22 dhjetor 2006

REALITETE DHE SFIDA PËR KRYESINË E RE TË LDK-SË


KRYESIA E RE E LDK-SË, MË SHUMË SE SA SHANTAZHEVE TË ZEVZEKËVE TË AKADEMIK DACIT, DUHET T’I KUSHTOJË KUJDES KARRIERISTËVE, INTERESXHINJVE DHE ATYRE QË VRAPOJNË PAS FITIMTARËVE

LDK-ja kaloi suksesshëm edhe një fazë të profilizimit të saj si parti, si dhe të tejkalimit të situatës pas vdekjes së dr. Ibrahim Rugovës. Zgjedhja e Kryesisë së LDK-së, që pëmbylli kompletimin e organeve udhëheqëse të saj, ishte sprova e fundit në këtë fazë të profilizimit të saj, si dhe të vendosmërisë për të mos rënë në letargjinë politike që ia ndollën shumë dashkeqas dhe shumë njerëz dhe struktura që kishin dhe vazhdojnë ta kenë për qëllim rrënimin politik të filozofisë politike të dr. Ibrahim Rugovës dhe të vetë LDK-së. Këtë sukses të kësaj faze nuk e zbeh fakti se disa individë që janë mbledhur rreth akademik Dacit kanë paralajmëruar edhe mundësinë që të dalin nga LDK-ja, sepse vetë dalja e tyre do të ishte një ndihmesë në profilizimin e kësaj partie.

Shkruan: Rexhep KASTRATI

Shndërrimi i LDK-së nga një lëvizje politike që udhëhoqi në mënyrë shumë të mirë procesin politik të ngritjes politiko-juridike të Kosovës nga një rajon me autonomi të mohuar në një vend kandidat për të qenë shtet i pavarur, në një parti e cila do të veprojë në kushte dhe rrethana të reja, gjithnjë duke e ruajtur identitetin e saj që lidhet me filozofinë politike të dr. Ibrahim Rugovës, është një ndër sfidat themelore me të cilat është ballafaquar kjo parti që nga vendosja e Kosovës nën një administrim ndërkombëtar e këndej. Pati struktura që lidhen kryesisht me linjën e Tiranës/Kretës dhe me atë udbasho-jugosllavokomuniste që në vazhdimësi provuan, e këtyre ditëve pak më tepër, që ta ngatërrojnë LDK-në në sfidën e saj të profilizimit të saj, dhe në vend të profilizimit të bëhet dobësimi dhe rrënimi politik i saj. Në këtë kontekst, që me daljen e grupit të Hydajet Hysenit nga LDK-ja dhe me këmbënguljen e këtij grupi se ai përfaqësonte LDK-në legjitime, e jo ajo që kishte në krye të saj dr. Ibrahim Rugovën, njerëz të linjës udbasho-jugosllavokomuniste e kanë filluar zhurmën e tyre të shkatërrimit të LDK-së. Dalja e njerëzve nga LDK-ja, për asrye ndër më të ndryshmet, e që ishte hapërim drejt profilizimit të saj si parti politike, nga njerëz të linjës udbasho-jugosllavokomuniste u interpretua si përçarje, si ndarje e kështu me radhë, ashtu siç po ndodh edhe tash me grupin shumë heterogjen të njerëzve të afruar rreth akademik Dacit. Mirëpo, koha ka treguar se populli ka ditur ta identifikojë LDK-në dhe atë jo vetëm nëpërmjet emrit dhe simboleve të saj partiake, por kryesisht nëpërmjet dr. Ibrahim Rugovës dhe filozofisë së tij politike. Dhe përkrahja e popullit për LDK-në është mbështetur pikërisht në filozofinë politike të dr. Ibrahim Rugovës, e cila tashmë ishte bërë pjesë e filzofisë politike të këtij populli, si dhe identitet aktual politik i tij. Për këtë arsye, njerëz pa kurrfarë pedigreje nacionale, politike e demokratike, e për më tepër me pedigre të shërbimeve të ndryshme sekrete që kishin marrë përsipër që ta dëmtonin LDK-në, për të krijuar terrenin e ngritjes së tyre politike, iu turrën dr. Ibrahim Rugovës dhe filozofisë së tij. Përkundër karakterit jopolemik të vetë dr. Ibrahim Rugovës dhe të filozofisë së tij politike dhe përkundër injorimit të gjithë asaj fushate kundër tij, këta mjeranë dhe mercenarë moralë e politikë nuk arritën kurrë që të kenë as suksesin më të pakët. Paraqitja e daljes së njerëzve të caktuar nga LDK-ja si përçarje, ndarje e dobësim të LDK-së, mori vazhdimisht ndëshkimin e popullit. Dhe kjo përfaqësonte dështimin e gjithë angazhimeve për rrënimin e dr. Ibrahim Rugovës dhe të filozofisë së tij politike, e bashkë me këta, edhe të vetë LDK-së.

