13 dhjetor 2006

SHPËRFAQJE E MËTEJME E PSIKOPATOLOGJISË SË HUMBËSIT ZEVZEK

LOGJIKA ULTIMATIVE DHE SHANTAZHISTE ËSHTË LOGJIKË DESTRUKTIVE QË KA PËR QËLLIM QË LDK-NË TA BËJË DHE TA MBAJË PENG TË INDIVIDËVE DHE TË QARQEVE TË DYSHIMTA

Sa më shumë që po kalojnë ditët, zevzekët dhe inatçorët e akademik Dacit janë duke i zbuluar më shumë skenarët e parapërgatitur për destruksion brenda LDK-së. Pjesë të këtij skenari kishte zbuluar që më parë edhe këshilltari i akademik Dacit, Ramush Tahiri, i cili kishte paralajmëruar për probleme rreth Këshillit të Përgjithshëm, si dhe kishte dhënë shenja edhe të mundësisë së shfaqjes së tendencave përçarëse nga ana e njerëzve të akademikut. Duket se individët dhe strukturat e dyshimta që fshihen mbrapa këtyre njerëzve, janë duke synuar, apo edhe janë të detyruar që t’i çojnë deri në fund urdhërat e marrë nga këta individë dhe nga këto struktura të dyshimta. Ndërkaq, është në ndërgjegjen dhe përgjegjësinë e secilit delegat që më 9 dhjator ka votuar për akademik Dacin dhe që në një mënyrë apo tjetër e ndien veten të manipuluar dhe të mashtruar, që ta shohë realitetin dhe të mbajë qëndrime konstruktive, në radhë të parë për të mirën e vetvetes, dhe të rikonsiderojë dhe të rishikojë qëndrimet e gjertanishme, përkatësisht të vendosin se a duan të jenë edhe më tej pjesë e manipuluar e LDK-së dhe të pësojë fatin e atyre që pas një jave do të mund të deklarojnë shkëputjen nga LDK-ja, apo duan të vazhdojnë të jenë pjesë e LDK-së dhe në mënyrë konstruktive të kontribuojnë për të mirën e kësaj partie dhe të Kosovës.

Shkruan: Rexhep KASTRATI

Kur ndodhi që në Kuvendin e Kosovës, pas zgjedhjeve të para të përgjithshme në Kosovë, LDK-ja, e në mënyrë të veçantë dr. Ibrahim Rugova të shantazhohej dhe të kushtëzohej me formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse me kryeministër nga partitë humbëse, të gjithëve na vinte keq, pse keqpërdorej në këtë mënyrë një procedurë demokratike, çfarë janë zgjedhjet dhe rezultatet e tyre, edhe pse jashtëzakonisht të dyshimta. Ishte shumë për keqardhje dhe shumë irituese kur shihje se në çfarë pozite vihej kryetari dhe udhëheqësi shpirtëror i shqiptarëve të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova dhe me çfarë fyerjesh ballafaqohej ai nga njerëz që para se të flsinin për dr. Ibrahim Rugovën, do të duhej të flisnin për vetveten. Askush nga deputetët e LDK-së atëherë nuk e tumirte këtë logjikë shantazhiste dhe ultimative nga ana e partive humbëse, së paku jo publikisht, edhe pse kishte në mesin e tyre që nën zë, mund t’i bashkoheshin atyre partive dhe të dëmtonin dr. Ibrahim Rugovën. Disa deputetë të LDK-së, që në diasporë deklaronin se ishte merita e tyre e jo e dr. Ibrahim Rugovës ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës, e që më vonë do të shiten qoftë te linja udbasho-jugosllavokomuniste, qoftë te ajo e Tiranës/Kretës, kurse një pjesë e tyre edhe te shërbimet e ndryshme sekrete, në të vërtetë, bënë që atëherë t’u lehtësohej puna partive humbëse në zgjedhjet e para të përgjithshme në Kosovë dhe të ishin më ultimative dhe më shantazhuese. Në një situatë të këtillë, ishte shumë e qartë se LDK-ja nuk do të ishte në gjendje të mbante edhe postin e kryeministrit. Tash pas Kuvendit të LDK-së, dolën në sipërfaqe një pjesë e atyre deputetëve që për ta shpëtuar veteveten nga ndëshkimi zgjedhor i 9 dhjetorit, thirren pikërisht në emrin