06 janar 2007

PAS PUSHIMIT ME RASTIN E FESTAVE TË FUNDVITIT

FAQJA WWW.REXHEPKASTRATI. BLOGSPOT.COM ËSHTË E VENDOSUR QË TË VAZHDOJË NË MËNYRË SERIOZE TË TRASOJË MENDIMIN POZITIV, EMANCIPIMIN E MENDËSISË POLITIKE DHE SHOQËRORE NË KOSOVË, PAVARËSISHT NGA VËSHTIRËSITË QË MUND T’I DALIN GJATË KËSAJ PUNE

Hapësira që ofron interneti për komunikime publike si mjet alternativ medial, është një mundësi reale që po shfrytëzohet nga shqiptarët, si shumë të tjerë në botë, për të plasuar idetë, pikëpamjet dhe informatat për çështje të ndryshme nga ato specifike profesionale e deri te ato me interes të gjerë për njerëzimin. Në këtë kontekst, hapja e faqes www.rexhepkastrati.blogspot.com, sikurse e gjithë veprimtaria e saj e gjertanishme ka pasur dhe vazhdon të ketë për qëllim që të plasojë pikëpamjet, idetë dhe informatat për çështje të rëndësishme shoqërore, si dhe të japë kontributin e saj modest në emancipimin e mendësisë politike dhe shoqërore në Kosovë, edhe pse në këtë mision ka provokuar dhe do të provokojë reagime histerike të gjithë atyre që vetë janë në kthetrat e mjerimit politik, njerëzor e moral...

Shkruan: Rexhep KASTRATI

Varësia politiko-partiake, klanore etj., e mediave dhe bezdia e shqiptarëve nga to

Hapësira shqiptare në përgjithësi, e edhe Kosova, është e mbushur me media të ndryshme, të cilat mëtojnë se janë të pavarura dhe që e kryejnë detyrën e informimit objektiv, edhe pse për të njëjtën ngjarje apo për të njëjtën çështje japin informacione dhe përshkrime të ndryshme. Kjo shumësi mediash, që do të duhej të ishte një pasuri e madhe, për shqiptarët shpesh është bërë një bezdi dhe një ngarkesë, pasi që shumë herë kanë dështuar të jenë të pavarura dhe të informojnë objektivisht. Dhe kjo ka ndodhur për shkak se mediave në Kosovë, apo shumicës së tyre u ka munguar pavarësia financiare, si dhe u ka munguar vullneti për ta bërë punën në mënyrë profesionale. Varësia financiare e shumicës së mediave në Kosovë ka bërë që këto media të jenë të varura edhe në politikën e tyre redaktuese. Është për të ardhur shumë keq se si gjithë ato media nuk kanë qenë në gjendje të kenë një qasje profesionale ndaj dhunës politike në Kosovë, ashtu siç nuk kanë qenë në gjendje të jenë të përgjegjshme për punën e tyre joprofesionale. Është e qartë se këto media e kanë pasur fatin e gjithë aspekteve të tjera shoqërore që ose u politizuan, ose iu nënshtruan vullneteve të ndryshme politike. Etika profesionale e mediumeve informative në Kosovë është vënë në sprovë shumë herë jo aq me përkrahjet që i janë dhënë partive të ndryshme, sa nga mënyra dhe kodi ligjërimor me të cilin e kanë bërë këtë. Për mua nuk është problem pse një media përkrah një parti politike, por mënyra se si e bën këtë, sepse të përkrahësh një parti politike është e drejtë, sikurse është e drejtë të votosh për atë parti. Edhe në Perëndim, ku profesionalizmi dhe pavarësia e mediave është shumë-shumë më e madhe, media të ndryshme përkrahin njërën apo partinë tjetër. Edhe në Perëndim mediat ndahen në media të djathta, të qendrës dhe të majta; në media publike dhe private; në media proqeveritare dhe kundërqeveritare; në media zyrtare, gjysëmzyrtare dhe jozyrtare. Mediat shqiptare nuk kanë si të bëjnë përjashtim. Por ajo që nuk është normale, është devalvimi i tyre moral dhe profesional që vjen jo aq nga varësia politike partiake sa nga zelli dhe servilizmi i vetë këtyre mediave. Në këtë drejtim, këto media janë bërë më shumë