15 dhjetor 2006

FUNDI I ILUZIONEVE POLITIKE

ATA QË AKADEMIK DACIN E SHNDËRRUAN NË HUMBËS
MË 9 DHJETOR, DO TA SHTYJNË TË PËSOJË EDHE HUMBJEN MORALE DHE TË PËRHERSHME POLITIKE

Pas Kuvendit të 9 dhjetorit, njerëzit e rreshtuar kah akademik Daci me besimin se ai do të jetë kryetar i ardshëm i LDK-së, tashmë kur nuk është bërë, po çirren me një histeri psikopatologjike, e cila do t’u kishte hije njerëzve të partive të tjera, e jo njerëzve të LDK-së. Logjika eskatologjike, sipas të cilës nëse nuk është Daci kryetar partie, apo nëse nuk bëhet si thonë njerëzit e tij zevezek, do të dobësohet LDK-ja do të shkatërrohet e ku ta di unë, është logjike shumë e dëmshme për shëndetin shpirtëror dhe fizik të vetë atyre që po e shpërfaqin këtë logjikë. Pse është kështu?

Shkruan: Rexhep KASTRATI

1. Logjika përjashtuese dhe diferencuese është logjikë kryesisht e njerëzve të Dacit, kurse publikisht këtë logjikë e ka zbatuar vetë akademik Daci. Pas vdekjes së dr. Ibrahim Rugovës, njeriu i parë i LDK-së ishte mr. Eqrem Kryeziu, kurse akademik Daci, njeriu i parë i Kosovës. Ceremeonia e varrimit të dr. Ibrahim Rugovës e udhëhequr nga akademik Daci, ka pasur shumë elemente përjashtuese, duke përfshirë vetë mr. Eqrem Kryeziun, nënkryetarin e parë, e de facto dhe de jure edhe njeriu i parë i LDK-së, të cilit iu pamundësua fjala në atë ceremoni. Akademik Daci ia kishte lejuar vetes që ta përjshtonte dhe ta eliminonte njeriun e parë të partisë së tij, dhe në këtë kontekst edhe shefin e tij partiak nga e drejta për t’u paraqitur në emër të LDK-së. Me gjithë mospajtimet me të, pra me mr. Eqrem Kryeziun, unë nuk mund të isha dakord që ai të eliminohej në atë mënyrë, e për më tepër ta shihja te lagja e Spitalit, tek kthehej në Prizren sikur çdo qytetar tjetër. Dhe këtë akademik Daci nuk e ka bërë pse nuk e ka ditur kierarkinë partiake, por pse mr. Eqrem Kryeziu që për të gjallë të dr. Ibrahim Rugovës e kishte deklaruar publikisht se nëse do ta ftonin do të pranonte të ishte kryetar partie. Në këtë kontekst, eliminimi i mr. Eqrem Kryeziut me atë rast, ka qenë edhe një përpjekje për ta eliminuar një njeri konkurrent për postin e kryetarit të partisë. Pas asaj që kishte ndodhur në ceremoninë e varimit të dr. Ibrahim Rugovës, ishte shumë e qartë se do të pasonte reagimi i mr. Eqrem kryeziut, i cili do t’i marrë kompetencat e tij si njeriu i parë i partisë dhe do t’ia tregojë vendin akademik Dacit. Dhe këtë e ka bërë edhe me ndihmën e anëtarëve të kryesisë së LDK-së që tashmë çirren përkrah akademik Dacit. Gjithë atë procedurë kundërstatutare të mr. Eqrem Kryeziut e tumirën njerëzit aktualë të akademik Dacit për të siguruar postet e tyre minesteriale. Në anën tjetër Alush Gashi si krytetar i Grupit Parlamentar të LDK-së, ia mundësoi mr. Eqrem Kryeziut praninë në mbledhje të këtij Grupi. Dhe gjithçka do të bënin këta njerëz po t’u kërkonte mr. Eqrem Kryeziu, vetëm e vetëm për të shpëtuar pozitat e tyre që i kishin, kurse për akademik Dacin as që çante kush kokën. Në këtë kontekst, ishte akademik Daci ai që kishte mbetur si koloneli i Markesit që nuk kishte kush t’i shkruante, dhe duke mos u pajtuar me një mënyrë të tillë të shkarkimit, isha unë ai që u deklarova publikisht kundër shkarkimit të akademikut dhe duke ia dhënë përkrahjen edhe për kryetar të mundshëm të LDK-së. Vetëm pastaj, filluan edhe të tjerë të shkruajnë pro akademikut dhe për më tepër edhe t’i afrohen atij. Mjafton t’i përmendi vetëm Bajrush Morinën dhe Albatros Rexhajn për ta argumentuar këtë. Në anën tjetër, edhe qëndrimi i vetë akademik Dacit pas shkarkimit të tij ishte aspak burrëror, prepotent dhe arrogant. Njeriun e parë të LDK-së, atë botë e quante një kryetar komune, në kuptimin se e ndiente veten të fyer se si atë një akademik e shkarkonte një kryetar komune. Prepotenca e këtillë dhe arroganca, jepnin shenjat e para se akademik Daci e personalizonte çështjen dhe se do të kalonte në hakmarrje personale.

