10 dhjetor 2006

PAS KUVENDIT TË LDK-SË

ORGANET DREJTUESE TË PARTISË DUHET TA VAZHDOJNË PUNËN NË PËRPUTHJE ME MANDATIN E MARRË, SI DHE NË PËRPUTHJE ME FILOZOFINË POLITIKE TË DR. IBRAHIM RUGOVËS, PËRKUNDËR “PROJEKTIT DACI” PËR TË IMPONUAR RRJEDHËN E MËTUTJESHME NË LDK

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk duhet të jetë peng i individëve dhe i qarqeve të dyshimta, por parti kombëtare, qytetare e demokratike. Këtë thirrje e pata vendosur në titull të një shkrimi të bërë një ditë para Kuvendit të LDK-së, dhe kësaj vazhdoj t’i qëndroj edhe më tej. Ajo që mund t’i shtoj kësaj thirrjeje është keqardhja për pozitën shumë tragjikomike të degëve nga mërgata shqiptare në Zvicër dhe në SHBA, të cilat kishin rënë në grackën e ngritur nga vëllezërit Geci dhe nga ndonjë tjetër, si dhe keqardhja e thellë për përkrahjen e mëhershme që ia kam dhënë akademik Dacit si dhe për kohën disamujore për t’i korigjuar gabimet që i bënte në vazhdimësi. Nuk mund të lë pa e theksuar edhe indinjatën e thellë për shkak se Gani Geci edhe në Kuvendin e djeshëm në mënyrë shumë keqpërdoruese dhe të paturp u thirr edhe në gjakun e Bekim Kastratit, përkundër thirrjes së mëhershme që të mos e bëjë kurrë këtë.

Shkruan. Rexhep KASTRATI

Shikuesi i rëndomtë i televizionit, kur ka përpara skena të tilla si ato që u shfaqën mbrëmë në Kuvendin e LDK-së mund dhe ka të drejtë edhe të iritohet. Mirëpo, kur të kihet parasysh se për këtë Kuvend ka muaj që janë përgatitur skenarë edhe më të tmerrshëm, atëherë duhet thënë se dje ndodhi më e pakta që ka mundur të ndodhë pas gjithë asaj arrogance, dhune dhe trysnie që njerëz të “projektit Daci” kanë shpërfaqur që nga fillimi i fushatës së brendshme zgjedhore, por edhe më përpara. Është kështu për faktin se gjithë ajo dhunë, gjithë ajo trysni dhe gjithë ato para të derdhura nga njerëzit e “projektit Daci” për të detyruar ose për të korruptuar njerëzit që të votojnë për Dacin, nuk kishte si të mos trishtohej nga humbja e djeshme e akademikut në fjalë. Në të ashtuquajturin “projekti Daci” ishte investuar shumë dhe ishte përllogaritur që përpara se me trysninë e bërë, me shantazhet e paratë e derdhura, është arritur që të sigurohen mjaftueshëm vota për akademik Dacin. Gazeta e Ramë Marajt, bile një ditë përpara paralajmëroi 179 vota për akademik Dacin, kundrejt 134 për dr. Fatmir Sejdiun. Vetë akademiku me shpurën e tij që përpara kishte festuar fitoren, bile kishte ftuar edhe mediat që ta xhironin, ose ta emitonin festën që bëhej. Kjo frymë triumfaliste, me tone shumë herë fyese dhe pse jo edhe urrejtëse e përcjellë nëpërmjet një faqeje të mjerë interneti të udhëhequr nga njeriu që më së paku i ka takuar të jetë në atë funksion, djali i mixhës i dr. Ibrahim Rugovës, Naser Rugova, dhe ana psikologjike e parapërgatijes për fitore, ishte e qartë se nuk mund ta kapërdinin aq lehtë disfatën, e cila po të kishte qenë fushata e ndershme, ndoshta do të kishte qenë edhe më e thellë. Prandaj po them se ajo që ka ndodhur dje në Kuvendin e LDK-së, ishte më e pakta që ka mundur të ndodhte, dhe për këtë do të duhej ta ndienim veten jo aq të irituar. Me këtë nuk dua të them