08 dhjetor 2006

NJË DITË PARA KUVENDIT TË LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVËS

LDK-JA NUK DUHET TË JETË PENG I INDIVIDËVE DHE E QARQEVE TË DYSHIMTA, POR PARTI E FORMATIT KOMBËTAR, QYTETAR E DEMOKRATIK

Një ditë përpara, Kuvendi i LDK-së, si temë, është e pranishme më shumë se tjera herë në faqet e para të mediave të shkruara në Kosovë, duke e trajtuar këtë si ngjarje të rëndësishme, bile më të rëndësishme se sa vetë temën e statusit politik të Kosovës! Është shumë normale, pasi që nesër do të shihet se çfarë do të jenë rezultatet e gjithë asaj fushate mediale, të strukturave kriminale dhe të shërbimeve sekrete që shtë bërë deri më tash: dikush pret që të çahet LDK-ja, dikush tjetër zgjedhjen e njerëzve të rekrutuar nga ata, por gati të gjitha po presin që kjo parti të rrenojë filozofinë politike të dr. Ibrahim Rugovës dhe të jetë e paaftë të udhëheqë proceset politike në Kosovë. Po cili është interesi real i delegatëve të Kuvendit të nesërm të LDK-së: të çojnë në vend pretendimet kundrldk dhe kundërrugovë në të mirë të do farë interesash të ngushta të individëve dhe grupeve të caktuara, dhe në të mirë të pretendimeve jashtëldk që janë të njohura për vite të tëra, apo të vihen mbi trysnitë që janë bërë dhe do të bëhen edhe nesër dhe të thonë qartë se LDK nuk do të jetë peng e interesave të ngushta të individëve, as viktimë e skenarëve ogurzi, të cilat mediat i kanë shpalosur kaherë?