e dr. Ibrahim Rugovës, në emrin e njeriut që më së paku kanë të drejtë ta thirren dhe që shihet hapur se janë duke e përdorur vetëm si etiketë për të mashtruar edhe ata pak njerëz që ende besojnë se të këtillët janë vazhduesit e vërtetë të dr. Ibrahim Rugovës dhe të filozofisë politike të tij. Logjikën shantazhiste dhe ultimative, të ngjashme me atë të partive humbëse në zgjedhjet e para të përgjithshme në Kosovë, njerëzit e akademik Dacit, na e kanë rikthyer pas rreth pesë vitesh, pikërisht me reminishenca të të kaluarës dhe të përgjegjësisë së mëhershmë të disa prej këtyre njerëzve, dhe që, po sikurse nga ana e partive humbëse të zgjedhjeve të para të përgjithshme në Kosovë, nuk po mund ta kapërdijnë lehtë humbjen që e pësuan më 9 dhjetor. Mirëpo, të thuash se është vetëm mungesa e vullnetit për të pranuar humbjen ajo që njerëzit e akademik Dacit i bënë të jenë kaq arrogantë, kaq shantazhues dhe kaq ultimativ, do të thotë të thuash vetëm një pjesë të të vërtetës, pasi që pjesa tjetër, fatkeqësisht është më e rëndë se sa kjo, pasi që lidhet me detyrat e shtëpisë që individë në mesin e përkarhësve të akademik Dacit i kanë marrë nga individë dhe nga struktura të dyshimta qoftë afër apo larg LDK-së. Dhe këto detyra në pikëpamje mediale janë bërë publike nga media të atyre që dikur akademik Daci i quante OJQ, nga media të kontrolluara nga njerëz të linjës së Tiranës/Kretës, e përshqitazi edhe nga ato të kontrolluara nga Ramë Maraj dhe njerëzit e tij. Dhe këta njerëz që janë shumë më pak se sa që kanë votuar për akademik Dacin, e që gjatë tërë fushatës së brendshme zgjedhore kanë bërë gjithë ato trysni, gjithë ato shantazhe dhe që kanë derdhur gjithë ato mjete financiare për të detyruar njerëzit që të votojnë për akademik Dacin, e që do të thotë të votojnë për këta njerëz të dyshimtë dhe pjesë të nëntokës politike, parapolitike e ekonomike, pas disfatës së akademik Dacit, e cila po e përsëris edhe një herë, se do të ishte shumë herë më e thellë po qe se përbërja e Kuvendit të ishte më legjitime dhe e përbërë nga delegatë që do të zgjidheshin në mënyrë të rregullt, pra jo nën trysni, shantazhe, kërcënime e mjete financiare, janë përgjegjës si para atyre që me këto forma jodemokratike ua kanë mundësuar të jenë pjesë e Kuvendit, si dhe të të tjerëve që qoftë nëpër korridoret e Hotel Grandit, qoftë edhe diku mbrapa postës së Dardanisë, e kanë përcjellë me vëmendje gjithë atë që ndodhte në Kuvend dhe që jepnin urdhëra se çka duhej bërë më tej. Dhe ajo që ndodhi atë ditë të 9 dhjetorit, nuk i bën përgjegjës vetëm ata individë që u panë në televizion, por edhe atë që, pas zgjedhjes së kryetarit të LDK-s, nuk u pa fare të jetë i pranishëm në mesin e delegatëve të tjerë. Fjala është për akademik Dacin, për të cilin duket se Kuvendi kishte pasur kuptim deri në momentin kur u shpallën rezultatet, nga të cilat ai doli humbës. Mosprania e tij në vazhdimin e mbledhjes së Kuvendit të LDK-së, ishte paralajmërimi më serioz për atë që do të ndodhte më vonë, si dhe paralajmërim i zhvillimeve të mëvonshme dhe në vazhdimësi i ngjarjeve nga ana e njerëzve zevzekë të akademik Dacit. Është kështu për faktin se me mospraninë e tij, akademik Daci sikur i la të lirë përkrahësit e tij që të bëjnë ç’të duan në atë Kuvend, përfshirë edhe rrëmujën që u krijua. Unë nuk dua t’i marrë të mirëqena zërat sipas të të cilëve, është vetë akademik Daci ai që e ka