të varura se sa që u kërkohet zakonisht. Shpifja, fyerja, arroganca dhe histeria janë vetëm disa elemente që janë shpërfaqur dhe po shpërfaqen në faqet e këtyre mediave. Dhe shqiptarët që e kanë kaluar kaherë mesataren intelektuale dhe që njohin së paku edhe një gjuhë të huaj, jo vetëm që po mund ta dallojnë shpifjen, fyerjen, arrogancën dhe histerinë, po mund edhe vetë të mësojnë të vërtetën nga burime të ndryshme. Prandaj bezdia e tyre nga këto media është rritur shumë sa që ka kaluar në mosbesim ndaj tyre. Tirazhet e vogla të mediave të shkruara dhe shikueshmëria jo aq e madhe e mediave vizive, janë dëshmi e kësaj. Realisht asnjë media në Kosovë nuk mund të mbijetojë nga tregu, pa pasur burime të tjera financiare. Dhe në vend që për pasojë të ketë rritje të çmimit, disa media madje i kanë ulur ato në minimumin e tyre: sot gazeta “Lajm...” shitet për 10 cent, ashtu sikurse shitet edhe gazeta “Infopress”. Për t’u vetëmbajtur, një gazetë duhet të shitet 30 cent dhe me një tirazh prej 7000 – 10000 copë në ditë. Unë mund ta kuptoj se gazetën “Lajm...” e financon një bisnezmen i njohur dhe mik i Jelcinit, por si mund të mbijetojë një “Infopress” me çmim prej 10 centësh dhe me një tirazh të mjerë të shitjes? Këto pyetje edhe pse në dukje naive, tregojnë për arsyet e vërteta të gjendjes aktuale të këtyre mediave. Varësia shumë e madhe nga burime të ndryshme financiare dhe politike, për këtë arsye, ka bërë që bezdia e shqiptarëve të jetë shumë e madhe. Dhe këto media jo vetëm që nuk po informojnë objektivisht, por ato më tepër po dezinformojnë; në vend që të kultivojnë një kulturë debati që do të mund të ndikonte edhe në emancipimin politik e shoqëror të klasës politike dhe të segmenteve të ndryshme shqiptare, ato vetë janë çoroditur dhe po ndikojnë që të çoroditet edhe më klasa politike dhe segmentet e ndryshme shoqërore në Kosovë. Dhe ky është shërbimi më i keq që këto media janë duke ua bërë shqiptarëve dhe emancipimit të mëtutjeshëm politik e shoqëror. Me këtë rast nuk mund të flitet fare për intelektualizëm piublicitik, pasi që elementet tjera jogazetareske dhe joprofesionale po vihen shpesh mbi intelektualizmin publicitik. Gjatë këtyre viteve kemi parë njerëz edhe me grada shkencore deri në akademikë që kanë bërë tekste me stil të ulët dhe shpeshherë edhe banal, si dhe pa ndonjë përmbajtje konstruktive. Inatet personale dhe vetë personalizimi i çështjeve të ndryshme e ka devalvuar edhe më tej kulturën e debatit publik, duke dhunuar mendjen dhe shpirtin e shqiptarëve kudo që janë. Prandaj ato refuzohen vazhdimisht nga shqiptarët. Prandaj tirazhi i këtyre mediave bie çdo ditë, ashtu siç bie edhe shikueshmëria e mediave vizive. Një element tjetër që ndikon në këtë gjendje është edhe fakti se këto media, pavarësisht se a thirren të djathta apo të majta, shpërfaqin një mendësi të njëjtë dhe një moral të ngjashëm njerëzor e shoqëror: shpifja, fyerja, arroganca dhe histeria psikopatologjike vihen në funksion të denigrimit individual të atyre që u drejtohen, duke plasuar kështu në publik krijime emocionale psikopatologjike, pa çarë kokën për bazën e munguar argumentuese dhe për bazën e munguar logjike. Kriza e besimit që ekziston në Kosovë në raport me mediat, e ka bazën tek te gjitha këto dhe elemente të tjera, sepse të gjitha këto kanë rënë ndesh edhe me nivelin e vetëdijes koletive të shqiptarëve, si dhe me horizontet e pritjes që shqiptarët kanë pasur në raport me këto media.