se duhet të jemi të kënaqur me atë që pamë, por po ashtu duhet pasur parasysh se në atë Kuvend ka pasur njerëz që në të vërtetë kanë qenë bomba të kurdisura për të shpërthyer më fuqishëm se sa që shpërthyen. Në fund të fundit, pikërisht për të mos ndodhur as ajo që ndodhi, unë i pata bërë thirrje akademik Dacit që të distancohej nga të gjithë ata që kishin përdorur forma jodemokratike, bile edhe dhunën për të detyruar njerëzit për të votuar për të, me bindjen se edhe nëse do të humbte tash, do të fitonte më shumë nesër. Dhe fitorja më e madhe do të ishte uniteti dhe stabiliteti i partisë, si dhe imazhi i mirë i krijuar nga ana e tij për të konkurruar për kryetar në Kuvendin e ardhshëm zgjedhor. Mirëpo akademik Daci, fatkeqësisht, ishte bërë peng pikërisht i individëve dhe i strukturave që kanë interesat personale mbi interesat e Kosovës, dhe si i tillë nuk e kishte pasur dot forcën që të distancohej nga ata. Edhe pse përshtypjen se akademik Daci ishte bërë peng i individëve dhe i strukturave të dyshimta, e pata krijuar qysh gjatë muajit prill, kur hapur i pata thënë nëpërmjet Sefer Rexhajt nga Korisha, eksponent i tij në Prizren, se nëse akademku dëshironte ta kishte përkrahjen time dhe të gjithë të tjerëve do të duhej që t’i korrigjonte së pakut këto gabime: 1. të distancohej nga vëllezërit Gecit të Llaushës, nga bajrush morinët e albatros rexhajt, pasi që nuk janë njerëz që i bëjnë nder atij dhe që realisht i ndihmojnë për të fituar simpatinë e strukturave organizative të LDK-së dhe të vetë opinionit të gjerë; 2. të korigjonte politikën kadrovike, pasi që injorimi i strukturave organizative të LDK-së dhe afrimi njerëzve të dyshimtë edhe për korrupsion si puna e disa ish-ministrave dhe të disa ish-këshilltarëve të dr. Ibrahim Rugovës, vetëm sa e komprometonte vetë akademik Dacit, dhe; 3 që të hiqte dorë nga qëndrimi inatçor që kishte për shkak të shkarkimit arbitrar dhe arrogant, sepse në atë mënyrë mund të humbte edhe atë përkrahje dhe simpati që kishte fituar, ai kurrë nuk arriti që të bënte atë që ishte e mirë për ta bërë. Në të vërtetë, këto kishin qenë sugjerime qëllimmira, pasi që unë vetë kam qenë përkrahësi i parë publik dhe më i vendosur i akademikut dhe denoncuesi kryesor publik i aktit të shkarkimit të tij nga posti i kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Këto tri sugjerime ia pata bërë pasi që vëllezërit Geci në LDK janë munduar që ta imponojnë mendësinë feudaliste të gjoja familjeve të mëdha dhe në zë, duke u munduar që në atë mënyrë të imponojnë veten në struktura të LDK-së, jo vetëm si anëtarë të forumeve të ndryshme, por edhe si imponues të rrjedhave në LDK. Gani Geci vetë pat pohuar në një intervistë për gazetën “Lajm” se ishin në biseda me njerëz në Drenicë për ta bërë Drenicën qendër të politikës në Kosovë. Për ta imponuar veten si përcaktues të rrjedhave politike në Kosovë, vëlezërit Geci nuk lënë mënyrë pa shfrytëzuar, ndër të cilat duhet dalluar dy: krushqinë me njerëz të caktuar si dhe keqpërdorimi i gjakut dhe i sakrificës së të tjerëve për interesat e tyre. Me këtë rast duhet thënë se vëllezërit Geci në njërën anë kanë lidhur krushqi