2. Prepotenca dhe arroganca e akademik Dacit nuk u reflektua vetëm në personalizimin e çështjes së shkarkimit, por edhe në injorimin tërësor që ua bënte strukturave organizative të LDK-së. Edhe Sabit Rrustemi, kolegu im në poezi, e di mirë se sa injorues dhe çfarë kanë qenë raportet e akademik Dacit me strukturat organizative të LDK-së, kryetar i të cilës ai dëshironte të bëhej. Ky injorim duhet kuptuar me dy arsye karakterologjike dhe faktike: me mendjemadhësinë e tij prej akademiku dhe kuadri të LDK-së, për të cilin na paska nevojë LDK-ja e jo ai për LDK-në, dhe me moslidhjen shpirtërore me LDK-në. Mendjemadhësia ka bërë që ai të mos shohë kënd tjetër dhe të barbartë me vetveten, kurse moslidhja shpirtërore me LDK-në bëri që të mos i afrohej asnjë prej emrave të njohur të LDK-së. Si kundërpeshë, akademik Daci i ftoi të gjithë ikanakët e LDK-së që të ktheheshin dhe së bashku ta merrnin LDK-në. Që atëherë u pa se akademik Daci dëshironte ta merrte, ta pushtonte LDK-në dhe pastaj t’i hakmerrej mr. Eqrem Kryeziut. Dhe kjo logjikë, bashkë me personalizimin e çështjes së shkarkimit të tij, ishte e paparanueshme për shumicën e LDK-së dhe të sipatizantëve të LDK-së.

