05 dhjetor 2006

NË PRAG TË KUVENDIT TË LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVËS

MENÇURI, URTËSI DHE UNITET
NË FUNKSION TË STABILITETIT TË LDK-SË DHE TË KOSOVËS

Më në fund, LDK-ja pritet të mblidhet më 9 dhjetor dhe të përmbyllë kështu fushatën e brendshme zgjedhore, si dhe do t’i nxjerrë anëtarët e rinj të Këshillit të Përgjitshëm, të Kryesisë dhe Kryetarin e saj. Si gjithë shqiptarët e vullnetit të mirë, edhe unë pres që në këtë Kuvend, delegatët të ngrihen mbi trysnitë që janë bërë mbi ta, mbi ndonjë privilegj që mund të kenë përfituar apo që u është premtuar dhe të votojnë me vullnetin e tyre të lirë për njerëzit që u shërbejnë interesave të partisë dhe të Kosovës, e jo mendësisë klanore, koncepteve feudaliste, e mbi të gjitha që do ta kenë në kujdes filozofinë politike të dr. Ibrahim Rugovës.

Shkruan: Rexhep Kastrati

Sfida me të cilin do të ballafaqohet LDK-ja në Kuvendin e saj të radhës që pritet të mbahet më 9 dhjetor është përmbyllja e suksesshme e procesit të brendshëm zgjedhor, pra që të zgjidhen anëtarët e rinj të strukturave drejtuese të saj dhe të vazhdohet me kursin që kësaj partie ia ka dhënë dr. Ibrahim Rugova. Kjo do të thotë që në Kuvendin e radhës të mos lejohet realizimi i skenarëve të ndryshëm për krijimin e dofarë organesh drejtuese të saj, të cilat nuk do të ishin të afta ta drejtonin si duhet , e rrjedhimisht të mos e kenë mençurinë, urtinë dhe forcën për ta çuar drejt fitores së zgjedhjeve të ardshme si atyre lokale, edhe atyre të përgjithshme, por që edhe të rrënohet identiteti politik i saj duke e braktisur filozofinë politike të dr. Ibrahim Rugovës. Pra, sfida për të cilën e kam fjalën është sfidë për të dëshmuar atë pjekuri politike dhe atë unitet politik që do të dëshmojë se LDK-ja është e aftë që t'i drejtojë proceset politike e shoqërore në Kosovë edhe pa dr. Ibrahim Rugovën, duke i demantuar gjithë ata që kanë parashikuar një zhbërje apo dobësim të kësaj partie pas vdekjes së liderit të saj historik, por edhe që do të dijë ta mbajë të pacënueshme filzofinë e tij politike, duke gjetur mënyra dhe kushte sa më të përshtashme për zbatimin e saj sot dhe në të ardhmen, për aq kohë sa ajo filozofi politike, që në vete ngërthen edhe identitetin nacional të shqiptarëve që nga Dardania e gjer më sot, të jetë një filozofi që u shërben qytetarëve dhe vetë Kosovës si pjesë e tërësisë nacionale dhe territoriale iliro-shqiptare. Nuk do të ishte shumë e mirë që në Kuvendin e radhës të ndodhin gjëra si në Kuvendin e PDK-së, apo edhe të AAK-së, që të mos arrihet të zgjidhet Kryesia, apo edhe të ketë fërkime të brendshme që do të mund ta dëmtonin mbarëvajtjen e këtij Kuvendi, si dhe të funksionimit të kësaj partie më pastaj. Me këtë rast as që dua të diskutoj për parashikimet mjerane të kundërrugovistëve qoftë brenda, qoftë jashtë LDK-së për mundësinë ndarjes së saj në pjesën që drejtohet nga njëri dhe në pjesën tjetër që drejtohet nga kandidati tjetër për kryetar të kësaj partie, sepse secili që do të provonte ta bënte këtë, do të nënshkruante fundin e tij politik dhe moral, pasi që askush nga anëtarësia e gjerë LDK-së, si dhe askush nga përkrahësit e saj nuk do ta përkrahë. Kjo në mënyrë të veçantë shërben për një farë “Reforme”, e cila që nga themelimi është duke vepruar si një Kryesi paralele e LDK-së, anëtarë të të cilës jo rrallë kanë përdorur edhe trysninë dhe dhunën fizike për të imponuar