, opsion që nga diplomacia serbe ishte vënë në tavolinë që nga viti 1993, nëpërmjet Dobrica Qosiqit. Mirëpo asnjëri prej këtyre opsioneve dhe propozime nuk kishin shans të realizoheshin pa u thyer lidhja ndërmjet popullit shqiptar të Kosovës dhe dr. Ibrahim Rugovës, e që do të jo derisa dr. Ibrahim Rugova ishte i fortë politikisht dhe jo derisa kishte atë mbështetjke dhe besim te populli. Dhe konteksti politik i krijuar gjatë luftës dhe pas saj, ishte kontekst që shpërfaqte gjithë angazhimet për krijimin e një shumësie liderësh në Kosovë, si hap ka relativizmi dhe margjinalizmi politik i dr. Ibrahim Rugovës. E tëra kjo që të detyrohej dr. Ibrahim Rugova të pranonte edhe zgjidhje të tjera përveç pavarësisë së kërkuar nga ai dhe nga populli shqiptar i Kosovës. Me një Rugovë të margjinalizuar shpresohej se do të ishte e hapur rruga për diskutim edhe të zgjidhjeve të tjera, e cila nuk do ta përjashtonte as copëtimin e saj të plotë, ose sipas modelit të Bosnjës. Me gjithë angazhimet e këtilla, ndërkaq, nuk u arrit që të thuhet lidhja ndërmjet popullit dhe dr. Ibrahim Rugovës, dhe ishte populli ai që më mbështetjen e tij të vazhdueshme, e që ishte mbështetje për pavarësinë e Kosovës që e mbajti gjallë politikisht liderin e saj dhe e bëri të fortë t’u përballojë të gjitha sfidave me të cilat u ballafaqua ai dhe populli në përgjithësi.
(vijon)

ASPEKTE TË KUNDËRRUGOVIZMIT (24)

DIVERSIONI MBI LINJËN INSTITUCIONALISTE SI MËNYRË
PËR RRËNIMIN POLITIK TË DR. IBRAHIM RUGOVËS

Në pamundësi për ta komprometuar dr. Ibrahim Rugovën, përkundër faktit se u imponuan dhunshëm dhe në mënyrë arbitrare të ashtuquajtur liderë të shqiptarëve, rrënimi politik i dr. Ibrahim Rugovës u provua duke synuar rrënimin e bazës së tij politike, e që ishte linja institucionaliste, përkatësisht LDK-ja.

Shkruan: Rexhep KASTRATI

Diversioni mbi LDK-në, si mënyrë për dobësimin e lëvizjes politike të Kosovës, por edhe si mundësi e rrënimit të bazës partiake të dr. Ibrahim Rugovës, ka qenë i vazhdueshëm dhe me rezultate të ndryshme në kohë të ndryshme. Diversioni mbi LDK-në, në të vërtetë ishte diversion mbi projektin politik të shqiptarëve për lirinë, pavarësinë e demokracinë e Kosovës, dhe si i tillë ishte një nga veprimet politike, diplomatike, policore, ushtarake dhe agjenturore që Beogradi kishte ndërmarrë në Kosovë dhe në botë që nga fillimi. E konceptuar si lëvizje politike, LDK-ja ishte një gjigant i madh brenda të cilës vepronin grupe të ndryshme politike, bile edhe të kundërta. Branda saj ishin si marksist-leninistët, si jugosllavokomunistët, si nacionaldemokratët, e kështu me radhë. Kjo kishte ndodhur për shkak të përcaktimit të dr. Ibrahim Rugovës që të punohej dhe të bashkëpunohej me të gjithë, pavarësisht bindjeve politike që kanë dhe që e kishin pranuar programin politik dhe projektin politik për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, që e kishin pranuar strategjinë politike dhe diplomatike të ndërtimit të këtij shteti, si dhe veprimtarinë institucionale të përfaqësimit të interesave të shqiptarëve dhe të qytetarëve të tjerë të shqiptare. Mirëpo, filozofia politike dr. Ibrahim Rugovës e që u bë edhe filozofi zyrtare e lëvizjes politike shqiptare në Kosovë, kishte krijuar një unitet veprues të paparë në historinë e Kosovës, e të cilin dr. Ibrahim Rugova e quante unitet demokratik. Ky koncept gjithëpërfshirës, jopërjashtues dhe jodiferencues, përveçse do t’i bënte bashkë të gjithë shqiptarët, në anën tjetër hapte mundësinë për shuarjen e konfliktit historik ndërmjet nacionaldemokracisë shqiptare, jugosllavokomunistëve shqiptarë dhe marksist-leninistëve shqiptarë, që mund