Vdekja e dr. Ibrahim Rugovës, ndërkaq, u konsiderua edhe si fund i LDK-së, pasi që pseudoanalistë që i stisin tekstet e tyre sipas porosisë, apo sipas atyre që i paguajnë, thoshin se këtë parti e mbante të bashkuar vetëm udhëheqësi i saj historik. Ndërkohë ndodhi e kundërta, pasi që sfida e parë me të cilën u ballafaqua LDK-ja, e që ishte zgjedhja e pasuesit të dr. Ibrahim Rugovës në krye të Kosovës u bë pa kurrfarë problemi. Zgjedhja e Fatmir Sejdiut kryetar i Kosovës ishte sprova e parë serioze se kjo parti do të vazhdonte të ishte partia kryesore që do ta udhëhiqte procesin politik në Kosovë. Sfida e radhës, ajo e ballafaqimit të partisë me individin bartës të funksionit shtetëror, ishte një sfidë që fillimisht e kuptova si sfidë e vendosjes së autoritetit të partisë mbi individin, ishte ajo e shkarkimit arbitrar të akademik Dacit nga posti i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, por që u pa se përveç kësaj, kishte të bënte edhe me një luftë personale ndërmjet akademik Dacit dhe njeriut tashmë të parë të LDK-së, mr. Eqrem Kryeziut, ishte sfida më e vështirë që e kaloi LDK-ja pas vdekjes së dr. Ibrahim Rugovës. Shkarkimi i akademik Dacit nga posti i kryetarit të Kuvendit ishte i nevojshëm për shkak të devijimit të theksuar nga filozofia politike e dr. Ibrahim Rugovës dhe të afrimit të tij me Hashim Thaçin, e rrjedhimisht edhe me injorimin që ua bënte strukturave partiake që e kishin emëruar në postin e të parit të Kuvendit të Kosovës, si dhe për shkak të grindjeve dhe raporteve të acaruara kryesisht me UNMIK-un. Mirëpo, ajo që bëri që unë e bashkë me mua edhe disa të tjerë të mos e tumirnim këtë shkarkim ishte intenca e mr. Eqrem Kryeziut që të shkelte edhe procedurat statutore partiake, edhe ato kuvendore dhe të bënte një hakmarrje për shkak të përjashtimit dhe të diferencimit që i ishte bërë atij në ceremoninë e varrimit të dr. Ibrahim Rugovës. Si mbështetës i hershëm i filozofisë së dr. Ibrahim Rugovës, unë nuk mund të tumirja një veprim që përveç një mbështetjeje reale në arsye të qëndrueshme, kishte brenda edhe inatin personal dhe në përgjithësi personalizimin e çështjeve të caktuara. Së këndejmi, pozicionimi pro akademik Dacit ishte në të vërtet pozicionim kundër personalizimit të çështjeve jopersonale, dhe kundër reflektimit të personalizimeve të tilla në zhvillimet brendapartiake dhe insitucionale në Kosovë. Ajo që nuk më pëlqente në atë kohë ishte zelli me të cilin individët e ndryshëm ishin vënë në krah të mr. Eqrem Kryeziut për shkarkimin e akademik Dacit nga posti i kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Përkundër një mbrojtjeje fanatike, por aspak parimore, racionale dhe shumë herë me argumentime, logjikë dhe shprehje të ulëta, ndër të cilët duhet dalluar atë të Fadil Gecit dhe të Besa Gaxherrit, që akademik Dacit iu bë vetëm pak ditë më parë, ishin po të njëjtit që njëzëri votuan pro shkarkimit të tij. Me këtë rast nuk ishte shqetësues vetë akti i shkarkimit, sa ishte kredoja morale e njerëzve të caktuar dhe një autoritarizëm arrogant që mundohej ta vendoste mr. Eqrem Kryeziu. Kjo ishte një arsye tjetër e pozicionimit tim pro akademik Dacit, pozicionim i cili solli disa efekte të dëmshme anësore: njerëz besnikë të mr. Eqrem Kryeziut dhe miq të tij personalë, brenda natës u bënë njerëz të afërt të akademik Dacit. Afrimi i Gecëve të Llaushës, i shokut të tyre, Bajrush Morina dhe të krijesës së tij mediale, Albatros Rexhaj, afrimi i Adem Salihajt i Berim Ramosajt, e pak më vonë edhe i Melihate Tërmkollit, jepte shenjat se ish-kryetari Kuvendit të Kosovës bëhej pikëmbështetje, pikëshprese dhe ID e re politike njerëzve, strukturave dhe qarqeve që mbi të gjitha kishin ambicet personale për pushtet, ambicet për ruajtjen e pushtetit dhe të rkithimit të pushtetit. Në shpërfaqjet e tyre publike, shumica e këtyre njerëzve, përfshirë edhe vetë akademik Dacin, derdhën një dozë të madhe të mllefit personal kryesisht në mr. Eqrem Kryeziun. Dhe me kalimin e kohës, gjithnjë e më shumë vihej në pah pikërisht inati personal dhe dëshira patologjike për hakmarrje. Në një situatë të tillë, unë nuk mund të vazhdoja të mbështesja akademik Dacin, apo mbështetjen time ta lidhja me korigjimin eventual të atyre tri gabimeve që i kam theksuar edhe më herët: distancimin nga Gecët e Llaushës, nga Bajrush Morinët e Gexhës, nga Albatros Rexhajt e Korishës e kështu me radhë, të ndryshonte raportet me strukturat organizative të LDK-së, si dhe të hiqte dorë nga personalizimi i konfliktit me mr. Eqrem Kryeziun. Dhe akademik Daci nuk e bëri asnjërën, as tjetrën: Gecët jo që nuk i largoi, por në një farë mënyre i bëri pararojën e tij, ndaj strukturave organizative të LDK-së vazhdoi të kishte qëndrim injorues, e në raste të caktuara edhe imponues, kurse personalizimin e konfliktit me mr. Eqrem Kryeziun e vinte në dukje çdo ditë e më shumë.