Faqja www.rexhepkastrati.blogspot.com në funksion të mendimit dhe mendësisë jokonformiste dhe jooportuniste, si dhe angazhim për një hapësirë jashtë ndikimeve politiko-partiake e klanore

Hapjen e faqes http://www.rexhepkastrati.blogspot.com/ dhe në përgjithësi funksionimin e saj duhet kuptuar pikërisht si përpjekje për të hapur një dritare të komunikimit të mirëfilltë medial, larg ndikimeve politiko-partiake dhe klanore, larg logjikës shpifëse, fyese dhe histerike. I irituar me gjendjen e mediave në Kosovë, me mungesën e profesionalizmit dhe të dobësive të tjera të tyre, por edhe në pamundësi për të themeluar një gazetë serioze ditore, hapjen e kësaj faqeje më tepër se sa si një mundësi komunikimi personal, e kam parë edhe si vendosmëri për të kontribuar edhe në këtë mënyrë në trasimin e mendimit pozitiv, të kultivimit të një debati konstruktiv dhe të shpërfaqjes së qasjeve të ndryshme për probleme të ndryshme shoqërore. Në anën tjetër, faqja http://www.rexhepkastrati.blogspot.com/ vjen pas një pune të vazhdueshme që e kam bërë në “Bota sot” dhe në http://www.trepca.net/w.trepca.net/ , të cilat fatkeqësisht janë mbyllur, në masë të madhe edhe për shkak të punës sime në to. Historia e largimit tim nga “Bota sot” tashmë është bërë e njohur për opinionin e gjerë, dhe që lidhet me pamundëlsinë për të punuar me Bajrush Morinën dhe Sylejman Aliun pas vrasjes së Bekim Kastratit, e të cilin para se të vritej fizikisht, këta dy e kanë vrarë moralisht dhe verbalisht me trajtimin shumë të keq që ia kanë bërë. Paraqitja ime në http://www.trepca.net/net/ është bërë i mundur falë mirëkuptimit të kolegëve që e kanë administruar këtë faqe, dhe të cilët jo njëherë janë ballafaquar me trysni të ndryshme pikërisht për shkak të shkrimeve të mia. Tashmë kur kjo faqe është mbyllur përkohësisht, unë vetëm mund t’i falenderoj gjithë ata djemë që e kanë themeluar http://www.trepca.netin/ dhe që kanë pasur mirësinë t’i botojnë shkrimet e mia, duke kontribuar jo vetëm në thyerjen e bllokadës që më është bërë që nga largimi nga “Bota sot”, por edhe në zhvillimet e përgjithshme politiko-shoqërore në Kosovë. Hapja e faqes tjetër: http://www.rugova.net/ që në kohë përputhej me mbylljen e http://www.trepca.net/ ishte një ngjarje tjetër. Ftesës për bashkëpunim që më është bërë nga Ukë Bela iu përgjigja pa paragjykim, duke e konsideruar si çdo faqe tjetër shqiptare. Mirëpo, kur mora vesh se Ukë Bela mund të mos ishte Ukë Bela, por mund të ishte Naser Rugova, më shtyri të mendoj se përse ky njeri nuk shfaqet me emrin e tij, por me tjetër emër, duke më bërë që t’i kem rezervat e mia. Si njeri që kurrë nuk ka shkruar me pseudonime, unë nuk mund ta shihja me sy të mirë fshehjen e njerëzve mbrapa emrave apo nofkave të ndryshme, sepse këtë e bëjnë zakonisht njerëzit pa identitet të tyre apo edhe frikacakë, si dhe njerëz që ngaqë e dijnë se shpifin, nuk duan dhe nuk guxojnë të dalin hapur të qëndrojnë mbrapa atyre që thonë apo që shkruajnë. Edhe pse nuk është në natyrën time që të shpif, gjë që e ka dëshmuar puna ime e gjertanishme që nga fillimi i vioteve ’90 e deri më sot, unë kam qenë çdo herë i hapur për t’u ballafaquar me kundërargumentet, duke mos e quajtur dobësi pranimin e të vërtetës që mund të jetë ndryshe nga e imja. Për mua nuk ka rëndësi a kam të drejtë unë apo dikush tjetër, por që të dalë në shesh e vërteta dhe të sqarohen të gjitha problemet që janë në Kosovë si hap i parë kah zgjidhja e tyre. Askush nuk ka monopol mbi të vërtetën, dhe është gjë njerëzore edhe të gabosh, por