nëpër degë dhe nëndegë zgjedhjen e përkrahësve të njërit prej kandidatëve për kryetar të LDK-së, si dhe kanë provuar që me shuma të caktuara parash e beneficionesh të tjera të përvetësojnë sa më shumë delegatë për kandidatin e caktuar. Pra, sfida për të cilën jam duke shkruar, është edhe sfidë për të gjithë delegatët e Kuvendit të LDK-së që të ngrihen mbi trysninë e ushtruar mbi ta, apo që edhe janë bërë të tillë (delegatë) falë trysnive që janë bërë mbi të tjerët, si dhe ata që votën e tyre e kanë shitur qoftë për para, apo edhe për ndonjë privilegj tjetër, të ngrihen mbi të gjitha këto dhe të votojnë, ashtu siç do të kishin votuar sikur të mos kishin pasur asnjë trysni, apo edhe sikur të mos kishin marrë asnjë lekë apo ndonjë privilegj tjetër. Është kështu, sepse në këtë mënyrë do të tregonin se kanë ose se janë në gjendje të rikthejnë integritetin e tyre njerëzor e politik, si dhe do të ndihmojnë që të zgjedhurit në organet drejtuese të LDK-së, të jenë vërtet shprehës të shumicës reale të anëtarësisë së kësaj partie, por, që nuk është më pak e rëndësishme, edhe vullnetin e gjithë përkrahësve të saj, pra edhe të gjithë atyre që kanë investuar për ta ruajtur këtë parti të fortë dhe stabile edhe pa qenë anëtarë të saj, si dhe pa qenë përfitues postesh dhe privilegjesh të ndryshme, siç janë pjesa më e madhe e atyre që fshihen mbrapa “Reformës”, e që kanë për qëllim t’i rikthejnë, t’i ruajnë pikërisht këto përfitime e privilegje, si dhe t’i bëjnë edhe më të mëdha këto privilegje. Këto që po them, nuk kanë të bëjnë aspak me përkrahjen e njërit apo kandidatit tjetër, por me qëndrimin e vazhdueshëm që kam mbajtur kundër gjithë atyre që në një mënyrë apo tjetër kanë kontribuar për mendësi klanore, koncepte feudaliste dhe për shfrytëzimin e mjeteve të dhunshme për arritjen e qëllimeve. Dhe është e qartë se unë kaherë jam deklaruar kundër marizmit dhe gecizmit në LDK, pa mohuar edhe ndonjë tendencë të ngjashme që ushqehet edhe nga struktura jashtë LDK-së, qofshin këto shërbime sekrete, apo edhe parti të tjera kundërrugovë. Ajo që unë kam përkrahur dhe përkrahi edhe sot e gjithë ditën është legaliteti, legjitimiteti dhe vullneti i lirë i njerëzve për t’u përcaktuar për njërin apo kandidatin tjetër, kur është fjala për kryetar të LDK-së, e jo imponimi i dhunshëm apo edhe korruptimi i atyre që do të votojnë më 9 dhjetor. Dhe ky le të jetë një mesazh i qartë për të gjithë kandidatët për kryetar të LDK-së, nga të cilët, sidomos nga akademik Daci, për shkak se atij i pata ofruar një përkrahje fillestare, që të denonconin gjithë ato veprime të dhunshme dhe të distanconin veten nga ato veprime të dhunshme dhe korruptive. Pra, sfida kryesore me të cilën do të ballfaqohet LDK-ja në Kuvendin e saj të radhës më 9 dhjetor dhe që duhet ta përballojë sukseshëm, është që të tregojë se është vazhduese e denjë e veprës së dr. Ibrahim Rugovës, e që do të thotë se do të vazhdojë të funksionojë në përputhje me parimet themelore të filozofisë së tij politike, e që njëherësh janë edhe parime themelore kombëtare dhe demokratike, duke ua treguar vendin gjithë atyre që qoftë për interesa të tyre personale, apo edht të tjera janë vënë shërbim të strukturave kundërldk dhe kundërrugovë dhe që i kanë vënë në dispozicion edhe mediat, e edhe shërbimet e ndryshme sekrete për të realizuar rrënimin politik të LDK-së dhe të filozofisë politike të dr. Ibrahim Rugovës.