3.Njerëzit aktualë të Dacit, janë njerëz që nuk përbëjnë një tërësi grupore dhe ajo që i ka lidhur është ose humbja e privilegjeve si puna e Adem Salihajt, e Berim Ramosajt, ose rreziku i humbjes së privilegjeve si puna e Melihate Tërmkollit, ose vrapi pas fitimtarit, si puna e Gecëve të Llaushës. Ajo që i ka lidhur në të vërtetë këta njerëz dhe që ka bërë të jenë me akademik Dacin, është pikërisht iluzioni se me akademik Dacin është edhe fitorja, e me fitimtarin janë edhe privilegjet. Kjo është logjika që ka funksionuar dhe që është çoroditur tashmë kur Daci nuk u zgjodh kryetar partie. Po iluzioni politik i një triumfi të akademik Dacit, i ka shtyrë disa jurishnikë edhe në nivele lokale që t’i turren akademikut që e kishte shumë të vështirë të bëhej politikan. Dhe këta njerëz që e kanë dashur akademik Dacin si fitimtar, janë duke bërë luftë personale për të hyrë në pazar me Fatmir Sejdiun pikërisht për këto përfitime personale. Nëse Fatmir Sejdiu u garanton se nuk do të preken asnjë prej ministrave, ose nëse do t’u premtonte ndonjë privilegj, që të gjithë do ta braktisnin akademik Dacin. Ky nuk është një konstatim hipotetik, por një gjë që mund të dëshmohet shumë lehtë. Adem Salihaj ka qenë mik i ngushtë i mr. Eqrem Kryeziut, i cili ka qenë jo njëherë në vizitë në Prizren si mik personal i mr. Eqrem Kryeziut. Gecët e Llaushës kanë qenë pjesë të “projektit Kryeziu”. Iluzioni politik se fitorja është në anën e akademik Dacit, dhe se mr. Eqrem Kryeziu kishte marrë fund, i kishte shtyrë këta që t’i largohen Kryeziut dhe t’i afrohen Dacit. Lulzim Zeneli, një çunak që ka qejf të dalë në televizor, duket se është treguar më naiv se gjithë të tjerët, ose unë e kam gabim. Atij i qoftë përhajër banesa dhe e gëzoftë kur t’i bëhet gati, por kujtoj se veprimatria publike, por edhe karrieria e tij personale ka pasur, ose është dashur të ketë një vlerë më të madhe. Albatros Rexhaj, një krijesë mediale e Bajrush Morinës, përndryshe një kushuri shumë i afërt i Sefer Rexhajt, eksponentit kryesor të akademik Dacit në Prizren, ka qenë i përkëdheluri i mr. Eqrem Kryeziut, i cili edhe e pat kooptuar në kryesinë e LDK-së në Prizren në vend të Besim Telakut që kishte vdekur pak kohë më parë. Albatrosi, apo Tosi, siç e thërriste mr. Eqrem Kryeziu dhe të tjerët në degën e LDK-së në Prizren, edhe pa këtë kooptim kishte shumë ndikim në degën e LDK-së, pikërisht për shkak të të qenit benjamin i mr. Eqrem Kryeziut. Vetëm kur e largoi mr. Eqrem Kryeziu për arsye që i dijnë vetë ata dhe të tjerët që kanë dashur t’i dijnë, Tosi na u bë bashkë me akademik Dacin dhe bashkë me Seferin, një biznesmen nga Korisha, po ashtu shumë-shumë i përkëdhelur nga mr. Eqrem Kryeziu, provuan që këtë ta rrënonin politkisht. Për më tepër, Tosi, bashkë me Naser Rugovën, Bajrush Morinën, morën përsipër që ta bëjnë edhe agjitpropin nëpërmjet ‘Botës sot’ dhe nëpërmjet www.rugova.net. Dhe kjo ndodhte pikërisht për shkak se tashmë mr. Eqrem kryeziu llogaritej si njeri që kishte marrë fund, kurse akademik Daci llogaritej si fitimtar. Dhe ky është morali politik i njerëzve që dje ishin të përkëdhelurit e mr. Eqrem Kryeziut, kurse sot ‘miqtë’ e akademik Dacit. Dhe kur është fjala te morali politik, duhet pyetur Gecët e Llaushës se si mund të rrijnë bashkë me një Melihate Tërmkoll, për të cilën Gani Geci m’i ka thënë një qind mijë të zeza, pasi më quajti më parë mua këlysh të Ramë Marajt? Si mund ta pranojnë në konak një njeri si Milaim Zeka ndaj të cilit, po ashtu, i kanë folur njëqind mijë të zeza, dhe për më tepër të bëhen bashkëluftëtarë të tij dhe të shumë të tjerëve për diversion ndaj LDK-së? Si kanë kurajo të thirren edhe më tej në emrin e Bekim Kastratit, kur nuk kanë guxim që të tregojnë se kush e vrau atë dhe Besim Dajakun? Si mund ta quajnë shok Bekim Kastratin, kur Bekim Kastrati kurrfarë lidhje nuk ka pasur me Gecët përderisa nuk i kam afruar unë? Në fund të fundit, ku është morali politik dhe njerëzor, ose edhe burrëria e Gani Gecit, i cili pati kurajon që të fliste për sakrificën e të tjerëve para një zonje të nderuar që kishte humbur burrin dhe të dy djemtë, çfarë është zonja Nekibe Kelmendi, e cila në çdo kohë dhe në çdo rrethanë është treguar shumë më burrërore se shumë burra të LDK-së? Me çfarë burrërie flet Gani Geci për sakrificën e të tjerëve, para zonjës Agani, para zonjës Mustafa, para zonjës Maloku, para zonjës Rraci dhe para shumë zonjave të tjera të nderuara dhe shumë më tepër burrërore? I ka dëgjuar kush ato që të përmendin ndonjëherë sakrificën e burrave të tyre? I ka dëgjuar kush këto zonja të nderuara të kërkojnë dëmshpërblim dhe ndere të veçanta për shkak të sakrificës së burrave të tyre? Po si mund të flasë Gani Geci për sakrificën e të tjerëve, para zonjës së Idriz Rrecit, kryetarit shumëvjeçar të degës së LDK-së në Skënderaj, i zhdukur gjatë luftës bashkë me një grup mjekësh? Pse nuk e përmendin kurrë emrin e tij? A mos e kanë rrahë ndonjëherë më zi se policia serbe? Po si mund të flasë Gani Geci për sakrificën e të tjerëve para bacës Sejdë, i cili një jetë të tërë ia kushtoi çështjes kombëtare dhe që pas luftës e udhëhoqi degën e LDK-së në Skënderaj, në ç’funksion edhe desh u vra, e të cilin e mënjanuan për ta privatizuar tërësisht këtë degë të LDK-së, dhe për t’u bërë të dy vëllezërit delegatë të Kuvendit të LDK-së? Këtyre dhe shumë pyetjeve të tjera si këto, por edhe më të rënda së këto, vështirë se mund t’u përgjigjen, e më së paku t’u përgjigjen saktë Gecët e Llaushës. Është kështu, sepse këtu nuk bëhet fjalë fare për moralin politik, e më së paku për moralin tradicional shqiptar, çfarë po mundohen ta rrejnë opinionin se e mbrojnë. Po morali politik i akademik Dacit çfarë ka të përbashkët me këtë? A është dashur që akademik Daci të bëhet strehë e gjithë këtyre njerëzve që përbetoheshin në mr. Eqrem Kryeziun derisa nuk u shfaq iluzioni politik se koha e tij ka perënduar dhe se po vinte koha e Dacit? Asnjë politikan mesatar nuk do ta bënte këtë, sepse do të duhej ta kishte të qartë se ata që vrapojnë pas fitimitarit, vrapojnë për të zhvatur prej tij, pra për të prfituar prej tij, qoftë tendere, qoftë ndere apo edhe pushtet. Po strukturat organizative të LDK-së, a duhet të jenë pjesë e këtij morali politik që nuk është fare moral? Kësaj pyetjeje duhet t’i përgjigjet edhe miku im në poezi, Sabit Rrustemi, i cil kot ka pritur si një mik tjetër i imi në Prizren, z. Qazim Kabashi, se do të bëhet kryetar komune nëse do të fitonte akademik Daci. Kësaj pyetjeje duhej t’i përgjigjej edhe Besa Gaxherri, e cila më kot ka pritur se ndoshta do të bëhej ndonjë ministre apo edhe se do t’i thyente rugovasit e Ali Lajçit në Pejë. Kësaj pyetjeje do të duhej t’i përgjigjej edhe dega e Ferizajt e LDK-së, e cila duket se është privatizuar nga Adem Salihaj dhe që po çon selame në Prishtinë, ashtu siç do të duhej të tregonte se si arritën vëllezërit e Ademit t’i kenë ato biznese që i kanë në Ferizaj. Dhe këtyre pyetjeve do të duhej t’u jepnin përgjigje gjithë këta jo për të mirën e LDK-së, se LDK-ja bën edhe pa ta, por për të mirën e tyre dhe të fatit politik të tyre. Në fund të fundit, për LDK-në do të ishte shumë më mirë sikur këta edhe të largoheshin fare nga LDK-ja dhe ta matnin veten nesër në zgjedhje lokale dhe të përgjithshme se çfarë është përkrahja për ta.