është e pafalshme dhe mjerim që të mos guxosh të dalësh me emrin tënd. Kjo ka qenë dhe ka mbetur motoja ime, pavarësisht nga çmimi që kërkon kjo të paguaj. Në asnjë prej qindra shkrimeve që kam bërë brenda 16-17 viteve që merrem me letërsi, eseistikë e publicitikë, e as në asnjë prej katër librave që kam botuar nuk kam shtuar apo ndajshtuar ndonjë pseudonim karshi emrit tim, sepse të gjitha i kam bërë me përgjegjësi të madhe morale, profesionale dhe shoqërore dhe me mburrje qëndroj mbrapa atyre që kam shkruar. Për mua, më shumë se sa me parti, klane apo individë të ndryshëm, është me rëndësi që të jem me popullin pjesë e të cilit jam. Kjo ka qenë motoja ime tjetër që më ka udhëhequr në angazhimin tim publik. Të gjitha këto jam munduar t’i bëj edhe moto të faqes http://www.rexhepkastrati.blogspot.com/, duke provuar kështu që të sendërtoj një hapësirë në të cilën lexuesit shqiptarë të kenë mundësi të gjejnë të vërtetën dhe konstruktivitetin që u mungon në masë të madhe mediave të tjera qofshin këto të shkruara apo elektronike. Dhe në këtë drejtim, kjo faqe ka arritur që për një kohë të shkurtër të bëhet një nga faqet më të lexuara në internet. Një rol shumë të rëndësishëm ka luajtur kjo faqe në amortizimin e tendencave destruktive në Kosovë, sidomos pas vdekjes së dr. Ibrahim Rugovës, e që ka qenë angazhim që bartej nga angazhimi sistematik në http://www.trepca.net/ .

Demaskimi i tendencave personalizuese, jodemokratike në radhët e LDK-së, dhe në kundërshtim me filozofinë politike të dr. Ibrahim Rugovës, pavarësisht se a kanë ardhur nga krahu i mr. Eqrem Kryeziut apo nga ai i akademik Dacit, dëshmi se kjo faqe ka politikën e saj redaktuese, ka pavarësinë nga ndikimet politiko-partiake dhe klanore, si dhe ka përgjegjësinë e lartë morale e profesionale

Brenda kësaj kohe, faqja www.rexhepkastrati.blogspot.com ka arritur të demaskojë amoralitetin politik të të gjithë atyre që situatën e krijuar pas vdekjes së dr. Ibrahim Rugovës, provuan dhe po provojnë që ta përdorin për pozicionime personale dhe për përfitime personale. Në mënyrë shumë konkrete, të qartë dhe serioze, faqja www.rexhepkastrati.blogspot.com ka denoncuar shkarkimin arbitrar dhe arrogant të akademik Dacit nga posti i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, por edhe personalizimin e skajshëm që akademik Daci ia ka bërë këtij akti arrogant. Me një qasje serioze dhe me një qëndrim shumë të prerë, larg ndkimeve partiake, klanore dhe të natyrave të tjera, kam kritikuar mr. Eqrem Kryeziun për mënyrën e shkarkimit të akademik Dacit, kritikë që u kuptua nga Gecët e Llaushës, Bajrush Morinët e Gexhës, Albatros Rexhajt e Korishës dhe të tjerë si një përkrahje e pakushtëzuar dhe e parezervë për akademik Dacin. Dhe pikërisht nga ky iluzion, këta dhe të tjerë iu larguan mr. Eqrem Kryeziut dhe iu bashkuan akademik Dacit, me idenë se me këtë të fundit është fitorja. Në një situatë të tillë, që në fillim unë i sugjerova akademik Dacit që të kishte kujdes nga miqtë e deridjeshëm të mr. Eqrem Kryeziut, sepse asnjëri prej tyre nuk e ka hallin e tij, por se si t’i ngjiten dhe të përfitojnë nga fitorja eventuale e tij në garën për kryetar të LDK-së. Edhe pse ky sugjerim iu bë me gojë nëpërmjet Sefer Rexhajt nga Korisha, eksponentit të tij në Prizren, akademik Daci bëri veshin të shurdhër dhe vazhdoi ashtu edhe siç vazhdoi: për herë të parë ndodhi që dhuna politike të ushtrohet brenda LDK-së dhe kjo pikërisht nga Gecët e Llaushës, të cilët atë që e kam konsideruar incident ndërmjet tyre