të rrezikonte jo vetëm unitetin veprues të shqiptarëve, por edhe raportet sociopolitike brenda tyre. Në diversionin ndaj LDK-së, qarqe të ndryshme kundërshqiptare, u mbështetën shumë në karakterin gjithëpërfshirës të saj, pra në karakterin jopërjashtues dhe diferencues të saj, përkatësisht u munduan ta ngjallnin pikërisht këtë konflikt historik ndërmjet tri rrymave kryesore politike brendashqiptare. Mirëpo falë autoritetit të padiskutueshëm të dr. Ibrahim Rugovës, as Serbia, as qarqe të tjera nuk arritën që të kenë sukses të plotë në diversionin e tyre ndaj LDK-së dhe ndaj linjës institucionaliste në përgjithësi. Krahas këtij diversioni, u provua që nëpërmjet shantazhimit, përgjimit, përcjelljes dhe kërcënimeve të ndryshme të rekrutohen individë të ndryshëm brenda LDK-së e brenda lëvizjes politike në përgjithësi, si dhe të infiltroheshin të tillë edhe nga jashtë. Edhe kjo mënyrë diversioni nuk i kishte sukseset e dëshiruara, pasi që veprimtaria e LDK-së dhe e linjës insitucionaliste në përgjithësi ishte veprimtari legale dhe e njohur si për opinionin e brendshëm, ashtu edhe atë ndërkombëtar, e rrjedhimisht edhe për Beogradin. Suksesin më të madh në këtë drejtim, Beogradi e arriti me dekonspirimin e strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, të krijuara me një dekret presidencial të dr. Ibrahim Rugovës në janar të 1992, gjë që nuk kishte mbetur pa pasojë në organizmin e strukturave të përgjithshme të mbrojtjes dhe të sigurisë në Kosovë. Përveç kësaj, arrestimi i Grupit të Ministrisë Mbrojtjes, siç u quajt grupi në krye me Hajzer Hajzerajn më 1993, u përdor nga Beogradi për inkriminimin ndërkombëtar të dr. Ibrahim Rugovës dhe të politikës së tij paqësore, e që shkaktoi një trysni diplomatike ndaj tij, e që bëri që prej atëherë të jetë më i kujdesshëm në këto çështje, si dhe duke i dobësuar lidhjet me grupet guerille në Kosovë që në bazë të një marrëveshje ndërshtetërore me Tiranën e atëhershme zyrtare, që nga viti 1991, kryenin ushtrime ushtarake në kampet ushtarake të shtetit aktual shqiptar, derisa nuk u zbuluan nga shërbimet sekrete serbe dhe nga shërbime të tjera sekrete. Është momenti të thuhet se organizimi i strukturave të mbrojtjes dhe të sigurisë nuk ishte në kundërshtim me tërë strategjinë paqësore të veprimit politik e diplomatik, por ishte në përputhje me ndërtimin specifik dhe gradual të të gjitha mekanizmave të shtetit të Kosovës. Në kontekst të diversionit mbi LDK-në dhe mbi linjën insitucionaliste në përgjithësi, rekrutimi dhe infiltrimi i rekrutëve shqiptarë në lëvizjen politike shqiptare të Kohës, po ashtu ishte më lehtë i hutueshëm , pasi që hierarkia e vetë sistemit, mundësonte identifikimit të të infiltruarve, e edhe të rekrutuarve, e që është një përparësi e veprimtarisë institucionale. Ndërkaq, sa i përket ndonjë diversioni më të madh, që do të mund të shkaktonte dobësimin apo rrënimin e LDK-së, mund të thuhet lirisht si kishte pak gjasa të suksesit. Për këtë arsye, nga qarqe të ndryshme dhe jo vetëm serbe, u provua një formë tjetër e diversionit, e që kishte të bënte me veprimtarinë tërësore të grupeve të ndryshme marksist-leniniste që nuk kishin pranuar të bëheshin pjesë të lëvizjes politike në krye me dr. Ibrahim Rugovën, por edhe aso që ishin lodhur rrugës dhe kishin mbetur mbrapa, sikurse edhe njerëz të caktuar të linjës jugosllaviste të identifikuar si përfaqësues të shoqërisë civile. Ky lloj diversioni kishte të bënte me përpjekjet për diskreditimin e dr. Ibrahim Rugovës në baza kombëtare, në dështimin e kësaj lëvizjeje për të arritur qëllimin politik, e deri te komprometimi i rezistencës paqësore të shqiptarëve. Ky