10 janar 2007

A ËSHTË SHTYRJA E PROJEKTILIGJIT
PËR MEMORIALIN E PRESIDENITIT RUGOVA
PASOJË E ALEANCËS FLUIDE NDËRMJET
NJERËZVE TË AKADEMNIK DACIT
ME OPOZITËN?

Edhe në mbledhjen e djeshme të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, nuk u vendos që projektligji për memorialin e presidentit Rugova të futet në rend dite, por ai iu kthye sponsoruesit, Ministrisë së Shërbimeve Publike për plotësim. Naim Maloku si përfaqësues i pozitës, tha se kjo u bë për plotësime të mëtejme lidhur me koston e saj, kurse Gazmend Muhaxheri i ‘Orës’ tha se shtyrja ka ardhur edhe si kërkesë e PDK-së.

Shkruan: Rexhep KASTRATI

Projektligji për memomorialin e presidentit Rugova nuk është një projektligj i sapombërritur në Kryesinë e Kuvendit, por ka shumë kohë që është në tavolinë dhe është duke pritur për miratim. Gjatë tërë kësaj kohe ka qenë e mundur që të bëhen të gjitha plotësimet e nevojshme dhe të mos ketë nevojë për zvarritje. Në anën tjetër, mund të shtrohej në Kuvend si rend dite dhe të gjitha plotësimet e nevojshme do të mund të bëheshin pas leximit të parë. Prandaj, mendoj se zvarritja e këtij projektligji është bërë pa ndonjë nevojë të madhe. Edhe po të jetë se PDK-ja, apo në përgjithësi opozita të ketë kërkuar shtyrjen e saj, projekligji në fjalë do të duhej të hidhej në votë dhe të miratohej si pikë e rendit të ditës. Është kështu se opozita, e në mënyrë të veçantë PDK-ja, mund të ndodhë që edhe pas një muaji të kërkojë që të shtyhet përsëri, apo thënë më drejtë, do të dëshironte të mos shtrohej fare për miratim. Qëndrimi i gjertanishëm i PDK-së në mënyrë të veçantë ndaj figurës së dr. Ibrahim Rugovës, dihet botërisht se ka qenë më tepër se qëndrim opozitar: ka qenë mohues, injorues dhe fyes. Së këndejmi, si mund të pritet që të ndryshojë qëndrim brenda natës dhe të jetë më dashamirëse dhe më konstruktive tash kur bëhet fjalë për një projekligj që mëton të zyrtarizojë një nderim shtetëror që mund t’i bëhet dhe duhet t’i bëhet presidentit historik të Kosovës? Prandaj, nuk u desh të bëhej shtyrja. Në anën tjetër, a ka iluzion dikush se pas një jave, pas një muaji, apo edhe pas një viti mund të ndryshojë për të mirë qëndrimi i PDK-së? Nëse dikush e ka këtë iluzion, atëherë ai ose nuk e ka informacionin e duhur, ose nuk ka lidhje me poltikën dhe me strategjinë e veprimit politik. Në fund të fundit pse do të kërkonte PDK-ja shtyrjen e këtij projektligji, nëse e ka ndërmend që të japë konsensusin për këtë projektligj? Mirëpo, e vërteta nuk ka të bëjë as me mungesën e informacionit të duhur, as me mungesën e njohurive politike dhe të strategjisë së veprimit politik të opozitës, e as me mundësinë që PDK-ja të japë konsensusin për këtë projektligj. Pse është kështu? Është kështu se të gjithë e dinë qëndrimin e PDK-së ndaj dr. Ibrahim Rugovës, si dhe strategjinë e veprimit të saj politik. Kërkesa për shtyrje që mund ta ketë bërë PDK-ja lidhet me dy momente politike: me rrjedhjen e votave nga pozita për shkak të qëndrimeve devijuese të akademik Dacit, dhe me afrimin e ditës kur kryenegociatori për statusin e Kosovës, presidenti Marti Ahtisari do të paraqesë propozimin e tij për të ardhmen e Kosovës. PDK-ja, e trimëruar nga qëndrimi refraktar dhe devijues i akademik Dacit në kohën e miratimit të buxhetit të Kosovës në fund të dhjetorit 2006, është duke pritur lëvizjet e mëtutjeshme të akademikut, në mënyrë që të provokojë krizë parlamentare dhe hapjen e rrugës për një qeveri me bazë të gjerë. Është kështu për faktin se njerëzit e akademik Dacit janë duke paralajmëruar mundësinë që gjatë janarit të formojnë partinë e re, të cilën do të mund ta emërojnë edhe Lidhja e Re Demokratike e Kosovës, apo edhe Inisiativa e Re e Rugovës, apo me ndonjë emër tjetër të ngjashëm, të cilët do të mund të shkëputeshin nga Grupi Parlamentar i LDK-së, duke shkaktuar krizë parlamentare dhe pse jo edhe rrëzim të Qeverisë. Kjo natyrisht se do të bëhej bashkë me votat e opozitës dhe në bazë të një aleance fluide me të. E PDK-ja, dhe në përgjithësi opozita ka kohë që është duke kërkuar rënien e Qeverisë, prandaj është duke pritur me vëmendje të shtuar se çfarë është duke ndodhur me njerëzit e akademik Dacit për të përshtatur strategjinë e veprimit të saj politik. Për më tepër, një pjesë e njerëzve të akademik Dacit ka kohë që janë