09 janar 2007

SHAKATË POLITIKE TË FILLIMVITIT 2007


KRENARIA TRAGJIKOMIKE E NJERËZVE
TË AKADEMIK DACIT DHE MJERIMI I TYRE POLITIK

Shakatë politike në Kosovë, lulëzimin e tyre e patën që kur grupi i Hydajet Hysenit doli nga LDK-ja: atë botë ky grup ngulte këmbë se përfaqësonte LDK-në legjitime, kurse pjesa që e përfaqësonte dr. Ibrahim Rugova nuk ishte LDK-ja e vërtetë. Pak më vonë prej tyre, Edi Shukriu i dha një shtysë shakave politike duke deklaruar se kishte frikë se mos ADK-ja, partia e themeluar bashkë me Edita Tahirin, do t’i fitonte mbi 60% të votave në zgjedhjet e 2004. Tash zevzekët e akademik Dacit po i ngrisin më në nivel shakatë politike në Kosovë: po deklarojnë se këta përfaqësojnë LDK-në legjitime, si dhe po thonë se konkurrente e shohin PDK-në e Hashim Thaçit, e jo LDK-në e Sejdiut. Të thëna në fillim të vitit 2007, këto shaka që nuk janë aspak origjinale, në të vërtetë po e shpalosin mjerimin politik të këtyre njerëzve që do t’i shquajë gjatë këtij viti. Pse është kështu?

Shkruan: Rexhep KASTRATI


Çdo parti politike, sikurse çdo grupacion tjetër i organizuar që vepron në bazë të një Programi dhe Statuti, përcakton edhe rregullat e funksionimit të saj, e rrjdhimisht edhe çështjen e legjitimitetit të saj. Kjo do të thotë se çdo parti politike me normat e brendshme që i përcakton në Statutin e saj, përcakton edhe çështjet e tilla si emri, simbolet e saj dhe shenjat e tjera dalluese. Në këtë kontekst, shakaja politike sipas të cilës është grupi i njerëzve të akademik Dacit LDK-ja legjitime, përveçse është një shaka e pakripë, bie ndesh pikërisht me normat e brendshme që ka LDK-ja si parti politike, si dhe me logjikën e shëndoshë njerëzore dhe jo vetëm politike. E plasuar fillimisht nga vetë akademik Daci, dhe e përsëritur edhe nga të tjerë pas tij, shakaja politike sipas të cilës këta janë LDK-ja legjitime, në të vërtetë shpërfaq çoroditjen shpirtërore dhe morale të atyre që e thonë, si dhe hallakamën e brendshme që i ka kapluar vota kundër në Kuvendin e LDK-së më 9 dhjetor 2006. Është kështu për faktin se në Kuvendin e LDK-së më 9 dhjetor 2006, vota kundër akademik Dacit, nuk ishte thjesht votë kundër një kandidati, por votë kundër gjithë atyre që ishin rreshtuar në krah të tij, edhe pse më parë, shumica prej tyre kishin qenë miq të mr. Eqrem Kryeziut; ishte votë kundër mendësisë dhe koncepteve feudale, që përfaqësohet nga Gecët e Llaushës, ishte votë kundër parapolitikës që ishte dhe vazhdon të jetë e lidhur me segmente të parapolitikës rreth PDK-së; ishte votë kundër dhunës politike dhe shantazheve të tjera që njerëz të akademik Dacit ushtronin gjatë fushatës së brendshme zgjedhore; ishte votë kundër tendencave për shndërrimin e LDK-së në një ring politik në të cilin individët i qërojnë hesapet me grushta, dhe ku lufta nuk fitohet me vota, por me grushta. Me fjalë të tjera, çoroditja shpirtërore dhe morale e zevzekëve të akademik Dacit është pikërisht pasojë e ndëshkimit të të gjitha këtyre “risive akademike” që ata i sollën në LDK. Natyrisht se kësaj çoroditje i ndihmojnë shumë edhe aspektet karakterologjike që këta njerëz në krye me akademik Dacin i kanë shpërfaqur publikisht, ndër të cilat duhet dalluar: mendjemadhësinë, arrogancën, prepotencën, egoizmin etj. Këto aspekte karakterologjike i dhanë zjarr edhe absurditetit politik, sipas të cilit në njërën anë pranojnë humbjen në Kuvend, e në anën tjetër deklarojnë se e kanë shumicën e LDK-së! Dhe Kuvendi ka pasur atë përbërje që ka pasur, ani që po t’i hymë një debati publik se si janë “zgjedhur” përkrahësit e akademik Dacit, do të dilte që numri i atyre që do të kishin votuar për të, do të kishte qenë më i vogël. Në anën tjetër, duhet pranuar se në Kuvend, akademik Daci ka marrë më pak vota se sa ka pritur, pasi më parë gazeta e Ramë Marajt, Iliria Post, kishte thënë se për Dacin do të votojnë 179 delegatë. Këtë po e përmendi jo vetëm për të treguar se për akademik Dacin kanë votuar më pak se sa kapritur ai që to votojnë, por për të argumentuar faktin se akademik Daci do ta quante legjitime edhe një fitore me vetëm 2 vota më shumë se sa kufiri minimal prej 177 delegatëve nga 352 sa ishin të pranishëm në Kuvend. Dhe kjo fitore do të kishte qenë vërtet legjitime, pasi që me vetë faktin se Statuti i LDK-së ka përcaktuar se kryetar i LDK-së zgjidhet ai që fiton së paku 50% + 1 të votave, e që do të thotë 177 vota, por është po aq legjitime, në mos edhe më tepër fitorja e Fatmir Sejdiut që është me 189 vota. Në këtë kontekst ku është ajo shumicë në të cilën thirret akademik Daci dhe zevezekët e tij? Dhe çdo njeri me shkollë të natës e di se nëse në Kuvend është dëshmuar se nuk e ke shumicën, atëherë je pakicë, kurse me gjiithë këtë vazhdon të pretendosh se e ke shumicën, atëherë duhet ta rikonsiderosh apo nostrifikosh edhe një herë gradën shkencore që ke. Mjerimi politik që prodhon shakara të tilla politike, nuk ka si të jetë alternativë politike për të ardhmen e Kosovës, sepse ky popull që tahmë është i pjekur politikisht nuk e ka ndërmend që të bëjë eksperimente politike me fatin e tij. Sjelljet politike të njerëzve të akademik Dacit dhe të vetë këtij, në të vërtetë, jo vetëm që bien ndesh me filozofinë politike të dr. Ibrahim Rugovës, por edhe e fyejnë intelegjencën kolektive të popullit shqiptar. Përveçse, edhe me votë nuk e kanë shumicën, e rrjedhimisht edhe nuk mund të thirren në LDK legjitime dhe në LDK jolegjitime, por as me sjelljet e tyre këta njerëz nuk mund të thirren dhe të vetëquhen LDK legjitime, sepse LDK-ja që e njeh dhe që e mbështet ky popull është ajo e një kulture politike, e një vetëdije shtetërore, është LDK e krijimit dhe e respektimit të legaliteteve dhe legjitimiteteve politike e juridike. Manipulimi me emrin e dr. Ibrahim Rugovës, vetëm për t’i mundësuar dikujt ndërtim kullash, uzurpim fabrikash, fshehje nga ndjekjet e ndryshme penale, është një nga shkallët me të larta të mjerimit politik, sepse kjo do të thotë se po e përdor një pasuri kombëtare, çfarë është emri dhe vepra madhore e dr. Ibrahim Rugovës për interesa personale dhe për punë të mbrapshta, e që e bëjnë zakonisht njerëz të zhytur në llumin e amoralitetit politik e njerëzor.2. Shakaja tjetër, sipas të cilës njerëzit e akademik Dacit nuk e shohin konkurrente, siç e quajnë, LDK-në e Sejdiut, por PDK-në, është më e pa kripë se shakaja e parë. Është kështu, sepse nuk ka asnjë argument që do ta provonte këtë. Përkundrazi është një