lloj diversioni kishte pasur sukses të caktuar, pasi që kishte bërë që të dizej debati i brendshëm ndërmjet marksist-leninistëve që synonin ta merrnin kalanë nga brenda dhe të tjerëve që këta të fundit i quanin komunistë, udbashë e kështu me radhë. Si rezultat të këtij debati, ndodhi që në Kuvendin e Dytë të LDK-së më 1994, marksist-leninistët në krye me Hydajet Hysenin të merrnin shumicën në Këshillin e Përgjithshëm dhe në Kryesinë e partisë, duke provokuar dorëheqjen e Fehmi Aganit dhe të Edita Tahirit, situatë që u zgjidh me ndërhyrjen e dr. Ibrahim Rugovës. Që atëherë, duhet thënë se pati debate të brendshme, pati tendenca për ndërskambca, si dhe për imponime. Natyrisht se edhe pse në rrethana specifike, këto zhvillime të brendshme mund të konsideroheshin normale, edhe për shkak të karakterit prej lëvizjeje politike që kishte LDK-ja. Arroganca e grupit të Hydajet Hysenit për t’u imponuar nga brenda, pra që dr. Ibrahim Rugovës t’i imponohet dhe t’ia imponojë konceptin e të bërit politikë, ishte shumë e madhe, gati e padurueshme, por edhe që kishte ngjallë xhelozinë dhe frikën tek të tjerët, të cilët kishin frikë se mos dr. Ibrahim Rugova binte pre e këtij presioni. Mirëpo, me mençurinë e tij, me urtinë e tij, por edhe me guximin e tij, dr. Ibrahim Rugova arriti t’i dëgjonte të gjithë, dhe pastaj të merrte vendimet politike. Kjo në një mënyrë u konsiderua si një lloj autoritarizmi, por që nuk ka lidhje me autoritarizëm. marksist-leninistët që nuk mund të duronin, pasi e konsideronin rast jetik për ta marrë kalanë nga brenda, filluan t’i shfaqnin pakënaqësitë e tyre, si dhe filluan që t’u bëjnë thirrje edhe Qosjes, edhe demaçit që t’u vinin në ndihmë. Dhe është pikërisht kjo kohë kur Qosja pat filluar të "hartojë" një "fjalor demokratik" në ish-organin e Lidhjes së Rinisë Socialiste të Kosovës(sic.), në Zërin" javor, kurse Demaçi kërkonte të bëhej nënkryetar i Kosovës. Të gjitha këto zhvillime brenda LDK-së, përveçse shfaqnin elemente të ngjashme si çdo parti e re në vendet e ish-bllokut komunist, dhe përvçse bazoheshin në konfliktin historik ndërmjet marksist-leninistëve, jugosllavistëve dhe nacionaldemokratëve shqiptarë, ishin pasojë e diversionit që qarqe të ndryshme bënin mbi LDK-në, me qëllim të rrënimit apo të dobësimit të bazës partako-politike të dr. Ibrahim Rugovës. Duhet thënë se diversioni si një aspekt i kundërrugovizmit, rezultatin më spektakular e dha në Kuvendin e Tretë të LDK-së më 1998, kur grupi i Hydajet Hysenit, në pamundësi për ta marrë kalanë nga brenda dhe kur veç dukeshin shkëndijat e një konflikti të armatosur në Kosovë, vendosi të largohej tërësisht nga LDK-ja, duke e shpallë jolegjitim LDK-në në krye me dr. Ibrahim rugovës, në përpjekje për të bërë diversionin më të rënë mbi dr. Ibrahim Rugovën. Edhe pse në planin e profilizimit të brendshëm, largimi i grupit të Hydajet Hysenit ishte pozitiv, rrethanat në të cilat u bë, nuk është se mbeti pa pasoja. Është kështu për faktin se paraqiste një çarje në lëvizjen politike shqiptare në Kosovë, por edhe për faktin se në këtë mënyrë iu mundësua hapësirë individëve jomeritorë dhe shumë të papërshtatshëm. Tashmë, përveç t’i quajmë fraksioneve të ndryshme, në LDK filluan të shfaqen edhe elemente klanore që mbështeteshin mbi interesa jopolitike. Një nga këto interesa ishte edhe tendenca për ekskluzivizma të ndryshëm, e që kiishin të bënin me dr. Ibrahim Rugovës. Për shkak të autoritetit të padiskutueshëm deri në kult që dr. Ibrahim Rugova kishte në popull, u provua një lloj monopolizimi mbi vetë dr. Ibrahim Rugovën. Me fjalë të tjera, pati tendenca që fraksione, apo grupe të ndryshme t’i