në bisedime të fshehta me njerëz të opozitës, qoftë në nivele qendore, qoftë në ato lokale, nga të cilat pritet të shihet se a do të dalë ndonjë marrëveshje për bashkim votash për rrëzim të Qeverisë, apo edhe për ndonjë bashkim organizativo-partiak. Me fjalë të tjera, opozita është duke e ndier veten komode në këtë drejtim, sepse është duke llogaritur shumë në vazhdimin e inatit të akademik Dacit dhe në shpërfytyrimin e mëtutjeshëm politik të tij dhe të njerëzve të tij. Mirëpo, a ka gjasë që njerëzit eventualë të akademik Dacit t’i bëjnë obstruksion miratimit të projektligjit për memorialin e presidentit Rugova? Logjikisht jo, pasi që sponzoruese e këtij projektligji është Melihate Tërmkolli, një nga njerëzit e mundshëm të akademik Dacit, dhe se obstruksioni eventual ndaj këtij projektligji do t’i nxirrte përfundimisht në pension të parakohshëm politik gjithë njërëzit e akademik Dacit në krye me të, edhe pse letrat për pension i kanë plotësuar tashmë. Përkthyer shqip, do të thotë se njerëzit e akademik Dacit shtyrjen e afattit për pension politik do të provojnë ta bëjnë duke u munduar të kapen pikërisht në këtë projektligj, me idenë se janë ata që e kanë spnzoruar atë, ani që kur është paraqitur në Kuvend ky projektligj, asnjëri prej tyre nuk e ka quajtur veten njeri i akademik Dacit, por shumica syresh e kanë konsideruar veten miq të mr. Eqrem Kryeziut. Sido që të jetë, synimi i opozitës që të shfrytëzojë papërgjegjshmërinë dhe shpërfytyrimin politik të njerëzve të akademik Dacit për të përmbysur Qeverinë, është mëse i dukshëm: në një deklarim televiziv pas largimit nga seanca parlamentare kur duhej të miratohej buxheti, Jakup Krasniqi i PDK-së pasi shprehu mosmiratimin e Grupit Parlamentar të PDK-së për proojektbuxhetin, tha se nëse pozita i ka votat e mjaftueshme, le ta miratojë vetë. Dhe opozita do të vazhdojë të llogarisë në papërgjegjshmërinë dhe shpërfytyrimin politik të njerëzve të akademik Dacit, të cilët vlerën e votës së tyre e llogarisin pikërisht me papërgjegjshmërinë dhe shpërfytyrimin politik të opozitës, pra falë raporteve aktuale të votave në Kuvend. Çështje është se a do të vazhdojë dhe a do të pranojë pozita që të jetë peng i papërgjegjshmërisë dhe shpërfytyrimit politik të një grushti të vogël njerëzish të cilët mund të shantazhojnë me bashkim votash me opozitën edhe për ta rrëzuar Qeverinë? Natyrisht se nuk do të ishte mençuri politike që të ndodhte kjo, pasi që do të ishte pozitë e shantazhuar, do të ishte pozitë e kërcënuar dhe do të ishte pozitë e bllokuar, e rrjedhimisht do të kishim edhe institucione të shantazhuara, institucione të kërcënuara dhe institucione të bllokuara. A është mençuri politike që me këtë gjendje të institucioneve të Kosovës ta presim propozimin e presidentit Marti Ahtisari? Natyrisht se jo. Nuk mund ta presë Kosova propozimin e presidentit Marti Ahtisari me këtë gjendje, sepse më shumë se kurrë duhet stabiliteti dhe forca verpuese e institucioneve të Kosovës. Ajo që unë mendoj se duhet bërë është që t’u qartësohet njerëzve të akademik Dacit që ose të sillen me përgjegjësi politike dhe kombëtare dhe t’i japin fund bashkëveprimeve me opozitën, ose në të kundërtën do të zgjerojnë bazën e koalicionit qeveritar. Por nëse pozita aktuale do të jetë e shtrënguar që të zgjerojë bazën e koalicionit qeveritar, do të duhej që pikërisht njerëzit e akademik Dacit të mbeteshin jashtë qeverisë së re. Në këtë mënyrë t’u lihej njerëzve të akademik Dacit që të vendosnin vetë se a do të dëshirojnë të jenë pjesë e përgjegjshme e pozitës, duke mos shantazhuar, kërcënuar e bllokuar pozitën dhe Qeverinë, apo do të bashkojnë votat me opozitën dhe t’i mundësojë kësaj përfshirje në Qeveri, por pa njerëzit e akademik Dacit. Është kështu, sepse Kosovës i duhen institucione stabile, e jo institucione që varen nga vullneti dhe teket e dy-tre vetave. Edhe pse kundërshtar i vazhdueshëm i bashkëqeverisjes, e ithtar i flaktë i qeverisjes me sistemin pozitë – opozitë, konsideroj se megjithatë më mirë një bashkëqeverisje e keqe, se sa një pozitë të shantazhuar, të kërcënuar dhe të bllokuar. Kosova nuk mund të jetë peng i tekeve të disa individëve, të cilët ngaqë kanë mundësi t’i bashkojnë votat me opozitën dhe të shkaktojnë kriza parlamentare, tërheqin zvarrë institucionet e Kosovës.