dyzinë argumentesh që provojnë të kundërtën. Me këtë rast po i përmendi përshqitazi vetëm dy-tri argumente, të cilat do t'i elaboroj më detajisht në shkrimet në vazhdim, gjithnjë duke shtuar edhe argumente të tjera, varësisht nga nevoja apo nga zhvillimet që do të pasojnë. Së pari, njerëzit e akademik Dacit ende nuk përfaqësojnë një subjekt të mëvetësishëm, dhe për më tepër në të gjitha nivelet e pushtetit janë të përfshirë nën emrin dhe logon e LDK-së. Kjo do të thotë se legjitimitetin politik e institucional që e kanë ndonjëri prej tyre, e kanë falë LDK-së. Jo vetëm kaq: në taborrin e akademik Dacit ka njerëz që e gëzojnë pushtetin falë marrëveshjeve të brendshme politike, siç është rasti i Xhemail Hysenit në Gjilan, i cili u bë kryetar komune në bazë të marrëveshjes me Lutfi Hazirin, i cili i la postin e kryetarit të komunës pasi vetë u bë ministër i Pushtetit Lokal. Në anën tjetër, Fadil Geci u bë deputet jo pse ka fituar në zgjedhje, por pse nuk ka mundur dot të fitojë, pavarësisht nga krushqitë që ata i kanë bërë apo mund t’i bëjnë, dhe pavarësisht nga bisedat që ata i bëjnë me njerëz të ndryshëm në Drenicë për ta bërë Drenicën qendër të politikës në Kosovë. Vetëm Adem Salihaj mund të thirret në një legjitimitet real në Ferizaj, por edhe ky legjitimitet ka qenë i lidhur me emrin e dr. Ibrahim Rugovës dhe të LDK-së, e jo të ndonjë subjekti tjetër politik. Si ilustrim mund të shërbejë fati i shumë ish-veprimtarëve të LDK-së, të cilët në ndërkohë ose themeluan parti të tjera, ose iu bashkuan partive të tjera. Me këtë rast nuk po i përmnendi disa të tjerë që me të dy këmbët janë si në parapolitikën LDK-së, e që është ngushtë e lidhur me parapolitikën e PDK-së, të AAK-së etj., ashtu edhe në shërbime të ndryshme sekrete, bile edhe kundërshqiptare. Ndërkaq, mbetet të shihet se dega e LDK-së në Zvicër a do të jetë peng i krushqisë ndërmjet Gecëve të Llaushës me Hysen Gërvallën, apo do të arrijë që të lirohet nga ky ngërç, ashtu siç mbetet të shihet se a do të jetë dega e LDK-së në SHBA nën ndikimin Agim Rexhajt. Përveç aspektit të legjitimitetit politik që lidhet me LDK-në, kundër shakave politike të njerëzve të akademik Dacit, shkon edhe vetë struktura organizative e LDK-së. Në Kuvendin e LDK-së, u pa qartë se shumica e absolute e degëve të LDK-së nuk ka rënë pre e trysnive të ndryshme që janë bërë mbi ta dhe i kanë vënë interesat e partisë dhe të Kosovës mbi interesat individuale apo klanore. Ndoshta asnjë degë, përjashto degën e Ferizajt, nuk ka rënë pre e këtyre trysnive, por kanë qenë individët ata që ose janë joshur, ose janë shantazhuar, ose që sinqerisht kanë besuar se duhet të votohet për akademik Dacin. Fakti se akademik Dacit i kanë munguar votat e parashikuara, është edhe një dëshmi se një pjesë e madhe e atyre delegatëve ndaj të cilëve është bërë trysni, kanë arritur që të vihen mbi të gjitha dhe të vëjnë interesat e partisë dhe të Kosovës mbi interesat personale, klanore etj. Dhe për këtë ata gëzojnë edhe mbështetjen time dhe admirimin tim. Dhe numri i delegatëve të Kuvendit që kanë votuar për akademik Dacin është duke u zvogëluar, pasi që një pjesë e tyre po e shohin se akademiku ka mashtruar, për të mos thënë ka rrejtur kur