dhe Fatmir Rexhepit gjatë vitit 2004, tashmë e bënë edhe praktikë të veprimit politik. Në anën tjetër, implikimi i njerëzve të tjerë të Ramë Marajt dhe rreshtimi i tyre në krah të akademik Dacit, e bëri edhe më të panatyrshëm dhe heterogjen grupin e njerëzve të akademik Dacit: në të njëjtën anë u gjendën Gecët e Llaushës dhe kryetari i FR të LDK-së Sejdë Tolaj, kundër të cilit kishin mbledhë shumë nënshkrime pikërisht Gecët e Llaushës dhe atë vetëm pse ky i fundit kishte pasur kurajon që të deklarohej kundër shkarkimit të akademik Dacit; në të njëjtin krah u gjendën Gecët e Llaushës dhe Melihate Tërmkolli, për të cilën Gani Geci m’i ka thënë njëqind mijë të zeza, pasi mua më quajti këlysh të Ramë Marajt; në të njëjtin krah u gjendën edhe disa miq të tjerë të mr. Eqrem Kryeziut, ndër të cilët edhe Adem Salihaj. Dhe gjithë këta njerëz, shumica prej të cilëve edhe miq të mr. Eqrem Kryeziu, derisa nuk u mendua se ky kishte marrë fund, iu kishin qepur akademik Dacit me idenë e vetme se do të jetë kryetar partie dhe do t’u mundësojë këtyre poste partiake dhe shtetërore, apo edhe rikthim i posteve që kishin pasur. Tashmë është bërë publike dëshira e Gecëve të Llaushës që Fadil Geci të bëhej ministër i Punëve të Brendshme, në ç’drejim kishin arritur të merrnin edhe “pëlqimin” e 19 degëve të LDK-së. Të gjitha këto dhe fryma aspak demokratike që e imponuan gjatë fushatës së brendshme zgjedhore në LDK, përfundimisht bën që unë ta ndërpreja përkrahjen për akademik Dacin, duke heshtur për muaj të tërë. Arsyet se përse heshta gjatë këtyre muajve, edhe pse kam pasur kërkesa nga shqiptarët, sidomos nga mërgata shqiptare që të mos heshti, kanë pasur lidhje pikërisht me pakënaqësinë time me shtabin zgjedhor të akademik Dacit; me mënyrën e mbrapshtë të fushatës zgjedhore që bënte akademik Daci dhe njerëzit e tij, mënyrë që ishte në kundërshtim edhe me filozofinë politike të dr. Ibrahim Rugovës si dhe me praktikën politike të LDK-së; me peroptencën dhe arrogancën e akademik Dacit dhe të njerëzve të tij, të cilët zgjodhën mediat e njohura si kundërldk dhe kundërrugovë për të shpalosur inatin dhe mllefin ndaj mr. Eqrem Kryziut, nepotizmi apo akraballëku që vërehej në masë të madhe në grupin e njerëzve të akademik Dacit (të rikujtoj me këtë rast faktin se Gecët e Llaushës, sidomos Ganiu ishte dhe është shok me Bajrush Morinën e Gexhës, kurse ky i fundit ishte dhe është shok me Albatros Rexhajn e Korishës, kurse ky i fundit kushuri shumë i afërt me Sefer Rexhajn e Korishës, biznesmenin e njohur jo vetëm në Prizren dhe eksponent kryesor i akademik Dacit në Prizren. Në anën tjetër Gecët e Llaushës ishin dhe janë miq me Hysen Gërvallën, kryetarin e degës së LDK-së në Zvicër, kurse ky i fundit vëlla i Avdyl Gërvallës, shokut të botuesit të “Botës sot”, Xhevdet Mazrekaj.); implikimi edhe i njerëzve të tjerë të Ramë Marajt krah akademik Dacit; themelimi i një “Reforme”, e cila në opinion kuptohej si një kryesi paralele e LDK-së si dhe si bërthamë e një partie të re që do të mund ta krijonin njerëzit e akademik Dacit, e që ishin arsye që më bënë të mos vazhdoja ta përkrahja më akademikun. Në anën tjetër, e konsideroja të padenjë grupin e mr. Eqrem Kryeziut për të pasur si kundërpeshë përkrahjen time. Në këto rrethana, unë e bisedova me disa miq edhe mundësinë që t’i bënim thirrje akademik Rexhep Ismajlit që të pranonte të hynte në garë për kryetar partie, pasi që kishte qenë mik i hershëm i dr. Ibrahim Rugovës dhe njeri i profilit të njëjtë apo të afërt intelektual me të dr. Ibrahim