me Hysen Gërvallën, kurse në anën tjetër me Sami Lushtakun, edhe pse kjo e fundit është prishur nga ana e djalit të Samiut. Në anën tjetër jo njëherë janë thirrur edhe në gjakun e Besim Dajakut dhe të Bekim Kastratit, ashtu siç bënë edhe dje në Kuvendin e LDK-së, edhe pse ata nuk kanë të drejtë as morale e as njerëzore, e lë më politike për t’u thirrur në emrin e tyre. Në rrafshin personal, unë kam të drejtë, dhe këtë e kam bërë edhe herë tjetër, që të kërkoj nga ata dhe nga Bajrush Morina e Sylejman Aliu të sqarojnë gjithë rastin e vrasjes se Bekim Kastratit, që nga fillimi e deri në fund. Kjo nënkupton sqarimin real të rrethanave se si u bë që Sylejman Selimi të kërkojë ndërmjetësimin e Gani Gecit në “Bota sot” për t’ia mundësuar atij sqarimin e rastit G.G. për të cilin kishte shkruar Bardhyl Ajeti, përkundër këmbënguljes sime që të mos botohej ai fejton, sidomos implikimin që ia bënin pikërisht Sylejman Selimit në atë rast, edhe pse mua më rezultonte krejt ndryshe, nga që shkruhej në fejtonin në fjalë. Pastaj rrethanat se si u mor Bekim Kastrati në shtëpi të tij, në kohën që sapo ishte kthyer nga Skënderaj dhe ishte duke ngrënë bukë, si dhe vetë rrethanat e vrasjes, duke përfshirë edhe gjithë shokët e Gani Gecit. Në anën tjetër, afrimi rreth tij i njerëzve që qoftë me të drejtë apo pa të drejtë i kishin humbur privilegjet e tyre, si ta zëmë Adem Salihaj, ndaj të cilit kam ruajtur vazhdimisht konsideratën, i Berim Ramosajt dhe ndonjë tjetri, që ishin entuziazmuar nga simpatia dhe përkrahja që kishte marrë atë kohë akademik Daci, e shihnin shansin për t’i rikthyer privilegjet e humbura dhe për të realizuar hakmarrjen e tyre, ishte një element tjetër komprometues për të, pasi që realisht vetë Daci dhe një pjesë e grupit të tij u bënë një grup njerëzish inatçorë, zevzek dhe që duan të hakmerren me çdo kusht. Dhe për këtë ishin në gjendje të bashkëpunonin me të gjithë përfshirë edhe ata që dikur vetë Daci i kishte quajtur OJQ dhe mediat që i kontrollonin ata. Përcjellësit e vëmdenshëm të rrjedhave në Kosovë, kanë mundur të vërjenë se si media të tilla si Koha ditore e KTV, por edhe ndonjë tjetër i jepnin hapësirë shumë të madhe si vetë akademik Dacit, ashtu edhe e njerëzve të tjerë rreth tij. Nexhat Daci nuk kundërshtonte as afrimin që e bënin edhe njerëz që deri dje ishin pjesë e, ta quajmë për ngjashmëri, “projektit Kryeziu” dhe si të tillë edhe njerëz shumë të mirëpritur dhe të privilegjuar prej tij. Të mos harrojmë se ishin vëllezërit Geci ata që hapur kishin filluar të mblidhnin nënshkrime për shkarkimin e kryetarit të FR të LDK-së, Sejdë Tolajt, njeriut që kishte shprehur përkrahjen për akademik Dacin, kurse pak ditë përpara kësaj, kishin arritur të merrnin “pëlqimin” e 19 degëve për emërimin e Fadil Gecit në postin e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, në kohën e “projektit Kryeziu” për ndryshime në qeveri, përkatësisht me rastin e themelimit të dy ministrive të reja. Inati i madh që kishte akademik Daci për shkak të shkarkimit arbitrar e arrogant dhe të dënueshëm edhe nga unë, kishte ndikuar që shfryrjen e këtij inati ta vinte mbi gjithçka dhe të