dhënë dritën jeshile për ato zhvillimeve, edhe pse mosdistancimi nga e gjithë ajo që ndodhi më 9 dhjetor, e për më tepër paralajmërimi për angazhimet për të vënë në jetë skenarët nga qaerqe jashtë LDK-së dhe kundër LDK-së, për synimet për dobësimin, e pse jo edhe për rrënimin e LDK-së dhe të filozofisë politike të dr. Ibrahim Rugovës, do të thotë shumë në këtë drejtim. Dhe duket se logjika shantazhiste dhe ultimative e shpërfaqur në vazhdimësi, e edhe në Kuvendin e LDK-së, është pikërisht në funksion të kësaj, pra të angazhimeve për dobësimin dhe rrënimin e LDK-së. Dhe për këtë duhet t’I vijë turp vetë akademik Dacit, vetë Alush Gashit, vetë Melihate Tërmkollit, dy të fundit edhe vetë pjesë e angazhimit për shkarkimin e akademikut nga posti i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, dhe ta rikonsiderojnë dhe ta rishikojnë mirë tërësinë e tyre karakterologjike dhe morale, duke përllogaritur mirë se vetëm janë duke e dëmtuar vetveten e asgjë më tepër. Është një rregull në psikologjinë e personalitetit, sipas të cilës agresiviteti i njerëzve, kur nuk arrin që të bie mbi të tjerët, pra që t’i dëmtojë të tjerët, i shkatërron vetë shpërfaqësit e atij agresiviteti. Dhe kjo quhet autodestruksion, përkatësisht shkatërrim i vetvetes. Është kështu për faktin se nuk ka gjasa reale që të ndodhë as dobësimi, e as rrënimi i LDK-së, pavarësisht se a do të dalin apo jo njerëzit e akademik Dacit nga LDK-ja. Dhe kur them njerëzit e akademik Dacit, mendoj vetëm në njerëzit që mund të konsiderohen si pjesë të shtabit zgjedhor të tij, e jo edhe gjithë ata delegatë që kanë votuar për akademik Dacin, sepse shumica e tyre, për të mos thënë që të gjithë, nuk kanë votuar për akademikun për t’i mundësuar atij dhe njerëzve rreth tij që të dobësojë apo të rrënojë LDK-në, por si një alternativë, e cila edhe po të kishte fituar, nuk do të duhej të kontestohej nga askush. Unë jam duke marrë çdo ditë mesazhe pakënaqësie edhe nga njerëz, ish-përkrahës të akademik Dacit, të cilët e ndiejnë veten të zhgënjyer nga mashtrimi që u është bërë, ashtu edhe siç marr mesazhe të tilla sipas të cilave njerëz të afërt të akademik Dacit kanë filluar një trysni tjetër për t’i detyruar njerëzit që të bashkohen me ta nëse do të vijë deri te shkëputja. Nëse të gjitha këto janë të vërteta, atëherë, vërtet ka ardhur koha që ndoshta edhe organet e sigurisë në Kosovë të kryejnë detyrën e tyre. Por sido që të jetë, duhet të jetë e qartë për të gjithë se ky popull nuk do të lejojë që të rrënohet partia, e cila ka meritat kryesore për të gjitha të mbërrimet e gjertanishme të shqiptarëve në Kosovë dhe të vetë Kosovës, për kultivimin e vetëdijes shtetërore dhe të tolerancës ndërnjerëzore, e drejtuar në mënyrë mjeshtrore nga udhëheqësi shpirtëror i shqiptarëve të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Atyre që dikur e deklaronin LDK-në si shkollë e akademi për partitë tjera në Kosovë, e që të parët ranë në provim, u bëj thirrje që të distancohen urgjentisht nga njerëzit që duket se janë duke e mbajtur peng vetë akademik Dacin, dhe të cilët duket se votën pro akademik Dacit, e kanë konsideruar votë pro tyre, edhe pse po të kishin kandiduar vetë ata, nuk do të merrnin as të pestën apo të gjashtën pjesë që mori akademiku. Të rrish sot pranë akademik Dacit, e për më tëpër të bëhesh zëdhënës i logjikës shantazhiste dhe ultimative që domosodshërisht do të thotë edhe