Shkruan: Rexhep KASTRATI

Kur ndodhi lufta në Kosovë, linja udbasho-jugosllavokomuniste, e bijve të ambasadorëve të Jugosllavisë, e sekretarëve të punëve të brendshme të Kosovës, e referentëve të ndryshëm dhe e lakejve të tjerë të komunizmit, si dhe linja e Tiranës/Kretës, menduan se tashmë Lidhja Demokratike e Kosovës, e në mënyrë të veçantë dr. Ibrahim Rugova do të përfundojnë në kujtesën e shqiptarëve si të damkosur me vulën e kundërshqiptarizmit dhe të tradhtisë. Bashkëbiseduesi i ish-shefit të SDB-së, Jovica Stanishqit, Baton Haxhiu e kishte shpallë edhe publikisht dr. Ibrahim Rugovën të vdekur politikisht, kurse njerëz të linjës së Tiranës/Kretës filluan ta quanin shalli i Beogradit. Mirëpo, për fatin e tyre të keq, as LDK-ja, e as dr. Ibrahim Rugova nuk vdiqën politikisht, pasi i fituan të gjitha zgjedhjet e pasluftës, duke dëshmuar edhe njëherë se këtë parti dhe këtë politikan populli nuk i lë të vdesin. Për fatin e keq të të gjithë atyre që për vite të tëra janë duke punuar për rrënimin politik e moral të dr. Ibrahim Rugovës dhe të filozofisë së tij politike, ishin vetë ata që morën mallkimin dhe ndëshkimin e popullit: në planin politik u ndëshkuan me votë, kurse në planin medial, ishin më të palexuarat në Kosovë. Në planin personal, mua më vjen keq që më është hequr kënaqësia për t’u ballafaquar edhe në gjykatë me njerëz të tillë si Baton Haxhiu, Jakup Krasniqi e Xhavit Haliti, të cilët ndaj meje kishin ngritur kallëzime penale dhe padi private për shkrime të ndryshme që i kisha shkruar derisa punoja në “Bota sot”, pasi që unë realisht kam pritur që të ndeshem burrash me ta në prani të kolegëve të mi gazetarë si nga mediat e shkruara, ashtu edhe nga ato elektronike, edhe pse këto media kurrë nuk kanë informuar për paraqitjet e mia në gjykatë, edhe pse i kam informuar me kohë. Por sido që të jetë, humbja, asgjëja dhe heshtja e tyre ishte vetëm vazhdim i humbjes, asgjësë dhe heshtjes publike pas disfatave të vazhdueshme politike që i pësonin nga presidenti i Kosovës dr. Ibrahim Rugova. Dhe në vend të pranimit burrëror të humbjeve, njerëzit, qarqet dhe struktura të tjera që punojnë për kushedisa shërbime sekrete, bile edhe kundërshqiptare, kaluan në një dimension tjetër të luftës kundër dr. Ibrahim Rugovës dhe filozofisë politike, duke i sjellë dëme më shumë Kosovës se sa vetë dr. Ibrahim Rugovës, një ndër të cilat dëme Kosova është duke i paguar me formatin e tashëm të decentralizimit në Kosovë, nga i cili do të dalë së paku një republika sërbska, ashtu siç kam tërhequr vërejtjen këtu e rreth gjashtë vite më parë. Ky dimension tjetër kishte të bënte me rekrutimin njerëzve të rëndësishëm në LDK nga këto qarqe dhe nga këto shërbime sekrete, në planin e brendshëm, kurse në servilizmin diplomatik dhe në gatishmërinë për të pranuar gjithçka për Kosovën, vetëm që të ndihmohen për eliminimin politik të dr. Ibrahim Rugovës. Mirëpo, autoriteti i padiskutueshëm i dr. Ibrahim Rugovës ka bërë që vetë ai, vetë LDK-ja dhe vetë Kosova të mos pësojnë gjithaq, edhe pse nuk kishte mbetur pa pasoja. Në vitin 2004, pata botuar një thirrje publike për linjën insitucionaliste që të kishte vëmendjen për shkakun se njerëz të kësaj linje tashmë ishin shitur te linja udbasho-jugosllavokomuniste, te linja e Tiranës/Kretës dhe te shërbime të ndryshme sekrete. Tashmë kur dr. Ibrahim Rugova nuk është më i gjallë fizikisht, të gjitha këto qarqe dhe këto shërbime sekrete po mundohen që atë ta vrasin edhe politikisht, qoftë duke bërë përpjekje për ta copëtuar LDK-në, një nga trashëgimitë e dr. Ibrahim Rugovës, qoftë duke vendosur sa më shumë njerëz të tyre në krye të saj. Kohëve të fundit i është shtuar edhe grupi njerëzve të tubuar rreth Behxhet Pacollit, i cili në mënyrë më të rafinuar po pret se çka do të ndodhë me LDK-në dhe sa njerëz të saj do të mund të shkojnë në partinë e tij. Më vjen keq të konstatoj, por në këtë kontekst nuk është për t’u lavdëruar as pozicioni i një pjese të bashkësisë ndërkombëtare, e cila është duke kushtëzuar përkrahjen për njërin apo kandidatin tjetër me zgjerimin e bazës së koalicionit qeverisës, pra duke kaluar edhe në bashkëqeverisje, mundësisht me Veton Surroin kryeministër. Ndoshta, është koha tashmë që diplomati i shquar z. Solana të ndjejë realisht keqardhje për qëndrimin jopajtues me dr. Ibrahim Rugovën si me rastin e emërimit të Ramush Haradinajt kryeministër nga ana e presidentit dr. Ibrahim Rugova, ashtu edhe lidhur me bazën e koalicionit qeverisës në Kosovë. Ky mik i madh i Kosovës dhe i presidentit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, që është dëshmuar si mbështetës i fortë i lirisë, i paqes dhe i stabilitetit në Kosovë e më gjerë, duhet t’u bëjë thirrje delegatëve të Kuvendit të nesërm që të injorojnë trysnitë, shantazhet dhe format e ndryshme të dhunës dhe nesër të votojnë me dinjitet dhe përgjegjësi të madhe për votën e tyre. Mesazhi i z. Solana, e kësaj figure shumë të respektuar në Kosovë, është shumë i rëndësishëm, jo vetëm për stabilitetin e LDK-së, por edhe të vetë Kosovës, pasi që siç dihet kjo parti e udhëheq procesin politik në Kosovë, si dhe negociatat për statusin përfundimtar të Kosovës. Sido që të jetë, dhe pavarësisht nga angazhimet e tjera të z. Solana, delegatët e Kuvendit të nesërm tashmë duhet t’i kenë lexuar mirë mesazhet që kanë mediat e sotme në Kosovë, si ato që kontrollohen nga Veton Surroi, si ato që kontrollohen nga Blerim Shala, si ato që kontrollohen nga Behxhet Pacolli, si ato që kontrollohen nga Baton Haxhiu, si ato që kontrollohen nga Ramë Maraj etj., dhe të votojnë realisht për partinë, për dr. Ibrahim Rugovën, të votojnë për Kosovën. Akademik Dacit në mënyrë të veçantë i bëj thirrje që të distancohet nga të gjithë ata njerëz që thirren në emër të tij por që gjatë tërë fushatës së brendshme zgjedhore, bile edhe gjatë këtyre ditëve janë duke bërë trysni mbi delegatët për t’ua marrë nënshkrimet në favor të kandidaturës së tij, sepse në këtë mënyrë, pra duke u distancuar nga format jodemokratike të fushatës dhe të zgjedhjes, ndoshta mund të humbë sot, por mund të fitojë më shumë nesër. Në të kundërtën, unë dhe gjithë të tjerët që i dolëm zot akademikut të nderuar në kohën e shkarkimit arbitrar e arrogant nga posti i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, do ta ndiejmë veten keq dhe seriozisht të penduar për përkrahjen që ia kemi dhënë atëherë. Në fund të fundit kjo përkrahje ka qenë e lidhur me shkarkimin arbitrar dhe arrogant të akademik Dacit. Si përkrahës i dikurshëm i akademik Dacit, rezultati 179 vota pro tij që i paraqiti gazeta e Ramë Marajt sot, mund të më bëjë të dyshoj se përkrahjen që ia kemi dhënë atij, akademik Daci ta ketë keqkuptuar edhe si përkrahje për Ramë Marajn, për gecët e Llaushës, për bajrush morinët e Gegjës, për albatros rexhët e Korishës etj., e që kurrë nuk ka qenë e tillë. Akademik Daci dhe të gjithë të tjerët, përfshirë këtu edhe delegatët e Kuvendit të nesërm duhet ta kenë të qartë se përkrahja ime dhe e njerëzve të vullnetit të mirë, por edhe e popullit për LDK-në dhe për dr. Ibrahim Rugovën nuk ka qenë e as që do të jetë përkrahje për interesa partiake dhe individuale të LDK-së dhe të individëve të ndryshëm, por përkrahje për Kosovën. Të gjithë ata që e kanë kuptuar ndryshe, pra si përkrahje për interesa partiake dhe për interesa personale të indivdiëve të ndryshëm, mund të kenë gabuar rëndë dhe ka rrezik që edhe Kuvendin e nesërm dhe vetë LDK-në ta çojnë drejt ndëshkimit nga ana e popullit. Shpresoj se delegatët e Kuvendit të nesërm ta konsiderojnë më të lehtë përballimin e trysnive të ndryshme dhe joshjet për prëfitime personale, se ndëshkimin zgjedhor nesër...