lidhej edhe me të gjithë ata që kishte iluzion se mund t’i ndihmonin, duke injoruar edhe strukturat organizative të LDK-së. Si përkrahës i filozofisë politike të dr. Ibrahim Rugovës, e edhe për këtë shkak i LDK-së dhe në përgjithësi i linjës institucionaliste, nuk mund të isha dakord dhe nuk e konsideroja të drejtë që kryetari i mundshëm i LDK-së të injoronte në atë mënyrë strukturat e LDK-së, si dhe mundin e sakrificën e gjithë atyre njerëzve që edhe jetën kanë dhënë për të mos e shuar veprimtarinë e kësaj partie. Nëse Gecët e Llaushës thirren në sakrificën e të tjerëve, sa kanë të drejtë ata që kanë sakrifikuar për vite të tëra të thirren në atë sakrificë? Dhe t’i injorosh gjithë këto dhe të pretendosh të marrësh partinë me njerëz edhe jashtë LDK-së, ishte më shumë se e papranueshme. Në anën tjetër, të shohësh një goxha akademik, si puna e akademik Dacit se si për hir të intatit personal është në gjendje të pranojë edhe mendësi feudaliste e bajrakatarllëku, madje edhe lidhjet farefisonre si mënyrë të veprimit politik, ishte më tepër se irituese. Ata që e kanë përcjellë Kuvendin e djeshëm, kanë pasur rastin të shohin se njerëzit më të zëshëm kundërshtues ishin Gani Geci dhe Hysen Gërvalla, e që siç thashë edhe më lartë janë dy njerëz të dy familjeve që kanë krushqi ndërmjet vete, pasi që me sa di unë, Halil Geci, vëllai i madh i Gecëve e ka të fejuar vajzën për djalin e Hysen Gërvallës. Në anën tjetër, Agim Rexhaj i degës së Nju Jorkut duhet të tregojë se a ka dhe çfarë afërsie ka me Sefer Rexhajn e Korishës, eksponentit kryesor të akademik Dacit në Prizren dhe sipas disa informacioneve, edhe njeriut që i ka paguar rreth 50.000€ për vizitën e akademikut në SHBA, kur edhe pat shpallur kandidaturën e tij për kryetar të LDK-së. Si përkrahës i akademik Dacit në kohën e shkarkimit të tij nga posti i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, por më tepër si përkrahës i filozofisë politike të dr. Ibrahim Rugovës, e për shkak të kësaj edhe të vetë LDK-së, por edhe si njeri që me qëndrimet konstruktive kam gëzuar vazhdimisht përkrahjen e shqiptarëve kudo që janë, nuk mund të mos i sugjeroja akademik Dacit që të bënte korigjimet e tri gabimeve të lartëpërmendura, duke i dhënë edhe kohën e mjaftueshme për ta bërë këtë. Dhe zhvillimet e djeshme në Kuvendin e LDK-së, përveç tjerash duhet parë edhe si paaftësi të akademik Dacit për t’i korigjuar këto gabime fillestare, sepse akademik Daci në këtë Kuvend shkoi me raporte të tilla me strukturat organizative të LDK-së të mbështetur mbi forcën trysninë dhe forma të tjera jodemokratike, pra duke iu imponuar këtyre strukturave, me të njëjtit njerëz dhe me të njëjtin inat si në fillim fare, duke dëshmuar se “projekti Daci”, ishte në të vërtet projekt i gjithë të tjerëve që e përdornin akademikun si mjet për të realizuar qëllimet e tyre personale. Dhe gabimi i katërt i akademik Dacit ishte pikërisht se nuk e kuptonte se ishte vetëm një mjet në duart e të tjerëve, e jo një subjekt dinjitoz dhe me integritet, ashtu siç e deklaronte veten dhe siç kishim dëshirë ta konsderonim. Gjithë ata njerëz që në Kuvendin e djeshëm dilnin njëri pas