imponoheshin dr. Ibrahim Rugovës, të cilat përveç kësaj, do të mund të kishin edhe një lloj imponimi të pikëpamjeve, të ideve apo edhe të dëshirave të tyre. Grupi Hydajet Hysenit këtë e kishte provuar, siç thashë, pas Kuvendit të Dytë të LDK-së më 1994, sidomos paras e të largohej. Në anën tjetër, edhe një grup tjetër i mbledhur rreth Sabri Hamitit kishte provuar të njëjtën gjë. Mirëpo, dr. Ibrahim Rugova, si gjithnjë, jo që nuk pranoi kurrë të jetë "pronë" e dikujt, por përkundrazi vazhdoi me përkushtim realizimin e projektit për sendërtimin e shtetit të Kosovës. Vendosmëria e dr. Ibrahim Rugovës për të minimizuar këto tendenca, e që u quajt si injorim që i bëhet formueve të partisë, e mendohej dhe thuhej kryesisht Këshillit të Përgjithshëm, kishte bërë që të ruhej në mënyrë solide funksionaliteti politik i LDK-së, si dhe kishte bërë që të dështonin të gjitha tendencat diversive mbi të, edhe pse gjakrat nuk u qetësuan kurrë nga individë dhe grupe të vogla njerëzish, ndër të cilët tani duhet dalluar ata që ishin të lidhur me Bujar Bukoshin, i cili nga ana tij, prej vitesh kishte provuar të bënte diversion mbi dr. Ibrahim Rugovën. Fillimi i konfliktit të armatosur në Kosovë, e që shndërrua në një masakër dhe në një spastrim etnik më tepër se biblik, sidomos gjatë kohës së mbajtjes peng të dr. Ibrahim Rugovës nga ana e policisë serbe, kryesia e LDK-së u çorodit dhe u çorientua, kurse anëtarët e saj filluan të mendojnë më shumë për vete se sa për partinë. ishte kjo kohë shumë e përshtatshme për gjueti dhe rekrutim njerëzish nga të gjitha anët. Dhe kjo ishte goditja më e madhe që kishte marrë linja institucionaliste në Kosovë që nga themelimi. Disa kërkuan shpëtim te komandat "Rremi", disa të tjerë te Hashim Thaçi, disa te Veton Surroi e kështu me radhë. Koha e mbajtjes peng e dr. Ibrahim Rugovës nga ana e policisë serbe, ishte kohë e ankthit pritës jo vetëm të popullit për lirimin e liderit të tij, por edhe ankth i pritjes së vetë linjës institucionaliste. Shumica prisnin lirimin e tij, por kishte edhe të tjerë që ia kishin frikën lirimit të tij eventual, pasi që tashmë ishin marrë vesh se kush është kush në linjën institucionaliste. Mirëpo, dr. Ibrahim Rugova nuk do të ishte ai që ishte, sikur të mos e kishte edhe ndjesinë e faljes, edhe për ata që nuk e kërkonin atë. Pas përfundimit të luftës në Kosovë, i mblodhi të gjithë ata pavarësisht a e kishin mohuar më parë apo jo dhe kishte vendosur që ta vazhdonte punën. Të gjithë e kishin marrë vesh tashmë se as dr. Ibrahim Rugova, as LDK-ja nuk kishin vdekur politikisht. Në të vërtetë, tashmë ishte qartë se dr. Ibrahim Rugova dhe LDK-ja kishin bërë një simbiozë të pashkëputshme, pasi që fati i njëri-tjetrës ishte ngushtësisht i ndërlidhur: LDK nuk mund të bënte pa ose kundër dr. Ibrahim Rugovës, e as dr. Ibrahim Rugova nuk mund të bënte pa LDK-në. Pretenduesit kishin pasur kohë të bindeshin se populli e donte dhe i besonte dr. Ibrahim Rugovës. Përkundër kësaj, strategjia e diversionit mbi dr. Ibrahim Rugovën dhe LDK-në nuk u ndërpre për asnjë çast. Një nga diversionet e tilla kishte të bënte me themelimin e partisë së Hashim Thaçit, me ç’rast disa veprimtarë të LDK-së iu bashkuan asaj duke i themeluar degët e saj nëpër qytete të ndryshme. Në mesin e tyre kishte njerëz që vinin nga vija jugosllavokomuniste e që kërkonin gjoja rehabilitim, ashtu siç kishte edhe të tjerë që mund të mbanin përgjegjësi për keqpërdorime të detyrës zyrtare, kryesisht në aspektin financiar etj, por që edhe kjo dështoi falë vullnetit të popullit dhe falë besimit të madh që kishte dr. Ibrahim Rugova tek shumica dërmuese e shqiptarëve.
(vijon)