Në anën tjetër, synimi i opozitës për ta shtyrë sa më shumë projektligjin për memorialin e presidentit Rugova, lidhet edhe me afrimin e ditës kur presidenti Marti Ahtisari do të bëjë propozimin e tij për statusin e Kosovës, pasi që në këtë mënyrë do të kenë mundësi që edhe më tej të provokojnë raportet brenda pozitës. Është kështu për faktin se opozita aktuale, sidomos PDK-ja, do të provojë të ngjallë polemika brenda pozitës me propozimin tjetër për një shtyrje të mëtejme të këtij projektligji me arsyetimin se më të rëndësishme janë diskutimet për çështjen e statusit të Kosovës, diksutimet për ligjet bazike, siç janë Kushtetuta, Ligji për simbolet shtetërore, Ligji për Zgjedhjet dhe ligjet tjera thmelore për funksionimin e Kosovës pas përfundimit të misionit të UNMIK-ut në Kosovë. Dhe thelbi i kësaj polemike eventuale brenda pozitës do të kishte të bënte me pajtimin apo mospajtimin për t’u shtyrë projektligji për memorialin e presidentit Rugova. Natyrisht se është shumë e qartë se njerëzit e akademik Dacit do ta shfrytëzonin situatën për të treguar se kush është gjoja më shumë rugovist se tjetri, e që do të ishin debate shterpe dhe shumë të dëmshme për procesin politik. Përtej kësaj, është e qartë se afrimi i ditës kur presidenti Marti Ahtisari do të paraqesë propozimin e tij për statusin e Kosovës dhe vetë akti propozimit, e ngarkojnë Kosovën me çështje shumë serioze si zbatimi i decentralizimit në Kosovë, krijimi i një stabiliteti më të fuqishëm institucional si kusht për një stabilitet të përgjithshëm politik e shoqëror. Me fjalë të tjera, sa më shumë që po kalon koha, aq më shumë po shtohet serioziteti dhe ndërlikueshmëria e situatës në Kosovë, të cilës duhet përgjigjur me mençuri, urti, vendosmëri dhe unitet politik. Dhe këtë opozita e papërgjegjegjshme do të vazhdojë ta përdorë për faktorizimin e saj të mëtutjeshëm dhe për përfitime të mëtutjeshme politike, duke e vënë pozitën në vështirësi të ndryshme. Dhe në këtë kanë llogaritur duket edhe njerëzit e akademik Dacit, të cilët, po si opozita aktuale, do të kërkojnë t’ia rritin vlerën vetes pikërisht falë mundësisë që në fund të janarit apo në fillim të shkurtit presidenti Marti Ahtisari të bëjë propzimin e tij për statusin e Kosovës. Në një situatë të tillë, pozita aktuale do të duhej të dinte të vepronte me qetësi, kthjelltësi dhe përgjegjshmëri të lartë. Kjo do të thotë që ta kuptojë pozitën e vet dhe të veprojë në përputhje me të dhe me zhvillimet që pritet të ndodhin. Pozita aktuale duhet të vlerësojë se a është më mirë të vazhdojë të jetë peng e tekeve të disa individëve plangprishës dhe të mos jetë e sigurt se a do të mund ta kalojë një projktligj në Kuvend, apo që t’i japë fund kësaj gjendjeje duke i hapur rrugë një bashkëqeverisje me opozitën aktuale, por pa njerëzit e akademik Dacit, të cilët natyrisht se do të duhej të paguanin për papërgjegjshmërinë dhe shpërfytyrimin politik të tyre.

Krejt në fund, duket se shtyrja e projektligjit për memorialin e presidentit Rugova, më shumë se sa shtyrje për çështje të kostos së tij, ka të bëjë me raportet e krijuara në pozitë, raporte që po ia krijojnë opozitës mundësinë që të luajë si macja me miun dhe të imponojë gjithçka që mund t’i teket. Në rrethana të tjera, vetë presidenti i Kosovës do të duhej të kërkonte dorëheqjen e Qeverisë dhe t’i hapej rruga krijimit të një shumice tjetër parlamentare, ose ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Për shkak të rrethanave në të cilën po kalon Kosova, opcioni i fundit nuk është i pritshëm dhe real, prandaj mbetet opcioni i krijimit të një shumice tjetër parlamentare.