tjetrit në foltore dhe thërrisnin me sa zë gjoja në mbrojtje të “projektit Daci”, e që dukeshin si susta të sinkronizuara të një bombe që shpërtheu më vonë, as që e kishin hallin e akademik Dacit, sa të fatit të tyre personal, si dhe të shbërjes së ambicieve të tyre perosnale. Dhe këtë, akademik daci, së pakut dje u desh ta shihte me sy hapur dhe të bënte hapin e madh, atë të subjektivizimit të vetvetes dhe të mos lejonte që të komprometohej në atë mënyrë. Ata njerëz që vetëm pse nuk ishin realizuar planet e tyre të parapërgatitura, ishin në gjendje të deklaronin edhe humbjen e LDK-së në zgjedhjet e ardhshme dhe të shpreheshin më keq se eksponentë të secilës parti kundërshtare, në të vërtetë treguan se sa të mjerë janë, dhe sa fatkeq e kanë paraqitur veten. Është kështu, për faktin se panë që dështoi edhe skenari tjetër i cili kishte të bënte me faktin se nëse eventualisht nuk fiton akademik Daci, atëherë së paku të bëhet përpjekje për të marrë kontrollin në Këshillin e Përgjithshëm, duke treguar kështu histerinë e tyre, e pse jo edhe panikun që i kishte kapluar. Pse kjo histeri? Pse ky panik? Këtë duhet ta tregojnë vetë ata, nëse nuk duan që këtë ta bëj unë në ndonjë nga shkrimet e mia të radhës. Përndryshe, populli që mund t’i ketë parë të gjitha ato që kanë ndodhur dje në Kuvendin e LDK-së, tashmë e ka të qartë se kush çka është në LDK dhe kush çka synon prej saj. Nëse nuk duan që fundi i tyre të jetë më tragjik se sa ai i djeshmi, duhet t’i thërrasin mendjes dhe të kthehen në mandatet e tyre në Këshillin e Përgjithshëm dhe t’i lënë pazaret e mundshme, sepse alternativa tjetër është që ta vetëpërjashtohen me bindjen se asnjë degë nuk do t’u shkojë mbrapa, ashtu siç ka ndodhur edhe me të tjerë përpara, dhe të shkojnë ndonjëri edhe te Behxhet pacolli po qe se duan. Ndërsa organeve të reja të LDK-së u bëj thirrje që të mos bien pre e trysnive të ndryshme, por të vazhdojnë punën normalisht, duke e lënë në vullnetin dhe në përgegjësinë e gjithësecilit prej atyre që dje e deklaruan tërheqjen nga Këshilli i Përgjithshëm se a do ta pranojnë apo jo të qenët anëtar në këtë Këshill, të kenë kujdes të mos bijnë nën ndkimin e individëve dhe strukturave të dyshimta që vazhdimisht duan t’i impojnë rrjedhat në LDK. Degës së LDK-së në Zvicër, e në mënyrë të veçantë, Hysen Gërvallës i bëj thirrje që të mos e njollosë edhe më tej emrin e mirë të familjes së tij dhe të vëllezërve të tij dhe të ndaj krushqinë nga politika dhe nga fati i LDK-së në Zvicër, ashtu siç i bëj thirrje degës së Nju Jorkut që të veprojë në mënyrë pragmatike si amerikanët dhe të bëhen pjesë e ndërgjegjshme dhe e përgjegjshme e LDK-së dhe së bashku me veprimtarët brenda Kosovës të bëjnë trysni pozitive mbi drejtuesit e rinj të LDK-së që të mos heqin dorë nga filozofia politike e dr. Ibrahim Rugovës, që t'i mbrojnë simbolet shtetërore të Kosovës, duke i bërë kështu edhe një oponencë konstruktive, në mënyrë që kjo parti të vazhdojë të jetë e aftë të udhëheqë proceset politike në Kosovë. Në këtë drejtim, të jenë të bindur se do ta kenë përkrahjen time dhe të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë në Kosovë.