vetëpërjashtim dhe vetëlargim nga LDK-ja, do të thotë edhe të biesh vazhdimisht në provim në shkollën që e ka trasuar dr. Ibrahim Rugova, e që me këtë rast do të thotë të repsektosh rezultatin, të tregosh pjekuri politike dhe përgjegjësi për votën që ke marrë dhe të dish ta matarosh humbjen. Nëse ka humbur akademik Daci, kjo nuk do të thotë se ka humbur LDK-ja, përkundrazi ka humbur logjika e shantazhit, e trysnive, e dhunës dhe e korruptimit, e shpërfaqur hapur gjatë fushatës së brendshme zgjedhore në LDK, pikërisht nga njerëz të caktuar të akademik Dacit, e të cilët deri në momentin e fundit kanë qenë njerëz të mr. Eqrem Kryeziut. Në Kuvendin e LDK-së kam parë disa delegatë shumë të zëshëm që aty kanë qenë jo pse është votuar realisht për ta nëpër nëndegë e degë të ndryshme, por votat i kanë marrë pikërisht me trysni të ndryshme. Dhe të tillët duhet të skuqen tash kur veç janë duke e parë se me vetëdije, ose pa të janë bërë, ose dikush dëshiron t’i bëjë pjesë të skenarëve kundërldk për dobësimin apo rrënimin e LDK-së. Ramush Tahiri, nga ana e tij, i cili të hënën e kishte gojën plotë dr. Ibrahim Rugovë, e që jo një herë hapur ka shkruar në mënyrë kontestuese dhe refuzuese në raport me të dhe me filozofinë politike të dr. Ibrahim Rugovës, ndërkaq, nëse dëshiron të mos konsiderohet një nga autorët e skenarit që po shpaloset tash dhe që më parë është paralajmëruar nga vetë ai, duhet t’ia mësojë mësimin themelor të demokracisë dhe të të gjithë teorikëve të saj, qoftë Dahli, qoftë Sartori, apo cilindo tjetër që e përmendim, sipas të cilit mësim, fitorja e një kandidati, do të thotë mandat për të udhëhequr me strukturën ku është zgjedhur në funksion të realizimit të konceptit programor që ka paraqitur ai kandidat. Dhe kjo e përkthyer shqip, do të thotë se vota pro Fatmir Sejdiut, ka qenë votë pro konceptit programor të tij, si dhe votë për veprimtarin, kurse vota kundër akademik Dacit ka qenë votë kundër konceptit të tij dhe kundër kuadrit që u paraqit gjithmonë si eminencë gri për të cilin gjoja LDK-ja paska nevojë, e jo ai për LDK-në. Vota pro konceptit programor të Fatmir Sejdiut do të thotë më tej edhe votë për t’ia mundësuar atij që ta realizojë atë koncept programor, e cila më tej do të thotë edhe votë për të drejtën që ai të zgjedhë edhe njerëzit me të cilët do të realizojë atë koncpet programor. Në statutin e LDK-së, kjo është përkthyer si e drejtë e kryetarit për të paraqitur listën e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, e cila me plotësime, u votua nga shumica e delegatëve. Kurse pala humbëse, nëse do të kishte vullnetin, dhe nëse do të përfillte mësimin themelor të demokracisë, do të duhej që të vepronte në mënyrë konstruktive dhe të ishte në krah të kryetarit të partisë, por edhe shumë kritik nëse ai nuk i përmbahej konceptit programor për të cilin kishte marrë votat në Kuvend. Dhe këtë mësim u desh dhe duhet t’ia mësojë akademik Dacit, politikologu ynë Ramush Tahiri dhe këshilltari i tij i hershëm. Dhe po ta bënte këtë Ramush Tahiri, ndoshta akademik Daci nuk do t’i kishte bërë ato gabime fillestare, si dhe ndoshta nuk do të ishte ndëshkuar në Kuvend, kurse sot edhe pse humbës i zgjedhjeve do të kishte imazhin e njeriut lider. Dhe duke i bërë gjithë këto rrëmuja, akademik Daci, në të vërtet, nuk ka arritur të bëhet lider, sepse lideri di t’i gëzohet fitores, por di edhe ta pranojë me qetësi humbjen