Kjo ishte një situatë shumë e përshtatshme për mediat kundërldk dhe kudnërrugovë, siç janë “Epoka e re”, “Express”, “Infopress” etj., të cilat u bënë zëdhënëse të njerëzve të akademik Dacit dhe jo vetëm të tij. Shihej hapur se këta njerëz instrumentalizoheshin në mënyrë perfide nga të gjithë ato media që në vazhdimësi kishin mbajtur të ndezur flakët me të cilat synonin ta digjnin dr. Ibrahim Rugovën dhe filozofinë politike të tij. Ishte shumë tragjike për këta njerëz që në faqet e “Epokës së re”, të “Expressit”, të “Kohës ditore” e të ndonjë mediumi të ngjashëm bënin prorugovistin dhe avokatin e dr. Ibrahim Rugovës. Por, inati personal që këta njerëz kishin me mr. Eqrem Kryeziun nuk i shtynte të mendonin se çfarë interesi kishin këto media që në vazhdimësi kishin bërë luftë mediale kundër dr. Ibrahim Rugovës, por edhe kundër vetë akademik Dacit dhe të tjerëve rreth tij, në moment të bëhen avokate të atyre që pretendonin se ishin prorugovë. Ata nuk e kuptonin se po përdoreshin nga këto media për t’i fryrë zjarrit dhe për ta bërë realitet dobësimin apo edhe vetë rrënimin e LDK-së. Pamjet e turpshme që u panë më 9 dhjetor janë pikërisht pasojë e acarimit që erdhi edhe si pasojë e acarimit medial që e bënë nëpërmjet këtyre njerëzve pikërisht këto media.

Ana pozitive e gjithë kësaj ishte se njerëzit e akademik Dacit, përfshirë edhe vetë atë, e nxorën veten në dritën e vërtetë: për ta asgjë nuk ishte më e rëndësishme se sa hakmarrja personale ndaj mr. Eqrem Kryeziut, edhe nëse për këtë duhej përdorur edhe dajaku. Strukturat organizative të LDK-së patën mundësi që përpara të shohin se me çfarë njerëz kishin të bënin. Prandaj, akademik Dacit i munguan votat më 9 dhjetor, për çka bëri qaramanin në disa media të Kosovës. Njerëzit mund të mos e shinin me sy të mirë mënyrën e shkarkimit të akademik Dacit, por njëkohësisht nuk mund të pajtoheshin edhe me mënyrat se si akademik Daci synonte të vinte në krye të LDK-së, e më së paku t’i mundësonin atij hakmarrje personale. Të gjithë e kishin vërejtur se po ato media që i kishin dhënë hapësirë të madhe mr. Eqrem Kryeziut në kohën e shkarkimit të akademik Dacit, tash i jepnin hapësirë shumë herë më të madhe këtij të fundit për të shpalosur veteveten e palua mbrapa titullit akademik dhe mbrapa viktimës. Prandaj akademikut nuk i munguan vetëm 27 vota, për çka edhe ankohej, por më tepër se kaq: i mungonte fitorja që i iku nga duart. Zhvillimet më 9 dhjetor ishin vetëm përfundim logjik i gjithë asaj që kishte bërë keq akademik Daci, e në mënyrë të veçantë edhe për shkak të suitës që kishte dhe për shkak të pararojës që kishte. Dhe në vend se humbja e garës për kryetar partie ta bënte të shihte më me kthjelltësi gabimet që kishte bërë gjatë garës, kjo humbje ia kishte errësuar edhe më tepër pamjen e vërtetë që kishte sjellë mossuksesin e tij në këtë garë: thuajse në të njëjtën kohë kur “Express-i” i Baton Haxhiut e “gradonte” me titullin kont Gani Gecin, akademik Daci fliste me elozhe për ta, edhe pse po këta Gecë kishin përdorur hapur grushtat kundër njerëzve të caktuar qofshin të LDK-së apo jashtë saj. Konti i Llaushës, siç e quajti “Express-i” i Baton Haxhiut, Gani Geci, në të vërtetë do të ishte më mirë të quhej konti i Baton Haxhiut, sepse as LDK-ja, e as populli nuk e kanë ndier veten të nderuar me sjelljet e tij në Kuvendin e LDK-së. Vetëm akademik Daci duket se e ndiente veten të nderuar derisa fliste me një pietet të tillë për Gecët e Llaushës.