deklaronte se edhe po të humbiste, do të rrinte në LDK dhe nuk do ta braktiste atë. Dhe një pjesë e delegatëve që kanë votuar pro tij, tashmë e kanë të qartë se kanë votuar pro njeriut që pasi nuk arriti që të fitonte dhe t’i hakmerrej mr. Eqrem Kryeziut, jo vetëm që thotë se nuk do të qëndrojë në LDK, por edhe po provon në çdo mënyrë që ta rrënojë atë, përfshirë edhe aleancat faktike me PDK-në dhe “Orën”. Ky është argumenti i tretë me radhë që provon se njerëzit e akademik dacit nuk janë konkurrentë me PDK-në, por janë aleatë faktik të tyre. Problemet rreth miratimit të buxhetit në fund të dhjetorit, treguan se njerëzit e akademik Dacit tashmë i janë bashkuar opozitës: njësoj si deputetët e PDK-së, edhe njerëzit e akademik Dacit nuk ishin të pranishëm në Kuvend. Njësoj është edhe me kërcënimet për rrëzimin e Qeverisë dhe të drejtuesve të tjerë të institucioneve, pasi që në të gjitha rastet do të jetë opozita ajo që do të mund t’i rrëzojë këta me votat e një grushti deputetësh të LDK-së që janë afër akademik Dacit, e jo e kundërta. Kurrkund në botë nuk ka ndodhur që grupe të mëdha parlamentare, siç është ta zëmë grupi parlamentar i PDK-së që i janë bashkuar një grushti të vogël njerëzish, por gjithmonë ka ndodhur që të tjerë i janë bashkuar grupit të madh parlamentar kundër ndonjë vendimi, apo edhe kundër qeverisë. Kërcënimi i vetë akademik Dacit se i ka votat për ta rrëzuar Qeverinë, Kryetarin e Kuvendit apo edhe Kryesinë e tij, përveçse përfaqësojnë shkallë skajshmërisht të mjerimit politik, përfaqësojnë edhe shkallën e çoroditjes logjike dhe intelektuale të tij, por edhe përfaqësojnë fyerjen e radhës që i bëhet intelektit kolektiv të shqiptarëve dhe vetëdijes së tyre politike. Është kështu, për faktin se nuk ka shqiptar në botë që nuk e ka të qartë se janë njerëzit e akademik Dacit ata që faktikisht i janë bashkuar opozitës, e rrjedhimisht edhe janë bërë aleatë de facto të saj. Dhe me këtë ata nuk po tregojnë forcën, por pikërisht pafuqinë dhe mjerimin e tyre politik. Është kështu për faktin se u dëshmua se janë një grusht i vogël njerëzish që ndoshta mund të numërohen me gishtat e një dore, dhe se për të shfryrë inatet dhe mllefin e tyre personal, apo për të zbatuar urdhërat që vijnë nga parapolitika në Kosovë dhe nga parapolitika në Zvicër e Gjermani, janë të gatshëm të bëjnë aleancë edhe me dreqin e të birin. Dhe nuk ka mjerim më të madh pasi që nuk arrite ta mundësh rivalin politik në mënyrë legjitime dhe në një organ legjitim, siç është Kuvendi, të keqpërdorësh mandatin që të ka dhënë partia, ta përdorësh kundër saj. Është e tepërt të thuhet se këtu nuk mund të bëhet fjalë për moral politik dhe njerëzor. Unë nuk di se cili politikan, ose cili deputet i LDK-së mund të kërkojë nesër mbështetje politike nga populli, kur ka treguar se atë mbështetje që i është dhënë një herë, e ka keqpërdorur duke ia kaluar atë mbështetje opozitës. Dhe cilët deputetë të LDK-së në Kuvendin e Kosovës, apo edhe nëpër asambletë komunale mund t’i bashkohet aleancës së re që po vepron në Kosovë ndërmjet njerëzve të akademik Dacit dhe PDK-së? Me çfarë të drejte do të mund të thirren nesër në emrin dhe veprën e dr. Ibrahim Rugovës, pasi do ta kenë tradhtuar më parë?