4.Logjika diferencuese dhe përjashtuese, në radhët e LDK-së nuk u shpërfaq vetëm me eliminimin e mr. Eqrem Kryeziut nga çështjet organizative dhe nga e drejta për ta përfaqësuar LDK-në në ceremoninë mortore të dr. Ibrahim rugovës, por edhe gjatë fushatës nëpër degë e nëndegë të ndryshme. Dajaku që krisi gjithë andej nga njerëzit e Dacit, ishte pikërisht rezultat i logjikës përjashtuese se nëse nuk je me mua, je kundër meje dhe je hasmi im, prandaj edhe e meriton dajakun. Në anën tjetër krijimi i një farë ‘Reforme’, ishte mosnjohje de facto i kryesisë së LDK-së dhe i fillimit të veprimtarisë paralele si një kryesi paralele. Naser Rugova me turr kishte marrë detyrën e “ministrit të punëve të jashtme” të akademik Dacit me iluzionin politik se nesër mund të ishte ministër i punëve të jashtme të Kosovës, bile para Alush Gashit. Një element tjetër përjashtues ishte edhe vetë krijimi i bllokut Daci, i cili do të merrte gjithë kulaçin e pushtetit, po të fitonte akademik Daci. Për të mos qenë hipotetik, duhet ta kujtojmë vetëm faktin se asnjë prej njerëzve që janë afër akademik Dacit nuk iu afruan atij para se të shkarkoheshin nga postet që kishin në qeveri dhe në presidencë, ose para se të krijohej iluzioni politik se akademik Daci do të ishte kryetar e LDK-së. Sa për shkarkimin, ishte vota e Grupit parlamentar të LDK-së, përfshirë edhe njerëzit që tash janë afër tij, ajo që e shkarkoi akademik Dacin