Fushata mediaktike kundërldk, është e qartë se kishte dhe ka të bëjë me qëllimet e hershme të atyre mediave dhe të të tjerëve që qëndrojnë mbrapa tyre për rrënimin e filozofisë politike të dr. Ibrahim Rugovës dhe të LDK-së si bartëse të saj, por implikimi në këtë synim kundërrugovë dhe kundërldk edhe i njerëzve të akademik Dacit, është më tepër se komprometuese. Është kështu për faktin se tashmë është e qartë për të gjithë se akademik Daci dhe vetë njerëzit e tij po përdoren si kuaj Troje për të bërë punën e të tjerëve. Këtë tashmë e kanë të qartë të gjithë, ndoshta edhe vetë ata, por duket se ose u pëlqen kështu, ose nuk dijnë si të tërhiqen, pasi që rruga në të cilën kanë hyrë, është e qartë se do t’i çojë në humbje përfundimtare. Këtë nuk e ndryshon as fakti se tashmë këta njerëz janë duke bërë një trysni mbi struktura të ndryshme t LDK-së për t’i detyruar që të bashkohen në aktin e ikjes eventuale të tyre.

Kryesia e LDK-së, në anën tjetër, si organ drejtues dhe menaxherial i saj, nuk duhet të shqetësohet fort për mundësinë e daljes së akademikut nga LDK-ja, edhe pse unë realisht nuk e besoj, pasi që jashtë LDK-së, vetë akademik Daci dhe njerëzit e tij mbesin pa identitet politik, por më tepër se kaq, duhet të ketë kujdes nga njerëz që janë duke bërë përpjekje që përsëri t’i kacaviren në qafë Fatmir Sejdiut dhe vetë mr. Eqrem Kryeziut. Është e qartë se Gecët e Llaushës nuk do të dalin nga LDK-ja, por do të bëjnë gjithçka që të afrohen me Fatmir Sejdiun, ashtu siç do të veprojnë edhe bajrush morinët, albatros rexhajt, por edhe njerëz të ndryshëm të Ramë Marajt. Tash për tash rreziku më i madh për LDK-në do të jenë pikërisht njerëzit që vrapojnë pas fitimtarit, sepse njerëzit e tillë nuk kanë moral politik, për të mos thënë edhe moral njerëzor. Një sfidë tjetër është edhe mbajtja nën kontroll e njerëzve të caktuar, të cilët do të mund të kërkonin të ruanin ose të përfitonin privilegje duke kërcënuar se në të kundërtën do të kalojnë në grupin e akademik Dacit. Nëse nuk do të ketë një kontroll ndaj këtyre njerëzve, atëherë kjo Kryesi do të mund të humb edhe kontrollin mbi partinë, ose do të jetë e shantazhuar nga brenda. Një sfidë tjetër për Kryesinë e LDK-së është edhe ruajtja nga diversionet e ndryshme që do të mund të bënin mbi LDK-në po ata individë dhe struktura jashtë LDK-së që janë duke bërë këtë diversion që disa vite. Suksesi i kësaj Kryesie lidhet edhe me aftësinë që t’u dalë në ndihmë strukturave lokale organizative të partisë, të cilat janë vënë dhe po vihen në pozita të ballfaqimit me lloj-lloj shantazhi, kërcënimi etj. Nga njerëz të akademik Dacit për të kaluar në krahun e tyre nëse eventualisht do të guxojnë të braktisin radhët e LDK-së. Të gjitha këto janë vetëm disa nga sfidat me të cilat do të ballafaqohet Kryesia e re e LDK-së në punën e saj në vijim, pa mohuarkëtu edhe rëndësinë që ka qëndrimi i saj ndaj aleatëve partiakë dhe jashtëpartiakë, e sidomos me mendimin konstruktiv që shfaqet publikisht ose jopublikisht, mendime që lidhen me filozofinë politike të dr. Ibrahim Rugovës dhe të vetë konstruktivitetit të kësaj Kryesie.