Rugovës. Mirëpo, përvoja e hidhur me akademikë të inkuadruar në politikë, bëri që të kisha dyshime për mundësinë e skusesit të akademik Rexhep Ismajlit. Të kujtojmë me këtë rast se angazhimi i akademik Rexhep Qosjes në politikë nuk solli ndonjë të mirë, përkundrazi solli shumë probleme dhe dështimin e tij, ashtu siç kishte ndodhur edhe me vetë akademik Dacin, i cili, po ashtu, me kohë tregoi se do të sillte vetëm probleme në politikën shqiptare dhe dështimin e tij. Në një situatë të tillë, edhe dyshimi për një dështim të mundshëm të akademik Rexhep Ismajlit në angazhimin politik, edhe po qe se do të pranonte të angazhohej, ishte shumë i madh. Prandaj, konsiderova që ishte më e drejtë që t’i lija të dy palët: grupin e akademik Dacit dhe grupin e mr. Eqrem Kryeziut që të ballafaqoheshin me njëri-tjetrin dhe të ishte Kuvendi ai që do të përcaktonte fituesin, duke e konsideruar si legjitim dhe të pakontestueshëm votën e delegatëve të Kuvendit të LDK-së. Me fjalë të tjera, për mua do të ishte i pranueshëm secili nga kandidatët që do të fitonte votat e shumicës së delegatëve në Kuvend, e që Statuti i LDK-së e cilësonte si shumicë të thjeshtë me 50% + 1. Mirëpo, me kalimin e kohës, shtoheshin gjithnjë e më shumë informacionet dhe shqetësimet për përdorimin e metodave jodemokratike, bile edhe e dhunës, e trysnive të ndryshme qoftë gjatë zgjedhjeve në kuvendet e nëndegëve, qoftë edhe gjatë zgjedhjeve në kuvendet e degëve të LDK, pak ditë para Kuvendit të LDK-së më 9 dhjetor, e theva heshtjen duke u bërë thirrje delegatëve që të mos votonin nën peshën e trysnive të ndryshme, edhe pse një pjesë e tyre ishin bërë delegatë falë këtyre trysnive, dhe të votonin me vullnetin e tyre të lirë dhe për kandidatin që parapëlqenin realisht. Dhe kjo nuk ishte thirrje që të votohet pro njërit apo kundër tjetrit, por që të votohej në mënyrë të tillë që kryetari i ardhshëm i LDK-së të ishte ai që realisht e kishte përkrahjen e së paku 50% + 1 të delegatëve të këtij Kuvendi. Shqetësimi im u rrit kur akademik Daci me njerëzit e tij, në stilin dhe mendësinë e kundërt me të dr. Ibrahim Rugovës dhe të filozofisë së tij, para mbajtjes së Kuvendit të LDK-së kishte filluar festimet për fitoren e pritshme të tyre, kurse gazeta e Ramë Marajt, Ilira Post, paralajmëronte fitoren e akademik Dacit me 179 vota pro tij. Këto ishin argumente publike që provonin se njerëzit e akademik Dacit, miqtë e djeshëm të mr. Eqrem Kryeizut e kishin kryer punën e tyre, kurse vetë Kuvendi ishte vetëm formal. Në këtë situatë, prapë e theva heshtjen dhe iu drejtova akademik Dacit me thirrjen që të hiqte dorë nga metodat e këtilla, pasi që me e mirë është një humbje eventuale sot dhe një fitore nesër, se sa një fitore e dhunshme dhe me mënyra aspak demokratike. Tashmë ishin shuar të gjithë argumentet për të shikuar nga korrneri se çka po bëjnë lojtarët në fushë, sepse ishte e qartë se akademik Daci dhe njerëzit e tij e kërkonin një fitore me çdo çmim, e nëse nuk ndodhte kjo, atëherë të bënin gjithçka që ta rrënonin LDK-në. Kjo u pa qartë kur “propjekti Daci” pësoi disfatë jo me 50% + 1, por me mbi 60% të votave. Në rrethana të tilla, angazhimi im dhe i faqes www.rexhepkastrati.blogspot.com ishte që të demaskohej gjithë kjo histeri dhe kjo psikopatologji që shfaqej nga njerëzit e akademik Dacit. Faqja www.rexhepkastrati.blogspot.com, përsëri u bë prijatare e mendimit jokonformist dhe jooportunist, duke vënë në shënjestër gjithë ata që më shumë se sa uniteti dhe stabiliteti i LDK-së, u interesojnë