5.Me dhunën politike të bërë gjatë fushatës së brendshme zgjedhore në LDK, njerëzit e akademik Dacit, sikur zyrtarizuan brenda LDK-së një mendësi politike të atyre që gjatë dhe pas luftës i vranë gjithë ata veprimtarë të LDK-së. Lejimi dhe mosdistancimi i akademik Dacit nga e gjithë kjo dhunë, linte përshtypjen se ose ishte i pafuqishëm ta pengonte, e që do të thotë se ishte peng i tyre, ose e tumirte edhe vetë.

6.Logjika përjashtuese, sipas disa informatave, nga ana e grupit të akademik Dacit do të vazhdonte në mënyrë shumë të ashpër po të fitonte akademik Daci edhe në nivele më të ulëta të LDK-së. Kjo logjikë dhe kjo praktikë përjashtuese do të realizohej nëpërmjet Kuvendeve të jashtëzakonshme nëpër degë ku më parë nuk ka fituar krahu i Dacit. Dhe kjo logjikë, dhe kjo praktikë do të niste në Pejë, ku është çështja e hapur dhe do të vazhdonte më tej. Dhe këto kuvende të jashtëzakonshme nuk do të imponoheshin zyrtarisht nga Qendra, por do të kërkoheshin nga poshtë, qoftë nga krahu i akademik Dacit, qoftë edhe nga njerëz që tash janë në krahun e Kryeziut, përkatësisht të Fatmir Sejdiut.

Janë këto vetëm disa nga veçortië e krahut të akademik Dacit, të cilat i dijnë si ata që kanë votuar pro Sejdiut, si ata që kanë votuar pro Dacit, e rrjedhimisht edhe strukturat organizative të LDK-së, dhe të cilat do të jenë të kujdesshme dhe nuk do të bijnë në grackën e atyre që sot e deklarojnë hapur shkëputjen nga LDK-ja. Dhe nuk do të jenë vetëm strukturat e LDK-së ato që do të jenë të kujdesshme në këtë drejtim, por do të jenë edhe vetë njerëzit e Dacit, së paku një pjesë e tyre, t ëcilët do të mundohen t’i kacavirren në qafë Fatmir Sejdiut për të zhvatur ndonjë privilegj. Këtë bile janë duke provuar ta bëjnë disa, kurse disa të tjerë janë duke pritur se a do të dalë diçka nga shantazhet dhe ultimatumet që po i bëhen Fatmir Sejdiut. Kjo do të ndodhë pikërisht për faktin se shumica e tyre i janë afruar akademik dacit jo pse e kanë marrë afër zemre shkarkimin e tij, as që kanë pasur iluzion se me akademik Dacin LDK-ja do të jetë më e fortë, por për shkak se kanë shpresuar se nëpërmjet tij, apo edhe njerëzve të pushtetit të tij, do të mund të marrin sa më shumë tendere. Çshtë e kotë t’i përmendi emrat e tyre, kur i di vetë Daci kush janë ata, si dhe popullata prej nga vijnë ata. Dhe është pikërisht ky fakt që ka bërë që akademik Daci ta humbë përkrahjen qoftë nga unë, qoftë nga të tjerët, enë fund edhe nga vetë delegatët e Kuvendit të LDK-së, me gjasa reale që po këta njerëz t’ia shkaktojnë edhe humbjen morale dhe njerëzore.