përfitimet e tyre personale. Dhe këta njerëz që deri dje çirreshin në emër të LDK-së dhe të dr. Ibrahim Rugovës, nuk e kanë për gjë që pa fije turpi dhe morali politik të provojnë t’ia vëjnë shqelmin kësaj partie dhe filozofisë politike të dr. Ibrahim Rugovës. Nuk zgjodhën mënyra dhe vende se si dhe ku ta bëjnë këtë, pa u kujtuar se dilnin sheshit si kuaj Troje që përdoreshin nga mediat e ndryshme kundërldk dhe kundërrugovë. Tashmë ishte e qartë për të gjithë, edhe për ata 160 delegatë që kishin votuar për akademik Dacin, se njeriu për të cilin kishin votuar e paska pasur hallin e hakmarrjes personale dhe të intatit personal se sa të partisë. Vetë njerëzit e akademik Dacit, duke e parë si vetëvrasje politike daljen nga LDK-ja, filluan në mënyra të ndryshme që të provojnë të afrohen me krahun e mr. Eqrem Kryeziut, kurse disa të tjerë që nuk e shihnin të mundur këtë, filluan të bëjnë biseda të fshehta me eksponentë të partive të ndryshme politike, përfshirë edhe “Orën” e Veton Surroit. Në rrethana të tilla, nëpërmjet faqes www.rexhepkastrati.blogspot.com u vura kundër këtyre tendencave, duke konsideruar se nuk është ndonjë hata nëse akademik Daci del nga LDK-ja, përkundrazi do të ishte një ndihmesë në profilizimin e saj politik, edhe pse e kisha dhe vazhdoj ta kem bindjen se janë pikërisht Gecët e Llaushës, Bajrush Morinët e Gexhës, Albatros Rexhajt e Korishës, Melihate Tërmkolli e Alush Gashi nuk do t’i bashkohen akademikut në rrugën e tij të djalit plangprishës, i cili ka paralajmëruar rkthimin në parti ende pa u larguar nga ajo. Në të vërtetë, kërcënimi banal se ka vota për ta rrëzuar qeverinë, përkatësisht për ndryshime në institucione, ishte vetëm një klithmë dëshpëruese, apo një përpjekje për të frikësuar arushën me shoshë, pasi që votat nuk i ka as opozita që i numrin mbi 40 deputetë. A guxon akademik Daci që votat që mund t’i ketë krah t’ia bashkojë opozitës që me ngulm po kërkon shkarkimin e qeverisë, mbetet të shihet, por një situatë të tillë do ta bënte humbësin përfundimtar edhe politik edhe moral dhe që përfundimisht do ta çonte te shtëpia, ashtu siç është bërë edhe me akademik Rexhep Qosjen.

Faqja www.rexhepkastrati.blogspot.com, e hapur për të gjithë ata që të vërtetën dhe ineteresin e përgjithshëm i kanë parime të tyre, por edhe për ata që kanë argumente kundër shkrimeve që botohen në këtë faqe

Si do qo të jetë, faqja www.rexhepkastrati.blogspot.com do të jetë vazhdimisht e angazhuar që të vazhdojë edhe më tej emancipin politik dhe shoqërore, në radhë të parë, të klasës politike, si dhe do të jetë në funksion të konstruktivitetit, pozitiviteti dhe interesit të përgjithshëm politiko-shoqëror, pavarësisht nga sifdat me të cilat do të ballafaqohet, duke pasur parasysh dy motot e lartpërmednura: 1. askush nuk ka monopol mbi të vërtetën, dhe është gjë njerëzore edhe të gabosh, por është e pafalshme dhe mjerim që të mos guxosh të dalësh me emrin tënd; 2. për mua, më shumë se sa me parti, klane apo individë të ndryshëm, është me rëndësi që të jem me popullin pjesë e të cilit jam, duke përfillur parimin e intelektualizmit publicitik si parim që ka të bëj me stilin e të thënit të të vërtetës. Natyrisht se kjo faqe do të jetë e hapur për të gjithë ata që duan të thonë të vërtetën, që ngrihen mbi ndikimet politiko-partiake, klanore etj., që kanë një nivel të intelektualizmit publicitik që nuk është fyes për intelektin kolktiv të shqiptarëve, por edhe ndaj atyre që mednojnë se kanë argumente të kundërta lidhur me gjithçka që shkruhet në këtë faqe.